| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per Ligjin e LuftesAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Aug 22 01:14:13 EDT 2000
SHEKULLI 22 Gusht 2000 Gjendja e Luftës me Greqinë mund të zgjidhet në kuadrin dypalësh Flet zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Sokol Gjoka: Nëse s'japin rezultat bisedimet, do të shikohen mundësi të tjera Ylli Molla Tani për tani Ministria e Jashtme nuk e shikon të nevojshme ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Komunitetit Evropian për heqjen e ligjit të gjendjes së luftës nga Qeveria e Athinës. Mendojmë se ky problem mund të zgjidhet me bisedime dypalëshe, - u shpreh dje për "Shekulli"-n zëdhënësi i kësaj ministrie, Sokol Gjoka. Cilat janë iniciativat që ka ndërmarrë Ministria e Jashtme, pas vitit 1997, për të arritur heqjen e Ligjit të Gjendjes së Luftës nga Qeveria Greke, i cili vepron prej vitit 1940? Ligji i Luftës është trajtuar më se njëherë nga Qeveria Shqiptare me partnerët grekë. Është trajtuar, sepse është në kundërsens me zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ndërkohë që kemi një Traktat të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, kemi edhe një ligj lufte midis dy vendeve. Kështuqë, rastet janë të shumta, ku ky ligj është trajtuar nga Qeveria Shqiptare, si në takimet bilaterale, por edhe në ato shumëpalëshe. Si rastin e fundit mund të përmend edhe takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore në Ohër, ku ministri i Jashtëm shqiptar iu drejtua homologut të tij grek për këtë problem, duke ia përmendur përsëri, që të shikohet mundësia e heqjes së Ligjit të Luftës, mbasi nuk i përshtatet realitetit të marrëdhënieve dypalëshe. Pra interesimi nga pala shqiptare është, ky interesim ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe, natyrisht, edhe nga pala greke, kam përshtypjen që është marrë në konsideratë. Fakti që ky ligj ekziston dhe nuk është hequr, i takon palës greke të reagojë. Por kjo nuk do të thotë që Qeveria Shqiptare të mos vazhdojë insistimin e vet, brenda kuadrit të marrëdhënieve dypalëshe, sepse shikon mundësira që brenda kuadrit të këtyre marrëdhënieve të realizohet heqja e Ligjit të Luftës. Cilat janë argumentet që ka ngritur pala greke, në mbrojtje të ligjit të luftës, gjatë takimeve zyrtare me palën shqiptare? Duhet ditur procedura për heqjen e Ligjit të Gjendjes së Luftës. Kjo procedurë i takon Parlamentit Grek, i cili ka të drejtë të marrë vendimin përfundimtar. Qeveria Greke, si çdo qeveri tjetër në këtë kuadër, ia përcjell këtë shqetësim Parlamentit Grek. Dhe para pak vitesh Parlamenti Grek e ka diskutuar këtë problem, por nuk arriti ta kalonte me shumicë votash heqjen e Ligjit të Luftës. Kështuqë, Qeveria Greke, në këtë mes, natyrisht që përpilon strategjinë e vet dhe ia paraqet atë Parlamentit Grek. Kam përshtypjen që Qeveria Greke, në kushtet e marrëdhënieve intensive dypalëshe, nuk ka asnjë interes që ta mbajë ende Ligjin e Luftës. Kështuqë, edhe për Greqinë në vetvete, mendoj që është periudha më e mirë që ta rishqyrtojë. A keni kuptuar gjatë takimeve zyrtare se një nga shkaqet që e zvarrit këtë ligj është detyrimi që ka Qeveria Greke ndaj pronave të shqiptarëve? Edhe mundet që të ketë të bëjë me këtë problem. Një nga arsyet mund të jetë edhe problemi i pronave. A ka kërkuar Ministria e Jashtme ndihmën e SHBA dhe të Komunitetit Evropian që të ushtrojnë presion mbi Qeverinë Greke për heqjen e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë? Jo. Ne kemi mendimin që ky problem, hë për hë, në kushtet e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, mund të zgjidhet edhe në kuadrin bilateral. Atëherë kur mund të ndodhë kjo? Ne nuk mund të japim data ekzakte, sepse nuk varet nga ne. Çështja është te problematika që ekziston, e cila për një farë periudhe mbase ka qenë edhe tabu. Ju mbase e mbani mend, Kryeministri Meta, me marrjen e detyrës së tij, në vizitën e parë që bëri në Greqi, pas një pyetjeje të medias greke për problemin çam, ai u përgjigj hapur dhe drejtëpërdrejtë. Pra kurajoja e Qeverisë Shqiptare në këtë drejtim nuk është se nuk ekziston. A ka ndonjë strategji Ministria e Jashtme për hapat që duhet të hedhë në të ardhmen deri në realizimin e objektivit përfundimtar për heqjen e gjendje së luftës? Ashtu siç e thashë edhe më lart, ne shpresojmë që nëpërmjet kontakteve të vazhdueshme, nëpërmjet ngritjes së kësaj çështjeje, herëpashere dhe në kuadër të klimës së marrëdhënieve që ekzistojnë midis dy vendeve, të imponohemi për heqjen e Gjendjes së Luftës. Pastaj, nëqoftëse këto nuk kanë rezultat, natyrisht që do të shikohen mundësi të tjera __________________________________________________ Do You Yahoo!? Yahoo! Mail Free email you can access from anywhere! http://mail.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |