| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Odisea e infrastrukturesKreshnik Bejko kbejko at hotmail.comFri Aug 18 12:08:08 EDT 2000
(marre nga gazeta-ekonomia.com) Për rreth një vit e gjysëm nga financimet për ndërtimin e Korridorit Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim (Korridori i Tetë) është arritur të disbursohet (përdoret) jo më shumë se gjysma e fondeve. Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, gjatë periudhës së viteve 1998-1999 ka filluar puna për ndërtimin e 9 akseve rrugore me një gjatësi të përgjithshme 210 kilometra. Por janë përdorur vetëm 35 % e fondeve. Tani, pasi ka kaluar më shumë se gjysma e vitit 2000, fondet e përdorura nuk janë më të mëdha se gjysma e financimit të dhënë. Që do të thotë se nuk është bërë as gjysma e punës. Nga 121 milion euro që është fondi i përgjithshëm dhënë nga donatorët janë shfrytëzuar deri në fund të vitit të kaluar rreth 42.48 milion euro, deri tani jo më shumë se 60 milion euro. Kurse qeveria shqiptare ka arritur të realizojë shpronësimet në masën 85 përqind. Burime zyrtare nga Minsitria e Transportit thonë se gjatë këtij viti pritet të përfundojnë ndërtimi i seksionit Milot-Lezhë 10 kilometra, pjesë e Korridorit Veri-Jug, dhe Durrës-Rrogozhinë 22 kilometra, pjesë e Korridorit Lindje-Perëndim. Gjatë tre mujave të parë të këtij viti i investimeve në përgjithësi ka qenë mbi 100 përqind. Për ndërtimin e Korridorit Lindje-Perëndim vetëm në tre mujorin e parë të 2000-s, janë përdorur rreth 462 milion lekë nga 402 milion që ishte plani ose 114.8 përqind. Për korridorin Veri-Jug janë përdorur rreth 337 milion nga rreth 245 milion lekë të parashikuara ose 138 përqind. Për ndërtimin e superstradës Tiranë-Durrës janë përdorur 227.2 milion lekë ose 90. 2 përqind kundrejt parashikimit. Në total për tre muajt e parë të vitit 2000 për ndërtimin e segmenteve rrugore pjesë të korridoreve rrugore në Shqipëri janë përdorur rreth 1.02 miliard lekë ose 14.2 përqind me shumë se shuma e parashikuar. Shpronësimet, një nga vështirësitë që ka hasur qeveria shqiptare, deri në mars të këtij viti janë kryer në masën 85 përqind të totalit. Por ja që një gjë e çuditshme po ndodh. Pavarësisht se është përdorur gjysma e totalit të financmit, disa prej firmave të tilla si SAFA, BEHASE etj deklarojnë se nuk kanë fonde të nevojshme për të vazhduar punimet. Punëtorët shqiptarë të BEHASE, firmë turke ndërtimi, kanë gati 4 muaj që nuk po marrin rrugët, dhe ecuria e punimeve për 14 kilometrat e parë të segmentit Peqin-Rrogozhinë është bllokuar për shkak të vështirësive në shpronësime. Për SAFA-n tashmë dihet, ata jo vetëm që janë mbrapa por kanë bërë punime me cilësi të dobët, për të cilat janë rikthyer edhe një herë, por që për të vazhduar më tej i duhen të tjera para mbi vlerën e parashikuar në projekt. Duke marrë në konsideratë datën e fillimit të punimeve, ritme të larta pune vihen re veçanërisht në segmentet Librazhd-Qukës, Korçë-Kapshticë, Rrogozhinë-Lushnjë, Vorë-Sukth. Kjo duket dhe nga masa e disbursimeve të kryera që janë përkatësisht 13.29 përqind, 25.2 përqind, 24.01 përqind dhe 17.98 përqind. Vonesa vihen re në akset Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Elbasan, Milot-Lezhë etj. Autostradat përfundojnë në vitin 2002 Për ndërtimin e Korridorit Tetë dhe atij Veri-Jug në Shqipëri nuk është kryer as gjysma e punës. Me një mesatare të thjeshtë sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për ndërtimin e autostradave është kryer jo më shumë se 20 % vëllimit të punëve. Brenda këtij viti ka shpresa të paktën të përfundojnë dy rrugë ajo Milot-Lezhë dhe Librazhd-Qukës. Ndonëse ditët e fundit në segmentin Durrës -Rrogozhinë shoqëria SAFA ka shtuar së tepërmi ritmet e punës, është pak e sigurt se rruga do të përfundojë në vitin 2000. Sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit sot punohet në total në 210 kilometra rrugë ku një pjesë e konsiderueshme e shumës prej 141 milion euro është shfrytëzuar. Në nëntë prej rrugëve që po punohet, gjashtë prej tyre duhet të përfundojnë