| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per Gjuhen Shqipe nga Gj. Shkurtajaalibali at law.harvard.edu aalibali at law.harvard.eduSun Jan 23 20:54:00 EST 2000
"Analfabetët me diplomë" ose kushtrim për mbrojtjen e gjuhës
Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj
SPEKTER
Ato që do të shkruaj më poshtë nuk janë as të reja, as të paditura. Ndokush do
të thotë se po përsëris ç'ka kam thënë më parë në artikuj e në librin "Ta duam
dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur" (1998). Ashtu është, kam një jetë që shkruaj
e flas për pastrimin, pasurimin dhe, përgjithësisht, për kulturën e gjuhës, kam
bërë kritika e kam dhënë shpesh këshilla, por puna është se, pavarësisht se
çfarë themi ne gjuhëtarët, kujdesi i shqiptarëve ndaj gjuhës shqipe ka rënë
shumë. Shikoni se çfarë po ndodh me emrat e përveçëm të huaj. Jo vetëm se nuk
zbatohet parimi i drejtshkrimit të shqipes dhe po shkruhen siç dalin në gjuhët e
huaja (Berlusconi, Blear, Clinton, New York) po edhe me thyerje të rënda të
morfosintaksës shqipe, duke mos i lakuar fare emrat e përveçëm të huaj. Kështu
po thuhet në shtyp e në radiotelevizion: takimi me Blear (në vend të takimi me
Blerin), vizita e Klinton (në vend të vizita e Klintonit), udhëtimi i Jelcin (në
vend të udhëtimi i Jelcinit) etj. Për "inerci" kjo po bëhet si ortek edhe në
shkurtimet si p.sh. lajmet e TV Klan (në vend të TV-Klan-it), drejtori i KESH
(në vend të i KESH-it). Madje, disa folës të Radio-Televizionit kanë filluar që
shkurtimet t'i lexojnë sipas alfabetit të anglishtes e jo shqip. Tipike janë
KFOR që shqiptohet keifor dhe CV që shqiptohet civi. Pra, o burra të mësojmë të
gjithë drejtshkrimin e anglishtes dhe të kushedi sa gjuhëve të tjera të huaja
për të shkruar shqipen?! Kësaj i thonë, siç e tha një ditë edhe përkthyesi i
shquar, Robert Shvarci, të luash nga mentë e kokës. Më e keqja është se njerëzit
që paguhen për të drejtuar vendin, shkencën, arsimin, kulturën, artin, sikur
janë pajtuar me gjendjen e rëndë që ka pllakosur praktikën shkrimore dhe gjuhën
e shkruar të gazetave, revistave e përgjithësisht, të mediave. Kur kalon nëpër
udhët e sheshet e Tiranës e sheh se çfarë është punuar ndaj gjuhës shqipe. Kush
të dojë e kur të dojë shkruan emërtime në gjuhë të huaja, ku nuk mungojnë jo
vetëm Las Vegas e Magic City, po edhe mbishkrime shqip e të shkruara drejt është
e vështirë të gjesh. Ku jemi kështu, çfarë po i bëjmë gjuhës e kulturës sonë?
Këtë pyetje e kemi shtruar disa herë, por askush nuk po e merr përsipër t'i
përgjigjet. As Ministria e Kulturës, as Bashkia e Tiranës. Madje ato sapo na
dhanë edhe një "ndihmesë" tjetër: kinemanë e rindërtuar na e quajtën
"Millenium", a thua se kaq shumë na mungonin emrat e huaj dhe fjalët e huaja të
pakuptueshme. U lumtë! Me ironi dhe pa ironi, u themi vetëm "u lumtë!",
përderisa nuk vepron shteti. Se po të kishim shtet, nuk do të ndodhte që, deri
paratë që priten sot në Shqipëri, të shkruhen kundër rregullave të
drejtshkrimit. Në "Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe" thuhet se duhet
shkruar: një mijë (f. 4380, dy mijë (f.50), kurse Banka e Shqipërisë në prerjen
njëmijëlekëshe shkruan kundër rregullave të drejtshkrimit: NJEMIJE LEKE. Ja,
kështu ndodh në Shqipëri. Dhe kjo që ndodh tek ne nuk ka ndodhur e nuk ndodh
askund tjetër në botë. Pse zotërinjtë drejtues të Bankës së Shqipërisë,
përderisa nuk e dinë drejtshkrimin, nuk pyesin para se të ndërmarrin veprime kaq
të përgjegjshme siç është prerja e parave. Sa konsulenca (ndonjëherë edhe të
kota) paguhen e do të paguhen po nga kjo Bankë dhe nga Ministria e Financave dhe
quhen të ligjshme. Pse të mos pranohet e të zbatohet edhe këshillimi
(konsulenca) për gjuhën letrare shqipe të njësuar? Ka ardhur koha që dikush të
përgjigjet, po edhe të paguajë për shkeljet kaq të rënda e të padurushme të
normave të gjuhës letrare zyrtare. Ata që nuk dinë, le të mësojnë ose të
këshillohen me ata që i dinë rregullat. Përndryshe, Shteti duhet të veprojë duke
gjobitur rëndë për thyerjet e rregullave të gjuhës letrare kombëtare, ashtu siç
gjobitet çdo kundravajtje në një vend demokratik e të qytetëruar. Kemi përmendur
pa ngurrim edhe instancat më të larta, kemi kritikuar më se një herë edhe
Kuvendin e Shqipërisë e deputetët e tij të nderuar, të cilët në librin e rrogave
nënshkruajnë si njerëz të Kuvendit, por kur flasin e shkruajnë, më shpesh ua ka
ënda të thonë Parlamenti, kryeparlamentari. Ua ka qejfi të zgjidhen nga populli
shqiptar, por fushatën zgjedhore e pagëzojnë me fjalë të huaja e nuk po na
ndahen elektorati, elektorale, pushteti lokal etj. Kështu, si i thonë fjalës,
sheh rrushi rrushin e piqet, edhe njerëzit e tjerë, sidomos gazetarët, folësit e
radios e të televizionit, botuesit etj. të kënaqur me lirinë që kanë për të
shkruar çfarë të dëshirojnë, shtrihen edhe aty ku nuk u takon, dmth. edhe të
shkruajnë e të flasin si t'u vijë, mbarë e mbrapsht, pa pyetur as për rregulla
të drejtshkrimit, as për natyrën e shqipes, as për ndonjë farë kujdesi për t'i
ndërtuar drejt fjalitë, pa folur këtu për hapjen e portave katërcipërisht ndaj
fjalëve bombastike e të huaja, frazave të gjata kilometrike, që shpesh janë si
ato të Don Kishotit "arsyeja e mosarsyes, ma dobësoi aq fort arsyen". Kjo na
kujton sa thoshte Faik Konica për analfabetët me diplomë: "Po sot shoh një turmë
të errët prej analfabetësh me diplomë në xhep, që po i vërsulen shqipes dhe duan
t'i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të
gjorët kujtojnë që gjuha është një copë dru pa shpirt. Nuk dinë që është jo
vetëm e gjallë, po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyje a
një dell, trupi i tërë i tronditet, vuan dhe humb forcën, bashkë me bukurinë."
E përmenda këtë vlerësim të Konicës së madh sepse dua të ndalem më shumë në
punën dhe peshën e gazetarëve e përgjithësisht të mediave të sotme në përdorimin
e gjuhës. Do të vijoj me kritika e do të sjell edhe shembuj të tjerë, por do të
mëtoj kryesisht në një mirëkuptim të gazetarëve shqiptarë, shumë prej të cilëve
edhe i njoh e më njohin mirë, u kam dhënë mësim. Me këtë, dua të them se çdo
kritikë për ta është njëherazi edhe vetëkritikë për shkollën e për shoqërinë
shqiptare në përgjithësi. Kur flasin e shkruajnë mirë ish-studentët tanë
gëzohemi e shëndoshemi, na duket se diç kemi mbjellë për së mbari, po edhe na
pëlcet zemra kur shohim se po bëhen gabime trashanike, se janë tepër të paktë
ata që hapin ndonjëherë drejtshkrimin, fjalorët a gramatikat e shqipes dhe se,
për fat të keq, janë më të shumtë ata që shkruajnë si t'u vijë, pa asnjë kujdes
dhe pa e çarë kokën as për rregullat e drejtshkrimit, as për pastrimin e fjalëve
të huaja të panevojshme, as për ruajtjen e hijeshisë e shpitrit kombëtar të
gjuhës shqipe. Pësimet e pamerituara të gjuhës shqipe në kohën tonë janë të
tilla që, çdo gjuhëtari a dashamirësi të shqipes, që ka ndonjë pikë gjak
shqiptari, nuk mund të mos i vijë keq e të mos shprehë zemërim. Sidoqoftë, më
tepër se çdo vërejtje a kritikë, në punën e gazetarëve dhe përgjithësisht të
punonjësve të medias, të letrave e të skenës shqiptare, duhet të vlerësojmë
rolin e tyre si përçues të fjalës shqipe, si përhapës të normave gjuhësore të
sotme e të bukurisë së gjuhës letrare kombëtare që me aq mundim e kemi prurë
deri në këtë shkallë. Kam shkruar e thënë disa herë se gazetarët janë edhe
mësues të shqipes për masën e gjerë të lexuesve. Ky nuk është një vlerësim që e
bëj vetëm unë. Bashkë me aktorët e skenës e të ekranit dhe shkrimtarët, armata
jonë e gazetarëve shqiptarë ka në dorë më shumë se çdo mësues e pedagog (më
tepër se universitetet a institutet e gjuhësisë) t'i prijë për së mbari kulturës
së gjuhës shqipe. Kush mendon ndryshe e ka gabim. Pushteti apo ndikimi i medias
është aq i madh në jetën e politikën e një vendi, por ai është vendimtar edhe
për mbarëvajtjen e pastrimit, pasurimit të fjalorit si dhe për mbrojtjen e
gjuhës shqipe. Dua të përmend qysh në krye një shembull sa të thjeshtë, aq
domethënës: shumëkush, pasi mbaron shkollën përkatëse, i dhënë pas punëve e
detyrave të veta, rrallë e tek gjen kohë të lexojë ndonjë libër letrar. Shumica
e njerëzve, për ditë e javë të tëra, nuk lexojnë gjë tjetër ,veç gazetave e
ndonjë reviste. Dëgjojnë edhe radion e shohin emisione televizive. Çfarë do të
thotë kjo për gjuhëtarin? Do të thotë se pjesa dërmuese e shqiptarëve, pas
shkollës tetëvjeçare, për drejtshkrim, gramatikë e punë gjuhe mbështetet vetëm
te shtypi dhe mediat e folura. Po qe se ato do të shkruajnë e flasin mirë, pa
fjalë të huaja të panevojshme, pa shfrime snobizmi e prurje të pamira nga
sintaksa e gjuhëve të huaja, atëherë, në mënyrë të natyrshme, edhe kultura e
gjuhës do të shkojë në rrjedhë të mbarë. Në qoftë se në titujt kryesorë të
gazetave do të shkruhet, p. sh. "Majko i tradhëtuar", atëherë njerëzit e
thjeshtë, që nuk merren me punë gjuhe, mund të mendojnë se ashtu u dashka, paçka
se norma drejtshkrimore është pa ë ( i tradhtuar, tradhti, tradhtoj). Kështu
edhe në raste të tjera, sepse shumëkush atë që e sheh të shkruar në gazetë e
merr si një gjë zyrtare përsa i takon gjuhës. Nuk mund të mos shqetësohemi për
gabimet aq të shumta e trashanike në drejtshkrim, për vrullin e pandalshëm të
fjalëve të huaja (plotësisht të zëvendësueshme) që ndeshim përditë në çdo gazetë
e revistë, në çdo emision radioje e televizioni, deri tek ato më të thjeshtat
siç janë lajmet. Edhe stili i gazetarisë shqiptare po jep shenja të rendjeve pas
imitimeve të papërshtatshme të gazetarisë italiane etj. Kemi shkruar edhe herë
të tjera, p.sh. për dyndjen e kohës së kryer në dëm të së kryerës së thjeshtë që
vjen nga ndikimi i italishtes dhe i gazetarisë italiane. Pse të themi, p.sh.,
"Sot ka shkelur tokën shqiptare x" kur shqip mund të thuhet (dhe duhet të
thuhet): sot erdhi për vizitë ky ose ai. Kundër kësaj dukurie janë shprehur
gjuhëtarë, po edhe shkrimtarë të ndryshëm. Një prej tyre (S. Këlliçi) e ka
quajtur "atentat kundër së kryerës së thjeshtë". Po le të ndalemi tek një nga
çështjet që dhemb shumë sot, te fjalët e huaja e të panevojshme e te përfryrjet
bombastike që po ia zënë frymën shqipes. Kam bërë këto javët e fundit një
anketim me mësues të shkollave të Tiranës dhe u kam drejtuar pyetjen "Cilat janë
fjalët e huaja të panevojshme që ua vrasin më shumë veshin?". Shumica e tyre
kanë dhënë këtë përgjigje të prerë: "ato që përdorin disa nga politikanët
shqiptarë" dhe sjellin vargje të gjata fjalësh si : solucion, në vend të
zgjidhje, gjeneron, për lind, shkakton, bitalerale, për dypalëshe, multilaterale
në vend të shumëpalëshe, bodigard/bodiguard në vend të truproje, roje personale,
implementoj në vend të zbatoj, kryej, realizoj, konstitucionale në vend të
kushtetuese, draft, në vend të projekt a skicë, staf, në vend të grupidrejtues,
shtab; inicioj në vend të filloj, zë fill, nis; konsensus në vend të
marrëveshje, të marrë vesh; lider, në vend të kreu, udhëheqësi, lidership,
kryesia a udhëheqësia; spacio në vend të hapësirë, vend; kredibilitet, në vend
të besueshmëri, parlament në vend të kuvend, atakoj, në vend të sulmoj, godas,
prek, ngacmoj; difensiv, në vend të mbrojtjes; imprenditor në vend të
sipërmarrës; menaxhoj e menaxhim në vend të qeverisjes, drejtim, koordinoj e
koordinim në vend të bashkërendoj e bashkërendim; violencë në vend të dhunë,
violent-e, në vend të i dhunshëm, e dhunshme; starton, në vend të fillon, nis,
zë fill; konciz në vend i përmbledhët, i shkurtër; interferoj në vend të
ndërhyrj, ndërndikoj; interferim në vend të ndërhyrje, ndërndikim; ekuivalent-e
në vend të i barazvlefshëm; stagnacion në vend të amulli, pezullim; rurale në
vend të fshatare, e fshatit; agravoj në vend të keqësoj, rëndoj, përkeqësoj;
axhendë në vend të rend dite, ditar veprimesh, ditar pune; impas në vend të
rrugë e verbër, udhë pa krye, gjendje pa rrugëdalje e të tjera. Madje, siç ka
vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo
vetëm nuk ndreqen, nuk duan t'ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes,
po edhe vazhdojnë të "kërkojnë" për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të
reja. Këto ditë, a thua se nuk mjaftonte tërë ky rrëmet fjalësh që përmendem e
kushedi sa të tjera, një zotëri nga Kabineti i Kryeministrit kur u "rrëfye" në
dritaren e R. Xhungës na e "pasuroi" gjuhën edhe me fjalën rimors në vend të
brerje ndërgjegjeje, keqardhje, ndërsa në njoftimin për botimin e një libri
shkencor për veshjet popullore shqiptare, na u tha se ishte supervizuar nga x,
në vend që të thuhej shqip "nën kujdesin e x". Dhe kjo udhë e mbrapshtë, me sa
duket, nuk ka të sosur. Mjaft politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë,
njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja të
pakuptueshme e të panevojshme nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Një
natë, në një shfaqje televizive, ndërsa i dorëzohej një këngëtareje fituese
çmimi i pamjes apo i veshjes, artisti që ia dha e quajti çmimi i lukut, pra edhe
një tjetër fjalë nga anglishtja. Por e keqja nuk përfundon me kaq. Ka filluar
një fushatë e ethshme e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja,
si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia-presidencë, pushtuesi-okupator,
shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë,
ndalimi-arrestim etj. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse që po merr
përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Dhuruesi na bëhet donator,
hetimi-investigim, kumtesa-komunikatë, njoftimi a lajmërimi-anonçim, shqiptohem
a shprehem bëhet prononcohem, udhëheqësi-lider,
udhëheqja/udhëheqësia-lidershipi, mbarësi-prosperitet, i përhershëm-permanent, i
famshëm-prestigjioz, adhuruesit-fansat etj. A nuk e meritojnë këta njerëz me
shkollë të lartë e, madje me grada e tituj shkencorë, që pa nevojë i kthejnë
fjalët shqipe në gjuhë të huaja, cilësimin e Konicës si "analfabetë me diplomë"?
