| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Feb 3 22:36:49 EST 2000
Çabej, Kokalari dhe Kadare, qytetarë nderi në vendlindje Gjirokastra nderon të mëdhenjtë e saj Olimbi Velaj Eqrem Çabej, Musine Kokalari dhe Ismail Kadare bëhen qytetarë nderi në vendlindje. Do të jetë 14 shkurti dita e kurorëzimit të tre gjirokastritëve të mëdhenj me titullin "Qytetar nderi i Gjirokastrës". Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Ylli Asllani, tha dje për "Shekullin" se ceremonia e dhënies së këtyre titujve njerëzve më të shquar të qytetit do të ketë përmasat e një feste dhe se jo rastësisht është zgjedhur dita e 14 shkurtit për mbajtjen e saj. Kryebashkiaku tregoi se vitet e fundit shumë qytetarë gjirokastritë dhe intelektualë të qytetit kanë propozuar disa herë për dhënien e titullit "Qytetar nderi" këtyre tre personaliteteve, por vetëm tani erdhi çasti. Asllani tregoi hollësi për aktivitetin, duke përmendur se ai është ideuar nga vetë intelektualët gjirokastritë. "Nuk do të jetë thjesht një ceremoni ku këto personalitete do të vlerësohen. Në këtë aktivitet ne do të shpalosim disa nga projektet tona kulturore që lidhen me qytetin dhe traditën e tij, thotë kryebashkiaku, i cili përmend se për Gjirokastrën po hartohet një enciklopedi, gjë jo fort e zakonshme kjo për qytetet shqiptare. Ndërsa do të shpalosen edhe projektet që ka pushteti lokal për rimëkëmbjen e vlerave muzeale dhe monumentale të qytetit. Kryetari i Bashkisë theksoi se të gjitha shpenzimet e aktivitetit do të përballohen nga Bashkia dhe se me këtë aktivitet i hapet rruga një serie aktivitetesh të tjera kulturore që lidhen kryesisht me figurat më të shquara që ka nxjerrë ky qytet. Për Musine Kokalarin pas pak javësh do të mbahet edhe një simpozium kushtuar jetës dhe veprës së saj, tha kryebashkiaku i Gjirokastrës. Ndërsa Bujar Hudhri, drejtori i shtëpisë botuese "Onufri", tha se në aktivitetin që do të mbahet në Gjirokastër kjo shtëpi botuese do të bëjë një paraqitje të veprës së Kadaresë. Afishe me ballinat e librave të fundit të Kadaresë dhe një minipanair i veprave të tij, po edhe të Çabejt e Kokalarit, do të jenë të pranishme në vendin ku do të mbahet aktiviteti. Gjithashtu botues, studjues dhe njerëz të letrave nga Tirana dhe qytete të tjera janë ftuar të marrin pjesë në këtë aktivitet. Dhënia e titujve "Qytetar nderi" tre personaliteteve të jetës shqiptare, Çabejt, Kokalarit dhe Kadaresë është konceptuar thuajse tërësisht si një spektakël. Këngët popullore, dekori me tri harqe dhe stema e qytetit në sfond do të jenë të pranishme në kohën që aktorët gjirokastritë do të interpretojnë pjesë të zgjedhura nga veprat e tre të mëdhenjve gjirokastritë. Pjesën qendrore në interpretim e zënë pasazhe nga vepra e Kadaresë. Do të përurohet me këtë rast një bareliev në qendër të qytetit ku paraqiten të tria këto figura, ndërsa do të zbulohet përmendorja e Eqrem Çabejt përpara Universitetit të Gjirokastrës, që mban emrin e tij. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Talk to your friends online with Yahoo! Messenger. http://im.yahoo.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |