Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] {QIKSH «?=ALBEUROPA=?ISO-8859-1?Q?»?=} =?iso-8859-1?q?SHQIPTARËT

Olsi kosova at MAILCITY.COM
Wed Oct 11 04:44:48 EDT 2000


SHQIPTARËT 
Ch. Samy-Bey Fraschery  
KÂMÛS AL-A'LÂM   
(nga Sami Frasheri)


Janë një komb që banon në anën perëndimore të
Gadishullit Ballkanik 
d.m.th. të Rumelisë së Shtetit Osman. Fjala "arnaut"
rrjedh nga fjala 
greke "arvanit". E kemi sqaruar se edhe kjo fjalë
është marrë nga 
fjala "arban" të cilën e përdorin shqiptarët.
(për "arban" dhe 
"arbanija" flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut) . Ky
komb banon në 
Gadishullin Ballkanik që nga kohët shumë të hershme që
nuk ka mundur 
ta shënojë historia. Kjo është dëshmuar shumë
herë. Ndonëse ka qenë në 
raporte me Greqinë e vjetër dhe me Romën, gjithmonë ka
jetuar i ndarë 
nga ata. Mirëpo, duke e prezentuar të përzier me kombe dhe
popuj të 
tjerë dhe, meqë asnjëherë nuk është shikuar si i
bashkuar dhe se ka 
gjuhën e tij kombëtare, deri më tash (lexo në kohën e
S. Frashërit - 
M.P.) ka mbetur në një gjendje të panjohur. Ndonjëri nga
historianët 
evropianë mendon se ky popull, tash vonë, ka ardhur nga Alabana
e 
Kaukazit, d.m.th. nga Dagistani; ndonjëri thotë se rrjedhin nga 
sllavët, kurse ndonjë del e thotë se shqiptarët janë
një popull që ka 
mbetur në një gjendje të egër e që rrjedh nga
grekët. Çdonjëri prej 
tyre, pa dyshim, është larg të vërtetës. Edhe disa
historianë tanë 
kanë supozuar se shqiptarët janë një fis arab që ka
ardhur nga Arabia. 
Ç'është e vërteta, të gjithë këta e kanë
ditur që në gjuhën e tyre ka 
ngjashmëri me greqishten e vjetër, latinishten dhe sllavishten
ose që 
ka fjalë të përziera, por kanë menduar se këto
fjalë janë marrë nga 
ato gjuhë. Më në fund, kur disa studiues të
mirëfilltë evropianë u 
thelluan në studimin e gjuhës shqipe, kuptuan se në
çfarë raporti 
qëndron kjo gjuhë me gjuhën e vjetër greke si dhe me
gjuhët: latine, 
sllave, gotike. persiane dhe sanskrite. Duke marrë në shqyrtim
esencën 
e gjuhës shqipe dhe, duke studiuar hollësisht edhe historinë
e tyre, 
kuptuan rrënjën dhe prejardhjen e popullit shqiptar, prej nga
ka 
ardhur dhe çka u bë me të. Kjo çështje që kishte
mbetur me shekuj në 
një gjendje enigmatike dhe të paqartë, tani është
zgjidhur në tërësi 
dhe është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri
nga degët më të 
lashta të kombeve të Azisë dhe të Evropës të
quajtur "Aria". Nëse i 
jepet rëndësi çështjes së fjalëve shqipe që janë
në lidhje dhe të 
ngjashme me gjuhën e vjetër greke, gjuhën latine, sllave dhe 
gjer-mane, pastaj me të gjitha gjuhët e vjetra evropiane të
cilat 
rrjedhin nga këto gjuhë, në njërën anë, dhe me
gjuhët persiane, zende 
dhe sanskrite nga ana tjetër, diskutimi këtu do të zgjasë
shumë dhe 
për lexuesin tanë, meqë do të flitet për dy çështje
abstrakte (të 
panjohura), do të shkaktojë mërzi dhe lodhje. Mund të
themi që, po të 
bëjmë një fjalor etimologjik të fjalëve të
gjuhës shqipe, do të mbesin 
shumë pak fjalë që nuk do të kenë raporte dhe
ngjashmëri me një ose me 
disa gjuhë që i numëruam këtu. Mirëpo, nuk mund të
konstatohet në 
mënyrë bindëse se këto fjalë janë marrë nga
ndonjë gjuhë tjetër, 
sepse, shihet qartë se ka shumë fjalë, format rrënjore
të të cilave 
janë në gjuhën shqipe, dallohen nga format rrënjore të
fjalëve të 
gjuhës së vjetër greke dhe latine. Edhe ky është
një argument që 
provon se gjuha shqipe është më e vjetër se gjuha e
vjetër greke dhe 
ajo latine, prandaj edhe populli shqiptar është më i vjetri. 
Ngjashmëritë dhe lidhjet që kanë disa fjalë shqipe me
gjuhët persiane, 
zende dhe sanskrite më shumë se të gjitha gjuhët e tjera
ariane të 
Evropës, tregojnë se gjuha shqipe nuk është e një dege
me gjuhët 
latine, greke e sllave, porse është një degë e
drejtpërdrejtë e 
gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur
nga Azia 
Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë
arianë. Popujt 
që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta,
sipas argumenteve më 
bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të
Azisë 
Qendrore, grupe-grupe kanë migruar drejt Perëndimit; një
pjesë prej 
tyre në Maverai Nehri dhe në Rusi, një pjesë në Iran
dhe në Anadoll, 
dhe një pjesë në Kaukaz dhe në brigjet e Detit të Zi,
pastaj janë 
shpërndarë në të gjitha pjesët e Evropës. Këto
migrime, ndërkaq, nuk 
kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata
kohore. Është e 
ditur se populli kelt, i cili ishte i shpërndarë në
Evropën 
Perëndimore, është nga të parët që ka ardhur. Ja
pra, edhe shqiptarët 
është e mundshme të kenë ardhur në ato kohë,
d.m.th. ose pak para, ose 
pak pas tyre. Zaten, ngjashmëritë e gjuhëve si dhe disa
ngjashmëri të 
tjera specifike tregojnë qartë se këta dy popuj kanë
ardhur 
njëkohësisht, ose njëri pas tjetrit. Keltët u vendosën
në perëndim, 
kurse shqiptarët në lindje të Evropës. Ndërkaq,
shumë më vonë, në veri 
të Evropës erdhën e u vendosën totonët dhe sllavët.
Në atë kohë 
shqiptarët quheshin "pellasxh" ose "pellazg".
Sipas një varianti, ky 
emër rrjedh prej fjalës shqipe "plak" (ar., turq.
ihtijar dhe kadim) 
që, sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të
vjetër, Sido që të 
jetë, ky komb në atë kohë ka qenë i përhapur në
të gjitha anët e 
Gadishullit Ballkanik dhe në anët perëndimore të
Anadollit. Helenët të 
cilët erdhën më vonë, ua nxorën nga dora pellazgëve
Morenë dhe një 
pjesë të Greqisë, prandaj një pjesë e madhe e
pellazgëve, për të 
kompensuar këtë, kaluan në Itali dhe ka mundësi që,
duke u përzier me 
popullin që gjetën aty ose që kishte ardhur më vonë,
të kenë formuar 
popullin latin. Edhe nga Greqia pellazgët nuk u tërhoqën
krejtësisht, 
por mbetën grupe-grupe në male dhe në krahinat e Etolisë
dhe 
Akarnanisë; shumë prej tyre u përzien me helenët dhe u
asimiluan. 
Pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, sipas asaj që do
të shihet në 
vazhdim, ishin të ndarë në katër degë: 
1. Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë
së Vjetër deri në 
pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, d.m.th.
në Shqipërinë e 
tanishme , në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci. 
2. Maqedonasit (e lashtë - M.P.); banonin në pjesën e
Maqedonisë që 
shtrihet nga mali Pindos dhe Sharr e deri në malin Rodop, lumin
Karasu 
dhe Detin Egje, d.m.th. në anën e Selanikut, Manastirit,
Shkupit dhe 
Serezit. 
3. Trakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë,
Bullgari e, 
mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub. 4.
Frigiasit 
(frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga Bregdeti i
Anadollit deri 
në Ankara dhe Sivas. 
Katër popujt që i numëruam, është argumentuar
bindshëm se janë degë të 
popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në
gjuhë, si në veti 
dhe zakone, ishin ilirët me maqedonasit, në njërën
anë, dhe trakasit 
me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e
ilirëve me gjuhën e 
maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme. Afërsia e këtyre
katër popujve 
ishte aq e fortë saqë kur të gjithë mbretërit dhe
heronjtë grekë ishin 
tubuar për ta sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga
frigiasit, 
historikisht është vërtetuar se shumë nga Maqedonia e
lashtë dhe 
Trakia u kishin shkuar në ndihmë trojanëve kundër
grekëve. Disa emra 
që ruhen në histori nga gjuha e popullsisë së lashtë
maqedonase, 
frigiase dhe trakase, shihet se kanë ngjashmëri me fjalët e
gjuhës 
shqipe që përdoren sot. Veçanërisht Herodoti, babai i
historisë, 
shpjegon atë lidhje, duke thënë se në gjuhën frigiase
bukës i thonë 
"buks". Kështu, kur hiqet s-ja e cila është një
prapashtesë greke, që 
është shtuar nga vetë Herodoti, shihet qartë se
është fjalë shqipe 
"bukë" (turq. ekmek) që përdoret edhe tani në
gjuhën shqipe. Edhe 
Straboi që ka jetuar në shekullin e parë të erës
sonë, duke treguar 
qartë se ilirët dhe maqedonasit (e lashtë - M.P.) janë
një popull i 
vetëm dhe se flasin me të njëjtën gjuhë, thoshte:
"Banorët e Epirit, 
të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i
presin flokët 
(qethen) në të njëjtën mënyrë si dhe zakonet dhe
vetitë (moralin) i 
kanë të njëjta". Pastaj, në një vend tjetër
thotë: "Këta udhëhiqen nga 
këshillat pleqërorë që i quajnë "plagonija",
plakut i thonë "plajis", 
kurse plakës "plaje". Kështu, fjalët
"plakonja" dhe "plak" siç 
përdoren tani në gjuhën shqipe me këto kuptime,
malësia shqiptare që i 
ka ruajtur zakonet e vjetra, mosmarrëveshjet që ndodhin në
mes tyre, 
sot i rregullojnë përmes këshillave pleqërorë që i
quajnë "plakonja" 
(pleqni - M.P.). 
Sikurse u tha me një mendim të prerë se katër popujt
që u përmendën më 
lart rrjedhin nga pellazgët, poashtu, pa fije dyshimi, është 
konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të
sotëm. Janë 
ruajtur (regjistruar) me saktësi ngjarjet që kanë rrjedhë
qe dy mijë 
vjet, kurse në këtë kohë nuk mbahet në kujtesë se
një popull ka ardhur 
nga jashtë dhe është vendosur në trojet e shqiptarëve
(në Shqipëri). 
