Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Epika shqiptare sipas Prof. Shkurtaj

aalibali at law.harvard.edu aalibali at law.harvard.edu
Thu Jan 27 00:12:43 EST 2000


Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj 
Epika heroike shqiptare si përmendore madhështore e kulturës së gjuhës 
   Gjuha e epikës heroike shqiptare, ashtu si përgjithësisht krijimtaria gojore 
poetike e Veriut, përbën një trashëgimi të vyer po edhe të pastudiuar sa e si 
duhet nga gjuhësia dhe folkloristika shqiptare. Prej kohësh, ndoshta që kur 
isha i vogël dhe sprovoja të imitoja disa nga këngëtarët e lahutarët e krahinës 
sonë të Malësisë së Madhe, më kanë mbetur në mendje jo vetëm qindra e mijëra 
vargje të këngëve të Mujit e të Halilit, të Plakut Qefanak e të Zukut 
Bajraktar, po edhe përshtypja e madhe që kishin në mbarë njerëzit këngët dhe 
vargjet e kreshnikëve. Mbaj mend se, jo vetëm burrat ishin të dhënë pas eposit 
dhe prisnin me shumë gëzim rastet e festave e të tubimeve të mëdha popullore 
për të dëgjuar këngët e moçme në interpretimin mjeshtëror të lahutarëve vendas 
apo të atyre që vinin nga Shala e që ia thoshin më shumë se kushdo tjetër si 
lahutës ashtu edhe fjalëve të eposit, po edhe gratë, sidomos ato të moshuarat. 
Tashmë jam i bindur se edhe gjuha e epikës heroike shqiptare duhet kundruar, 
studiuar e vlerësuar jo vetëm si një pjesë e shprehjes dhe e formësimit 
artistik të eposit, por edhe si mishërim i dashurisë së shqiptarit për të 
bukurën, për vlerat e vërteta artistike dhe për marrëdhëniet e ndërsjella të 
gjuhës me kulturën në planin kombëtar shqiptar, po edhe më gjerë, duke 
përfshirë edhe shkëmbimet kulturore e huazimet gjuhësore e artistike të 
natyrshme e të pamungueshme, në një trevë aq të shkëmbyeshme e të gjallë si ajo 
ballkanike. Natyrisht, duke qenë se çështjet që i përkasin gjuhës së epikës 
heroike shqiptare janë të ndërlidhura me një qerthull problemesh të karakterit 
letraro-artistik, po edhe mirëfilli historiko-shoqëror, gjeografiko-ekonomik e 
kulturor, nuk mund të mëtojmë të ndalemi në gjithçka që nden një kundrim i 
plotë, çka do të kërkonte një disertacion të tërë; prandaj do të përqendrohemi 
në disa nga pikat më interesante e pikërisht:  

Ç’përfaqësojnë këngët e kreshnikëve në kuadrin e poezisë popullore shqiptare e 
përgjithësisht në kulturën e popullit shqiptar?  
Cila është treva e shtrirjes së eposit dhe ç'mund të thuhet për djepin e lashtë 
të tij? Marrëdhëniet e ndërsjella me eposin e vendeve fqinje, sidomos me eposin 
malazez, si pikëtakime e ndërndikime të natyrshme të kulturave të popujve 
fqinjë e që, ndonëse të ndryshëm për nga përkatësia etnike e lashtësia në viset 
e tyre të sotmet (shqiptarët, si vijues të pandërmjetshëm të ilirëve në trojet 
e veta ballkanike, kurse sllavët të ardhur shumë më vonë se ata në Ballkan, por 
gjithsesi në një fqinjësi tashmë më se një mijë e treqindvjeçare me iliro-
shqiptarët), që, sidoqoftë, duke bashkëjetuar pranë njëri-tjetrit, nuk mund 
edhe të mos ndikoheshin ndërsjelltazi, duke u përngjasuar deri edhe në tematikë 
e në emrat e heronjve kreshnikë, paçka se të dyja palët, në daç ajo malazeze, 
në daç pala shqiptare, e kanë bërë zakon të deklarohen kundër një përngjasimi 
të tillë dhe secila thotë se pala e vet është "burimore dhe më e lashtë" e se 
tjetra "ka vjedhur e kopjuar" prej saj. Kjo le të mbetet për t'u zhdavaritur më 
mirë e më hollë sidomos nga specialistët e folklorit.  
Lahuta dhe eposi si binjakë të një arti të hershëm e të një kulture të lashtë 
mbarëpopullore në Shqipërinë e Veriut.  
Tematika e eposit, personazhet kryesore dhe lidhjet ndërmjet tyre. Çështje të 
antroponimisë së eposit.  
Roli edukativ i eposit dhe vlerat e tij si model i ligjërimit po edhe i 
sjelljes (komportimit) burrërore. "Auditori" i eposit dhe proceset e evoluimit 
të formave të shprehjes së tij.  
Disa vlerësime e arritje tonat rreth gjuhës së eposit si përmendore madhështore 
e kulturës së gjuhës. Rreth "ndiç-it" epik si tregues i plotvlershëm i 
pushtetit dhe i peshës shumë të madhe shpirtërore të eposit të kreshnikëve në 
zemrën e malësorëve dhe, së andejmi, edhe në figurshmërinë dhe bukurinë e 
gjuhës së tyre.  
     Natyrisht, për të mos përsëritur gjërat tashmë të ditura nga sa është 
shkruar në botimet më të reja, në rreshtat që ndjekin, do të përqendrohemi 
vetëm në çështjet më kryesore e duke bërë një farë zgjedhjeje: d.m.th., duke 
parapëlqyer ato që mbeten për t'u thelluar apo edhe të diskutueshme.
1. Epika popullore është një gjini e poezisë popullore që ka si veçori rrëfimin 
dhe që përmbledh: epikën legjendare dhe epikën historike. Në epikën legjendare 
përfshihen këngë që bëjnë fjalë për bëma, rite, doke e marrëdhënie shoqërore të 
hershme; aty zenë vend të gjerë trimëritë dhe bëmat zullumqare të kreshnikëve, 
si Muji e Halili, Gjergj Elez Alija, Omeri i Mujit, Plaku Qefanak, etj. Këto 
këngë shquhen për një stilizim të gjerë epik, për realizimin e tyre sipas 
modeleve artistike të moçme dhe me një pleksje të mahnitshme të reales dhe të 
joreales, të fakteve dhe të imagjinatës.  
      Këngët e kreshnikëve, pa dyshim, përfaqësojnë pjesën më të bukur dhe më 
interesante të poezi-së popullore shqiptare. Si të tilla, ato kanë tërhequr 
prej kohësh edhe interesimin e studiuesve të huaj: të folkloristëve po edhe të 
gjuhëtarëve. Përmendim, ndër të tjerë, albanologun e shquar aust-riak 
Maksimilian Lamberc, i cili në studimin e tij shumë interesant "Epika popullore 
e shqiptarëve", (1958) ka dhënë, për herë të parë, disa vlerësime dhe mendime 
shumë të vlefshme rreth madhështisë dhe bukurisë së eposit shqiptar, si dhe 
bëri (me aq sa mund të bëhej në atë kohë) të parën sprovë për një studim e 
vlerësim kompleks të eposit shqiptar duke përfillur gjerë edhe vlerat e tiparet 
gjuhësore të kësaj gjinie epike. Këngët e kreshnikëve janë krijimet më të gjata 
të poezisë popullore shqiptare. Ato mund të arrijnë deri në disa qindra vargje, 
kryesisht dhjetërrokëshe, po edhe me përmasa të tjera. Vargjet janë të bardha, 
por me kadenca ritmike e aliteracione të zhdërvjellëta, që pasqyrojnë edhe 
natyrën fonike të gjuhës shqipe, posaçërisht të dialektit të gegërishtes 
veriperëndimore. Në mënyrë të veçantë aty janë me interes dy faktorë: a) 
gjatësia e zanoreve të theksuara, ndonjëherë edhe e të patheksuarave, si një 
tipar fonologjik vetëm i gegërishtes dhe i ndonjë së folmeje skajore a anësore 
të toskërishtes (si labërishtja dhe ndonjë nga të folmet e diasporës arbëreshe 
të Italisë e të Greqisë); b) zgjatimi i zanoreve për arsye stili, bashkë me 
disa ndërrime e kalime fonetike në gjuhën e këngëve, që kryhen thjesht për 
arsye muzikaliteti e kumbueshmërie më të lartë. Për këto kemi shkruar, së pari, 
në artikullin tonë "Rreth disa veçorive të gjuhës së këngëve popullore", porse, 
