Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Grekët për zgjedhjet në Shqipëri

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Oct 11 22:21:07 EDT 2000


Grekët për zgjedhjet në Shqipëri 
Nga Ilir Mati 
SHEKULLI

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke uroi për
zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe deklaroi për
parregullsi të tyre në Jug të Shqipërisë, në Himarë.
Sa herë ngrihen çështje midis Shqipërisë dhe Greqisë,
pyetja e parë që më vjen në mendje është të gjej nëse
grekët  janë apo nuk janë evropianë, sipas kuptimit që
Evropa e Bashkuar i jep këtij termi. Greqia është i
vetmi vend i Evropës së Bashkuar në Ballkan dhe, si e
tillë, ka përgjegjësi të madhe për përhapjen dhe
zbatimin e parimeve të saj në gadishullin plot me
probleme të mbetura, në radhë të parë nga
nacionalizmi. Në rastin e zgjedhjeve të fundit në
Shqipëri për pushtetin vendor, Evropa dërgoi si
vëzhgues organizatën e saj të specializuar OSBE si
edhe ODIHR, anëtare e të cilave është edhe Greqia.
Çfarë e shtyu zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të
Greqisë të deklarohet jo vetëm pavarësisht, por edhe
ndryshe nga strukturat e specializuara evropiane,
anëtare e të cilave ajo është? Çfarë e shtyu vetë
ministrin e Jashtëm, Papandreu, t’i telefonojë për
këtë problem Kryeministrit të Shqipërisë, Meta, i cili
detyrën e tij për kryerjen e zgjedhjeve dhe mbajtjen e
rendit publik e kreu, ndërkohë që do të ishte e udhës
që ministri grek t’i telefononte kryetarit të OSBE-së
a të ODHIR-it, ose, në fund të fundit, kryetarit të
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë? A ka këtu
çështje jashtë rregullave dhe bindjeve të Evropës së
Bashkuar? Ky veprim, më bën të kujtoj Kalin e Trojës,
në formën e bashkëpunimit midis shteteve, sipas
parimeve të Evropës së Bashkuar, në barkun e të cilit
fshihen luftëtarët e skuadroneve të nacionalizmit, të
përgatitur në kuzhina që funksionojnë ende në Elladën
e bukur me shumë probleme edhe për vetë komunitetin e
ri të kontinentit të vjetër. Në disa zona të Jugut të
Shqipërisë, siç duket, këto skuadrone kanë dalë nga
barku i kalit modern, për të keqen e tyre. Ata
pretendojnë dhe interesohen për të drejtat e njeriut
që, sipas tyre, i përfaqëson vetëm një parti shqiptare
me emër të tillë. Në të vërtetë, kësaj radhe
skuadronët gabuan, sepse i bënë të qartë opinionit
publik shqiptar dhe jo vetëm atij, që ndoshta edhe ajo
parti ka gjasë të jetë njësi në veprim e dalë nga
barku i Kalit modern të Trojës dhe s'ka të bëjë aspak
me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por
përkundrazi. Pra, përpara fakteve të tilla, opinioni
puplik shqiptar bëhet i kujdesshëm për të ndjekur dhe
kontrolluar të gjitha veprimet dhe praninë greke në
Shqipëri, sigurisht kurrë nën prizmin e nacionalizmit,
pra, të doktrinës politike, e cila Evropës dhe
Ballkanit i ka shkaktuar miliona viktima. Të bëhet i
kujdesshëm ndaj deklaratës së ambasadorit të Greqisë
në Himarë për rolin helenizues të kësaj treve
shqiptare. Të bëhet i kujdesshëm për praninë e trupave
ushtarake greke, qoftë edhe në përbërje të strukturave
të NATO-s. Të bëhet i kujdesshëm për pagesën e
pensioneve të posaçme, të cilat, që nga Greqia, u
paguhen qytetarëve shqiptarë. Të bëhet i kujdesshëm
për trajtimin e çështjes çame, të cilën Qeveria Greke
thotë se "çështjen çame e ka mbyllur", pra, pranon se
çështja çame është çështje, se ajo është mbyllur në
mënyrë të njëanshme nga Greqia dhe, sipas logjikës
normale të gjërave, duhet të rihapet në kushtet e
reja, për t’u mbyllur sipas parimeve në të cilat sot
beson komuniteti ndërkombëtar. Të bëhet i kujdesshëm
ndaj Parlamentit të Republikës Greke, i cili ende mban
në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Të bëhet i
kujdesshëm ndaj mësimeve të historisë që grekët u
bëjnë fëmijëve të tyre në shkolla, në lidhje me Epirin
dhe fqinjësinë me Shqipërinë. Të bëhet i kujdesshëm
ndaj mohimit të kontributit të kulturës shqiptare në
kulturën greke, e cila, d.m.th. kultura shqiptare, të
paktën, në Olimpiadën e fundit, i dha Greqisë katër
medalje të mëdha. Të bëhet i kujdesshëm ndaj detyrimit
të emigrantëve ekonomikë shqiptarë për ndërrimin e
emrit dhe fesë. Të bëhet i kujdesshëm ndaj presionit
me ndihmat ekonomike. Të bëhet i kujdesshëm edhe për
shumë çështje të tjera, të cilat ne, shqiptarët,
mendojmë t'i zgjidhim me fqinjin tonë shekullor në
bazë të rrugës që kemi zgjedhur, në paqe drejt
progresit të gjithë së bashku, duke eleminuar
nacionalizmin dhe pjellat e tij: racizmin, fashizmin,
nacional-socializmin, shovinizmin etj. Por shumë grekë
s'kanë faj. Ata shpesh dëshmojnë se nuk e njohin mirë
historinë e tyre. Madje, janë të tjerë ata që ua u
kanë mësuar gjuhën e humbur ndër shekuj, që ua kanë
shkruar historinë e Greqisë dyqind vjet më parë. Janë
të tjerët që u kanë nxitur ndjenjat kombëtare, i kanë
udhëhequr në luftë për çlirim, u dhanë shtetin,
mbretin e parë, parlamentin, demokracinë. Greqia duhet
të kuptojë mirë pozicionin e saj në Ballkan, si
pjesëtare e Evropës së Bashkuar. Nëse ajo nuk na
ndihmon si duhet ne, shqiptarëve, në rrugën që kemi
zgjedhur në shoqërinë e hapur drejt progresit, të
paktën, është e detyruar të mos na pengojë. Sot
Shqipëria nuk është si dikur, toka të Turqisë, të
cilat ai shtet i stërmadh otoman i humbi dhe fqinjët
mund të bënin çfarë të donin jo vetëm me to, por edhe
me kulturën, gjuhën, traditat, fenë e shqiptarëve. Sot
Shqipëria është e sigurt në aleancat e saj, është
besnike e rrugës së zgjedhur dhe pret nga fqinjët dhe
aleatët e saj sinqeritetin e duhur. Rasti i fundit i
deklarimit të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme
greke për rregullsinë e zgjedhjeve lokale flet jo
vetëm për mungesë sinqeriteti. 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Get Yahoo! Mail - Free email you can access from anywhere!
http://mail.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list