| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] SHEKULLIAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat Jan 15 16:39:47 EST 2000
Gazeta SHEKULLI 15 janar 2000 Kryetari i PD-së nis turin e takimeve në Jug. Sulmon Qeverinë greke, por ndodh dhe e papritura Berisha dështon në Gjirokastër Kryetari i PD-së lokale: Mjaft me shpifje e përjashtime M. Duri GJIROKASTËR Berisha nuk gjen mbështetje në degën lokale të Partisë Demokratike të Gjirokastrës. I ndodhur në një takim në sallën e teatrit të qytetit të Gjirokastrës, Berisha është gjetur para një të papriture. Kryetari i degës lokale, Roland Bejko, i lindur në Lazarat, i ka kujtuar atij se në PD duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë përjashtimet, pezullimet, apo shpifjet e armiqve. Bejko e ka hapur fjalën e tij duke thënë se takime të tilla janë për të dëgjuar njëri-tjetrin e për t'u marrë vesh, jo për t'u çjerrë. "PD-në e morën në qafë komunistët që erdhën në krye dhe që e shkelën demokracinë e brendshme. Kështu, më 1996, njerëzit e qendrës deklaronin në konferencën e degës se zoti X do të zgjidhet kryetar edhe dy vota sikur të marrë, po këta persona më 1997 lanë institucionet në dorën e rebelëve",- u shpreh kreu i PD-së lokale në Gjirokastër. Bejko e ka mbyllur fjalën e tij me shprehjen "të mos harrojmë se më 1997 PD-në e ringriti Azem Hajdari e Genc Pollo. PD duhet të jetë e bashkuar dhe të mos përjashtojë e pezullojë njeri". Ndërkohë, Berisha, në fjalën e tij ka dalë në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi, si dhe të minoritarëve grekë në vendin tonë, në tubimin e organizuar nga dega lokale e PD-së, me rastin e 9-vjetorit të themelimit të saj. Berisha ka qenë tepër i ashpër me Qeverinë greke, e cila, sipas tij "po shfrytëzon egërisht shqiptarët që punojnë e jetojnë në Greqi." "Ne kemi nënshkruar marrëveshje me qeveritarët grekë për emigrantët shqiptarë, por ajo nuk po i trajton ata si faktorë miqësie mes dy vendeve e dy popujve tanë, nga më të vjetrit në Ballkan. Ne kërkojmë që Qeveria greke t'u jetë mirënjohëse shqiptarëve, pasi ata po kontribuojnë për zhvillimin e Greqisë me punën e tyre. Në qoftë se bujqësia greke rritet çdo vit me 10-12 për qind, këtu kanë meritë edhe emigrantët shqiptarë; bankat greke lëvrojnë me paratë e shqiptarëve, shumë mallra greke hyjnë në Shqipëri prej tregtarëve tanë e grekë, pra është një çështje madhore kjo dhe ne duhet të mësohemi të bëjmë llogaritë, pasi miqësia është miqësi, por dhe hesapet janë hesape. Dhe ne nuk do të lejojmë që shqiptarët të keqtrajtohen",- u shpreh lideri i PD-së. Lidhur me procedurat e reja të vizave Berisha tha se "ato duhet të merren në kufi dhe, t'i jepet fund diskriminimit të shqiptarëve." Kreu i PD-së u ndal më pas tek problemet e emigrantëve tanë në Greqi, të cilët "nuk mund të mësojnë fëmijët në gjuhën amtare, ndërkohë që në Gjirokastër minoritarët kanë edhe universitet në gjuhën e tyre." Këtu Berisha gjeti rast e kritikoi Kryeministrin Meta dhe stafin e tij në vizitat e para pak ditëve në Jug të vendit. "Minoritarët nuk kanë nevojë për premtimet e Metës. Ata nuk kanë nevojë t'u hedhë Meta gunën krahëve. Minoritarët duan të jetojnë në vendin e tyre e jo në Greqi, të kenë infrastrukturën e tyre bashkëkohore, të ndërtojnë mirëqenien e vet në krahinë e jo të marrin arratinë në kurbet. "Qeveritarët tanë,-tha më poshtë Berisha,- janë më të korruptuarit në botë. Mafia shqiptaro-greke është në lulëzim, por ne dot të ngrihemi e do t'i përmbysim, me votën e lirë, në zgjedhjet e reja. Natyrisht, ne nuk duam sherre me komshinjtë, por secili është zot në shtëpinë e vet. Qarqe të caktuara greke,- tha kreu i PD-së,- janë të interesuara për politika destabilizuese, por ne, me të marrë pushtetin, do t'i presim këto fije." Sipas Berishës, zgjedhjet janë një domosdoshmëri, pasi "korrupsioni po grryen shpirtin dhe zemrën e shqiptarëve dhe se ato janë rruga e vetme e sigurtë për të ndërprerë krizën e përgjithshme qeverisëse, çka po shohim përditë. Shqipërinë e hapëm ne drejt Evropën, drejt Perëndimit, pluralizmin e sollëm ne, demokratët. Ajo është vepra jonë e ne jemi në këmbë: Besimi juaj tek alternativat tona është i madh, në rritje dhe unë besoj e shpresoj se zgjedhjet do t'i japin Shqipërisë ndërprerjen e krizës dhe popullit mirëqenien e merituar." Në këtë takim kryetari i PD-së shoqërohej nga nënkryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, sekretari i degës së Tiranës, Shaban Memia, anëtarët e kryesisë, Uran Butka e Fatos Beja ejt. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Talk to your friends online with Yahoo! Messenger. http://im.yahoo.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |