Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Per diplomatet

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Aug 16 20:55:18 EDT 2000


Ish-diplomatët, ose dinjiteti zero
Nga Mustafa Nano

Nëse duam të ilustrojmë për ndokënd mungesën e
respektit ndaj shtetit, e bashkë me këtë, mungesën e
moralit politik (në daçi, njerëzor), nuk bëjmë gabim
të ndalemi te sjellja e diplomatëve tanë gjatë e pas
krizës së vitit ’97. Gjatë krizës, ambasadorë, konsuj,
sekretarë ambasadash, anëtarë të shërbimeve sekrete e
diplomatë të tjerë me shërbim jashtë shtetit, nuk
ngurronin të shprehnin (edhe publikisht) një lloj
turpi mbi atë që po bëhej në vendin e tyre, nga
bashkatdhetarët e tyre. Në takime me të huaj
shtireshin rëndom të sikletosur, sikur donin t’u
thonin këtyre të fundit, që shikoni, kjo që po ndodh
nuk ka asnjë lidhje me ne; ne vërtet jemi shqiptarë,
jemi përfaqësues të shtetit shqiptar, por ne jemi
ndryshe, ne jemi pjesa e zgjedhur, ne jemi si ju, s’ka
gjë se përfaqësojmë këtu atë popull të varfër, fatkeq,
të hutuar e të pakuptueshëm. Ka pasur edhe më keq. Nuk
mungonin rastet, kur nga goja e këtyre diplomatëve
dilnin akuza të përbindshme të fabrikuara nga kuzhina
e pushtetit të asaj kohe si përligjje për krizën,
sipas të cilave, gjithçka ishte një lojë e ndyrë
antishqiptare e opozitës (ish - komunistëve). Vini re,
pra: sapo shtireshin të plagosur në ndjenjat e tyre
kombëtare e njerëzore për shkak të asaj krize të
çmendur, duke marrë në mbrojtje pushtetin dhe duke
sharë opozitën, ata nxirrnin në skenë surratin e një
diplomati të shpifur, përballë të cilit çdo koleg i
tyre joshqiptar shqyente sytë. Dhe me të drejtë. Një
diplomat i huaj mund ta kuptojë një krizë të një
vendi, aq më tepër të një vendi si Shqipëria, por
partizanllëku i neveritshëm politik i diplomatëve
shqiptarë ka qenë gjithsesi i pakuptueshëm për ta.
Gjëja e parë që mësohet në diplomaci, qoftë dhe në
kurset disaorëshe të trajnimit, është një rregull
shumë i thjeshtë: diplomati është fytyra dhe zëri i
shtetit, jo i pushtetit; për sa kohë bën diplomatin,
duhet të mbysësh feeling-un politik. Në mos, duhet të
mos e evidentosh.
Le të vimë tani te paskriza, që solli dhe ndërrimin e
pushtetit. Pushteti i ri, i cili erdhi mbi gërmadhat e
një shteti të rrënuar, u sforcua jashtë natyrës e
dëshirës së vet të mos e shfrytëzonte djallëzisht këtë
rrethanë. Nuk munguan rastet kur fitimtarët e rinj
shtinë në punë një filtër tjetër politik për të
ngritur korpusin e ri diplomatik, gjë që mund ta
motivonin lehtë, pasi shumica e diplomatëve nuk ishin
gjë tjetër, veçse mercenarë politikë. Por
përgjithësisht, nuk u bënë lëvizje të zhurmshme e
provokuese. Ambasadorët e punonjësit e tjerë të
misioneve tona diplomatike përgjithësisht u lanë të
përfundonin mandatin e tyre, ndërsa personeli
diplomatik i Ministrisë së Jashtme, në ndryshim nga
ajo që pritej, nuk pësoi ndonjë tërmet kushedi se
çfarë. Sigurisht, filluan të vihen në jetë praktika
diferencuese e diskriminuese të dënueshme, si pasojë e
të cilave u bënë kurban disa, por dukuria në fjalë nuk
ka qenë shumë spektakolare. Në fund të fundit,
shumicës së diplomatëve iu ofrua mundësia të bënte
përsëri diplomatin, ndonëse në rangje më të ulëta. 
Pikërisht këtu zë fill dukuria tjetër, ajo e
turpshmja. Diplomatët shqiptarë me shërbim jashtë
shtetit nuk pranuan të ktheheshin në vendin e tyre.
Ata shfrytëzuan lidhjet e kontaktet që kishin vendosur
falë statusit zyrtar e jo falë ndonjë statusi
individual, dhe pa e lodhur trurin e tyre me arsyetime
patriotike, pa u stepur përballë detyrimeve ligjore,
pa patur as merakun më të vogël mbi dinjitetin
profesional e njerëzor, vendosën të sistemoheshin
familjarisht në vendet, ku për katër vjet kishin
përfaqësuar Shqipërinë si Ambasadorë e diplomatë. Tani
ata janë emigrantë par excellence. Në ditët e para të
instalimit të “diktaturës së re”, një duzinë kanë
kërkuar strehim politik. U jepej apo nuk u jepej ky
status, ata e kishin bërë mendjen top për të mos e
çuar dëm shansin e të qëndruarit jashtë, duke e ditur,
se pikërisht për kaq pak gjë, bashkatdhetarët e tyre
fatzinj paguajnë miliona apo i drejtohen aventurës
vrastare të skafeve. Nën presionin e grave, miqve
mendjehollë, familjeve, fëmijëve të tyre, por edhe në
sintoni me kulturën e mangët e papërgjegjshmërinë e
tyre, ata kanë bërë një llogari të thjeshtë: “Ç’do të
bëjmë në Shqipëri? Atje ka varfëri, baltë, papastërti,
kriminalitet, prej andej të gjithë po ikin, atje
pushtetin e kanë ata, të tjerët, ndërsa ne nuk kemi
asnjë talent e asnjë vlerë për të shfrytëzuar
hapësirat që të jep ajo palo demokraci. Nuk na mbetet
gjë tjetër, veçse të bëhemi mitingashë. A nuk është më
mirë të rrimë këtu?” Dhe qëndruan. 
Ja, kështu kanë menduar diplomatët shqiptarë, duke
dëshmuar në mënyrën më të mjerueshme, jo vetëm
liliputërinë e tyre morale, por edhe mungesën e
përgjegjësisë shtetërore. Një shqiptar dosido nuk
është më meskin e më i papërgjegjshëm se këta kanakarë
të regjimit të shkuar. Dhe nuk janë vetëm diplomatët
që e kanë bërë këtë gjë. Janë larguar nga Shqipëria
dhjetëra anëtarë të shërbimeve sekrete, madje edhe
kryetari i tyre famëkeq, janë larguar edhe të tjerë.
Përfaqësuesit e sotëm revanshistë të regjimit të para
‘97-ës nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme për të
dënuar këtë dukuri, analiza e së cilës u përket atyre
e vetëm atyre. Ata kanë bërë të kundërtën. Ata
krenohen me të ikurit, ata i intervistojnë, siç kanë
bërë me ish-kryepolicin e Shqipërisë, dhe mendja ta
thotë, se këta “të syrgjynosur” përbëjnë kontigjentin
më të parë, prej nga ku do të rizgjidhet administrata
e nesërme shtetërore e diplomatike, pasi revanshistët
të realizojnë ëndrrat e tyre të vrara në vitin ’97.
Ndërsa pushtetarët e sotëm, e së bashku me ta edhe
institucionet shtetërore, si për të dëshmuar edhe
njëherë dobësinë e tyre emblematike, nuk kanë bërë as
tentativën më të vogël për t’i vënë një fre kësaj
prirjeje, apo më saktë, kësaj epidemie. Ndoshta
përgatiten për të bërë vetë të njëjtën gjë, në rast se
shefat politikë të diplomatëve vulëhumbur do të
rimarrin pushtetin. Kjo do të përbënte një turp në
fuqi të dytë.


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Send instant messages & get email alerts with Yahoo! Messenger.
http://im.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list