Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] AMC - Reagimi i opozites

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed May 24 19:35:32 EDT 2000


Rilindja Demokratike
25 maj 2000

Publikimi i skandalit, mund ta detyrojë Kryeministrin
të anullojë tenderin për shitjen e AMC

 

Opozita: Meta, i lidhur me mafien greke

 

Bano: "Fallsifikimi i kombësisë së firmës "Cosmote" që
është pretendentja kryesore për fitimin e tenderit të
AMC, dëshmon një veprim të tipit mafioz të
qeveritarëve të sotëm

 

Shefi i Ekzekutivit shqiptar Ilir Meta dhe beniamini i
tij, Muçi i Ministrisë së Ekonomisë e Privatizimit,
kanë urdhëruar vartësit të mos japin asnjë shpjegim
për skandalin e radhës që ka të bëjë me shitjen e
AMC-së. "Janë çështje konfidenciale dhe nuk mund të
flasim hë për hë për median",-është shprehur dje
drejtori i Privatizimit, Vaso Pano, ndërkohë që
zëdhënësja Lidra Zagali, s’pranon të flasë pa praninë
e shefit të saj. Ndërkohë opozita vazhdon të reagojë
ashpër për faktin se, privatizimi i njërit prej
sektorëve strategjikë të ekonomisë sonë, sikurse është
AMC-ja nuk është bërë nga një firmë norvegjeze siç u
reklamua, por nga një firmë greke. Nisur nga ky fakt,
sekretari Organizativ i PD-së, Ilir Bano, argumenton
se fallsifikimi i kombësisë së firmës në vetvete
shpreh një veprim të tipit mafioz të qeveritarëve të
sotëm. Funksionari i lartë demokrat thekson se në të
kundërt nuk kishte pse të fshihej firma fituese e
çfarëdo lloj kombësie që të ishte ajo. Zoti Bano edhe
si kryetar i komisionit parlamentar të

Industrisë, Punëve Publike e Transporteve denoncon
këtë strategji privatizimesh të ndjekur në vijimësi që
nga ’97-ta e këtej, nga koalicioni i sotëm qeverisës.
"Të rikthyer në pushtet me ndihmën e qarqeve të
caktuara shoviniste greke, qeveritarët aktualë
vazhdojnë t’u paguajnë atyre detyrimet qoftë dhe duke
i priviligjuar në privatizimin e sektorëve strategjikë
siç është AMC-ja",- tha Bano për "RD"-në. Duke marrë
shkas nga skandali me AMC-në, deputeti demokrat gjen
rastin të ridenoncojë bashkëpunimin e qeveritarëve
aktualë shqiptarë me segmente të mafies greke. Si
argumente konkrete, Bano përmend krijimin e një
situate monopol në sektorin e naftës.

Ndërkohë ai shpreh shqetësimin për kontrabandën e
përbashkët që zhvillohet, si dhe për importin e disa
produkteve kryesore vetëm nga Greqia, nga firma të
dyshimta të lidhura me Greqinë. Këtë linjë të qarqeve
greke antishqiptare, Bano e argumenton dhe me
sabotimin e turizmit në Jug të vendit duke mos i
krijuar konkurrencë turizmit grek si dhe në kushtet e
tjera që po vihen në privatizimin e sektorëve të tjerë
strategjikë.

Kryekomisioneri parlamentar i Industrisë e
Privatizimit përmend dhe një ankesë që ka marrë nga
një firmë italiane, e cila ka bashkëpunuar për një
kohë të gjatë me Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë që
tani ka dalë përsëri në ankand. "Eshtë firma e dytë
prodhuese në Itali, e cila është treguar korrekte në
të gjitha marrëdhëniet me shtetin tonë, e megjithatë
ky shtet i vë detyrime të atilla që e përjashtojnë atë
tërësisht nga mundësia e "tenderimit",- tha Bano.
Sipas tij, në një kohë që prodhimi total i vendit në
rastin më të mirë të funksionimit me kapacitetin
maksimal të fabrikave Fushë-Krujë, Elbasan, ishte
vetëm një milion ton çimento në vit, firma që duhet të
jetë pjesëmarrëse në tenderin për privatizimin e saj
duhet të prodhojë të paktën 7 milionë ton në vit. Për
PD-në, mjafton qoftë dhe krahasimi me këtë rast për të
konkluduar që shitja me goditje të përqëndruar e
AMC-së është një problem, i cili që në fillim vjen
erë. Drejtori i Marrëdhënieve Publike në selinë blu,
Gjergj Thanasi tha dje në një konferencë për shtyp se
vetë artikulimi që i bëri qeveria duke e quajtur firmë
norvegjeze kur në fakt është firmë greke, ka ngjallur
shumë dyshime rreth pazareve që janë bërë nga qarqe të
caktuara qeveritare. Për më tepër, fakti që personi që
kreu negociatat pasi premtoi të kryente këtë
privatizim bëhet ministër, shton një pikëpyetje të
dytë në procesin e privatizimit të AMC-së. Zoti
Thanasi dhe njëherë dje, ka paralajmëruar se PD, pas
ardhjes së shpejti në pushtet nuk do t’i njohë
privatizime të tilla pasi nuk i quan të mirëqëna. Edhe
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Mati Pepa, denoncoi
dje në një konferencë për shtyp këto "pazare" që po
bëhen në dëm të ekonomisë sonë kombëtare.

Halil RAMA

 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Kick off your party with Yahoo! Invites.
http://invites.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list