brenda këtij viti. Po ashtu siç duket edhe nga të dhënat, afatet do të shtyhen edhe për disa vite. Burimet nga Drejtoria e Rrugëve parashikojnë që në përgjithësi rrugët mund të përfundojnë pas një ose dy vjetësh, d.m.th afërsisht në vitin 2002, tek kontraktorët vihet re një neglizhencë, avashllëk pa përgjegjshmëri. Pavarësisht nga ngulmimet dhe tonet e ashpra që ka përdorur qeveria shqiptare drejtuar firmave ndërtuese, pak është ndier efekti. Në përgjithësi të gjitha firmat e ndërtimit kanë qenë mbrapa me ndërtimin, veçanërisht të veprave të artit të tilla si ura, tombino, mbikalime etj. Ato kanë punuar në ato segmente ku puna ecet më shpejt por që kanë mbetur pa lidhje me njëra-tjetrën. Të tilla janë rastet në segmentin Durrës-Rrogozhinë, Milot-Lezhë, Sukth-Durrës. Këtu nuk përmenden shoqëria BEHASE dhe ETEP METON që punojnë respektivisht në segmentet Elbasan-Rrogozhinë dhe Kakavijë-Gjirokastër. Volumet e punës atje janë tepër të ulta përkatësisht 15 dhe 6 përqind. Ndërkohë qeveria shqiptare ka hasur probleme me shpronësimet. Deri para një viti ligji ekzistues për shpronësimet kishte mjaft boshllëqe. Me përmirësimin e tij gjatë muajve të fundit të vitit 1999 pati rezultate por listat e hartuara nga pushtetet lokale janë probleme më vete. Shpesh herë ka patur manipulime me listat të personave që do të shpronësoheshin, të cilat kanë qenë burim konfliktesh. Gjendja është tensionuar deri në atë masë sa personat kanë dalë në rrugë dhe kanë penguar firmat të vazhdojnë punimet. Por për këtë vit është kompesuar pjesa më e madhe e tokës ku do të kalojë rruga dhe pritet ndërtimi i rrugëve të ecë më shpjet. Gjithsesi afatet e kontratave do të shkelen. Që shpresat të mos shuhen dhe puna të ketë duk, specialistë të rrugëve kanë kërkuar riorganizim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, si kontrolluesja e drejtëprëdrejtë e kontraktorëve. Ata sugjerojnë krijimin e Entit Kombëtar që do të varet nga Këshilli i Ministrave, ndërsa DPRR të funksionojë në dy pjesë ku njëra prej tyre të merret drejtëpërsëdrejti me rrugët e reja që ndërtohen. Sipas tyre kjo do të sjellë rritjen e aftësisë së bashkëpunimit dhe përqëndrimin në punët konkrete. Ata kërkojnë ndryshimin e grupit mbiqyrës për problemet teknike, përshpejtimin e proçesit të shpronësimeve shoqëruar me ndryshime në ligjin për shpronësime. Rrugët e reja, frikë se prishen brenda 10 vjetëve Rrugët e reja që po ndërtohen në Shqipëri mund t'i kesh zili vetëm për disa metra më shumë gjerësi nga ato ekzistuese. Cilësia e ndërtimit vlen shumë për të dëshiruar. Edhe parametrat teknikë janë shumë larg atyre ndërkombëtarë. Sipas vëzhgimeve dhe analizave të kohëve të fundit, nga specialistë të Ministrisë së Transportit, Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Laboratorit të Materialeve të Ndërtimit, rezulton se superstaradat e ardhshme shqiptare nuk do të jenë kurrsesi si ato të vendeve të tjera. Sipas tyre, cilësia e dobët e materialeve të përdorura nga firmat e huaja, me qëllim për të ulur koston e punimeve, ka krijuar probleme teknike, ndoshta të pariparueshme për shumë kohë. N.q.s një rrugë e ndërtuar në Shqipëri gjatë viteve '60-'70 vazhdon edhe sot të jetë në gjendje përgjithësisht të kënaqshme, këtë nuk mund ta thuash me siguri pas 10 vjetësh për rrugët e reja. Specialistët që kanë mbikqyrur projektet fillestare t këtyre rrugëve, pjesë të dy Korridoreve, thonë se parashikimi për jetëgjatësin e tyre vështirë se mund të realizohet. "Në projektet fillestare është parashikuar që këto rrugë të mos mirëmbahen për të paktën 10 vjet, por nga mënyra se si po punohet dhe nga materialet që po përdorin firmat e huaja, ato nuk do të kenë jetëgjatësi". Sipas tyre, mjafton të udhëtosh në ato pjesë segmentesh që janë asfaltuar dhe do të ndjesh lëkundje të makinës jo të vogla. Segmentet rrugore në Shqipëri, që ndërtohen nga shoqëri të huaja parashikohet të kenë një gjerësi prej 11.5 metra, dy vija ndarëse kalimi dhe një shtresë asfalto-betoni prej 0.5 metra. Ndërsa shpejtësia më e madhe e aotomjeteve që do të lëvizin nuk do të jetë më e madhe se 90 kilometra në orë, kufi i cili është më i ulët se ai ndërkombëtar. Mungesa të theksuara projektesh dhe studimesh fizibiliteti Kemi nevojë për financime por jemi të vonuar në studime dhe hartim projektesh. Ky refren ka kohë që përsëritet nga administrata shqiptare. Por ngjarjet evolojnë shpejtë dhe situata duket të jetë më alarmante. Çdo herë në ballafaqime të me donatrorët infrastruktura shqiptare del "zbuluar". Në përgjithësi sipas donatorëve Shqipëria është mbrapa me përgatitjen e projekteve në infrastrukturë. Mungojnë studimet e fizibilitetit ndërkohë që ka vetëm 500 mijë euro në dispozicion. Me to Shqipëria, sipas BE, nuk mund të zgjidhë asgjë. Donatorët kërkojnë afate konkrete dhe punë konkrete. Burimet zyrtare nga Ministria e Transportit thonë se "në të dy korridoret rrugore të vendit, Lindje -Perëndim dhe Veri-Jug, kanë mbetur pa financim 8 segmente rrugor me gjatësi të përgjithshme 302 kilometra". Financimi i nevojshëm për ndërtimin përllogaritet në 135 milion lekë. Të gjitha këto para pritet të lëvrohen nga donatorët. Por përveç burimeve të financimit që nevojiten për të realizuar punimet në këto segmente të pranuar edhe nga organizmat e ndryshme ndërkombëtar, thanë burimet, kohët e fundit sa vjen dhe po bëhet i domosdosshëm kompletimi i të gjitha këtyre rrugëve, me studime përkatëse të fizibilitetit dhe hartimin e projekteve të zbatimit. Deri tani nga llogaritjet paraprake të Ministrisë së Transportit, vetëm për rrugët automobilistike nevojiten rreth 2 deri në 2.5 milion dollarë, të cilat janë kryesisht për segmentet Durrës-Kukës (Qafë Morinë), Qafë Thanë-Pogradec, Shkodër-Hani i Hotit, Fier-Tepelenë, Tiranë-Ndroq-Plepa (Durrës), Tiranë-Krrabë-Elbasan etj. Por financime janë siguruar shumë pak. Nga Pakti i Stabilitetit, Shqipëria përfitoi si fillim 71 milion euro për ndërtimin e 7 autostradave të reja. Por sipas konfirmimeve të reja financimi duket ende larg. Si rast kokret përmned rasti i qeverisë italiane që duket se ka dalë nga fjalë për financimin e premtuar për segmentin Lushnjë-Fier. Nga kontaktet e ndryshme me donatorët, dhe organizmat ndërkombëtar, thanë burimet në Ministrinë e Transportit, ka dalë e nevojshme kompletimi i këtyre studimeve dhe aq më tepër edhe i projekteve të zbatimit, çka do të rriste në mënyrë shumë të ndieshme mundësinë e përfshirjes së këtyre objekteve në programet e financimit. Realizimi i këtyre hapave do të jepte mundësi Shqipërisë të ketë mundësinë më pas "të ketë gojë për të kërkuar" dhe siguruar fondet e nevojshme. Edhe fondet për rrugët nacionale të pa realizuara Hipokrizia ka arritur kulmin. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve e paaftë për të përdorur paratë e dhëna nga buxheti i shtetit në fillim të vitit, tashti pas 7 muajsh ngrihet e kërkon edhe financime shtesë. Pasi kanë mbushur vetëm gropat e rrugëve me aksione 2-3 ditore, tani kërkojnë nga qeveria 800 milion lekë për të hedhur asfalt të ri në sipërfaqet e rrugëve nacionale që kanë qenë më të dëmtuara. Edhe nëse qeveria ua jep këtë fond, nuk është e sigurt që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të jetë e aftë ti përdor me efektivitetin e duhur brenda këtij viti. E themi këtë pasi për 6 mujorin e parë të këtij viti statistikat tregojnë se është përdorur vetëm 42 përqind e investimeve buxhetore të dhëna në fillim të vitit. Ndërsa i gjithë fondi i Ministrisë së Transportit për këto 7 muaj është shfrytëzuar vetëm në masën 67 përqind e planit të periudhës. Ndërsa kundrejt planit të vitit realizimi i është edhe më i vogël. Drejtues të MT justifikohen se periudha 6 mujore ka qenë koha e përgatitjes së proçedurave të prokurimit. Por realzimi është afërsish i njëjtë më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur Shqipëria u përball me krizën kosovare, shoqëruar me ndërprerje të investimeve. ________________________________________________________________________ Get Your Private, Free E-mail from MSN Hotmail at http://www.hotmail.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |