Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Kadare

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Nov 5 18:51:47 EST 2000


Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare
dhënë gazetës "Shekulli"
Ç'do të jetë Shqipëria në Ballkan
Robert Rakipllari
Pyetja e parë për ju kur vini në Shqipëri është bërë
tanimë tradicionale. Si e shikoni gjendjen? Pas kësaj
pyetjeje qëndron preokupimi i ligjshëm i njerëzve për
fatin tonë, për shanset që kemi ose që i humbim.
Një pyetje tradicionale ka rrezik të nxitë një
përgjigje të të njëjtit lloj, pra tradicionale. Do të
përpiqem t'i shmangem kësaj dhe ta mendoj pyetjen tuaj
si të bërë për herë të parë.
Unë hyj ndër ata që kam besim në këtë vend. Meqenëse
në kohën tonë mosbesimi ngjan më modern (shpesh me
arsye) se besimi, përgjigja ime mund të duket jo fort
e kohës. E megjithatë po e përsëris: besimi im nuk
është lëkundur aspak.
Shanset që dalin ose që humbin për një popull nuk janë
si numrat e llotarisë. Ka një gërshetim faktorësh që i
diktojnë. Ato që duken dhe ato që fshihen në thellësi.
Ato që ne i dimë e ato që nuk i dimë, që do t'i marrim
vesh më pas, që nuk do t'i marrim vesh, e që ndoshta
s'është nevoja t'i marrim vesh asnjëherë.
Kur u duk se populli shqiptar u harrua, se një pjesë e
tij po mbytej nga dhuna serbe dhe nga shpërfillja
europiane, ndodhi e pabesueshmja: pikërisht për shkak
të tij u krye lufta e fundit e mijëvjeçarit në Evropë,
luftë që do të mbetet në historinë e kontinentit dhe
të botës.
Ndër këta faktorë, faktori shqiptar mbetet sot
kryesori. Çdo e keqe që mund t'i vijë sot nga të
tjerët popullit shqiptar, mbetet e vogël në krahasim
me të keqen që shqiptarët mund t'i bëjnë (e nganjëherë
s'përtojnë t'ia bëjnë) vetvetes.
Në qoftë se ky vizion iu duket pesimist po ju them se
është e kundërta. Eshtë optimiste të dish se rrjedha e
fatit tënd është transferuar në duart e tua.
Një rregullim i brendshëm i shqiptarëve qoftë në
Shqipëri, qoftë në Kosovë, një qytetërim i jetës
politike, forcimi i institucioneve demokratike,
zhvillimi i ekonomisë, shëndoshja morale vlen më shumë
se aleancat, marrëveshjet, kreditë, ndihmat. Përkundër
profecive të kukuvajkave anembanë kontinentit
evropian, zgjedhjet e porsazhvilluara në Kosovë ishin
një dëshmi e mrekullueshme e rezervës qytetëruese që
ndryn në vetvete popullin shqiptar.
Mendoni se do të ndihet më në fund prania jonë në
Ballkan, se do të bëhemi edhe ne të rëndësishëm, siç
thoshin filozofët tanë të Rilindjes, apo kjo nuk është
veçse një ëndërr si të tjerat?
Pesha dhe rëndësia e një populli nuk varen as nga
ëndërrimet boshe, e aq më pak nga lakmitë, për t'u
fryrë si bretkoca, që donte të bëhej buall, (përrallë
aq fort aktuale sot në Ballkan).
Populli shqiptar duhet të sigurojë në gadishull atë
peshë e rëndësi që i jep gjendja e tij natyrale (atë
hise të vet nën këtë diell, siç thoshin të vjetrit) pa
lakmuar më tepër, e pa ulur kryet për t'u kënaqur me
më pak.
Pesha, përmasat e njëmendta të një populli janë në
fund të fundit pasqyrimi i asaj që quhet liri e tij, e
drejta natyrale për të jetuar e për t'u zhvilluar.
Një nga shkaqet themelore të konfliktit
shqiptaro-serb, ndonëse nuk thuhet, mendoj se ka të
bëjë pikërisht me peshën dhe rëndësinë e tyre në
gadishull. Skema tani për tani është kjo: Serbia e
rëndësishme. Shqipëria e parëndësishme. Rrjedhimisht
bëhet çmos që Serbia të vazhdojë të quhet e
rëndësishme, Shqipëria të vazhdojë të quhet e
parëndësishme. Serbia ka vënë në fytyrë maskën e
Jugosllavisë së zhdukur, e hiqet si shtet i madh.
Shqipëria vazhdon të mbajë rreckat e vendit të coptuar
e nga kjo duket edhe më e vogël e më pa peshë. Në të
vërtetë ky është një dekor i jashtëm, një realitet
virtual, kurse thelbi është ndryshe. Faktori shqiptar
në gadishull, përmasat e popullit shqiptar, numri,
energjia njerëzore, historia, kultura, gjuha, nuk ka
asgjë më pak se faktori serb. Kjo e vërtetë jo vetëm
nuk pranohet prej serbëve, por iu shkakton atyre një
tërbim të papërfytyrueshëm. Kjo e vërtetë nuk pranohet
as nga miqtë e tyre në Evropë dhe në botë. Një tufë e
pafundshme politologësh, letrarësh, gazetarësh, bëjnë
çmos për ta mbajtur në këmbë këtë iluzion. Përpara
faktorit fizik shqiptar (sasisë së shqiptarëve) ata
mbyllin sytë, duke përfituar dinakërisht nga
shpërndarja e shqiptarëve në dy shtete fqinjë e,
sidomos, duke e konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë.
Për faktorin shpirtëror, kulturor, e kanë më lehtë
sepse në sferat më të epërme mashtrimet sajohen
gjithmonë më lehtë. Për ta bërë edhe më të besueshme
këtë hipnozë ata shkojnë edhe më larg, duke ngulur
këmbë se kështu ka qenë gjithmonë, pra ky realitet i
sotëm është sipas tyre vazhdimi logjik i një gjendje
shekullore. Për mendësinë europiane, në të cilën
mbeturinat e vizionit kolonialist janë ende të forta,
kjo është di‡ka e lehtë për të ngjitur ngaqë iu kujton
ato që kanë mësuar në shkollë për raportet
koloni-metropol. Ndonëse intelektualisht ata mund ta
dënojnë shtypjen, në një shtresë të errët të
ndërgjegjes, si ish kolonialistë, ata identifikohen me
shtypësin, kurse i shtypuri iu duket tradicionalisht i
largët e i huaj. Pikërisht te kjo e kanë vënë shpresën
nacionalistët serbë dhe pikërisht nga kjo shpjegohet
habia e tyre që Evropa dhe SHBA u morën seriozisht me
shqiptarët. Për ta ky është dëshpërimi më i madh
ngaqë, sipas tyre, kushërinjtë e Evropës ishin ata,
kurse bijtë e njerkës ishin shqiptarët.
Raportet serbo-shqiptare gjatë shekujve s'kanë asgjë
të përbashkët me këtë klishe. Akademiku Dushan
Batakovi‡, një nga kasnecët e Serbisë së madhe, në
librin e tij "Kosova, spirale e urrejtjes" botuar pak
kohë më parë në Zvicër, dëshmon për di‡ka që
propaganda serbe nuk dëshiron ta cekë. Duke folur për
bashkimin e Kosovës me Serbinë më 1918, ai shkruan:
"Shqiptarët e Kosovës, liderët e tyre, shefat e
klaneve e të pronarëve të mëdhenj, që qenë konsideruar
si një farë aristrokracie kombëtare, deklaruan haptas
se nuk mund ta duronin sundimin e ish shërbëtorëve të
tyre, ata të cilët ende i quanin në mënyrë për‡muese
shkje".
Si‡ shihet, mosdurimi ose urrejtja serbo-shqiptare,
ajo e cila shpesh trajtohet si misterioze etj. etj.
është, ve‡ të tjerash, një ‡ështje revanshi. Dje ju
shqiptarët ishit senjorë në Ballkan, sot është radha e
jonë etj. etj. Me fjalë të tjera, historia e njohur e
njerëzve, që për t'u shëruar nga dhuna dhe fyerjet e
pësuara në fëmini, kërkojnë t'i ushtrojnë ato mbi të
tjerët, histori që, me sa se duket, përsëritet midis
popujve.
Pyetje: Të rikthehemi te pesha dhe rëndësia e një
populli. Krijohet përshtypja se po të kërkojmë ne
shqiptarët "hisen tonë nën këtë diell", kjo quhet si
kërkesë për Shqipërinë e Madhe.
Përgjigje: Eshtë e vërtetë se merret ashtu. Miti i
Shqipërisë së Madhe u ringjall kohët e fundit për të
krijuar barazpeshë me kërkesën e Serbisë së madhe.
Ndryshimi është se ndërsa ky i fundit është një
program në emër të të cilit luftohet e veprohet
haptaz, fantazma e Shqipërisë së madhe gjëllon
kryesisht në propagandën antishqiptare.
Me fjalë të tjera, ndërsa Shqipëria quhet e
parëndësishme me gjith‡ka, ajo bëhet befas e
rëndësishme, pra pranohet rëndësia e saj jo si një
realitet normal, por vetëm si rrezik, si një mundësi e
keqe. Të mësuar që në mënyrë fyese e të verbër ta
quanin të vogël e të parëndësishëm, tani që populli
shqiptar po del nga mjegulla e një nate, shtabi i tij
i natyrshëm i tmerron ata që s'e kanë dashur. Ata
ulërijnë: po del rreziku, po del Shqipëria e Madhe! Ne
duhet t'u themi: s'po del asnjë rrezik, asnjë Shqipëri
e Madhe ose e Vogël. Po del thjesht Shqipëria.
Kundërthënia është e hapët. Një vend s'mund të jetë
njëkohësisht edhe i rëndësishëm edhe i parëndësishëm.
(I rëndësishëm kur është rasti për t'u goditur, i
parëndësishëm kur duhet dhënë dora e ndihmës apo
miqësisë).
Në këtë kah, shprehja Shqipëri e madhe nuk është ve‡se
një eufemizëm që nënkupton një program cinik për të
penguar zhvillimin normal të një populli, një doktrinë
ngacmimi të përhershëm për ta lënë atë popull
shtatanik, për t'i ngritur mure e pengesa midis,
pikërisht kur muret janë shembur në kontinent.
Me të njohurit e mi të huaj, kur më bie rasti shpesh
të bisedoj për këtë temë i pyes: ku e keni parë
projektin e Shqipërisë së madhe, ku i keni parë
librat, konferencat, forumet, doktrinën, programin,
partitë që e mbrojnë, grupet parlamentare, lëvizjen
popullore, skicën e hapur etj. etj. Kësaj pyetjeje ata
i përgjigjen zakonisht me një ngritje supesh.
Pyetje: Shkrimtari grek Vasili Vasilikos, ka shkruar
kohët e fundit në gazetën "Lë Monde" se vepra juaj
është, me sa duket, një skicë e fshehtë e Shqipërisë
së Madhe.
Përgjigje: E kam parë këtë shkrim dhe më ka zbavitur.
Ndoshta shprehja Shqipëri e Madhe, duhet zëvendësuar
këtu me shprehjen Shqipëri e stërrmadhe, ngaqë po të
nisemi nga projekti im i fshehtë dhe padyshim tepër
djallëzor, në të do të futeshin edhe piramidat e
Egjiptit dhe stepa ruse dhe rrafshulta të Anadollit
dhe ndonjë copë nga Muri kinez, dhe hapësira të tjera
që kam përmendur në librat e mia.
Sinqerisht s'do të më vinte keq që disa njerëz të
merreshin me këto libra e të linin të qetë popullin
shqiptar, që edhe pa këto marrëzira, ka mjaft
andrralla mbi kokë.
Kjo që thashë më lart duket si mahi, por nuk është
aspak e tepruar. Ju e dini ndoshta se synimi shqiptar
për një gjuhë të njëjësuar, synim i përbashkët i
gjithë kombeve europiane, është i interpretuar
gjithashtu si pjesë e projektit për Shqipërinë e Madhe
dhe kjo jo vetëm nga rrethe të huaja antishqiptare por
edhe nga disa karagjozë shqiptarë, në Tiranë e në
Prishtinë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë as për Shqipëri të madhe,
as për Shqipëri të vogël, ata kanë nevojë për
Shqipërinë e tyre natyrale brenda peisazhit demokratik
evropian. Nuk mund t'i kërkohen këtij vendi ligjë të
tjera nga ato që s'i kërkohen askujt. Shqiptarët
s'mund të merren as si gogol për të trembur të tjerët,
as si nxënës shembullorë. Ata s'kanë nevojë për nofka
lavdëruese, natyrisht as për fyerje.
Shqiptarët do ta ripohojnë peshën e tyre, identitetin,
gjith‡ka, jo duke u mburrur per shembull me papët me
origjinë ilire, as me themelimin e dinastisë
mbretërore egjiptiane (që për fat e kanë harruar), e
as me profka të tjera të këtij lloji. Aq më pak mund
ta pohojnë atë me revansh dhe me krime. Dihet që krimi
është ngjitës, sidomos në hapësirën nervoze
ballkanike. Për të patur të drejtën morale të dënojnë
krimin e ushtruar ndaj tyre shqiptarët duhet ta
refuzojnë me ngulm hakmarrjen dhe krimin si mënyrë
‡lirimi nga e keqja. Ne duhet të mësohemi të dënojmë
të keqen, racizmin tonë kur ai shfaqet, krimin tonë.
T'i dënojmë jo për të larë gojën, për t'u paraqitur
humanistë por me bindje të thellë se rruga e krimit
është rruga e katastrofës. Ndonëse kemi pësuar dhunë
nga serbët, s'duhet të kemi drojë të dënojmë me pasion
hakmarrjen ndaj serbëve të pafajshëm, ndaj ciganëve e
ndaj kujdo qoftë.
Thuhet shpesh se nuk jemi racistë agresivë. Dhe
përmenden raportet e Shqiptarëve me ciganët ose me
romët ose gipsët (ata që jo pa për‡mim quhen jevgj).
Mendoj megjithatë se ashtu si tumorin e keq e
mbështjell shpesh një cipë e hollë, ashtu ndodh edhe
me racizmin pasiv. Shumë shpejt ai mund të kthehet në
racizëm veprues. Ne duhet t'i kishim mbrojtur më me
vendosmëri ciganët dhe romët e pafajshëm në Kosovë,
kur ata u kërcënuan nga hakmarrja e verbër. Ne s'duhet
të bënim asnjë lëshim kur ishte fjala për mbrojtjen e
serbëve të pafajshëm. Ne duhet të dënojmë ashpërsisht
krimet e trafikantëve shqiptarë kundër kurdëve,
kinezëve ose nevojtarëve të kombësive të tjera, që
mjerimi i bije në mëshirën tonë. Për ne duhet të jetë
i papranueshëm dhe kriminal humori i zi që bëhet me
këtë rast me viktimat ngaqë janë të tjetër kombësie.
Nga ky pastrim populli shqiptar nuk dobësohet.
Përkundrazi.
Pyetje: Ju keni reaguar ashpër kohët e fundit ndaj
librit të Xavier Raufer "Mafia shqiptare" duke e
akuzuar pikërisht për racizëm antishqiptar. A mund të
shërbejë ky racizëm antishqiptar si argument për të
përligjur kundërsulmin tonë?
Përgjigje: Kurrsesi nuk mund të përligjet kurrfarë
racizmi. Libri i francezit Xavier Raufer është
shembull i një racizmi primitiv, që të kujton
fashizmin. Në të thuhet se mafia shqiptare drejtoka
mafien evropiane, ngaqë në bazë të saj qëndron
"Kanuni" dhe "Besa"! (Pra kemi përsëri rëndësinë,
madje përmasat evropiane të një populli, por vetëm për
keq). Në të thuhet se janë shqiptarët e shekullit 15
që i mësuan italianëve kodin mafioz! Në të këmbëngulet
se thelbi, struktura e brendshme e këtij kombi është
mafioze, për të ardhur gjer te pohimi kriminal se të
deportuarit shqiptarë gjatë luftës së Kosovës, nuk
iknin prej masakrave, por ishin të zgjedhur nga mafia
për të shpërndarë drogën nëpër botë.
Eshtë padyshim revoltuese që një intelektual francez
mund të pështyjë kështu mbi dramën e një populli, mbi
fëmijët e vrarë e mbi gjithë atë zi të pafund. E
megjithatë as racizmi i këtij barbari nga Evropa, as
racizmi prej horrash provincialë i italianëve, ose ai
prej horrash fshati i grekëve, as cinizmi i mynxyrave
të tilla morale si raportuesi i OKB-së Jiri
Dientsbier, nuk munden kurrsesi të përligjin marrëzitë
tona të mundshme.
Pyetje: Të kthehemi në ngjarjen e fundit aktuale të
Ballkanit: rënien e Milloshevi‡it dhe ngritjen e
Kostunicës. Besoj se e keni pritur këtë pyetje. Kemi
dëgjuar se ju keni reaguar ftohtë për Kostunicën në
intervistat tuaja ne radiot franceze dhe zvicerane.
Përgjigje: Së pari dua të theksoj se rënia e
Milloshevi‡it ka qenë pa asnjë dyshim një lajm i mirë.
Së dyti se me një Serbi demokratike si Kosova, si
Shqipëria, si gjithë Ballkani do të fqinjëzonin krejt
ndryshe, domethënë shumë më mirë se me një Serbi
nacionaliste (domethënë të marrë). Unë jam kundër ‡do
lloj xhelozie ndaj vendeve të tjera në rajon.
Gjithë puna është nëse jemi vërtet përpara një
zhvillimi demokratik apo përpara një bllofi. Në këtë
kah unë i kuptoj fare mirë rezervat e shqiptarëve të
Kosovës. Do të përpiqem t'i bije shkurt për të mos u
zgjatur në gjëra të njohura. Ka qenë nevoja për një
ndryshim të Serbisë e jo ve‡ të liderit të saj. Një
lider komunist-nacionalist u zëvendësua nga një lider
jokomunist-nacionalist, madje më i thekur për
nacionalizëm se i pari. Ky lider na paska si faqen më
të ndritur të biografisë antishqiptarizmin, për shkak
të të cilit Titua e dënoi më 1974!
Kjo do të ishte gjysma e të keqes nëqoftëse ky njeri
do të kishte bërë një korrigjim. Por për fat të keq,
deklarimet e tij të para sidomos ato për gjyqin e
Hagës, për Kosovën e për të burgosurit shqiptarë të
zënë peng nga Serbia ishin politikisht e moralisht të
mjerueshme. Ato tregojnë se elita politike serbe është
sot më e paemancipuara në gadishull. Megjithatë unë
mendoj se në rastin e Kostunicës, nëqoftëse ai
ndryshon për të mirë nuk ka pse të mbahen paragjykime
kundër tij. 
Pyetje: Megjithatë Europa, sidomos Franca e Italia, pa
pritur asnjë shenjë treguan një eufori të habitshme në
këtë rast.
Përgjigje: Eshtë e vërtetë se u tregua një dehje e një
eufori befasuese, ‡'ka tregon se emancipimi nuk është
vetëm problem ballkanik. 
E kuptoj fare mirë inkurajimin që i jepet një vendi
kur bije një tiran, megjithatë është e pakuptueshme se
si Evropa nuk i kërkoi asnjë deklarim politik themelor
këtij vendi për dhjetë vjet krime kundër të tjerëve. U
duk sikur Europa kërkoi të kalojë një sfungjer mbi
peisazhin e përgjakur ballkanik. Por në Ballkan, më
mirë se kudo dihet se asnjë sfungjer s'mund të lajë
gjakun dhe krimin. Nga kjo pikëpamje ekstaza europiane
mund të merrej si një fyerje për të gjithë popujt që e
vuajtën këtë tmerr. Një thirrje për ta bërë të
ndërgjegjshme Serbinë për përgjegjësinë e saj është
pritur nga opinioni publik, ‡'ka është shprehur
gjerësisht nga shtypi.
Pyetje: Eshtë një harresë kjo gjë sipas jush apo
kërkesa për revizionimin e një politike?
Përgjigje: Besoj se janë të dyja nga pak. Analistët e
kërkojnë shpjegimin e kësaj në lidhjet tradicionale.
Pa e kundërshtuar këtë mendoj se prapa tyre ka shkaqe
më të fshehura. Në një shkallë botërore mendoj se
pavarësisht nga përparimi i tij njerëzimi ka mbetur
shumë i egër. Mendimi kriminel, ai që shoqëron
veprimin kriminel jo vetëm s'është zbehur por rrallë
herë s'ka qenë kaq i dukshëm si në shekullin tonë. Në
këtë skajim Europa nuk bën ndonjë përjashtim. Flirti
me krimin këtu janë të njohura.
Në kujtimet e amerikanit Xhejms Rubin, botuar tani së
fundi në "Financial Times", përmendet episodi kur
presidenti i Serbisë Milutinovi‡ që kryesonte
delegacionin serb në Rambuj‚, duke mos kuptuar asgjë
nga ajo që po ndodhte, u thotë amerikanëve: "Përse
shqetësoheni për shqiptarët? Na e lini ne këtë punë
dhe ne e mbarojmë për një javë" (Me fjalë të tjera, na
lini t'i farojmë ne shpejt e shpejt).
Të mësuar të flasin kështu me perëndimorët kur vjen
fjala për shqiptarët, serbët e përdorin atë gjuhë edhe
një javë përpara bombardimit. Pyetja që del në këtë
rast është tepër shqetësuese: mirë ky kriminel
kokëtrashë, krejtësisht jashtë realitetit flet kështu,
po Europa si e ka pranuar këtë gjuhë më parë? Sepse
kjo gjuhë cubash, për fat të keq nuk është përdorur
për herë të parë në Rambuj‚. Ajo ka patur, me sa dukej
një traditë dhe pranimi i asaj gjuhe ka qenë
interpretuar nga serbët si dritë e gjelbër për krimin
antishqiptar.
Pyetje: A mund të flitet në këtë rast për një
predispozitë antishqiptare në një pjesë të Evropës,
përshembull në Francë, ku ju kaloni një pjesë të
kohës?
Përgjigje: Gjërat janë më të ndërlikuara se ‡'duken.
Gjatë luftës së Kosovës Franca u fajësua gjithashtu
prej Serbisë për predispozitë antiserbe. Si njëra
predispozitë, si tjetra janë dhe nuk janë të vërteta.
Varet nga rrethanat, varet për ‡'sfera bëhet fjalë. Në
një vizion të përgjithshëm Franca ka qenë dhe ndoshta
vazhdon të mbetet më afër Serbisë se Shqipërisë.
Sidomos diplomacia, kreu i ushtrisë, e djathta
ekstreme dhe e majta ekstreme. Ndërkaq një pjesë
zotëruese e elitës kulturore e politike dhe e
opinionit publik kanë tjetër qëndrim. E megjithatë
edhe kjo ndarje nuk është edhe s'ka si të jetë e
saktë.
E vërteta është se ndërsa ekziston një nostalgji
proserbe në këtë vend, nuk mund të flitet për një
nostalgji proshqiptare. Nostalgji proshqiptare mendoj
se nuk ka kurrkund, nga që miqtë e mbrapshtë që ne
zumë: jugosllavë, sovjetikë dhe kinezë, kanë qenë miq
të rremë dhe po aq të rremë kanë qenë miqtë më të
hershëm, italianët. Nostalgjinë proshqiptare mund ta
krijojë koha jonë. Atë mund ta krijojë qytetërimi ynë
i sotëm demokratik nëqoftëse ai ndërtohet, në aleancë
me ngrohtësinë e njeriut dhe me peisazhin shqiptar,
hatu e parë të këtij vendi.
Në vend që të na zejë smira pse ky ose ai vend ka
afërsi me Serbinë, ne duhet të dimë t'i fitojmë
miqësitë. Natyrisht që miqësia s'mund të jetë e
njajshme. Në një mbledhje në mjediset e Asamblesë
Kombëtare të Francës kam dëgjuar të citohet një zyrtar
francez, sipas të cilit gjatë një jave në Tiranë
vriten aq njerëz sa ‡'vriten gjatë dy vjetëve në krejt
Evropën Perëndimore. Nëqoftëse zyrtari në fjalë e ka
dhënë vërtet këtë shifër, me fjalë të tjera këtë
thirrje për izolim të Shqipërisë, është vështirë të
pritet ndonjë miqësi prej tij dhe prej zyrqs që ai
drejton.
Franca është një vend që unë e dua dhe e quaj një
atdhe të dytë, gjë që më shtyn të them për të atë që
nuk do t'i thoshja për një vend tjetër. Duke afishuar
një ngrohtësi të tepëruar për një vend që ende nuk
është shpëlarë nga krimi i djeshëm, Franca ka rrezik
të fitojë ftohtësinë e së paku pesë shteteve të tjera
ballkanike. Tërheqja e Francës prej gadishullit ku
gjatë më shumë se dy shekuj ka qenë ngulitur natyrshëm
në kulturën dhe historinë e gjithë popujve ballkanas
nëpërmjet iluminizmit të saj, do të jetë një gjë e
keqe për atë vetë dhe natyrisht për ballkanasit.
Pyetje: Si e komentoni "profecinë" e presidentit të
porsazgjedhur jugosllav se konflikti në Ballkan, pasi
ka braktisur Serbinë do të zbresë në Jug, domethënë në
Shqipëri, si konflikt midis Veriut dhe Jugut? 
Përgjigje: Ky pohim meriton një analizë
psiko-politike. Ai zbulon një të vërtetë të fshehur me
kujdes, një program, një hall, një ëndërr të Serbisë.
Ka gjasë të jetë programi, halli ose ëndrra numër një
e fqinjit tonë: destabilizimi i Shqipërisë. Zyrat
jugosllave kanë vite që punojnë për të, nacionalistët
kanë vite që psherëtijnë, agjentët kanë vite që
robëtohen. Kërkojnë idera, mënyra, mjete, herë të
reja, herë të vjetra, herë të ringritura nga varri.
Shefi i ri jugosllav, me të zënë vend në fronin
presidencial, me të hapur dosjen e parë, ka ndeshur,
me sa duket, kryefjalën e programit serb: troshitjen e
Shqipërisë. Dhe meqenëse, me sa duket, nuk është fort
i rafinuar nga mendja, u ngut ta shpallte gjithë gëzim
në TV italian.  
Tani del fare qartë se ‡ka qenë kohët e fundit gjithë
ajo zhurmë për konfliktin e pritmë midis jugut dhe
veriut të Shqipërisë, midis gegëve dhe toskëve e
natyrisht midis shqiptarëve të Shqipërisë e të
Kosovës.Tani del qartë se ‡'ka qenë ajo vijë ndarëse,
lumi Shkumbin, që nuk mungonte asnjëherë në hartën e
Shqipërisë, në lajmet e pranverës së vitit 1997.
Përherë e më qartë del se ‡'është ajo zhurmë për
ndarjen e gegërishtes nga toskërishtja, ai nervozizëm
kundër gjuhës së njëjësuar, për të ardhur gjer te
gogoli i Shqipërisë së Madhe si një tmerr për Europën.
Ky tmerr, sipas tyre, mund të shmangej vetëm po të
ngriheshin mure midis shqiptarëve, të thyheshin urat
bashkuese, të thyhej gjuha, duke u ndarë më dysh,
mundësisht më tresh. Së fundi tani del edhe më qartë
se ‡'është ky pasion për destabilizim në Shqipëri e në
Kosovë. 
Agjentura ka punuar me shumë zell për këtë. Një pjesë
e elitës politike dhe kulturore, si në Shqipëri si në
Kosovë është përzier në këtë lojë të dyshimtë. Populli
shqiptar ka kohë që me intuitë e ka ndier këtë
mbrapështi. Shumë herë kam takuar njerëz të thjeshtë
që më kanë pyetur: si shpjegohet që sapo nis të
ndreqet di‡ka, menjëherë vihet në lëvizje një forcë e
errët për të rikthyer kaosin?
Pyetje: Rrjedhimisht, një ftohje që vihet re në ca
rrethe politike dhe kulturore në Kosovë kundër
Shqipërisë, a ka lidhje me këtë? 
Përgjigje: Natyrisht. Ka patur psikoza nga të dy anët,
por kohët e fundit armiqësimi ndaj Shqipërisë është
shtuar në ato rrethe që përmendët ju. Duhet të jesh i
metë nga mendja që të mos e kuptosh se kur një
politikan ose letrar i Kosovës kërkon armiqësi ose
preteks armiqësimi me Shqipërinë, ai s'bën gjë tjetër
ve‡se i lot syrin Beogradit për t'i thënë: më ndanë
nga ty, por zemrën e kam atje.
Dyshojn se ftohja shkallë-shkallë e Kosovës me
Shqipërinë do të jetë këndej e tutje boshti i
strategjisë serbe. Për të do të punojnë forca të
caktuara politike në Kosovë, të ndjekura nga një zhgan
intelektualësh e letrarësh të pabesë,  që në kësi
rastesh s'mungojnë kurrë. 
Ndërkaq jam i bindur se kjo ndodh ve‡ në sipërfaqe. Në
thellësi asgjë nuk ndryshon. Sepse në thellësi, atje
ku jeton, mendon dhe vendos ligjet populli i madh,
atje sundon tjetër logjikë e tjetër realitet. 
Pyetje: Ka patur nje seri artikujsh kritike ndaj jush
nga Anton Berisha e disa ë tjerë ne Kosove, ku ju
akuzojnë se me kritikat tuaja i keni fyer shkrimtarët
e Kosovës> A bëjnë pjesë keto në pretekset për sherr,
apo kanë një bazë?
Përgjigje:Nuk i kam fyer dhe nuk do t'i fyej kurrë
shkrimtarët e Kosovës. Po ju kujtoj se ndër tri veprat
artistike që kam shkruar për dramën kosovare, dy prej
tyre kanë si personazh qendror një shkrimtar dhe një
poet, të dy sublimuar në shkallën më të lartë.
Kam kritikur disa herë hermetizimin e një pjese të
letërsisë kosovare, nga që kam patur bindjen se kjo
rendje ndaj avanguardizmit ka qenë shkak që ata të mos
dëshmojnë për krimin kundër popullit të tyre.
Përgjigja e tyre se ky dëshmim "është si detyrë
shtëpie" e kam quajtur moralisht të papranueshme. Kam
menduar dhe mendoj se dënimi i krimit ka ushqyer
krenajat e letërsisë botërore.
Si‡ e shihni, kritika ime ka marrë shkas në radhë të
parë nga mosdëshmimi i krimit, me fjalë të tjera nga
mosplotësimi i dosjes së Kosovës, dosjes numër një të
kombit shqiptar në këtë fund shekulli.
Dënimi i krimit në Kosovë nuk është  vetëm ‡ështje
letrare. Ai ka lidhje me lirinë e Kosovës. Ju e dini
se ‡'po ndodh tani. Beogradi ka shpërthyer një
ofensivë për të kthyer opinionin botëror në favor të
tij. Ai përpiqet t'i kthejë gjërat kryengulthi: Serbët
t'i paraqesë si viktima dhe shqiptarët si agresorë.
Shkrimtarë e filozofë të njohur në perëndim si Petër
Handke, Regis Debrai, Naom Shomsky etj., për turp të
tyre janë vënë të dëshmojnë në dobi të serbëve. Kurse
disa letrarëve të Kosovës iu duket se po ta bëjnë këtë
në dobi të popullit të vet iu bie klasi.
Dëshmimi i letërsisë nuk është as luks e as "detyrë
shtëpie". Ai ka një vend të pazëvendësueshëm në letrat
kredenciale të një populli.
Pyetje: Në një intervistë botuar në shtypin kosovar më
1998, njerin nga ata qe ju ka sulmuar, e keni quajtur
"Juda i Kosovës". Në romanin tuaj të fundit "Lulet e
ftohta të marsit" e keni përsëri personazhin e Judës,
këtë herë për një personazh te nje intelektuali të
Tiranës. Cili ka qenë shkaku që i jeni kthyer këtij
personazhi të Biblës? 
Përgjigje: Në jetën tonë, si në Shqipëri, si në
Kosovë, judët po i ndeshim përsëri. Ndryshe nga kohë
më parë judët nuk mund të mbeten më pa u damkosur e pa
u dënuar. Ka ardhur kohë e vështirë për judët. E
meritojnë krusmën që i pret, si ai që shpif në
Prishtinë a në Kozencë, si ai që ka spiunuar
shkrimtarët në Tiranë.
Pyetje: Të kthehemi te problemi i stabilitetit që
folëm pak më parë. Në gati ‡do intervistë ju theksoni
domosdoshmërinë për stabilitet mbi gjith‡ka. Lidhur me
këtë a mendoni se di‡ka u arrit me zgjedhjet e fundit?
Përgjigje: Nuk besoj se e teproj me kërkesën për
stabilitet. Si ‡do shqiptar unë e kujtoj me tmerr dhe
me pikëllim vitin 1997. Ai ankth ende s'ka kaluar.
Shqipëria pa stabilitet është njëlloj sikur ta ketë
arkiolin përbri. Për fat keq ka forca që janë të
interesuara që të jetë kështu. Për fatin dyfish të keq
qëllon që ato forca gjënden ndonjëherë jo vetëm midis
opozitës por edhe midis klasës politike që është në
pushtet. Aleanca me krimin ‡on në atë logjikë.
Për zgjedhjet e fundit është folur aq shumë sa është
vështirë të shtosh di‡ka. Mendoj se rruga për t'i
thënë lamtumirë dhunës gjatë kalimit të pushtetit
duhet të na gëzojë të gjithëve. Ndërkaq mendoj se nuk
ka vend as për eufori të fituesve, e as për alibi të
humbësve. Di‡ka është arritur por shumë‡ka nuk është
arritur. Dobësimi i opozitës, ajo që mëndjelehtësisht
i gëzon disa, është humbje për të gjithë. Në këtë
dekadë të parë të demokracisë do t'ishte mirë që
pushteti të kalonte nga një forcë politike te tjetra.
Do t'ishte mirë që populli shqiptar t'i provonte të dy
palët. Kështu ai do të mësonte se si punon makina e
demokracisë. Kalimi pa dhunë i pushtetit, ligji i parë
i shoqërisë civile, është edhe më i vështiri për t'u
mësuar. Por kjo nuk mund të kryhet me urrejtje,
verbëri  e bojkot, e natyrisht as me ngazëllim cinik
fitimtarësh ose kërcëllitje dhëmbësh të të mundurve.
Kur partitë politike do t'i heqin nga vetja militantët
sejmenë, ata që mbajnë gjallë këtë psikozë të mbetur
nga lufta midis feudalëve dhe qyteteve, që Europa e ka
kryer disa shekuj më parë, dhe që një pjesë e
Ballkanit po e kryen tani, ky do të jetë një
frymëmarrje lehtësuese për të gjithë.
Pyetje: €ështja e Himarës ishte sipas jush di‡ka e re,
apo një rizgjim i vjetër i demonëve nacionalistë?
Përgjigje: Farsa e Himarës ishte, në radhë të parë,
theatër tipik ballkanik plot nerva, mllef, marrëzi 
dhe bëlbëzime idiotësh, si‡ do të thoshte Shekspiri.
Një farë kohe nuk e kam kuptuar dot se përse bëhej
grindje. Kryetari i Partisë të të Drejtave të Njeriut,
asaj që akuzohej si greke ose progreke, deklaroi qartë
se është parti shqiptare, madje theksoi se në Himarë
nuk ka minoritet grek. Ndërkaq, ata që pohojnë të
kundërtën, duke përfshirë edhe vëzhguesit e huaj, as
nuk e kundërshtuan as nuk e përkrahën këtë kryetar, që
në këtë rast mund të quhej i zoti i punës, si‡ thuhet.
Atë nuk e përfilli as pala shqiptare. Madje nga kjo
palë dolën ca antigrekë të zjarrtë që gjer dje ishin
akuzuar si progrekë të ligj. Prapësia ishte e tillë sa
që s'do të habitesha po të dilte ndonjë nacionalist
grek që të shpallej proshqiptar etj. etj. 
Teatri absurd i Ballkanit është i pashtershëm. Këtu
askush nuk habitet që një parti demokristiane i ka
anëtarët muslimanë, ose që partia e të drejtave të
njeriut, e akuzuar si greke nuk fiton pikërisht në
zonën ku ka minoritarë grekë. Ndërkaq, shumë njerëz,
duke përfshirë edhe ca vëzhgues të huaj, presin që ajo
të fitojë në një zonë ku s'ka të tillë. 
Lidhur me këta të fundit, është kërkuar me të drejtë
një minimum njohjeje e vendit ku vijnë të vëzhgojnë.
Aq më tepër që raportues e vëzhgues të tillë kanë qenë
shpesh herë të verbër në Ballkan. Nuk u kërkon kush të
dijnë hollësira, por ca gjëra themelore duhet t'i
dijnë. Kështu p.sh. të dinë që pa llogaritur
refugjatët e sotëm, në Greqi ka njëzet herë më shumë
shtetas grekë me origjinë shqiptare, se sa ka shtetas
shqiptarë me origjinë greke në Shqipëri. E megjithatë
asnjë herë, asnjë qeveri shqiptare nuk është kujtuar
për ta. Vëzhguesit duhet të dinë gjithashtu se në
Greqi, pas luftës së Dytë Botërore është kryer pastrim
etnik i shqiptarëve, (‡amëve) me zjarr dhe me hekur.
Ky kujtim i hidhur në vend që ta shtyjë Greqinë, drejt
një shqyrtimi të ndërgjegjes, nxit shpesh herë të
kundërtën. 
Pyetje: Ju jepni herë pas here mesazhe shprese dhe
optimizmi në kundërshtim me një frymë pesimizmi që
ndeshet tek ne. Në mbyllje të kësaj interviste a mund
të na thoni di‡ka për të ardhmen?
Përgjigje: Nuk kam dhënë dhe nuk do të jap kurrë një
kumt shprese në se nuk besoj në të. Kam bindjen se
kombi shqiptar pavarësisht nga trazimet e sotme të
mëdha, nuk ka qenë kurrë më mirë se sot. Në jetën e
tij gërshetimi i rrethanave, atë që astrologët e
mendojnë si skajim të favorshëm yjesh, kurrë nuk ka
qenë kaq i mbarë. Asnjëherë ora e tij nuk ka qenë në
të njëjtin kah me orën e botës së qytetëruar. Me fjalë
të tjera është hera e parë që zhvillimi shqiptar,
prirja e tij, hovzimi i tij, përkon me programin e
kontinentit.
 Asnjë aspiratë shqiptare sot dhe asnjë interes jetik
nuk bie ndesh me kostumin europian. Përkundrazi, të
gjitha interesat e tij përkojnë me ato të Europës së
nesërme: zbehja e kufijve, kontaktet e lira,
shkëmbimet lëndore, njerëzore, kulturore. Eshtë një
shans i madh kur një popull s'kërkon ve‡ zhvillimin e
tij natyror. Eshtë shans kur ai s'ka nevojë për demonë
e për fantazma.
 Prej gjithë këtyre që përmenda më lart, prej logjikës
së brendshme të gjërave kushtëzohet natyrshëm
emacipimi i njeriut shqiptar. Ky njeri, me ngecjet,
cenet dhe dozën e njohur të marrëzisë ballkanase,
mbetet tani për tani, pengesa e fundit e Shqipërisë.
Por hullija e ecjes së tij është  përcaktuar ndërkaq
dhe janë të gjitha gjasat që ai të bëjë pjesë në
grupin e parë të madh të qytetarëve europianë në
gadishull. E parë nga ky kënd, historia jonë moderne
këndej e tutje mund të merret si historia e kapërcimit
të vetvetes.
Tetor 2000
 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Thousands of Stores.  Millions of Products.  All in one Place.
http://shopping.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list