Përveç kësaj, marrë në përgjithësi, ka edhe
më shumë fakte e argumente 
që provojnë se pellazgët e vjetër dhe shqiptarët e
tashëm janë të një 
race dhe kanë gjuhë të njëjtë. Sidomos, historianët
e vjetër grekë 
tregojnë se feja dhe besimet e grekëve të vjetër dhe
të romakëve janë 
marrë nga pellazgët e vjetër. Edhe emrat e perëndive
romake e greke, 
sikurse është treguar qartë, janë të pellazgëve,
pra, të shqiptarëve 
të vjetër. Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem
nga historia 
dhe, duke menduar se nuk do të mendohet se kam dashur t'i zmadhoj 
gjërat, meqenëse vetë i takoj racës shqiptare, mund të
them se populli 
shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga
Trieshta deri 
në Sivas, pra në dy territore të mëdha: në Evropë
dhe në Azi. Mirëpo, 
duke qenë në mes popujve dhe shteteve të mëdha të
Iranit, Greqisë, 
Romës etj., dhe, duke rënë në dorë të pushtuesve
të ndryshëm, 
pellazgët u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e
atëhershëm, 
pastaj, duke u tërhequr edhe nga Trakija dhe nga anët
juglindore të 
Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, d.m.th. nga Bosnja dhe
Hercegovina 
dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të
cilët sulmuan 
vazhdimisht, janë ngjeshur në pjesën jugperëndimore të
Maqedonisë dhe 
në pjesën perëndimore të Ilirisë, d.m.th. në
Shqipërinë e sotme (lexo: 
në kohën e Samiut - M.P.). Shqiptarët nuk i kanë
ndryshuar zakonet dhe 
vetitë që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe
pellazgëve. Gjithnjë 
kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e
tjerë. Edhe në mes 
veti kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të
hasmuar njëri me 
tjetrin. Po t'i shikojmë të dhënat historike të
Strabonit, vërejmë se 
- thotë Samiu - mënyra e jetesës së tyre që ka qenë
në ato kohëra, 
vazhdon edhe sot në Malësinë e Dibrës dhe të
Shkodrës. Për këtë arsye, 
duke mos qenë të bashkuar, nuk kanë mundur të formojnë
një shtet ose 
të shkruajnë gjuhën e tyre kombëtare ose të
krijojnë një letërsi 
kombëtare. Edhe njerëzit e mëdhenj (të ditur) që ka
pasur ky popull, 
kanë qenë të detyruar të mësojnë në ndonjë
gjuhë tjetër dhe me atë 
gjuhë kanë qenë të shtrënguar të gjenden në
punët shtetërore. Në këtë 
mënyrë kanë mundur shumë pak të shërbejnë në
ngritjen dhe famën e 
popullit që i kanë takuar. Të jetuarit në këtë
mënyrë, ka ruajtur në 
gjendje të vjetër si gjuhën, si zakonet vetitë e tyre dhe
ka qenë 
shkak në mospërpjekjet e tyre për ndryshime. Shqiptarët
prej kohësh 
ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë
udhëhequr nga kryetarët e 
tyre dhe nga këshillat pleqërorë, nuk është
dokumentuar historia e 
tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete;
njëri ishte në 
Shkodër, tjetri në Epir, d.m.th. në territoret e Janinës
dhe, i treti 
në një qytet të vjetër Pella i cili ishte në afërsi
të Jenixhe-i 
Vardarit të Maqedonisë. Ky i treti është i njohur si
shtet i 
Maqedonisë, historia e të cilit është dokumentuar
plotësisht (për 
Maqedoninë flasim tjetërkund - nënvizim i Samiut). Ky shtet
u bë i 
njohur me ngjarjet shumë të mëdha që mund t'u thuhet
madje të 
jashtëzakonshme, si p.sh. pushtimi i menjëhershëm i shumë
vendeve të 
botës që nuk ishin të njohura dhe të ditura në atë
kohë e deri në Indi 
nga ana e Aleksandrit (Lekës) të Madh (turq. Iskender
Zülkarnejn) i 
biri Filipit. Vetëm se për shkak të rrethanave të
njëjta që u 
përshkruan për shqiptarët, edhe Leka i Madh ka mësuar
në gjuhën greke. 
Megjithëse, ashtu siç ishin maqedonas të gjithë
ushtarët që merrnin 
pjesë në pushtime, po ashtu, edhe ai vetë ishte maqedonas
për nga 
origjina dhe gjuha. Madje, edhe pse është e ditur se ai nuk i
ka 
dashur grekët, i ka konsideruar popull të madh. Mbreti më i
njohur i 
mbretërisë së Epirit ishte Pirroja, i cili dy herë i
kishte mundur 
romakët. Edhe pse kishte ngadhënjyer dhe ishte zgjëruar deri
në Greqi 
dhe Egjipt, dhe, edhe pse kishte ambicie të pushtojë edhe më
tepër, 
kur vdiq, la pas vetes diçka më tepër se pasuria që
kishte gjetur nga 
babai i tij. Edhe nga mbretërit e Ilirisë që kishin fituar
famë më të 
madhe, ishte mbretëresha Teuta dhe mbreti Genci i Parë
(Gjençoja) = 
kështu e përdor Samiu në: "Shqipëria çka
qenë..." - M.P.). Shqiptarët, 
të cilët së bashku me Lekën e Madh kishin pushtuar
botën, nuk pranuan 
t'u nënshtrohen lehtë romakëve. Ata u bënë atyre
një qëndresë të 
vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të
mëdha, për 
hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija
njerëz i 
zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë.
Ja, që nga 
ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli. Nga njëra
anë u gjendën 
nën romakët, nga ana tjetër, për të mos u marrë
nëpër këmbë nga 
avarët, hunët dhe popuj të tjerë gjakpirës,
shkatërrimtarë dhe të 
egër, të cilët kohëve të fundit u vërsulën dhe
sulmuan nga anët 
veriore, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të
sigurta, duke 
qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të
rrafshta, kurse 
një pjesë, duke braktisur në tërësi atdheun e tyre, u
detyruan të ikin 
në Greqi, More, në ishujt e Greqisë deri në anët
qendrore dhe në 
ujdhesën Marmara. Kështu, një pjesë e shqiptarëve,
afër gjysma e 
kombit, mbeti në Greqi dhe në More, përgjithësisht, në
ujdhesat greke 
dhe në Marmara që nga ajo kohë. Ndërkaq, ata që
mbetën në Shqipëri u 
tërhoqën në vende të sigurta natyrore. Meqë
gjithnjë jetonin me armë 
në dorë, ndiqnin rrugën e mbretërve romakë dhe
bizantinë. Në të 
vërtetë, këta udhëhiqeshin në mënyrë të
pavarur nga kryetarët e vet, 
sikurse në të kaluarën dhe këta kryetarë
dalëngadalë merrnin gradën e 
princit ose mbretit. (...) Edhe disa qytete dhe kala që ishin
në 
brigjet e Adriatikut, kaluan në duart e venedikasve. 

Ja pra, në këtë gjendje ishin shqiptarët kur në
pjesën e Rumelisë 
shkeli këmba e sulltanëve Osmanë dhe luftëtarëve
muslimanë. Sado që 
disa prej princave deridiku rezistuan, shumë prej tyre, duke
parë 
forcën dhe potencialin ushtarak, u dorëzuan pa luftë,
prandaj gati të 
gjithë princat ende mbetën në vendet e tyre. Këta kishin
disa 
privilegje dhe të drejta në Shtetin Osman. Mirëpo, më
pastaj 
Skënderbeu i mblodhi të gjithë këta princa, të
cilët vetë e njohën atë 
për prijës dhe komandant të tyre. Duke qenë një njeri
jashtëzakonisht 
trim, i aftë dhe me përvojë luftarake, Papa dhe mbretërit
e tjerë të 
krishterë të Evropës, me qëllim që ta prëdorin si
mbrojtës, atë e 
trimëronin dhe e stimulonin të luftojë kundër turqve
osmanlinj. 
Ndonëse i premtonin se do t'i shkonin prapa dhe se do t'i
ndihmonin, 
këtë nuk e bënë kurrë. Skënderbeu hyri në
luftë me Osmanlinjtë. Luftoi 
40 vjet rresht . Duke u bazuar në pozitën strategjike natyrore
të 
vendit dhe, duke besuar në premtimet e Papës dhe të
mbretërve 
evropianë, ndonëse e shihte se ata dëshirojnë ta
përdorin si një mjet, 
të futet në zjarr, bëri që Shqipëria të gjendet
në zjarr e flakë plot 
gjysmë shekulli. Pastaj, me vdekjen e Skënderbeut, tërë
Shqipëria ra 
në duart e pushtetit Osman. Edhe gjatë asaj kohe disa
qindra-mija 
shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri dhe Siqeli
të Italisë, e një 
pjesë prej tyre u shpërdanë nëpër Venedik, Gjenevë,
Marsej, bile edhe 
në Spanjë. Vetëm se ata që u vendosën në Kalabri
dhe Siqeli, meqë 
formuan fshatra të pastra shqiptare, kanë ruajtur deri më
tash gjuhën 
racën dhe fenë e tyre, numri i të cilëve arrin
përafërsisht 250 mijë 
(dyqind e pesëdhjetë mijë). Kështu, pasi shqiptarët
hynë nën 
administratën osmane, të gjithë bejlerët dhe njerëzit
autoritativë 
menjëherë e pranuan fenë e drejtë islame. Pas pranimit
të Fesë islame 
nga ana e tyre, gradualisht edhe të tjerët filluan ta
pranojnë, 
kështu, për një kohë të shkurtër 2/3 e popullit
shqiptar u bënë 
muslimanë, kurse 1/3 që mbetën u ndanë, gjysma në
ortodoksë dhe gjysma 
në katolikë. Shqiptarët që nuk iu bindën shtetit romak
dhe bizantin 
dhe që deri diku nuk e dëgjuan Lekën e Madh, i cili ishte
bashkëkombës 
i tyre, u bënë të përbashkët me osmanlinjtë, kaluan
në ngritjen dhe 
famën e Shtetit Osman, u bënë shumë dashamirës dhe
nidhmës në 
zgjërimin e pushtimeve osmane dhe islame. Deri në kohën e
formimit të 
ushtrisë së rregullt e të organizuar të gjithë
shqiptarët ishin 
pjestarë të ushtrisë së armatosur të përhershme
të shtetit. Kur 
urdhëronin këta, ashtu të armatosur, ishin të gatshëm
të shkonin deri 
në shkretëtirat e Sudanit. Edhe shteti (Osman), duke i çmuar
lartë 
shërbimet dhe miqësinë e tyre, ua besonte pozitat më
të larta 
shtetërore. Shqiptarët morën pozita të larta në
shtetin Osman; vetëm 
pashallarë, të cilët u bënë sadriazema (kryeministra)
ishin 25, madje, 
në mesin e tyre kishte të tillë që në kohën e
Sulltan Selimit të parë 
dhe Sulltan Sulejmanit, arritën të bëhen sadriazema nga
pesë herë. 
Sinan Pasha, i cili me flamurin osman arriti në Jemen e Amman dhe
në 
Açin e Sumatra, vende këto të panjohura deri në atë
kohë, e shpëtoi 
Shtetin Osman nga shkatërrimet më të mëdha, pastaj,
Qypërli Mehmed 
Pasha me fëmijët dhe nipërit e tij, me ndihmën e Zotit,
patën sukses 
të ngadhënjejnë në rrethimin e Vjenës dhe Shtetit
Osman t'ia kthejnë 
përsëri renomenë e mëparshme, pastaj, Ferhad Pasha e
të tjerët, ishin 
personalitete të këtij populli trim dhe të sinqertë
(të popullit 
shqiptar - M.P.). Shqiptarët në përgjithësi janë
shtatlartë, ashtgjerë 
dhe me nerva të forta dhe veçanërisht dallohen me kokën e
tyre të 
madhe dhe ballin e lartë, gjë që vërteton zgjuarsinë e
madhe natyrore 
të tyre. Me të vërtetë fëmijët shqiptarë që
dërgohen për të mësuar dhe 
për t'u edukuar, ndonëse kanë mësuar në gjuhë të
huaja, është parë që 
për një kohë shumë të shkurtër kanë
përparuar. Kombi shqiptar ka dhënë 
njerëz të mëdhenj, si p.sh. Ali Efendi Gjakovën dhe Hoxha
Tahsinin, të 
cilët vdiqën tash vonë, pastaj edhe shumë shqiptarë
që u dalluan me 
zgjuarsinë dhe dituritë e tyre të cilët ishin të
barabartë me ata të 
Universitetit të Athinës dhe Romës. Janë dëshmuar edhe
aftësitë e 
shqiptarëve të krishterë të Greqisë dhe të
Italisë. Kapedanët, 
kryetarët dhe shumë e shumë të tjerë të cilët
në mënyrë vetëmohuese 
morën pjesë në revolucionin për pavarësinë e
Greqisë, prej të cilëve 
më të dalluarit; Boçari, Xhavella, Kanari, Bollgarisi,
Bubulina, ishin 
shqiptarë. Sikurse këta, edhe shumë prej atyre që ia
zbardhën fytyrën 
dhe i ndihmuan Garibaldit në bashkimin nacional italian ishin 
shqiptarë të Italisë. Pra, ashtu sikurse janë, kryesisht,
shqiptarë 
ata që ende udhëheqin Greqinë, e sidomos ata që e kanë
drejtuar flotën 
e tyre, poashtu edhe nga shqiptarët që janë në Itali ka
shumë njerëz 
të ditur, të vyeshëm, poetë, shkrimtarë etj. Nga ky
popull arritën të 
bëhen edhe papë, siç është Klemani i
njëmbëdhjetë. Mendoj që mjafton 
të përmendet se nga ky komb është zotëri Krispi, i
cili e udhëheq 
diplomacinë e Italisë edhe në ditët e sotme.
Shqiptarët nga 
stërgjyshërit e tyre i kanë ruajtur doket dhe moralin,
nderin dhe 
krenarinë, kanë ruajtur edhe çështjen e mbajtjes së
premtimit që e 
quajnë "besa". Ata janë të gatshëm gjithnjë
të japin jetën e tyre për 
mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të
ruajtur 
fjalën e tyre të dhënë. Vetëm se për pak gjë dhe
për çështje shumë të 
parëndësishme bien në mosmarrëveshje. Janë seriozë
dhe të sinqertë, 
nuk duan shaka të tepruara, tallje dhe fjalë të
parëndësishme. Ecin 
shumë shpejt dhe lehtë. Kanë lëvizje elegente dhe
qëndrim krenar. 
Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe shtatgjate,
sidomos janë të 
bollshme dhe pak me fytyrë burrërore. Në çështje të
moralit janë shumë 
të vendosura, të ashpra. Vajza ose gruaja, e cila, sado pak del
jashtë 
moralit, pamëshirshëm dënohet nga më të afërmit.
Gratë shqiptare janë 
shumë punëtore dhe të denja. Në shtëpi kanë
pavarësi të plotë, kurse 
burrat konsiderohen si musafirë. Meqë i kushtojnë shumë
rëndësi 
çështjes së prejardhjes së familjes (sojit), të
gjithë, për t'i dhënë 
vajzat e veta, duke kërkuar dikë të të njëjtit rang,
shpeshëherë i 
japin larg. Nuk e kanë zakon t'u japin vajzave të tyre pjesë
nga 
pasuria e trashëguar, madje teshat e nusërisë bëhen nga
ana e burrit . 
Edhe pse bindjet fetare i kanë shumë të forta, më
shumë i kushtojnë 
rëndësi punës dhe nuk kanë fanatizëm. Janë të
ruajtura dhe të 
pranishme edhe sot disa zakone dhe rite të mbetura nga feja e
vjetër, 
qoftë te muslimanët, qoftë te ortodoksët. Në mes
njerëzve që u takojnë 
feve të ndryshme ka një dashuri dhe mirëkuptim të
plotë. 

Edhe pse për nga gjuha ndahen në dy degë-në gegë dhe
toskë, nuk bëjnë 
dallime, por të gjithë krenohen me emrin shqiptar. Gegët
janë të 
vendosur në pjesën veriore të Shqipërisë, kurse
toskët në pjesën 
jugore të saj. Lumi i Shkumbinit që kalon pranë Elbasanit
është si 
vijë dalluese e tyre. Dialektet e gegërishtes dhe të
toskërishtes 
dallohen në mes tyre vetëm në të shqiptuar, në theks
dhe në disa 
shprehje, kurse në thelb, gjuha është e njëjtë,
prandaj shumë mirë e 
kuptojnë njëri-tjetrin. Në këtë gjuhë ekzistojnë
disa libra në prozë 
dhe poezi me tematikë fetare katolike të shkruara para 400-500 
vjetësh; poashtu ekzistojnë disa këngë popullore të
ruajtura që nga 
shekulli XV. Dallimet e tyre nga gjuha e sotme qëndrojnë
vetëm në atë 
se janë përdorur në atë kohë; tash në vend të
tyre muslimanët përdorin 
disa fjalë e shprehje arabe, kurse të krishterët disa
fjalë e shprehje 
greke. Edhe pas pranimit të Islamit në Shqipëri kemi
shumë poetë e 
shkrimtarë. Ata kanë thurur divane, poema, me tema të
ndryshme nga 
lëmi fetar: këshilla, ligjërata fetare (vaize), pastaj
mevludin për 
Muhammedin a.s., për tragjedinë e Qerbelasë etj. Të
gjitha këtyreve 
mund t'u thuhet, zakonisht, një letërsi. Mirëpo, meqë
muslimanët kanë 
shkruar me alfabet arab, ortodoksët me alfabet grek dhe
katolikët me 
alfabet latin dhe, meqë veprat e tyre janë të mbushura me
fjalë dhe 
shprehje të huaja dhe, meqë ndjekin shembullin e
letërsisë të popujve 
të huaj, letërsia kombëtare shqiptare nuk ka mundur të
zë vendin e saj 
të meritueshëm. Veprat e shkruara para 4-5 shekujve ose që,
së paku, 
kanë mbetur prej asaj kohe e të përmbledhura më vonë,
kanë mundur të 
zënë këtë vend. Ortodoksët, të krishterët
toskë, ishin duke u 
greqizuar, sepse, që atëherë, vazhdimisht punonin dhe
mësonin sipas 
shkencës greke. Edhe insti-tucionet greke ndihmuan në
këtë dhe, sado 
që te një pjesë arritën deri diku të ndikojnë të
harrojnë gjuhën e 
tyre amtare, këta botuan libra mësimorë me alfabet shqip
që i kanë 
sistemuar më vonë. Në Toskëri janë hapur disa shkolla
të posaçme për 
të mësuar shqip, gjë që edhe këta kanë ndikuar
në ruajtjen e kombit. 
Pas nxitjeve dhe stimulimeve kundër tyre, vazhdimisht filluan ta 
urrejnë dhe të largohen nga Greqia. Kështu, në kohën e
Sulltan 
Abdylmexhidit të Dytë edhe shqiptarëve, iu bë e mundshme
të shkruajnë 
gjuhën dhe letërsinë e tyre, filluan të përparojnë.
Shqiptarët që janë 
në shtetin Osman janë rreth 2 milionë, prej tyre 2/3 janë
të besimit 
islam. Edhe shqiptarët që janë në Greqi dhe në Itali
janë mbi 500 
mijë. Shqiptarët, zaten, meqë janë të vendosur më
tepër në vendet 
malore dhe në vendet jopjellore, vendet e tyre nuk mund t'i
furnizojnë 
me gjëra ushqimore, prandaj shumica prej tyre merren me zanate dhe 
tregti. Duke marrë rrugën e kurbetit në çdo anë të
shtetit Osman, 
pastaj duke shërbyer me rrogë në ushtrinë osmane dhe
në xhandarmëri, 
shkojnë deri në Egjipt, Sudan e bile edhe në Jemen. Duke
qenë larg 
grave të tyre, duke u martuar, sipas zakonit të tyre, vonë,
e disa 
duke u martuar jashtë vendit të tyre, duke u shpërngulur e
duke marrë 
pjesë vazhdimisht nëpër luftëra bëri që numri i
tyre të mos jetë i 
madh. Nga të parët që e kanë bërë të njohur
në Evropë kombin shqiptar, 
origjinën dhe gjuhën e tyre, kanë qenë dr. Hahni, i cili
një kohë të 
gjatë ka qëndruar në Janinë e në Shkodër si konsull
i Austrisë; 
linguisti i famshëm Bopi, Dora d'Istria, e cila është
vetë shqiptare 
dhe rrjedh nga Gjikajt që kanë sunduar si princa në Rumani,
pastaj 
shqiptarët e Italisë Dorsa, zotëri Krispi, Kamarda, De Rada
e të 
tjerë, të cilët kanë shkruar shumë vepra në
gjuhët gjermane dhe 
italiane, përkitazi me shqiptarët . 



-------------------------- eGroups Sponsor -------------------------~-~>
Get free updates on your stocks from any phone with Tellme!
Click here and you can even personalize these quotes.
http://click.egroups.com/1/9536/8/_/920292/_/971258338/
---------------------------------------------------------------------_->

Nëse don të çregjistrohesh nga ALBEUROPA, dërgo një Email në:

albeuropa-unsubscribe at egroups.com






More information about the ALBSA-Info mailing list