Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Elena Kadare - Gazeta Republika

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Jun 9 20:52:18 EDT 2000


Intervistë me Elena Kadarenë

E marrosur pas "të marrit" Kadare...

- Kush është Ismaili për Elena Kadarenë?

- Si ka qenë fëmijëria e Elenës?

Unë jam rritur në një familje të mbyllur nga pikëpamja
e mënyrës së
edukatës, babai ishte shumë konservator. Sipas tij,
unë që isha vajzë
nuk duhet të dilja nga shtëpia, ndërsa me vëllanë...
Ai ishte më
liberal. Babai mjaftohej të më kënaqte me librat që
doja, të më
shoqëronte kudo, në kinema apo në një pistë vallëzimi.
Por
imagjinoni një vajzë të re të kërcejë me babanë! Besoj
se nuk është
një kënaqësi e madhe. Atëhere e gjithë kjo revoltë e
brendshme, kjo
kënaqësi më bëri të mbaj ditar në moshë të re. E
vetmja fjalë që
dëgjoja ishte, që unë të mos gaboja. Megjithatë, gjëja
e parë që bëra
sapo vajta në universitet, që për mua ishte një
lëshim, vrapova të
njoh Ismailin, sepse e kisha lexuar në gjimnaz dhe e
kisha ëndërr ta
njihja personalisht.

- Kur e keni takuar për herë të parë Ismailin?

Unë e njihja që kur ai botoi "Endërrimet". Të gjithë e
dinin që unë
isha e marrosur pas tij dhe një ditë shokët e klasës
së gjimnazit më
kishin vënë në tavolinë fotografinë e tij të prerë nga
gazetat. Në këtë
kohë prej tij më vjen një letër nga Moska. Më
shkruante për një
tregim që unë kisha botuar tek "Zëri i Rinisë". Lexova
tregimin tuaj
dhe më pëlqeu shumë, shkruani dhe mos u trembni..."
dhe në fund
kishte vënë emrin. Këtë histori e mori vesh gjithë
shkolla dhe
imagjinoni se çfarë evenimenti ishte kjo në një
gjimnaz të një qyteti
të mbyllur si Elbasani. Më vonë mora vesh se adresën
time e kishte
mësuar nga miku i tij, Dhimitër Xhuvani. Për një farë
kohe kjo
histori u harrua. Vetëm kur ai u kthye nga Moska për
të marrë pjesë
në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, ne u
takuam. Ishte
krejt mospërfillës. U dëshpërova se nuk ishte ai
interes që unë kisha
për të. Më pas raportet ndryshuan. Ai ishte i dashur
në momentet që
ishim bashkë, por pastaj harronte plotësisht lidhjen.
Ishte një luftë e
dëshpëruar me veten time, sepse shpesh më duhej të
pyesja: "Po si
është puna e këtij njeriu më do apo jo?", sepse
atëherë nuk më
kishte thënë të dua. Ai atëherë kishte ardhur nga
Moska dhe e
quante për turp të thoshte "të dua". Gjatë gjithë
kohës që rrinim
bashkë ai më tregonte se si ishin vajzat ruse, aq sa
që nuk pyesnin
as për martesë as për kurrfarë gjëje. Motoja e tij
ishte të duheshim
bashkë, po pa i premtuar njëri-tjetrit martesë, gjë që
për mua ishte
tepër e pakonceptueshme. Që unë t'i dukesha atij si
një vajzë
moderne, ashtu siç e konceptonte ai jetën dhe lidhjen
tonë, e
pranova menjëherë këtë lloj mentaliteti. Unë isha
krejt e
sugjestionuar, sikur edhe marrëzinë më të madhe të
thoshte, përsëri
unë e pranoja. Koncepti i tij ishte, pavarësisht që
rri me ty, unë
mund të kem dhe vajza të tjera. Mua më dukej normale,
sepse e
thoshte ai. Historia jonë vazhdoi e tillë për dy vjet
me radhë.
Papritur një ditë ai më kërkoi të martoheshim. Unë
shtanga, sepse
isha mësuar me një tjetër Ismail. "Por unë nuk e kam
menduar këtë
gjë", iu përgjigja. Atëherë ai më jep një shpullë dhe
më thotë: "U
bëre ti të mos martohesh me mua?". Ju duk një fyerje e
madhe.

- Është folur shumë për çiftin Kadare, por për ju si
njeriu më i afërt
i tij, dihet fare pak, cila është origjina juaj?

Origjina ime është Gjirokastra. Këtë me sa vura re,
pak njerëz e
dinin në Gjirokastër, të cilët më treguan shtëpinë e
njerëzve të babait
në lagjen "Varosh". Mandej u takova edhe me disa
kushërinj me
mbiemrin e vajzërisë, Gushi. Kur pashë shtëpinë,
ndieva një
emocion të madh. Vitet e rinisë dhe fëmijërisë së
hershme i kam
kaluar në Elbasan, ku im atë punonte si farmacist.

- Ktheheni në Gjirokastër pas një mungese të gjatë.
Sipas jush, çfarë
ndryshimesh ka pësuar qyteti i origjinës së
bashkëshortëve Kadare?

Ajo që më ka befasuar gjatë gjithë kësaj kohe, që
Ismaili nuk ka
qenë prezent, është dashuria dhe kultura e këtij
qyteti. Dashuria
njerëzore në radhë të parë. E shikoja në sytë e
njerëzve në takimet e
shumta që kemi patur. Gjirokastritët rezatojnë një
lloj fisnikërie.

- A mendoni se ky qytet në pamjen e jashtme i ka
ruajtur vlerat
muzeale?

Para së gjithash do të doja t'ju sillja një kujtim për
rrugët, i cili më
lindi duke shëtitur sot në këtë qytet. Kur Ismaili
erdhi për herë të
parë në Elbasan, gjatë gjithë mbrëmjes ai hapi disa
fletë dhe filloi të
më shpjegonte se si ishte qyteti dhe kryesisht shtëpia
e tij. Ne
jetonim në një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, që
ishte kështu me
gurë dhe kalldrëm, si Gjirokastra. Ismailit, duke
shëtitur në ato
kalldrëme gjatë ditës, iu kujtua qyteti i tij. Unë
akoma nuk e kisha
parë Gjirokastrën dhe gjatë mbrëmjes më tregonte: "...
ja si është
shtëpia, ja si është stera". Vite më vonë ato do t'i
përshkruante tek
libri "Kronikë në gur". Unë isha me përshtypjet që ai
më kishte
treguar dhe në imagjinatën time ky qytet ishte shumë
më fantastik.
Para disa vitesh, kur u zhvillua Festivali Folklorik,
patëm mundësinë
të bënim një shëtitje të shkurtër. Nuk arritëm të
futeshim në shtëpi,
por duke e parë nga jashtë, nuk m'u duk aq e çuditshme
dhe e
mrekullueshme, sa e kisha unë në imagjinatë, Ismaili
më tha: "O po
kështu duket nga rruga, duhet të futesh brenda, që ta
kuptosh gjithë
çudinë e kësaj shtëpie". Në vizitën e fundit, kaluam
në rrugën para
gjimnazit dhe tek "Sokaku i të Marrëve". Ishte një
mrekulli. U
futëm brenda, megjithëse shtëpia ishte e shkatërruar e
në ndërtim e
sipër. Arkitekti po i tregonte Ismailit maketin dhe
projektin e
rindërtimit. Ismaili i sugjeronte disa elementë të
origjinalitetit, nisur
nga kujtimet që ai i ruante në fëmijëri. Atë ditë maji
kur bëmë një
shëtitje tek "Sokaku i të Marrëve", unë prisja çfarë
çudirash do të
kishte. "Do të ishte më interesante kjo shëtitje në
qoftë se dita do të
ishte e vrenjtur", tha Ismaili. Por mua edhe kështu më
ngjan e
madhërishme e mjaft e bukur. Hymë në shtëpinë
gjirokastrite, që
nga jashtë dukeshin të zakonshme. Më mahniti çasti kur
hapeshin
dyert, dukeshin sikur prisnin mysafirë. Njerëzit e
prisnin Ismailin me
shumë dashuri. Plakat, komshijet e dikurshme, i
flisnin për prindërit
e tij. Kemi shkuar edhe në shtëpinë e Kako Pinës, një
nga
personazhet e tij të dashura. Arrita të shikoj nga
dera e hapur atë
nrekulli pastërtie, që është aq e njohur për
gjirokastritët. Këtë e kam
parë tek gjyshja, tek hallat e mia gjirokastrite. Jo
vetëm nga familja
e babait, por edhe në shtëpinë e Ismailit kur hyra si
nuse, flitej me të
njëjtin kolorit. E njoh dhe më jep emocion kjo lloj
gjuhe. Çdo gjë
ishte kaq e rregullt, e sistemuar bukur, deri edhe
lulet mbjellë midis
gurëve. Kjo më ka prekur jashtëzakonisht. Më mahniti
arkitektura,
pastërtia, thjeshtësia e njerëzve. Boll të hidhje sytë
nga një portë
dhe të ndjeje ngrohtësinë e tyre.

- A ka qenë vështirë të jesh gruaja e Kadaresë?

Nuk di?! Mund t'ju them se Ismaili në përgjithësi
është një tip i
përmbajtur, i ftohtë nga emocionet. Rrallë herë e kam
parë kaq të
emocionuar sa ka qenë këtu në Gjirokastër. Unë e
kuptoj nga zëri,
nga mënyra e lëvizjeve. Nuk them se këto e tradhtonin,
por pashë
atë gjë, që atij rrallë herë i kuptohet. Një emocion
të madh, që e bëri
atë të çiltër si një fëmijë. Nisi të më shpjegonte
mjaft ngjarje të
fëmijërisë së tij, që kurrë nuk i kisha dëgjuar.

- Si shkrimtare a ka ekzistuar ndonjëherë xhelozia mes
jush?

Jo, kurrë, për faktin se unë kam shkruar para se ta
njihja. Njohja
me të ishte e paimagjinueshme, pasi si të gjithë
lexuesit, unë isha një
lexuese e apasionuar pas atyre që shkruante ai.
Asnjëherë nuk e
kam menduar se si mund ta rivalizoja. Jetesa me këtë
njeri më ka
bërë që të kuptoj se ç'është letërsia me të vërtetë.
Pa atë, unë do të
vazhdoja ndoshta të shkruaja shumë më tepër nga ç'kam
shkruar
deri tani. Jam e sigurt se do të kisha shkruar edhe më
keq. Pse?
Sepse çdo gjë që unë kam shkruar pas njohjes me të,
ishte
gjithmonë syri i tij që depërtonte dhe më bënte mua të
mendoja se si
do t'i dukej atij kjo gjë. Shpeshherë më qëllonte që
gjërat që
shkruaja nuk ishin në lartësinë e duhur për të
tërhequr vëmendjen e
tij për mirë . Nga ana e tij, meqenëse flisni për
çështje rivaliteti, ai
ka qenë shumë i kënaqur kur unë kam arritur të bëj
diçka si duhet.
Ndihej vërtet i kënaqur.

- Tani, a jeni duke shkruar ndonjë libër?

Në këto momente unë jam duke shkruar kujtimet e jetës
sonë të
përbashkët. Domethënë, në gjithë këto vite që kemi
kaluar, cila ka
qenë ajo rrugë që ka ndjekur ai për të arritur deri në
këtë stad, të një
shkrimtari të formuar, besoj të formuar plotësisht.

- Jetoni në Francë. A ka qenë i vështirë integrimi
juaj këtu?

Jeta jonë nuk është plotësisht në Francë. Në periudhat
me kryesore
të vitit, kryesisht në vjeshtë dhe në pranverë ne jemi
në Shqipëri.
Me kalimin e kohës qëndrimi ynë do të spostohet
plotësisht këtu.
Pasi të rregullojmë mundësinë që të kemi një banesë më
të mirë dhe
më komode, që ai të punojë pa presionin e vazhdueshëm
të lexuesit
dhe dashamirësve. Ju e kuptoni se ardhjet tona në
Shqipëri janë të
mbushura me vizita, takime, gjë që është e bukur dhe e
këndshme,
por jo aq e përshtatshme për krijimtarinë. Humbet
ritmi normal i
punës së tij. Në pikëpamjen e integrimit të jashtëm,
në Francë nuk
kam patur ndonjë problem, sepse duke shoqëruar
Ismailin kam qenë
e mirëpritur në të gjitha sferat. Franca është një
vend i kulturës.
Atje, të qenit artist merr një kuptim tjetër, aq më
tepër që për
Ismailin, Franca ka qenë vendi i parë që i ka botuar
krijimtarinë
letrare. Për ta ishte një kënaqësi dhe nder që ta
kishin mysafir në
rrethet e tyre. Ndërsa përsa i përket integrimit të
brendshëm edhe
pse kanë kaluar dhjetë vjet, nuk e ndiej se jam
integruar shpirtërisht
në jetën franceze. Pavarësisht nga të gjitha nderimet
që na bëhen
dhe luksin që na shoqëron, këto nuk e kanë zëvendësuar
kurrë atë
kënaqësi shpirtërore që ndiej kur kthehem këtu në
vendim tim. Kjo
ndoshta ka të bëjë me tipin tim, sepse unë e çmoj
shumë familjen
dhe miqësitë e vjetra. Kam parasysh këtu shprehjet,
"miq të rinj zër,
por të vjetrit kurrë mos i harro", sepse "të vjetrit
janë si floriri,
ndërsa të rinjtë janë prej argjendi" Pra, gëzimi im i
vërtetë shpirtëror
është kthimi që bëjmë në Shqipëri.

- A është e vështirë të jesh bashkëshortja e Kadaresë?

Eshtë e vështirë, sepse ai ka një ritëm pune që nuk
është aq e lehtë
ta ndjekësh. Kjo është bërë e domosdoshme duke jetuar
jashtë. Kur
ishte këtu në Shqipëri, punonte dhe kishte shumë
njerëz që
merreshin me punën e tij. Ismaili vazhdon të punojë me
dorë, nuk
pranon të punojë me mjetet e reja të teknikës
kompjuterike, nuk
dërgon Fax-e, e e-mail. Nuk i pranon fare këto mjete.
Kështu që
unë jam dëgjuesja e parë e motiveve të veprave që
shkruan. Më
është dashur këto kohë të bëja edhe punën teknike, atë
që këtu do
ta bënte një njeri tjetër.

Shënim: Intervista është marrë në Gjirokastër, në
ditët e "Panairit të
parë të librit shqip"


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Yahoo! Photos -- now, 100 FREE prints!
http://photos.yahoo.com



More information about the ALBSA-Info mailing list