| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Kadare ne "Shekulli"Agron Alibali aalibali at yahoo.comSat May 27 00:54:36 EDT 2000
Eskluzive. Flet për "Shekullin" shkrimtari i madh Ismail Kadare para largimit nga Shqipëria Kadare: Ethja politike duhet të zbresë Në Shqipëri ekziston rreziku i rigjallërimit të stalinizmit. Kështu është shprehur ndje, para largimit nga Shqipëria, shkrimtar i madh, Ismail Kadare. Sipas tij, çështja më e ngutshme sot e politikës shqiptare është ulja e trysnisë dhe e temperaturës politike. Kadare thotë se klasa politike, e gjendur në kundërkrah me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit shqiptar, duhet të modifikohet patjetër ose përndryshe të tërhiqet nga skena. Zoti Kadare, cilën shihni si çështjen më të ngutshme të politikes së sotme shqiptare? Ulja e trysnisë, rënia e temperaturës, e ethes politike në Shqipëri është sot për sot gjëja më e ngutshme në këtë vend. Pozitive ka qenë prirja e dy kryeministrave të fundit për një zbutje me opozitën. Negative është kritika që iu bë kësaj prirjeje nga partitë në fuqi dhe nga militantët. Kjo dëshmon rrezikun e rigjallërimit të stalinizmit në Shqipëri. Stalinizmi mbetet armiku tradicional i kombit, i shtetit dhe i demokracisë shqiptare. Pozitive në këtë rast ka qenë kundërshtimi i fortë i opinionit publik shqiptar ndaj radikalizmit. Të njëjtin qëllim, të njëjtën kërkesë për zbutje ka pasur bashkësia ndërkombëtare. Pra, populli shqiptar dhe kjo bashkësi ka të njëjtin mendim për çështjen themelore të vendit sot. Klasa politike shqiptare, e gjendur në kundërkrah, ose duhet të modifikohet sipas kësaj kërkese të kohës, ose të gjejë mënyrat për t'u tërhequr nga skena. Hapin e parë drejt zbutjes e ka për detyrë ta bëjë grupimi politik që është në fuqi. Ky duhet të jetë një hap i sinqertë, serioz dhe kurrsesi i llogaritur që pala tjetër ta hedhë poshtë. Pas këtij hapi, në qoftë se opozita tregon se nuk e dëshiron ose nuk i intereson zbutja, përgjegjësia morale e saj rëndohet, madje shumë. Zgjedhjet, që janë në prag, janë një test themelor për të kuptuar seriozitetin e klasës politike shqiptare. Gjithçka duhet bërë që të arrihet kryesorja: respektimi i rezultatit. Dredhitë politike, të llogaritura qysh më parë për të mos respektuar këtë pakt, janë dredhi përpara popullit shqiptar. Të gjitha kompromiset, të gjitha rishikimet, qoftë edhe rishikimi i dekretit presidencial për Komisionin Qendror për t'u zëvendësuar me një zgjidhje më të pranueshme, janë absolutisht të domosdoshme për të shmangur të keqen e madhe. Populli shqiptar është lodhur nga fjalët boshe. E është lodhur sidomos nga imoraliteti politik. Ai kërkon veprim politik të sinqertë. Ai kërkon një Shqipëri morale. Eshtë komentuar mjaft ajo që ju thatë në një intervistë televizive, lidhur me arrogancën ndaj opozitës. Ç'keni dashur të thoni? Denoncimi i arrogancës ndaj opozitës lidhet me gjithë konceptin tim për jetën njerëzore. E di që ka pasur moskënaqësi nga njëra palë (nga pala që e kryen arrogancën). Dua të shtoj këtu se arroganca ka forma të ndryshme shfaqjeje, njëra prej të cilave është për shembull ajo që ngjan si e kundërta e saj, shpërfillja. Ka një keqkuptim për opozitën kur ajo thjeshtohet te një parti politike e aq më tepër te një person. Kam folur për opozitën e përgjithshme, në radhë të parë, për të djathtën shqiptare. Ashtu siç është, me të mirat e mungesat e saj, kjo pjesë e shoqërisë shqiptare, që për 45 vjet ka qenë e kërrusur nën shtypjen e diktaturës dhe që tani, në një mënyrë ose në një tjetër, ndodhet prapë në opozitë, domethënë në një gjendje të pafavorshme, meriton gjithsesi kujdesin dhe respektin e shoqërisë shqiptare. Natyrisht që opozita nuk duhet ta shpërdorojë këtë kujdes. Të tregohesh arrogant me opozitën, jo vetëm është një verbëri politike, por është e dëmshme nga një kod i ndërgjegjes universale, asaj që qëndron mbi politikat dhe regjimet. Mendoj se arroganca ndaj opozitës së djathtë sot i ka rrënjët në një mendësi bolshevike, sipas së cilës, legjitimiteti i pushtetit nuk vjen nga institucionet demokratike, por nga logjika e luftës së klasave. Herë pas here ka diskutime lidhur me orientimin e shqiptarëve... Orientimi drejt Evropës Atlantike duhet të mbetet synimi i paluajtshëm i shtetit shqiptar dhe i gjithë botës shqiptare. Skajimi i Shqipërisë në Evropë, si trup dhe si aspiratë, e kushtëzon fund e majë këtë qëndrim. Ndërkaq, pavarësisht nga rrymat e modës në Evropë (siç është për shembull kundëramerikanizmi, kjo mbeturinë e nostalgjisë së Luftës së Ftohtë dhe e servilizmit prosovjetik), për vizionin shqiptar, bota perëndimore duhet të jetë gjithmonë unike. Rendja pas nuancave dhe marrja me to është për Shqipërinë jo vetëm luks i panevojshëm, por krejt i dëmshëm. Pas qëndrimit të fundit në Tiranë, vazhdoni të shpresoni? Kam nënvizuar disa here shpresën që kam për popullin shqiptar në Ballkan jo në formë urimi, por sepse kjo është bindja ime. Sa më shumë të kalojë koha, aq më tepër do të bëhet e qartë se, me gjithë vështirësitë, rrëmujën, shpërthimet kaotike të energjisë, prapësitë dhe marrëzitë, hapësira shqiptare në Ballkan i ka të gjitha gjasat të kthehet në hapësirë evropiane. Koha punon për këtë. Historia e solli që populli, i cili më së shumti vuajti nga mbyllja prej botës, e ka lidhur sot fatin e tij me të kundërtën e saj. Hapja e Shqipërisë, çlirimi i energjisë së saj, harmonizohet shkëlqyeshëm me frymën e re evropiane. Strategjia shqiptare, jo vetëm nuk bie ndesh me fytyrën e nesërme politike dhe morale të Evropës, por këndellet prej saj. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Kick off your party with Yahoo! Invites. http://invites.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |