Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Vangjel Zhapa

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Nov 3 22:44:34 EST 2000


SPECIALE

Si e humbi Shqipëria pasurinë 800 
milionë dollarëshe të Vangjel Zhapës
Në vitin 1859 ai inicoi dhe sponsorizoi Lojërat e Para
Olimpike të Greqisë, e cila i ka ngritur një monument
të madh në hyrje të pallatit "ZAPPION" të Athinës

Aty nga viti 1955-56, Shoqëria Komisjonere e cila
merrej me shitblerjen e pasurive të tundëshme dhe të
patundëshme të shtetasve shqiptarë që kishin jetuar
jashtë Shqipërisë, ra në gjurmët e një pasurie shumë
të madhe në Stamboll të Turqisë e cila konsiderohej në
afro 800 milion dollarë. 

Për këtë pasuri kishte dijeni vetë kreu i shtetit
komunist Enver Hoxha, i cili urdhëroi kryeministrin
Mehmet Shehu që me anë të mekanizmave shtetërore të
gjendeshin të gjitha mundësitë që të fitoheshe ç` të
mundej nga ajo e të kthehej në Shqipëri. Ajo pasuri
administrohej nga Patriakana e Stambollit dhe pronari
i vërtetë i saj ishte një shqiptar i quajtur Vangjel
Zhapa nga Labovë një fshat tepër i njohur në Jug të
Gjirokastrës. Po kush ishte Vangjel Zhapa, cila ishte
e kaluara e tij, si e krijoi ai gjithë atë pasuri të
madhe dhe si u trashëgua ajo?


Kush është Vangjel Zhapa?
Ai ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin
Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës
në rrethin e Gjirokstrës. Sipas të dhënave të ndryshme
të biografëve që janë marrë me figurën e Vangjel
Zhapës, bëhet e ditur se ai që në moshë fare të re
shkonte si bari me bagëtitë e familjes tij. Që në atë
kohë, teksa kulloste tufën e deleve në shpatet e
maleve në afërsi të fshatit tij, ai shfaqte interes
për bimët mjeksore të cilat i mblidhte dhe i
kultivonte në shtëpinë e tij. Kur nuk ishte më shumë
se 13 vjeç, ai u nda nga familja dhe u largua nga
fshati e shkoi në Janinë ku u takua me bashkfshatarin
tjetër, labovitin Vangjel Meksi i cili njihej si mjek
popullor në të gjithë Vilajetin e Janinës. Pasi
qëndroi për disa vjet pranë Vangjel Meksit, duke
mësuar zanatin e xherahut, (mjek popullor) ai përfitoi
mjaft nga bashkfshatari i tij e më pas u largua duke e
ushtruar vetë atë mjeshtëri. Në moshën 20 vjeçare ai
mori pjesë në revolucionin grek në luftrat kundëra
Turqisë duke u bashkuar me arvanitasit dhe të
famëshmit suljotë të Marko Boçarit. Thuhet se për
trimëri të rralla në ato luftra Vangjel Zhapës ju
dhanë medalje e dekorata dhe u caktua si komandant në
vijën e parë të frontit. Pas revolucionit grek, aty
nga viti 1831, ai u largua nga Greqia së bashku me
disa bashkfshatarë të tij dhe emigroi për në Rumani ku
vazhdoi të ushtronte zanatin e mjekut popullor. Sipas
të dhënave të ndryshme biografike për Vangjel Zhapën,
mësohet se në fillimet e vendosjes tij në Rumani ai
mori përsipër dhe arriti të shëronte vajzën e princit
Maruzit të Rumanisë nga një gangrenë që kishte pasur
në këmbë. Për këtë gjë atij ju dha një shpërblim i
madh në toka bujqësore, që ishte dhe pasuria e parë e
tij. Dokumente të ndryshme arkivore të shtetit Rumun,
hedhin dritë dhe vërtetojnë se nga fundi i vitit 1844,
Vangjel Zhapa bleu një çiflik në Broshten afër
Ialonicës ku përfshiheshin toka, kullota, pyje,
mullinj, magazina, hane etj. Po kështu përveç këtij
çifligu, Vangjeli bleu dhe në Bukuresht një shtëpi të
madhe e një hotel. Mbas gjithkësaj pasurie që ai mundi
ta siguronte si pronë të tij, ai kishte pjesë dhe në
shumë aksione në shoqëritë e vaporëve që lundronin mbi
Danub. Të gjitha këto pasuri i dhanë Vangjelit një nam
të madh aq sa thuhet se ai arriti të bëhet dhe
këshilltar pranë oborrit mbretëror të Rumanisë, për
problemet tregtare.


Bamirës në Rumani
Në Rumani ku Vangjeli u vendos që nga viti 1831 së
bashku me kushëririn e tij Kostandin Zhapa, qëndroi
për afro 34 vjet duke bërë një pasuri tepër të madhe
aq sa filloi të bënte vepra të mëdha bamirësie
kryesisht për arsimin. Veprimtaria bamirëse e
Vangjelit në Rumani la gjurmë të thella, aq sa ai
është bërë objekt i disa monografive, librave dhe
studimeve të autorëve rumunë të cilët evidentojnë dhe
nxjerrin në pah zotësinë dhe shpirtin e tij të madh e
human. Kështu historiani rumuno-grek Nikolia Postolaqi
në një libër kushtuar jetës dhe veprimtarisë së
Vangjel Zhapës lidhur me kohën që ai jetoi e punoi në
Rumani midis të tjerave shkruan:"Për sa na përket
neve, e kemi evokuar, përkujtuar Evangjel Zhapën duke
i dhënë vendin që meriton, qysh nga inagurimi i Muzeut
të Sportit të Rumanisë në majin e vitit 1971. Kishim
ndërmend atëhere që të paraqisnim dhe një bust prej
bronzi, i cili ishte bërë që në vitin 1867 dhe u
zbulua në mbledhjen përkujtimore historike të 1
gushtit të atij viti në inagurimin e Shoqërisë Letrare
Rumune që u bë nga Akademia e Rumanisë. Por nuk ishte
e mundur, megjithë që e kisha në disa piktura, bronzi
i bustit tij, nuk ka për t` u gjetur më sot." Po në
këtë libër evidentohet dhe një thënije drejtuar
rumunëve ku Vangjel Zhapa shprehet :"Rumunë të denjë
për tu admiruar, nuk mund të shprehem dot me gjithë
dëshirën që kam për Ju, ndjenjat e mirënjohjes dhe
dashurisë me të cilat është plot shpirti im, për të
shpërblyer virtutet tuaja, virtute të cilat sipas
dinjitetit i meritoni." Në Rumani emri i Vangjel
Zhapës u bë shumë i njohur jo vetëm si pronar i madh
tokash, por dhe për humanizmin e tij e ndihmën e madhe
me kontribut financiar që ai dha për ndërtimin e
Akademisë Rumune, Universitetin dhe Teatrin e
Bukureshtit e Kishën e Shën-Vangjelizmoit në
Broshteni.


Inicon dhe sponsorizon Lojrat e para Olimpike në Greqi
Pas shumë vitesh qëndrimi në Rumani, shqiptari Vangjel
Zhapa nga Labova e Gjirokastrës u vendos në Greqi ku
bëri një pasuri kolosale. Një nga veprat më të mëdha
të tija që e kanë berë atë tepër të njohur jo vetëm në
Greqi e Rumani ku jetoi e punoi për shumë vjet, është
zhvillimi i Lojrave të para Olimpike moderne në
shtetin helen në vitin 1859, ku Vangjeli ishte
inicuesi dhe sponsorizuesi kryesor i tyre. Përveç
sponsorizimit të Lojrave të para Olimpike, me paratë e
Vangjelit që kur ai ishte gjallë, por dhe pas vdekljes
tij në Greqi u ndërtuan disa godina publike me përmasa
të mëdha si ajo për organizimin e ekspozitave Olimpike
katërvjeçare, me emrin "ZAPPION" në Athinë. Po kështu
ai derdhi shuma të mëdha parsh për ndërtimin e
Universitetit, Bibliotekës Kombëtare, Akademinë e
Athinës, Politeknikumin, Teatrot, Konseravtorin,
shkollën "Arsaqi", si dhe disa muzeume. Nga të dhënat
dokumentare bëhet e ditur se për pallatin "ZAPPION",
ideja ka qenë e vetë Vangjelit, kurse projektin e saj
e përgatiti arkitekti francez Bullenzhe dhe e zbatoi
kolegu i tij danez Hansen. Punimet e këtij pallati
madhështor zgjatën plot 14 vjet dhe shiritin e
inagurimit e preu kushëriri i parë dhe bashkpunëtori i
ngushtë i Vangjelit, Konstandin Zhapa i cili shkoi
enkas nga Rumania për atë gjë. Ai pallat që për nga
bukuria quhet ndryshe "Stoli Floriri", zë një
sipërfaqe prej 2420 m. katrorë dhe rrethohet nga një
mjedis i gjelbëruar që arrin në 268216 m. katrore. Në
të dy anët e hyrjes kryesore janë të vendosura mbi
pidestale të larta monumentet e Vangjelit e kushëririt
të tij Konstandin Zhapës.


Bamirës në Turqi dhe vendlindjen e tij Shqipëri
Përveç Rumanisë dhe Greqisë ku Vangjel Zhapa jetoi dhe
punoi për vite të tëra duke bërë vepra të madha
bamirësie, ai emigroi dhe në Turqi ku po ashtu tregoi
shpirtin e tij të madh me veprat që bëri. Dhe në Turqi
Vangjeli bëri një pasuri kolosale dhe ndërtoi me
fondet e veta godina publike për bamirësi, si në
Stamboll, Edrene, Kerkelleri, Firkides etj. Për të
gjitha ato bamirësira ai u nderua me tituj të veçantë
nga Patriakana e Stambollit. Ndonëse jetoi për vite të
tëra në Greqi, Rumani dhe Turqi, Vangjel Zhapa kurrë
nuk e harroi vendlindjen e tij Labovën ku herë pas
here bëri bamirësi të ndryshme ndonëse jo si ato të
Greqisë Rumanisë dhe Turqisë, për vetë kushtet në të
cilat ndodhej Shqipëria asokohe nën sundimin otoman.
Kështu në fshatin e tijë Labovë ai ndërtoi shkolla,
objekte kulti, biblioteka, rrugë, objekte publike etj.
Përveç Labovës, thuhet se ai ka ndërtuar objekte
bamirësie dhe në krahinën e Rrëzës dhe fshatrat
Zagorie, (Përmet) Dhrovjan (Delvinë) Qeparo, Filat
etj. Para se të vdiste, aty nga viti 1865, Vangjeli e
la me porosi në testamentin e tij, që eshtrat ti
silleshin e ti varroseshin për tu prehur në vendlindje
në Labovë. Kjo dëshirë e tij u realizua në vitin 1887,
22 vjet pas vdekjes ku eshtrat e tija u sollën nga
Broshtenija e Rumanisë dhe u varrosën në sheshin para
kishës së Shën Papandisë në Labovë


Enveri: Pasuria e Vangjelit të vij në Shqipëri
Aty nga viti 1955-56, Shoqëria Komisjonere e shtetit
shqiptar filloi të interesohej për sjelljen në
Shqipëri të pasurisë së madhe që kishte lënë shqiptari
Vangjel Zhapa. Lidhur me këtë gjë thuhet se ishte
interesimi i vetë Enver Hoxhës (që si gjirokastrit që
ishte, kishte dijeni mbi pasurinë e madhe të Vangjel
Zhapës) i cili urdhëroi kryeministrin Mehmet Shehu që
të bëheshin të gjitha tratativat me anë të mekanizmave
shtetërore që nga ajo pasuri të sillej ç` të mundej në
Shqipëri. Interesimin e Shoqërisë Komisjonere për
sjelljen e pasurisë së Vangjelit në Shqipëri e
konfirmon dhe një nga trashëgimtarët e Vangjel Zhapës,
80 vjeçari Jani Malo. Lidhur me këtë gjë ai dëshmon:"
Aty nga viti 1955-56, Shoqëria Komisjonere shqiptare
ra në gjurmët e pasurisë së madhe të Vangjel Zhapës në
Turqi, e cila administrohej nga Patriakana e
Stambollit. Avokati i Ministrisë së Jashtëme,
Arqiviadh Lamani u interseua se kush ishte trungu
familjar dhe trashëgimtarët e Vangjel Zhapës. Ai u
lidh me pleqt e vjetër të Labovës dhe më pas takoi dhe
nënën time Urani Malo dhe Sokrat Bejon për ta ndihmuar
për atë gjë. Pas kësaj unë bëra trungun familjar të
Vangjelit me pemën gjenalogjike të cilën ja dorzova
Shoqërisë Komisjonere. Pas kësaj me vendim gjygji,
dolën nja 60-70 vetë trashëgimtar të Zhapës. Për tu
interesuar për pasurinë e Vangjelit në Turqi u ngarkua
ambasadori shqiptar Lik Seiti i cili na bëri të ditur
se ajo pasuri për të cilën avokati turk Akçu thoshte
se ishte në vlerën e 200 milion dollarëve, nuk ishte e
vërtetë, sepse në fakt ishin 800 milion dollarë." Nga
burime të tjera mësohet se në atë kohë Shoqëria
Komisjonere shqiptare ngarkoi avokatin e njohur turk
Aqif Akçu, i cili mori përsipër që ta evidentonte
pasurinë e Vangjel Zhapës, ta çonte në gjygj atë dhe
nga ajo pasuri do të përfitonte 20 % të saj. Avokati i
njohur turk për këtë gjë erdhi disa herë në Shqipëri.
Ai kishte zbuluar se në Stamboll shkolla e vajzave
ishte ndërtuar në truallin e Sulltan Bajazitit dhe
trashëgimtarët e tij ja kishin dhuruar atë me
dokumenta të rregullta Vangjelit. Pasi avokati turk
erdhi disa herë në Tiranë, problemi i pasurisë së
Zhapës mbeti pezull dhe trashëgimtarët e tij nuk u
thërriotën më nga zyra e Shoqërisë Komisjonere.


Përse u zhduk avokati turk?
Lidhur me mbetjen pezull të tratativave për marrjen e
pasurisë së Vangjel Zhapës, ekzistojnë disa versione.
Versioni i parë është se avokati turk Akçu u korruptua
nga shteti turk, apo dhe nga shteti grek i cili ishte
shumë i interseuar për atë pasuri dhe ai hoqi dorë nga
ajo gjë. Varianti i dytë është se shteti turk nuk
donte që atë pasuri t`ja kalonte një shteti komunist
si Shqipëria e cila nuk do ja kthente atë
trashëgimtarëve të ligjshëm të Zhapës, por do e mbante
atë pasuri si pronë shtetërore. Po kështu varianti i
tretë është se shteti turk nuk i pranoi dokumentat e
Shoqërisë Komisjonere shqiptare e cila nuk kishte
firmat e trashëgimtarëve të ligjshëm të Zhapës, por e
kërkonte atë gjë si shtet, çka binte ndesh me ligjet e
shtetit Turk. Qeveria turke la afat për dhjet vjet nga
1955 deri në 1965 që shteti shqiptar ta kërkonte atë
pasuri në bazë të gjitha rregullave me trashëgimtarët
e ligjshëm, e në rast se ajo gjë nuk bëhej brenda atij
afati, shteti turk kishte të drejtën e parashkrimit
duke e mbyllur atë çështje e cila nuk mund të kërkohej
më. Nga disa burime të tjera mësohet se deri në vitin
1940 pronat e Vangjel Zhapës në Turqi janë
administruar nga Patriakana e Stambollit dhe në atë
vit shteti turk ja mori duke i bërë të ditur
Patriakënës se ato prona nuk ishin të sajat, por të
Vangjel Zhapës dhe në bazë të ligjeve që kishte, në
rast se ai nuk kishte lënë trashëgimtarë, gjithë
pasuria e tij i kalonte fshatit ku ai kishte lindur.
Në vitin 1960 shteti turk ja dha përsëri në përdorim
Patriakanës pronat e Vangjel Zhapës, deri sa ti dilnin
trashëgimtarët e vërtetë të saj.

Po çu bë më tej me pasurinë e shqiptarit Vangjel
Zhapa, përse shteti shqiptar nuk e kërkonte të gjithë
pasurinë e tij që ishte dhe në Greqi e Rumani, por
kërkonte vetëm atë të Turqisë që ishte më e pakta që
ai kishte lënë? Thuhet se kjo gjë vinte ngaqë Rumania
ishte shtet komunist dhe i kishte sekuestruar të
gjitha pronat private e nuk i kthente dot ato. Po
kështu edhe ndaj Greqisë, shteti komunist shqiptar nuk
mund ti kërkonte pasi mardhëniet nuk ishin fort të
mira për arsye të ligjit të luftës që ishte në fuqi.
Po çfarë thonë trashëgimtarët e Vangjel Zhapës lidhur
me mbetjen pezull të atij problemi? Për këtë Jani Malo
shprehet :" Vite më vonë jemi takuar me ish konsullin
shqiptar në Stamboll Lik Seiti i cili na tha se po ta
kishte kërkuar shteti shqiptar atë pasuri në bazë të
trashëgimtarëve të ligjshëm të Vangjel Zhapës, do ta
kishte fituar me kohë, por shteti turk nuk kishte
ligje që atë pasuri t`ja jepte shtetit shqiptar kur ai
nuk ishte trashëgimtari i vërtetë i saj".
 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Thousands of Stores.  Millions of Products.  All in one Place.
http://shopping.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list