A nuk do t'i themi "ndal" kësaj rryme mendore që na sjellin disa njerëz për të
shitur mend? A nuk do të merren edhe gazetarët me këtë plagë të rëndë që ka
rrezik të rrokë përmasat e një "lige të përjetshme" të shqiptarëve?
Kur them që të merren me këtë punë edhe gazetarët kam parasysh disa anë. Së
pari, që vetë gazetaria shqiptare të shkëputet përfundimisht nga çfarëdo
prirjeje a qëndrimi lëshues ndaj fjalëve të huaja të panevojshme dhe ta shtojë
kudesin për kulturën e gjuhës: së dyti, se në kohën tonë, ashtu si kudo në botë,
ndikimin më të madh tek lexuesit e ushtron shtypi për formën e shkruar të gjuhës
dhe radiot e televizionet për formën e folur. Pra, është krejt e qartë se, në
qoftë se ia dalim t'i japim përpunimin e duhur gjuhës së shtypit e të mediave të
folura, në qoftë se gazetarët krahas asaj që shkruajnë e trajtojnë do të kenë
edhe kujdesin e duhur për mënyrën se si shkruajnë e flasin, duke zbatuar pa
asnjë shkelje rregullat e drejtshkrimit e normat e tjera gramatikore si dhe të
pastrimit të gjuhës shqipe, atëherë puna e gjuhës shqipe do të shkonte mjaft më
mirë. Gazetarët mund të japin atë ndihmesë që askush tjetër nuk ka mundësi ta
japë. Dhe kjo nuk është ndonjë gjë e veçantë e vetëm për vendin tonë. Për ta
mbyllur po citoj dy thënie të dy gjuhëtarëve të huaj rreth peshës së
jashtëzakonshme të gjuhës së gazetarisë së shkruar e mediave të folura.
Studiuesi gjerman Harald Uajnrih, në librin e tij "Udhët e kulturës së gjuhës"
(Shtutgard, 1985) thekson: "Duket se shumë qytetarë në vetëdijen e tyre
normative gjuhësore orientohen nga gazetat përsa u përket shprehjeve gjuhësore
të shkruara dhe nga radioja e televizioni për dyshimet e mundshme rreth gjuhës
së folur". Afërsisht i tillë është edhe vlerësimi i gjuhëtarit holandez Jan Van
Dam, që thotë se sot në radhë të parë, nuk janë shkrimtarët, por shtypi, krahas
radios dhe televizionit që ndikojnë në mënyrë përgjithmonë e më të theksuar,
madje, që në një farë kuptimi, e bëjnë gjuhën e popullit.
Ja pse, në këtë shkrim duke iu drejtuar gazetarëve dhe përgjithësisht punonjësve
të medias shqiptare, më tepër se në çdo rast tjetër, ma ka ënda të shpresoj se
ata, sa nuk është vonë, do ta shtojnë kujdesin ndaj gjuhës shqipe. Uroj që ata,
gjatë shekullit të ri që sapo filloi, të mos ndjekin shembullin e keq të disa
politikanëve që përfryhen e rendin pas fjalëve bombastike, të huaja, të
panevojshme e të pakuptueshme; të mos pranojnë si "pare flori" çdo formë a
mënyrë të thëni që vjen nga gjuhët e huaja, të pyesin e të këshillohen me
gjuhëtarët më të mirë kur ndeshin ndonjë dukuri që nuk ia dalin dot vetëm me
dijet e veta e me librat gjuhësorë që janë në përdorim.
Së fundi, duhet të shtrojmë edhe pyetjen se ç'duhet të bëjnë shoqëria shqiptare
dhe gjuhësia shqiptare për gjuhën shqipe.
Mbrojtja e gjuhës u përket, në radhë të parë, shtetit dhe institucioneve
shtetërore e shoqërore që varen a lejohen prej tij. Në çdo vend të qytetëruar ka
ligje për mbrojtjen e gjuhës dhe shteti merr masat e nevojshme për studimin e
mësimin e saj në shkolla si dhe për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të
gjithë praktikën shkrimore e botuese zyrtare. Vetë sinonimi i gjuhës letrare të
njësuar është cilësimi i saj si standard apo zyrtare. Në çdo vend të qytetëruar
ka një politikë kulturore në gji të së cilës "pjesa e luanit" duhet të jetë
pikërisht kultura e gjuhës, ruajtja dhe pastrimi e pasurimi i pandërprerë,
përpunimi, mësimi dhe studimi sa më i thelluar i saj. Mund të përmendim, p.sh.,
Francën ku, për çdo fjalë a term të huaj të nevojshëm, vendoset me dekret shteti
dhe bëhet një punë shumë e kujdesshme për pastërtinë e frëngjishtes. Revista
"Defence organiz¾ e de la langue française" (Mbrojtja e organizuar e gjuhës
frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime "contre le franglais" (= kundër
fjalëve të huaja nga anglishtja). Nuk duhet të mohohet se për shumë vjet
radhazi, edhe ndër ne, nuk është bërë pak për gjuhën letrare shqipe, qoftë për
studimin e përpunimin e saj, qoftë edhe për mësimin e saj në shkollë apo për
zbatimin sa më të gjerë të gjuhës letrare nga institucionet shtetërore dhe
kulturore. Janë botuar shumë studime e ndihmesa për pastrimin e pasurimin e
gjuhës, botohen rregullisht edhe revista "Gjuha jonë" në Tiranë dhe "Gjuha
shqipe" në Prishtinë, janë botuar edhe përmbledhje e libra me vërejtje kritike
për gjuhën e shtypit e të mediave, si dhe një "Fjalor për pastërtinë e gjuhës
shqipe" (Tiranë, 1998), mirëpo ata që duhet t'i këndojnë e t'i kenë përherë mbi
tryezat e punës, as që duan t'ia dinë për to. Shkaku kryesor është se këta
dhjetë vjetët e fundit kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shqiptare për
gjuhën ka rënë së tepërmi. Janë çelur edhe shumë sektorë pune joshtetërorë,
gjithçka është në udhën e privatizimit e të ndryshimeve. Kjo udhë do të
vazhdojë, por një gjë duhet të mbetet përherë e "paprivatizuar". Ajo është gjuha
shqipe, gjuha jonë e përbashkët, që na dallon e na mban gjallë si komb më vete,
si popull i lashtë e me kulturën e vet të velfshme e të denjë për t'u mbajtur
gjallë edhe më tej. Për hir të kësaj bashkarie shpirtërore e kulturore
themelore, që përfaqëson gjuha shqipe për popullin shqiptar, sot më tepër se
kurrë, pas ndryshimeve të bëra në Ballkan e, sidomos, pas luftës në Kosovë, që u
mbyll me fitoren e NATO-s me kthimin e kosovarëve në shtëpitë po edhe në
shkollat e institucionet e tyre arsimore, shkencore e kulturore, puna me gjuhën
shqipe nuk mund t'u lihet vetëm shkollës e instituteve shkencore që e studiojnë.
Puna e tyre do të vazhdojë dhe duhet të ketë të gjithë ndihmën e përkrahjen e
nevojshme, por është koha që të ndërmerren edhe një varg masash të tjera
shtetërore e joshtetërore. Kur them shtetërore kam parasysh ndreqjet e
përmirësimet që duhen bërë në planet dhe programet mësimore të shkollave
shqiptare për gjuhën shqipe. Sa më shpejt duhet zgjidhur problemi i një
abetareje të vetme e të njëjtë për të gjitha shkollat shqiptare, duke mos ia
lënë atë punë as rastësisë as zellit për përfitime vetjake të ndokujt, por të
zgjidhet grupi më i përshtatshëm e me përfaqësim mbarëkombëtar për të përgatitur
kriteret e hartimit dhe për të shpallur e çuar deri në fund konkursin për
hartimin e abetares shqipe. Kjo punë ka nisur, janë caktuar grupet e punës pranë
Ministrisë sonë të Arsimit dhe pranë Ministrisë së Arsimit të Kosovës, janë
piketuar takimet dhe punët paraprake etj., por gjithçka po ecën shumë ngadalë
dhe koha nuk pret. Abetarja që është sot në përdorim në Shqipëri si dhe librat e
gjuhës shqipe për shkollën tetëvjeçare kanë nevojë për t'u rishikuar thellë dhe
nuk po e justifikojnë veten. Ato qenë hartuar me mëtimin madhor për
"modernizimin e shkollës", por praktika tregon se shkolla tetëvjeçare, me ato
tekste dhe me atë program që ka sot, nuk ia doli t'u japë formimin e duhur
gjuhësor nxënësve. Heqja e lëndës së gjuhës shqipe nga shkolla e mesme ka qenë
një punë shumë e dëmshme. Ajo duhet rifutur si lëndë themelore në të gjitha
shkollat e mesme, por jo vetëm të futet. Ajo duhet rikthyer në shkollë me të
gjithë kujdesin dhe punën e duhur për pajisjen e saj edhe me program cilësor dhe
me tekstet e nevojshme, pra si lëndë themelore që t'u japë nxënësve dijet e
plota për ta shkruar e folur mirë gjuhën amtare. Sot për sot, qoftë nga mungesat
në programe, qoftë edhe nga të metat e shumta që kanë librat e shkollës
tetëvjeçare, nxënësit shqiptarë shkojnë në shkollat e larta me një formim
gjuhësor që lë shumë për të dëshiruar. Kjo mbetet pastaj si një plagë e
pashërueshme për të gjithë jetën e tyre. Besoj se, edhe shumë nga gabimet e të
metat që vihen re sot në gjuhën e politikës, të medias, të botimeve, etj. e kanë
zanafillën pikërisht në atë formim ende të pamjaftueshëm që kanë marrë njerëzit
tanë në vitet e shkollës.
Gjithashtu, për gjuhën shqipe duhet të krijohet edhe një organizëm me karakter
joshtetëror por që të jetë i përhershëm e mbarëkombëtar dhe të ketë atributet e
mbikqyrjes e të drejtimit të gjithë punës për ruajtjen, vlerësimin, studimin dhe
mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha hapësirat shqiptare. Siç është p.sh.
Këshilli i Lartë i Frankofonisë për gjuhën frënge, i cili e shtrin veprimtarinë
e vet në Francë dhe në të gjitha hapësirat frëngjishtfolëse, si në Zvicër, në
pakicat frankofone të Italisë së Veriut etj. dhe në të gjitha vendet e tjera ku
flitet e shkruhet gjuha frënge, deri në Kanada.
Hapja e kufirit me Kosovën dhe me trevat e tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të
Zi si dhe lidhjet me qendrat e diasporës shqiptare historike e të reja në
Evropë, në Amerikë e gjetkë shtrojnë medoemos detyra të reja e shumë të mëdha
për gjuhën shqipe. Kudo ka nevojë për një abetare të mirë, të konceptuar e të
realizuar si libri i librave e jo si një punë e çfarëdoshme. Kudo ka nevojë për
fjalorë e gramatika shkollore të mira. Ribotimi i atyre që ekzistojnë nuk është
i mjaftueshëm. Ka ardhur koha edhe për ndonjë përmirësim e pasurim të tyre. Të
gjitha këto janë punë që duhen përfshirë në një platformë të gjerë e të studiuar
mirë e ku të marrin pjesë ajka e gjuhëtarëve dhe e mësuesve shqiptarë.
Së fundi, dua të them se koha do të bjerë që, edhe ndonjë çështje e normës së
sotme gjuhësore, jo vetëm në drejtshkrim, po edhe në ndonjë dukuri tjetër, siç
është, p.sh. paskajorja gege, të diskutohen nga specialistët e gjuhësisë, duke
shqyrtuar e parë jo vetëm ç'është thënë e zgjidhur mirë, po edhe ndonjë gjë që
duhet rishikuar për të gjetur zgjidhje më të mirë. Sigurisht, diskutime të tilla
duhet të bëhen dhe koha ka ardhur të bëhen, porse ato nuk kanë të bëjnë më me
themelin e gjuhës letrare të njësuar e të vetme për të gjithë.
More information about the ALBSA-Info mailing list |