edhe para nesh, problemin e kishin prekur Eqrem Çabej në studimin "Për gjenezën 
e literaturës shqipe" (1939) e sidomos M. Lamberci në studimin që cituam më 
lart. Për këngët popullore të Shqipërisë së Jugut, një përpjekje të parë ka 
bërë edhe V. Fidleri në artikullin "Disa çështje të metrikës së këngëve 
popullore çame"(1965). Tashti së fundi, në librin "Dialektologjia", në pjesën e 
parë hyrëse, kemi shtuar edhe një syth të gjerë kushtuar marrëdhënieve të 
dialektologjisë me folklorin dhe etnografinë, ku, për herë të parë, kemi 
trajtuar disa nga çështjet më kryesore rreth vlerave të folklorit për studimet 
dialektologjike dhe përgjithësisht gjuhësore. Më gjerë, disa aspekte të gjuhës 
së eposit të kreshnikëve janë trajtuar në Simpoziumin e vitit 1983 në Tiranë, 
ku pati edhe sprova interesante për disa aspekte të veçanta të gjuhës së eposit 
shqiptar, si për toponiminë dhe antroponiminë, për pasurinë dhe bukurinë e 
shprehjes etj. Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar onomastikës së eposit 
shqiptar studiuesi kosovar Demush Shala, sidomos në studimin e tij me 
titull "Onomastika në këngët kreshnike shqiptare".  
      2. Nga kërkimet e bëra deri më sot rezulton se këngët epike të ciklit të 
kreshnikëve i gjejmë në Shqipërinë Veriore, kryesisht në trevat mbi lumin Drin, 
në këtë shtrirje: Malësia e Madhe (Hot, Kelmend, Grudë, Triesh, Kastrat, 
Shkrel), Kraja, Rranxat e Mbishkodrës, Dukagjini, Postrripa, Shllaku, Nikaj-
Mërturi, Malësia e Gjakovës (Krasniq, Gash, Bytyç, Berishë), Kosova. Kjo është 
vatra kryesore apo treva e mirëfilltë e ciklit të kreshnikëve, po përhapja e 
tij është edhe më e gjerë; ajo kalon edhe poshtë Drinit, si në Pukë, Kukës, 
Dibër e Mat, deri në disa fshatra të Shqipërisë së Mesme.  
     3. Karakteristikë themelore e eposit shqiptar është shoqërimi me lahutë, 
vegël që, sipas etnomuzikologëve shqiptarë e të huaj, është nga më të lashtat 
dhe "përfaqëson arkeotipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të 
kontinentit evropian".  
     Lahuta, në dialektin e Malësisë së Madhe, sidomos në anët perëndimore të 
tij, shqiptohet edhe lavd-a : mej ra lavds. Në anët verilindore shqiptohet 
lahut-a. Kjo vegël bashkë me këngët që shoqëron, ka luajtur rol të rëndësishëm 
etik, po edhe është kthyer në simbol etnik. Malësorët tanë e kanë vështruar 
lahutën si objekt kulti, prandaj edhe e kishte çdo shtëpi. Shtëpia pa lahutë 
quhej shpi e lânun "shtëpi e lënë". Mbi lahutë (kryesisht në kokë, po edhe në 
bishtin e saj) malësorët gdhendnin figura mitologjike që lidhen me besime 
popullore të ndryshme, si: gjarpër, kokë dhie, përkrenarja e Gjergj Kastriotit 
etj. Gdhendja e kokës së dhisë lidhet me besime të hershme popullore. Në këngët 
e kreshnikëve bëmat e heronjve kushtëzohen nga prania e figurave të besimit 
popullor, nga forca magjike e zanave dhe e orëve, të cilat i pajisin heronjtë 
me fuqi të mbinatyrshme. Në një nga këngët e kreshnikëve flitet për dhitë e 
egra të Zanave, që rrinë në Lugje të Verdha e i kanë brirët prej floriri; ato 
simbolizojnë fuqinë e zanave. Në ndonjë këngë këndohet për djalin gjarpër, 
kurse në shumë këngë gjarpri del nga gjoksi i kundërshtarëve të Mujit e të 
Halilit kur vriten, si p.sh. nga barku i Behurit, i Gjurit Harambash; nga barku 
i Bajlozit të Zi që vret Gjergj Elez Alija etj.  
     Lahuta shqiptare, në dallim nga guslla e sllavëve, është vegël popullore 
masive e njerëzve të thjeshtë, e këngëtarëve joprofesionistë. Guslla është 
vegël profesioniste e këngëtarëve që paguhen për këtë mjeshtëri. Me lahutë 
shoqërohen këngët epike, midis të cilave shquhen ato të Mujit e të Halilit. 
Lahuta dhe kënga shkrihen në një të vetme. Nuk mbahet mend që në malësitë tona 
lahuta të jetë përdorur veçmas. Ajo vetëm shoqëron këngët duke spikatur dy 
momente:  
Hyrjen apo introduksionin e këngës, si dhe interludet midis rreshtave 
muzikorë.  
Kur shoqëron këngëtarin gjatë interpretimit të tij. Gjatë shoqërimit të këngës 
(fjalëve) lahuta ka një kufizim të ndjeshëm të funksioneve të saj, me që, në 
këtë rast, vëmendja përqendrohet kryesisht në një ligjërim sa më të bukur.
     4. Eposi i kreshnikëve është një pasuri që duhet njohur e studiuar në 
shumë aspekte: në aspektin e përmbajtjes, në aspektin etnografik e etnologjik, 
në aspektin historik e gjeografik dhe, natyrisht, lidhur me të gjitha këto, në 
aspektin gjuhësor. Deri sot, këto aspekte nuk kanë qenë mjaft të njohura.  
      Mendojmë se, për të arritur në rezultate të sigurta për gjuhën e eposit, 
duhet studiuar gjuha si pjesë e formës, si forma në lidhje me përmbajtjen. Kjo, 
pa dyshim, na shpie te thelbi i tyre, te tematika e eposit: te bëmat e 
kreshnikëve, në marrëdhëniet farefisnore e miqësore ndërmjet tyre. Përmbajtja e 
eposit ka ruajtur elemente të vjetra, por edhe është zhvilluar e është shtuar 
me mbishtresa të reja në rrjedhë të shekujve. Megjithatë, përmbajtja e tij na 
sjell elemente të rëndësishme nga thellësia e shekujve, dëshmi dukurish 
jetësore e marrëdhëniesh shoqërore të një të kaluare që shkon shumë larg në 
parahistori, deri në kohë të mjergullta e që nuk janë ndriçuar ende, por edhe 
që është e vështirë, në mos e pamundur, të kemi sot mbështetje nga dëshmi 
historike sepse dëshmi të tilla nuk ka.  
      Personazhet kryesore të eposit shqiptar janë kreshnikët, ndërmjet të 
cilëve, si një bosht themelor, qëndrojnë dy vëllezërit e famshëm: Muji dhe 
Halili. Muji na del në këngë të ndryshme me mbiemra të ndryshëm: Gjeto Bashe 
Muji a Çeto Basho Muji, Bylykbashe Muji etj., kurse për Halilin ndeshim shpesh: 
Sokol Halili, Halil Bajraktari, Halil Ag Jutbina etj. Në të vërtetë, ndjekja e 
personazheve na shpie në një lëm interesant të rrafshit gjuhësor e pikërisht në 
atë të onomastikës së eposit, në antroponiminë dhe toponiminë sa të larmishme 
aq edhe të pëlleshme për shpjegime e shqyrtime etnolinguistike e antropologjiko-
kulturore me rëndësi për historinë e popullit shqiptar. Shtresëzimet, 
shndërrimet dhe risitë në onomastikën e eposit duhen parë të lidhura ngushtë e 
gjithnjë krahas me të gjitha përjetimet historiko-shoqërore e etno-kulturore të 
popullit shqiptar, lidhur edhe me pushtimin disashekullor të tij nga osmanët, 
po edhe me pretimet e trysninë asimiluese që i kanë drejtuar gjithnjë fqinjët 
sllavë, si "shpërblim" të dashamirësisë e të bujarisë tipike që shqiptari u ka 
nderë gjithnjë fqinjve të vet.  
       Rreth Mujit e Halilit veprojnë edhe shumë kreshnikë të tjerë, të cilët 
quhen Agajt e Jutbinës. Në disa këngë thuhet se ata janë tridhjetë: le të 
kujtojmë, p.sh., vargun nistor të një kënge: "Tridhet agaj n kuven na jan 
mliell" (Tridhjetë agaj në kuvend na janë mbledhur). Agajt kanë shumica emra të 
zanafillës orientale, kryesisht turke: Deli Mehmet Aga, Bud Ali Tali (ose Bude 
Aline Tali), Tali prej Budinit, Basho Jona, Ago Imeri / Aga Ymeri, Ali 
Bajraktari, Zuku Bajraktar, Dizdar Osman Aga etj. Emra të tillë, siç ka vënë re 
studiuesi kosovar, i ndjeri Demush Shala, sjellin një ngjyresë të antroponimisë 
orientale e duhen vështruar si përpjekje e përhershme e këngëtarëve popullorë 
për t’i aktualizuar ngjarjet dhe fytyrat qendrore të tyre, në mënyrë që të 
ruajnë sa mirë interesin për vlerat që i nden (ofron) auditorit bashkëkohës, që 
kishte ndjerë tashmë peshën e trysninë myslimanizuese. Kjo dukuri përputhet 
edhe me procesin e gjerë të pagëzimit me emra myslimanë të fëmijëve shqiptarë, 
jo vetëm të besimit muhamedan, po, ndonjëherë edhe të elementit katolik 
shqiptar". Ndërkaq, është me interes të vihet në dukje se emrat e kreshnikëve 
shqiptarë bashkëjetojnë edhe me emra të krishterë, të plotë ose pjesërisht, si: 
Lule Grangu, Dedë Kahremani, Gjergj Elez Alija, Plaku Qefanak etj.  
      Në epos ka edhe disa personazhe femra, sidomos: nëna e dy kryetrimave, 
motra ose gruaja e Mujit, që quhet Kune ose Hajkunë; ndonjëherë edhe Kuna e 
Bardhë a Hajkuna e Bardhë. Epiteti fiks "e bardhë" u vihet shpesh femrave të 
palës kundërshtare, që dashurohen e grabiten dendur nga kreshnikët, si Begzadja 
e Bardhë, Lajka e Bardhë etj. Në të vërtetë, epiteti "e bardhë" duhet të jetë 
një element i lashtë stilistik i shqiptarëve, përderisa na del dendur edhe në 
këngët epiko-lirike të diasporës arbëreshe: "Vashë moj e bardha vashë" thuhet 
në një këngë epike të arbëreshëve të Shën Kollit (San Nicolo dell’ Alto) në 
Katanxaro.  
     Disa prej personazheve femra, në eposin e kreshnikëve, na dalin me 
pseudonime, pra me emra meshkujsh e të veshur si të tillë, për të marrë pjesë 
në duele (zakonisht në vend të babait plak), si p.sh., Omeri i Ri, ose Çika e 
Plakut të Moçëm, Dule Jabanxhija si pseudonim i Fatimja e Bardhë etj. Mbase 
kemi të bëjmë me një erë të emancipimit evropian, që, siç dihet, na është 
shfaqur edhe në letërsinë artistike evropiane, në një kohë kur, deri atëherë, 
gruas ende nuk i lejoheshin disa veprimtari të burrave, përfshirë edhe botimin 
e librave, si në rastin e Aurore du Pin, që njihet kudo në botë vetëm me 
pseudonimin e një emri mashkull: George Sande. Por, ndoshta, qysh në ato 
periudha të mugëta, të ketë pasur raste edhe të "vajzave virgjina" që 
sakrifikonin jetën e kënaqësitë bashkëshortore për hir të detyrave si zot 
shtëpie, në mungesë të një mashkulli nga dera e vet që ta kryente atë 
funksion.  
      Qendrat kryesore të kreshnikëve që përmenden në epos janë Jutbina dhe 
Klladusha, që mund të identifikoheshin me toponimet Utbina e Glladusha afër 
Banjallukës në Bosnje. Po edhe toponimia e eposit, ashtu si antroponimia, është 
e gjerë. Të dendura janë sidomos toponimet me togfjalësha: emër + përcaktor: 
Lugjet e Verdha, Gurrat e Bardha, Rra-pi i Jutbinës, Bjeshkët e Kuqe etj.  
      5. Këngët e kreshnikëve kë-ndohen në tubime popu-llore me rëndësi, në das-
ma, në oda të burrave, në mjediset familjare, festat kombëtare a fetare etj. 
Kur këndohen këngët e kreshnikëve auditori dë-gjon me nderim e vëme-ndje të 
madhe. Burrat e moçëm përhumben në kujtime e derdhin lotë. Eposi është, pra, 
një kri-jim hijerëndë e burrëror, që nuk i qas vulgarizmat dhe fjalët e 
pakrehura. Në mbarim të këngës, të gjithë dëgjuesit e prani-shëm e urojnë 
njëzëri këngëtarin me fjalët: "Të lumtë goja!", "Të këndoftë zemra!", "Ia laç 
djalit!" etj.  
      Gjithmonë ky epos është vlerësuar si një krijimtari me peshë ndikuese 
edukative. "Këngët e kreshnikëve e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim, i shtien 
zemër të durojë plumbat, gjakun, luftat ku tresin mashkujt". Mund të themi se 
malësori shqiptar është ushqyer me këngët e kreshnikëve, jo vetëm nëpërmjet 
auditorit të tyre të mirëfilltë ku ato këndoheshin, po edhe nga përcjellja gojë 
më gojë, e nënave te fëmijët. Nënat malësore, edhe kur flasin për gjëra të 
zakonshme, e kanë për zakon të kthehen në tregimet legjendare nëpërmjet fjalive 
e thënieve të ndërkallura që fillojnë me të famshmin "niç" (<ndiç < ndiej ç‘), 
që sjell në bisedë pasazhet më të pikuara të eposit të kreshnikëve. Gjej rastin 
të përmend se, edhe nëna ime, Tereze Prekja, që vinte nga një derë e mirë e 
Kastratit e ishte mbesë nga Traboini, sa herë fliste me fqinjën e vet, Pret 
Dushen, edhe ajo bijë soji nga Vuksalekajt e Hotit, përdorte dendur fjali që 
fillonin me "Ndiç ka pa thanë" apo thjesht me "ndiç" dhe citonte thënie nga ato 
të këngëve kreshnike. Më vonë, pas studimeve të larta për gjuhë-letërsi dhe, 
madje, pas disa vjet kërkimesh si dialektolog, duke u endur në Malësinë e Madhe 
e në Dukagjin, do ta ridëgjoja atë "ndiç" edhe në shumë raste e rrethana të 
tjera dhe do të bindesha katërcipërisht për rolin e madh ndikues apo, thënë 
ndryshe, për atë peshë të madhe shpirtërore dhe artistike që kanë pasur këngët 
e kreshnikëve në zemrën e malësorëve tanë. Ja përse Ndre Mjeda, një nga 
njohësit e vlerësuesit e mëdhenj të shpirtit malësor, në një nga vjershat e 
bukura të tij thotë:  
"Qe ndër djepa rrisin nanat e Hotit djelmëninë ushtore,  
e idhnim n’anmikun nepër gji u qesin".   

     Kemi në këto vargje poetike një sintezë të atij realiteti që ndeshet kudo 
në Malësinë e Madhe edhe sot e gjithë ditën: nënat malësore e kanë pasur 
traditë që fjalët e bukura të këngëve epike t’ua mësojnë fëmijëve, sidomos 
djemve, t’ua ushqejnë ato në zemra së bashku me qumështin, bash ashtu siç e 
thoshte poeti ynë i shquar.  
     Marrëdhëniet rapsod-auditor kanë qenë gjithnjë të gjalla dhe kanë përbërë 
një ecuri të pandërprerë në të gjitha mjediset malësore. Pa auditor nuk ka 
rapsod dhe çdo auditor i ri, natyrisht, i shtron rapsodit kërkesa të reja për 
formën gjuhësore. Me këtë lidhet edhe ajo njësi apo karakteristikë gjuhësore e 
eposit që është cilësuar si një "koine mbidialektore", për të cilën flet edhe 
studiuesja ruse A. Desnickaja.  
     Eposi i kreshnikëve përbën një përmendore të mrekulluesh-me të kulturës së 
gjuhës, një trashëgimi të paçmueshme në të cilën mund të verifikohen dëshmi 
shumë interesante të proceseve historike e dialektologjike të shqipes. Në këtë 
kuadër të studimit të gjuhës së eposit bien në sy dy anë të lidhura ngushtë 
njëra me tjetrën: nga njëra anë, tematika e pleksur me elemente mitologjike e 
brendiore të lashta, me mbeturi e tregues legjendarë e mendësi të shekujve të 
shkuar; nga ana tjetër, një gjuhë që kuptohet pa ndonjë vështirësi të veçantë 
nga brezat e rinj të kohës sonë, jo vetëm në Gegëri, po edhe më gjerë. Kjo 
dëshmon se gjuha e eposit ka pasur një përpunim të një shkalle të lartë, 
prandaj edhe është konsideruar me të drejtë si "përmendore e artë e gjuhës sonë 
poetike". Gjuhë të bukur, figura të hijshme e leksik të zgjedhur ka mbarë 
krijimtaria poetike e popullit tonë, por eposi i kreshnikëve "da në shenj" 
sepse ka një përpunim e gdhendje të posaçme. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse shumë 
studiues, shqiptarë e të huaj, kanë pohuar e mbështetur fuqimisht se eposi 
ynë "është një vepër me të vërtetë madhështore e krijuesve popullorë, që të 
mahnit e të lë pa gojë me bukurinë e vet". Si krijim artistik popullor, eposi 
ynë është një gjini e lashtë e që, me përmbajtjen e tij, na sjell jehonën e 
kohëve shumë të hershme. Por, njëkohësisht, ky epos është edhe një gjini që 
transmetohet brez pas brezi dhe, bash për këtë rrethanë, ai është i detyruar 
t’i përshtatet zhvillimit apo evoluimit të gjuhës në përputhje me kohën e me 
vendin që këndohen nga rapsodi.  
       6. Gjëja më e parë që i dallon këngët nga të folurit e zakonshëm është 
stili i tyre poetik. Ato, si lloje të poezisë gojore, karakterizohen nga 
zgjedhja e fjalëve, nga vendosja e tyre në përshtatje me kërkesat e ritmit, të 
rimës, të plotësimit të vargut etj. Për këtë arsye, në gjuhën e folur ka 
dallime nga një krahinë në tjetrën, si p.sh., dallohen mjaft qartë të folmet e 
anës veriperëndimore nga ato të anës verilindore, kurse në eposin e atyre 
anëve, vemë re se dallimet dialektore nuk janë aq të dukshme; kemi aty një 
formë gjuhësore më të rrafshuar, më të përpunuar, me mbizotërim të asaj që 
është e përbashkët dhe e përhapur gjithandej. Përmbajtja e epikës sonë heroike 
legjendare, veçanërisht "fara" apo bërthama e saj, s’ka dyshim që do të jetë e 
lashtë dhe mosha e saj matet jo me shekuj, por me mijëravjeçarë. Të së njëjtës 
moshë duket se janë edhe shumë nga fjalët e frazeolo-gjizmat që ndeshim në 
epos, si: shpata, heshta, kreshta, drumi, ashta, breshta, fiskaja, termalja, 
zanat, orët, të lumet, shtojzovallet etj. Natyrisht, nga ana fonetike, këto 
leksema, me kalimin e kohës, edhe janë lëmuar e rrafshuar në përputhje me 
evoluimin e përgjithshëm të dialektit verior. Na duket me rëndësi të theksojmë 
këtu edhe një rrethanë tjetër: karakteri legjendar dhe i lashtë i bëmave të 
heronjve të epikës shqiptare si dhe paraqitja e hiperbolizuar e plot elemente 
të reja, të freskëta, me shenja e gjurmë leksikore të kohëve të reja. Kënga 
epike, duke kaluar nga një këngëtar në tjetrin si edhe, më për së forti, nga 
një brez këngëtarësh më i vjetër te një më i ri, ka pësuar vijimisht edhe 
përditësimin përkatës, duke u përtërirë në anë të ndryshme të shprehjes 
gjuhësore, të stilit etj. Si dëshmi të këtij përditësimi janë, ndër të tjera, 
shtresëzimet dhe bigëzimet leksikore e frazeologjike aq të shpesha në gjuhën e 
eposit, ku shohim se, në të njëjtën këngë, ka edhe fjalë vendore (lokale) të së 
folmes së ngushtë, edhe variante a leksema më të përhapura e që i përkasin një 
arealeje më të gjerë, deri edhe mbarëshqiptare. Kështu, në vargjet e eposit:  

"Paka n’ andërr një tubë berresh,  
Tufa ishte treqind delesh"
     Aty ndeshim herë tufë delesh, herë tubë berresh: e para (dele) është një 
fjalë më e njohur, e përbashkët si fonetikisht, ashtu edhe nga ana semantike, 
kurse e dyta (tubë berresh) është e njohur në një areale më të ngushtë, 
kryesisht në trevat e gegërishtes veriore.  
Të njëjtën gjë kemi vënë re edhe në raste të tjera, si:  
"Notojnë kurmat fellë në det,  
Notojnë trupat nepër gjak".
     Në këtë shembull, fjala kurm-i me kuptimin "trup" është një fjalë e 
vjetër, më arkaike, kurse trup-i del si konkurrente më e re, më e përbashkët, 
gjë që flet pikërisht për një përpunim a rrafshim të gjuhës apo për atë "koine 
mbidialektore" të gjuhës së eposit.  
     Dyzimin si një shkallë të ndërmjetme drejt formave më të njësuara, më të 
përbashkëta e shohim edhe në pranëvënien (në të njëjtin varg) të shprehjeve 
frazeologjike apo lokucioneve dhe fjalëve të barazvlershme me to për nga 
kuptimi, si p.sh.:  
"Ka marrë brimën e po bërtet;  
M’asht dhanë ika e kam ikë;  
Kanë nisë kangën e p’e këndojnë".
     Nga studimet tona kemi arritur në përfundimin se në gjuhën e epikës, qoftë 
risitë (inovacionet), qoftë ruajtjet (konservacionet) janë të lidhura më tepër 
me brendinë, me stilin dhe me mëtimet artistike, gjë që shkakton lëvizje më të 
shumta në fushën e leksikut dhe të morfosintaksës. Sistemi fonetik, ndërkaq, 
mbetet i njëjtë me atë të gjuhës së folur të trevave përkatëse, për arsye se ai 
nuk mund të kryejë funksione artistike-stilistike si ato që përmbushen me anën 
e leksikut.  Këngët e kreshnikëve na japin një pamje të gjerë të asaj mënyre të 
shprehjes gjuhësore popullore ku politesa dhe arroganca, miklimi dhe ironia, 
shpotia dhe sarkazma etj., paraqiten me mjete gjuhësore të qëlluara, të gjetura 
mirë e të bukura, me larmi e përpikmëri, që dëshmojnë për një shije të hollë 
artistike, po edhe për traditë të lashtë të shprehjes së përpunuar, të gjuhës 
si mjet arti. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë kur themi se këngët e 
kreshnikëve janë përmendore madhështore e kulturës së gjuhës shqipe. 

  
 
  
  
    

  
 






More information about the ALBSA-Info mailing list