| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] KadareAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue May 2 23:37:23 EDT 2000
Shkreptimat e zeza Nga Ismail Kadare Marrë nga "Coriere de la Sera" Pas një dimërimi 45-vjeçar, marrëdhëniet Itali-Shqipëri, tepër të dëndura tashmë, përshkohen herë pas here nga ca shkreptima zije. Të krijohet përshtypja sikur të dyja palët presin ngjarje tragjike, për t'u kujtuar se ndodhen kundrejt njëri-tjetrit: mbytja e anijes shqiptare në kanal të Otrantos, viktima italiane në Shqipëri, viktima shqiptare në Itali, së fundi vrasja e vogëlushit shqiptar Klaudio Hoxha nga një pedofil italian. Që Italia e tërë është e tronditur nga kjo vdekje, kjo tregon se ky është një vend i madh i krishter, i gatshëm për të rishqyrtuar ndërgjegjen e vet. Që në Shqipëri nuk u krijua këto ditë ndonjë atmosferë histerike kolektive me ngjyrim revanshist, tregon se ky vend i vogël, gjithashtu ka një traditë qytetërimi evropian, i aftë, ndryshe nga ç'mendohet, për të falur. Shqetësuese në këtë rast është pyetja: vallë është e domosdoshme kjo shije funerali, kjo prani e vdekjes për t'u kujtuar emocionalisht për njëri tjetrin? Është vallë e nevojshme që marrëdhëniet normale midis dy vendeve, që kanë qenë lidhur dikur nga një fat i rëndë, të zëvendësohen me sensacione të tilla, që të kujtojnë shikuesit e teatrit antik, të cilët, sipas Aristotelit, shkonin në teatër për "t'u pastruar shpirtërisht nëpërmjet mëshirës dhe frikës?". Vrasja e vogëlushit shqiptar Klaudio Hoxha, është një tragjedi njerëzore e karakterit universal, që s'ka asnjë lidhje as me racizmin antishqiptar, i cili, për fat të keq, afishohet gjerësisht në Itali, as me dramën e dhjetëra mijëra refugjatëve shqiptarë, të cilët, përveç halleve ekonomike, duhet të heqin edhe pasojat e këtij racizmi. Ndërkaq duhet thënë se kjo vrasje, ndonëse nuk interpretohet si shprehje e drejtpërdrejtë e një qëndrimi ndaj një populli tjetër, prapëseprapë, tronditja që ajo shkaktoi tek italianët dëshmon më së miri se këta italianë, me sa duket, kanë një brerje ndërgjegjeje për atë përçmim të tepruar që është treguar shpesh ndaj shqiptarëve. Shqipëria e vogël e meriton këtë mirëkuptim. Asnjëherë ajo nuk i ka marrë në mbrojtje, përkundrazi, i ka mallkuar banditët dhe mafiozët e vet, ata që kanë kryer punë të pista e disa herë krime në Itali. Shqipëria ka pranuar trupin e proksenetëve dhe të prostitutave të saj në Itali, pa u përpjekur asnjëherë t'i përligjë ato. Shqipëria dhe shqiptarët presin një mirëkuptim më të madh nga kontinenti evropian dhe do të ishte normale që ky mirëkuptim të kalonte nëpërmjet italianëve, populli që ka provuar vite më parë nëpër Evropë atë fyerje dhe vuajtje që pësojnë shqiptarët sot në Itali. Kohët e fundit, sidomos qysh pas ngjarjeve të Kosovës, një klishe e re u është shtuar klisheve të vjetra për shqiptarët: "hakmarrja shqiptare". Është plotësisht e vërtetë që te shqiptarët ka funksionuar me shekuj një kod zakonor mesjetar i quajtur "Kanuni i Lekë Dukagjinit", i ngjashëm me kodin e "Vendetta"-s te sicilianët, te korsikanët e te popuj të tjerë. Qenia e këtij kodi të ashpër, që ka luajtur rolin e një kushtetute, nuk është fshehur asnjëherë prej kulturës shqiptare, përkundrazi, kanë qenë vetë shqiptarët që e kanë bërë të njohur kudo. Ndërkaq ka qëlluar shumë herë që ky kod zakonor ta rëndojë edhe më shumë imazhin e shqiptarëve si popull, duke i paraqitur ata si hakmarrës të tmerrshëm. Në të vërtetë, hakmarrja, si reagim njerëzor, është një ndjenjë universale që ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë tek të gjithë njerëzit, tek të gjitha kohërat dhe qytetërimet. Nga një pikëpamje universale, njerëzimi e ka njohur hakmarrjen qysh në agimin e qytetërimit. Një pjesë e tragjedive antike greke mund të cilësohen (par exelence) si drama të hakmarrjes. Që shqiptarët, sicilianët ose korsikanët e kanë institucionalizuar këtë ndjenjë, kjo nuk do të thotë se ata, si krijesa njerëzore, janë ndryshe nga të tjerët, me fjalë të tjera, e kanë ndjenjën e hakmarrjes më të shumtë ose më të paktë se të tjerët. Ndërkaq ky kod zakonor po iu kushton shqiptarëve shumë shtrenjtë. Edhe në rastin e vrasjes së Klaudios së vogël, u kujtua nga shumë njerëz e nga shumë media "hakmarrja shqiptare". Në fillim, lajmi i zhdukjes së fëmijës u shoqërua nga një dëshpërim, se zhdukja mund të ishte rrjedhojë e kësaj hakmarrjeje të famshme, pra si larje llogarish hakmarrëse midis shqiptarëve. Më pas, kur e vërteta makabre doli në shesh, u dha alarmi i një hakmarrjeje të ardhshme shqiptare, madje u sollën kinse edhe kërcënimet e babait të viktimës, se "hakmarrja do të vazhdojë gjer në tre breza". Sot, gjatë varrimit të Klaudios së vogël, u mor vesh, më në fund, se familja e viktimës kërkoi drejtësi dhe jo hakmarrje. Për të qenë të ndershëm, duhet thënë se alarmet e medias italiane për një hakmarrje hipotetike shqiptare, nuk duhen interpretuar si dashakeqëse e tendencioze. Ato bëjnë pjesë në prirjet e shtypit për të gjurmuar gjërat sensacionale dhe ekzotike. Si të tilla, dhe pa kurrfarë zemërimi janë trajtuar këto ditë edhe nga shtypi shqiptar, çka vërteton një vetëpërmbajtje dinjitoze të opinionit publik shqiptar përballë kësaj drame. Asnjë krahasim nuk mund të bëhet në këtë rast me spekulimet që u bënë lidhur me "hakmarrjen" shqiptare në Kosovë. Kjo "hakmarrje" u përdor në një luftë politike të paprinciptë ku u bënë të gjitha përpjekjet për ta kthyer atë kundër popullit shqiptar dhe për të përligjur krimet serbe në Kosovë. Punët shkuan kaq larg, sa që edhe një shfaqje e tragjedisë "Hamleti" të Shekspirit në teatrin shqiptar të Prishtinës kohët e fundit, u interpretua si një thirrje për hakmarrje, ngaqë në këtë dramë bëhet fjalë vërtet për hakmarrjen e Princit Hamlet kundër vrasësve të babait. Shqiptarët nuk janë një popull pa vese. Por të zmadhosh veset e tyre, në një kohë kur një pjesë e tyre porsa ka dalë nga një dramë e një plojë nga më të egrat në këtë shekull, kjo është jo vetëm e padrejtë, por nuk i shërben askujt. Mbi gjysmë shekulli më parë, fill pas kapitullimit të Italisë më 1943, mbi 40 mijë ushtarë italianë mbetën në një gjendje të pashpresë në Shqipëri, në mëshirën e shqiptarëve të armatosur. Ndonëse ata kishin qenë një ushtri pushtuese, ndaj tyre nuk u ushtrua asnjë dhunë hakmarrëse, përkundrazi, u mbrojtën dhe u mbajtën me bukë deri më shumë se një vit nga populli i varfër shqiptar. Ky akt dëshmon për të kundërtën e klishesë së hakmarrjes që i ngjitet këtij populli këto ditë tronditëse të prillit 2000. Vetëpërmbatja e opinionit publik shqiptar ndaj tragjedisë së Klaudios së vogël dëshmon të njëjtën gjë. Në jetën njerëzore, hyrja e vdekjes në skenë qëllon që ka një peshë të rëndë. Disa herë më kuptimplotë se librat, deklaratat ose forume të tëra. Le të shpresojmë se vdekja e një fëmije shqiptar do të ndihmojë sadopak për të holluar mjegullën e moskuptimit midis njerëzve që jetojnë në të dy brigjet e Adriatikut. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Send instant messages & get email alerts with Yahoo! Messenger. http://im.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |