| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Saranda therret...Agron Alibali aalibali at yahoo.comSun Oct 8 21:24:40 EDT 2000
Saranda, aty ku harrohet shija e shqipes Aty ku turistët thonë na ishte bukur njëherë e një kohë Iva Tiço 00 355, prefiksi i Shqipërisë që ndiqet nga ai i Tiranës e më pas numri. Nuk je duke kërkuar të flasësh me shtëpinë nga jashtë Shqipërisë, nuk ke kaluar asnjë pikë kufiri dhe në pasaportë nuk të është vënë ndonjë vulë. Megjithatë, prefiksi është më se i nevojshëm të formohet kur je në jug të Shqipërisë, në Sarandë. Linja me Tiranën nuk punon. Nëse do të flasësh, jashtë ka celularë grekë,- thotë punonjësja e PTT-së. Dhe vërtet, jashtë qëndrojnë disa posta lëvizëse. Me dyqind lekë minutin, ata të lidhin me kë të kesh qejf, në çdo qytet të Shqipërisë, ama më përpara duhet të formosh prefiksin. Qytetit jugor nuk i mungojnë kabinat telefonike. Madje edhe kartat, në ndryshim nga Tirana ku i shesin fëmijët me çmime më të larta, mund të blihen fare mirë në sportelin e postës. Por nuk të shërbejnë për gjë. Telekomi nuk punon. Thuhet se një central i ri telefonik do të nisë së shpejti të funksionojë. Me anë të tij Saranda do të mund të lidhet me çdo cep të Shqipërisë, pa pasur nevojë të formojë më parë prefiksin. Ndërsa për celularët shqiptarë, tani për tani nuk bëhet fjalë. E vetmja kompani e komunikacionit të lëvizshëm që është në Shqipëri, nuk i shtrin valët deri në jug. Madje thuhet se sapo kapërcen qafën e Llogarasë, në celular mund të lexosh Welcome in Greece!. Gjithsesi kjo është vetëm aq sa thuhet, ndërsa në Sarandë për aq kohë sa sinjali i telefonave të lëvizshëm të mos kapet, do të vazhdohet me celularët grekë. Ata janë të lirë, mjaft të blesh aparatin dhe në çdo kioskë të Sarandës mund të blesh kartat greke. Mungojnë valët shqipfolëse Rruga për në Sarandë shtrihet në një terren tepër të thyer, male, rrëpira, zigzake Nuk ju bëjnë keq vetëm udhëtarëve që ankohen për troshitjet e rrugës, por u bëjnë gjithaq keq edhe valëve televizive. Valët shqiptare mungojnë thuajse tërësisht në Sarandë. Duhen përforcues, madje edhe moti duhet të jetë i mirë që të mund të kapësh ndonjë sinjal të televizionit publik shqiptar. Madje edhe ky nuk kapet në çdo pikë të qytetit. Duhet të kërkosh gjatë me telekomandë. Komanda search sjell në ekran mbi dhjetë stacione, të gjitha në greqisht, derisa, nëse je me fat, nëse hoteli është në një pikë të favorshme për këso punësh dhe pronari ka shpenzuar ca më shumë duke blerë përforcuesa, atëherë mund të të dalë një sinjal i dobët, me ngjyra të fikura që lexon TVSH. Por nuk qëndron gjatë gjithë kohës në ekran. Nis një zhurmë, pastaj miza dhe zhduket. Nëse je me fat, mund të dalë prapë pas ndonjë ore, përndryshe del të nesërmen. Nëse pyet banorët e qytetit, tregojnë se ka qenë thuajse gjithmonë kështu. Madje qysh para viteve 90, Saranda ishte një nga pikat e hartës së televizionit të vetëm shqiptar ku sinjali dilte më i dobët. Ndërsa sa i takon televizioneve private shqiptare, sarandiotët i kanë vetëm me të dëgjuar. Nëse kanë shfletuar gazetat në faqet ku shkruhet për televizionin, njohin me emër ca prej tyre, ose mund tu ketë rënë rasti ti kenë parë kur kanë dalë jashtë qytetit. Ndërsa brenda në Sarandë, asnjë prej këtyre televizioneve nuk ka mundur të emetojë ndonjëherë. Shtrihemi në gjithë Shqipërinë, tani edhe në Kosovë, është motoja që ka përsëritur ndonjë nga televizionet private shqiptare kur është gjetur para garës për marrjen e licencës kombëtare. Me sa duket, ose është harruar që stacioni i tyre nuk transmeton në Sarandë, ose më keq akoma, është harruar se edhe Saranda gjendet në hartën e Shqipërisë. Gjithsesi, që të marrësh licencë kombëtare mjaft të transmetosh në 70 për qind të territorit të vendit, kështu e gjithë kjo reklamë ka shkuar kot. Ndërkohë valët shqipfolëse në skajin jugor vazhdojnë të mungojnë. Për tu informuar, banorët kanë zgjedhur stacionet televizive greke. Atje mësojnë se çpo ngjet në vendin fqinj, çpo ngjet në Evropë madje mund të mësojnë edhe se si po shkojnë zgjedhjet në Shqipëri. Për hollësi të tjera, për ngjyrime politike apo komente puro shqiptare, i drejtohen shtypit të shkruar që meqënëse shpëndahet aq larg, është më i shtrenjtë sesa në Tiranë. E ndërsa TVSH-ja shfaq dobët, radio Tirana nuk ndihet fare. Madje asnjë radio tjetër shqiptare. Në fund të fundit, kur shteti nuk kujtohet të investojë e të blejë përforcuesa, përse duhet ta bëjë këtë privati? Por jo të gjithë privatët mendojnë kështu. Prej pak kohësh, Saranda ka median elektronike të parë lokale. Një radio modeste, e quajtur thjesht Saranda, por që është me të vërtetë tepër për atë qytet ku mungon fjala shqipe. Transmeton gjithçka, muzikë popullore, jugore e veriore, polifonike e çame, madje edhe rep e metal. Transmeton lajme lokale, por dhe ndonjë gjë të rëndësishme që ka mundur të merret vesh nga kryeqyteti, njofton dhe për oraret kur do të ikin dritat sipas zonave. Ka një zyrë të vogël, buzë detit. Dy pronarëve nuk u sjell ndonjë fitim, por ata janë të kënaqur që në rrëmujën e frekuencave greke dëgjohet një zë në shqip Radio Saranda. Kanë fituar të drejtën të vazhdojnë konkurimin për licencën e radios lokale dhe teksa ulen në ndonjë bar porosisin: Një kafe dhe Radio Sarandën. Fëmijët, emra grekë Në autobus hipën një vajzë e vogël, flokëverdhë me kaçurrela. Eshtë nga Saranda dhe është pesë vjeç. E quajnë Aliqi. Të ëmën ia quajnë mami Nila, ndërsa të atin babi Tani. Nuk janë me origjinë minoritare, janë shqiptarë puro. Aliqi ka edhe një shoqe, të vogël aq sa është dhe ajo. Luajnë çdo ditë bashkë me kukulla. Po shoqja si e ka emrin? Athinulla, përgjigjet Aliqi. Ndërsa edhe mami dhe babi i Athinullës kanë emra tipikë shqiptarë. Të krijohet përshtypja sakaq se vajzat e vogla kanë trashëguar emrat e gjysheve të tyre, zakon ky i rikthyer vitet e fundit në Shqipëri e sidomos në Jug. Por nuk qenka kështu. Mami Nila tregon se gjyshja e Aliqit kishte një emër tjetër, ndërsa të bijës ia ka vënë emrin kumbarja greke. Madje i ka blerë edhe një kryq të trashë floriri dhe plot rroba të bukura. Ndërsa Athinulla është pagëzuar dhe ajo në Greqi. Edhe ajo duhet të ketë ndonjë kryq të bukur. Dhe si këto dy vogëlushe, në Sarandë ka plot fëmijë të tillë me këso emrash. Ndërsa në bregdetin e Durrësit dëgjon prindër që i thërresin Henrit apo Enxhit e tyre, në plazhin e Sarandës, nënat thërrasin Sotirin apo Efigjenin të mos iki larg me not. Ksamili, aty ku ka mbirë betoni Quhej perla e Shqipërisë. Thuhej se armiqtë na kishin halë në sy pikërisht për atë copë bregdet, të mbushur me brezare me agrume e ullinj. Ndërsa kur ke shumë vite pa kaluar në ato anë, në pamje të parë nuk e kupton ku je. Vetëm nëse sheh grumbullin e ishujve në det, kërkon ca me sy nëpër kodra, e merr me mend se aty duhet të jetë Ksamili. Ishuj me konfiguracion të atillë nuk ka në ndonjë vend tjetër të Shqipërisë, pra je vërtet në Ksamil. Nëse nuk do të ishin ishujt, mund të vazhdoje të kërkoje më tutje e në fund të thoshe Ksamili ka humbur. Fshati është po aty, ashtu siç janë dhe ishujt, por kodrat rreth e rrotull kanë ndërruar ngjyrë. Nëse sheh me vëmendje, zbulon ndoca rrënjë të dala në sipërfaqe të tokës, ndonjë trung të prerë dhe kupton që aty ka pasur pemë. Ca më tutje ca pemë ulliri, madje kanë shpëtuar edhe ca limona apo portokalle. Aty e kupton se ke rënë në gjurmë të brezareve të zhdukura. Vendin e gjelbërimit, e ka zënë një ngjyrë e murme. Balta në ato anë ka ngjyrë të kuqe dhe nga larg kodrat e Ksamilit dallojnë dukshëm nga pamja e një ishulli të madh përballë që quhet Korfuz. Andej gjelbër, këtej kuq. Megjithatë tregohet se gjatë verës ka pasur lëvizje që andej këtej, nga e gjelbra drejt të kuqes. Por kanë qenë lëvizje ditore, një shëtitje në Butrinit, ndoshta edhe një drekë në Sarandë, pastaj drejt të gjelbrës menjëherë, pa u ndalur fare në Ksamil. Ndërsa vetë fshati që dikur furnizonte me agrume Shqipërinë, nuk arrin të furnizojë as Sarandën. Mjaft të shohësh tregun, agrume të paketuara Made in Greece. E si të mos ishte vetëm balta e kuqe, tani ka mbirë edhe betoni. Ndërtesa të reja, ca të mbaruara e ca jo, ca me leje e shumica pa leje, diku themele të hapura e diku shtylla betoni. Aty po ngrihet një shtëpi, ca më tej thuhet se do të bëhet një hotel. Madje me shumë kate. Po kush do të bujtë në atë hotel. Çturistë mund të vijnë në një peisazh me ngjyrë të kuqe, ku e gjelbra sa vjen e humbet. Nëse do të duan gjelbërim, turistët do të shkojnë në ishullin përballë, ku dhe infrastruktura është shumë më e mirë. Çhall mund të të shtyjë ti shpenzosh lekët në një vend për të cilin mund të thuhet ishte bukur njëherë e një kohë. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Yahoo! Photos - 35mm Quality Prints, Now Get 15 Free! http://photos.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |