| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] {QIKSH «ALBEUROPA»} TEMA: IntervistaQIKSH «Albeuropa» kosova1 at hotmail.comThu Nov 30 17:01:04 EST 2000
Intervista
Për Ju zgjodhi
QIKSH Albeuropa
Ekskluzivisht për Temën flet Nicolas Vllahakis, këshilltar për shtypin
i Ambasadës së Greqisë në Belgjikë, i Përfaqësisë së Përhershme të Greqisë
pranë Bashkimit Evropian dhe pranë NATO-s
Paskal Milo është përfaqësues i minoritetit grek
Reagimi i qeverisë aktuale shqiptare, me të cilën Greqia ka
patur marrëdhënie shumë të mira, është krejt i papritur. Ky mund të ishtë
reagimi i zotit Berisha dhe jo i qeverisë aktuale shqiptare. Për ne është
pothuajsë një gjendje shoku. Personalisht mendoj së nuk është një qëndrim i
kryeministrit Ilir Meta, por i disa prej anëtarëve të Partisë Socialistë si
Fatos Nano, Gramoz Ruçi, apo i mikut tim Luan Rama
Si e komentoni shqetësimin e qeverisë tuaj rreth zhvillimeve
gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të Shqipërisë në Himarë ?
Është nje diskriminim që i është bërë minoritetit grek në
Himarë. Himara është e njohur si qytet jugor i Shqipërisë, i cili është i
populluar nga minoritet grek dhe këtë e dinë të gjithë. Rasti i zgjedhjeve
nuk përbën herën e parë të shtypjes së të drejtave të minoritetit grek në
Shqipëri. Ne jemi shumë të shqetësuar përsa i përket edukimit të banorëve të
kësaj zone, pasi kërkesa për hapjen e një shkolle greke për minoritetin grek
të kësaj zonë është refuzuar nga shteti shqiptar. Gjithashtu, pjesëmarrja e
minoritarëve grekë në administratën shtetërore dhe në sistemin juridik të
Shqipërisë, nuk pranohet. Mbase mund të thuhet që një përfaqësues i
minoritetit grek është ministri Paskal Milo, por ai nuk e pranon këtë. Ka
një tjetër këndvështrim për këtë çështje, të cilën unë e respektoj sepse
është krejtësisht personale. Çështja e diskriminimit të minoritetit grek nuk
na shqetëson vetëm në marrëdhëniet bilaterale Shqipëri- Greqi , por bëhet më
tepër serioze, e parë në dimensionin evropian, sepse përbën shkelje të të
drejtave të njeriut. Në këtë kontekst është dhe deklarata e ministres së
Jashtme të Greqisë Panagotis Beglitis, e cila thotë se Greqia nuk mund të
rrijë apatike përballë shkeljes së të drejtave të rregullave që duhet të
ndjekin të gjitha vendet, nëse ato i kanë vënë vetes për qëllim të ndërtojnë
marrëdhënie të qëndrueshme me Bashkimin Evropian dhe natyrisht Greqinë.
Qeveria shqiptare konsideron se 8 deputetët greke kanë mbërritur
në Himarë për të bërë propagandë për kandidatin e "Omonias ". Cili është
reagimi juaj?
Jo, nuk është e vertetë që deputetët grekë kanë qenë në Himarë
për të bërë propagandë. Qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë sinjal që të
tregonte për qëllimin propagandistik të ardhjes së deputetëve grekë në
Himarë Nuk ka fakte të cilat e provojnë këtë. Ata janë paraqitur aty për të
vëzhguar procesin e zgjedhjeve. Pra, bëhet fjalë për vëzhgim. Këtë të fundit
e vërteton edhe raporti i OSBE-së, i cili tregon qartë së raundi i dytë i
zgjedhjeve nuk ka qenë transparent dhe se zgjedhjet në Himarë janë zhvilluar
në një klimë tensioni me vendin fqinj, pra Greqinë dhe se janë vënë re
çrregullime të rënda.
Sipas jush, cila është arsyeja e ndodhjes së kësaj ngjarjeje në
Himarë ?
Nuk arrij ende të kuptoj arsyen e këtij qëndrimi të qeverisë
shqiptare, ndërkohë që bëhet fjalë për të njëjtin kandidat të partisë së
minoritetit grek në Shqipëri "Omonia", i cili ka qenë edhe në kohën e
qeverisjes së zotit Sali Berisha. Gjatë qeverisjës së Berishës, qëndrimi i
tij nacionalist ka qënë shumë i theksuar dhe vazhdon të jetë i tille. Zoti
Berisha ka shprehur hapur nje qëndrim antigrek, që shpjegon dhe tensionet e
shumta që ka pasur midis palës greke dhe qeverisë shqiptare deri në 1997.
Por,reagimi i qeverisë aktuale shqiptare, me të cilën Greqia ka patur
marrëdhënie shumë të mira, është krejt i papritur. Ky mund të ishtë reagimi
i zotit Berisha dhe jo i qeverisë aktuale shqiptare. Për ne është pothuajsë
një gjendje shoku. Personalisht mendoj së nuk është një qëndrim i
kryeministrit Ilir Meta, por i disa prej anëtarëve të Partisë Socialistë si
Fatos Nano, Gramoz Ruçi, apo i mikut tim Luan Rama. Këta të fundit, kanë
ndjekur të njëjtën politikë si zoti Sali Berisha duke përvetësuar të njejtin
qëndrim nacionalist. Ata kanë shfrytëzuar momentin e zgjedhjeve në bashkinë
e Himarës, për të bërë të ditur së janë politikanë socialistë me nje qëndrim
nacionalist , në mënyrë që të tërheqin sa më shume elektorat rreth vetës.
Unë mendoj së kjo lëvizje e kësaj pjëse të Partisë Socialiste është bërë për
të mbuluar gjëra të cilat kanë ndodhur në gjirin e kësaj partie. Në Shqipëri
është shumë e lehtë të luash me kartën e nacionalistit dhe mendoj që këta
politikanë e kanë përdorur për të fshehur çështje të brendshme, për të
justifikuar së ç'farë ndodh në të vërtetë në Shqipëri . Nga ana tjetër,
mendoj që ka lindur një lloj frike për lënie në harresë nga ana e qeverisë
shqiptare. Pas ndryshimeve të fundit në Ballkan, Bashkimi Evropian dhe SHBA
e kanë shprehur qartë pozicionin dhe angazhimin e tyre për të ndihmuar
Serbinë Demokratike me në krye zotin Koshtunica. Ndihma politike, ekonomike
dhe financiare që do t'i jepet Serbisë është bërë publike. Është e qartë se
pas këtij ndryshimi, gjërat do të ndryshojnë shumë si për Shqipërinë, ashtu
edhe për Kosovën. Fakti që Serbia do të ndihmohet dhe do të jetë gjithashtu
në grupin e shteteve që do të integrohen në Bashkimin Evropian ashtu si
Maqedonia dhe Shqipëria, nuk është nje sinjal i mire për qeverinë shqiptare,
e cila tutet se nuk do të mund të përfitoje si më parë ndihmë dhe asistencë
nga BE. Tani në pjesën e tortës që i është ofruar nga Bashkimi Evropian
rajonit të Ballkanit, pra midis të tjerëve dhe Shqipërisë, është futur dhe
Sërbia.
Duke u nisur nga deklarata e kryeministrit grek Kostas Simitis,
i cili ka dënuar ashpër zhvillimet në Himarë, qeveritarët shqiptarë i
tremben një kundërreagimi të qëverisë greke. A do të ketë një kundërreagim?
Jemi në dijeni të zërave që qarkullojnë për një acarim të
marrëdhënieve dypalëshe, dhe një kundërreagim të qeverisë greke ndaj
popullsisë shqiptare që jeton në Greqi. Kjo nuk është e vërtetë. Qeveria
greke nuk do të marrë asnjë masë ndaj shtetasve shqiptarë që zhvillojnë
veprimtarinë e tyre jetësore në Greqi. Me këtë dua të them se nuk do të ketë
asnjë lloj pasoje për refugjatët shqiptarë, të cilët janë që prej një kohe
të konsiderueshme në Greqi apo ndaj të tjerëve të cilët janë sezonalë.
Konferenca interballkanike e cila do të zhvillohet në Shkup në datën 25 të
këtij muaji, do të jetë rasti i volitshëm për përfaqësuesit e qeverisë
shqiptare dhe asaj greke për të biseduar rreth ngjarjes së Himarës, për të
qetësuar situatën e krijuar dhe për të rikonfirmuar marrëdhëniet e
fqinjësisë së mirë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Pas kësaj konference, rendi
i ditës së mbledhjës së radhës së Këshillit të ministrave të Jashtëm të
Bashkimit Evropian, në 22 nëntor, do të përqendrohet, ndër të tjera, te
Shqipëria.
Bisedoi : Erisa Zykaj, Bruksel
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
-------------- next part --------------
A non-text attachment was scrubbed...
Name: clearpixel.gif
Type: image/gif
Size: 43 bytes
Desc: not available
URL: <http://www.alb-net.com/pipermail/albsa-info/attachments/20001130/bd9f3f16/attachment.gif>
-------------- next part --------------
A non-text attachment was scrubbed...
Name: tema.gif
Type: image/gif
Size: 16446 bytes
Desc: not available
URL: <http://www.alb-net.com/pipermail/albsa-info/attachments/20001130/bd9f3f16/attachment-0001.gif>
-------------- next part --------------
A non-text attachment was scrubbed...
Name: Intervista_NElementalBanner.GIF
Type: image/gif
Size: 2045 bytes
Desc: not available
URL: <http://www.alb-net.com/pipermail/albsa-info/attachments/20001130/bd9f3f16/attachment-0002.gif>
-------------- next part --------------
A non-text attachment was scrubbed...
Name: RivetsblBackground.gif
Type: image/gif
Size: 551 bytes
Desc: not available
URL: <http://www.alb-net.com/pipermail/albsa-info/attachments/20001130/bd9f3f16/attachment-0003.gif>
More information about the ALBSA-Info mailing list |