| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Nano per Elitenaalibali at law.harvard.edu aalibali at law.harvard.eduWed Apr 19 23:32:38 EDT 2000
Pse s'bëhet e gjallë elita shqiptare? Nga Mustafa Nano Një pjesë lexuesish, sapo të shohin titullin e këtij shkrimi, do të mendojnë se autori e ngre mbrapsht çështjen, pasi -sipas tyre- egzistenca e kësaj elite duhet vënë në diskutim. Për këtë ata kanë argumenta të panumërt; dhe unë e di, ca prej këtyre argumentave të vënë në vështirësi, kur vjen puna që je duke mbrojtur tezën e kundërt, pra që elita shqiptare ekziston. Megjithatë ka një kundërargument. Çdo komunitet njerëzish bart brenda vetes kremin e vet intelektual, gjë që na bën të mendojmë se edhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Eshtë tjetër gjë, nëse kremi ynë intelektual, i ballafaquar me atë të shoqërive të tjera më të qytetëruara, mund të mos na i mbushë syrin e mendjen, mund të na shfaqet i ndotur prej provincializmit, shpesh mund të na ngjajë me një krem të prishur që bie era thartirë, e ku di unë se çfarë tjetër, por kjo nuk do të thotë, se brenda shoqërisë shqiptare nuk gjendet një shtresë a një kategori njerëzish lehtësisht e dallueshme prej kallaballëkut, prej turmave mendërisht e kulturalisht njëngjyrëshe. Kjo shtresë qëndron prore sipër, s'ka gjë se përgjithësisht përfaqëson besnikërisht atë që është poshtë. Me fjalë të tjera, nëse shoqëria shqiptare është kjo që është, elita e saj nuk mund të jetë e krahasueshme me atë italiane, gjermane, franceze, angleze, etj. Megjithatë e përsëris, kjo në instancë të fundit është elitë, është elita e shqiptarëve, dhe këta të fundit, shqiptarët pra, nuk kanë arsye të mendojnë se janë pa të, aq më pak kanë arsye, që të pakënaqur siç janë, ngaqë nuk kanë se kundër kujt të shfryjnë, t'i derdhen asaj që mbahet me të madh, që këmbëngul të mos njëjtësohet me vulgun, duke arritur deri atje sa të shprehin panevojën për të. Ka shumë shqiptarë, të cilët klasifikohen apo vetklasifikohen si përfaqësues të elitës, e të cilët mendojnë se veç e veç mund të hahen gjithë ditën me kushurinjtë e tyre (në linjë truri, jo në linjë gjaku) jo shqiptarë. Për këtë të rrëfejnë historira pa mbarim, thelbi i të cilave mund të shprehet pak a shumë kështu: Jam takuar me aksh intelektual të Parisit, të Romës, të Londrës, dhe e kam ndjerë veten të barabartë me ta, në mos i kam magjepsur me çfarë di mbi botën, mbi kulturën, mbi historinë, mbi politikën. Një gjë e tillë mund të qëllojë të jetë e vërtetë, megjithëse shpesh magjepsja e të huajve nuk vjen prej asaj që mësojnë prej nesh, por për një fakt më të thjeshtë. Ata shohin një diferencë të madhe midis imazhit për ne në përgjithësi, i cili është krijuar në ato rrugë e për ato shkaqe që dimë, dhe asaj që ofrojnë shqiptarë të veçantë që udhëtojnë si qytetarë dinjitozë nëpër Europë, që ftohen nëpër konferenca, simpoziume, që flasin në disa gjuhë të huaja, që dinë të sillen, që dinë të prezantohen, që dinë t'i ofrojnë diçka veçantërisht origjinale një auditori a një audience joshqiptare, etj, etj. Afërmendsh pra, kjo nuk është ndonjë magjepsje që vjen domosdoshmërisht prej mënyrës se si ndriçojnë shqiptarët me mendjen e kulturën e tyre. Madje, shumë rrallë qëllon që është kështu. Ndërsa rëndom, duke ju rikthyer shpjegimit të disa rreshtave më sipër, duhet thënë se kemi të bëjmë me një kuturisje paksa të mundimshme e të sforcuar të të huajve për të luajtur me elegancë, stil e mirësjellje, rolin e të habiturit e kureshtarit: "Ah, ju jeni shqiptar? Sa mirë! Po ç'dreqin bëni atje në vendin tuaj, që s'ju ecin punët?" Sigurisht, kjo habí nuk është një mirësjellje e shtirur e aq. Shqiptarët e mençur, edhe kur nuk kanë kapacitetin për të ndriçuar, kanë fakultetin për të thithur rreze. Kjo nuk është pak. Me këtë nuk dua të them megjithatë, se të huajt të hutojnë e të lënë gojëhapur në çdo rast me atë që dinë; as kjo nuk është e vërtetë. Madje forca e charm-i i elitave të vendeve të tjera nuk qëndron në këtë pikë, aq sa qëndron gjetkë. Pikërisht këtu është vendi të bëjmë një diskutim të vogël, për t'iu përgjigjur kështu pyetjes se çfarë i mungon esencialisht elitës shqiptare, edhe në rastin kur pranojmë se intelektualisht e kulturalisht ajo nuk bie poshtë të huajve, që pak më sipër i quajtëm kushurinj të tyre. Këtu, për t'iu shmangur përfundimeve dëshpëruese e pesimiste, po harrojmë apo injorojmë faktin, që kjo elitë është pjellë e këtij populli apo këtij komuniteti, me të cilin jep e merr, e kushtëzon e kushtëzohet prej tij, e tërheq zvarrë atë e tërhiqet zvarrë po prej tij, bile ca më shumë në rastin e dytë. Le ta gjykojmë për një moment elitën tonë, duke nënvizuar ato "sëmundje" të saj, që nuk kanë lidhje me përcaktorin që i ngjitet nga prapa: shqiptare. Para së gjithash, elita shqiptare nuk po arrin të bëjë të vetat disa vlera bazilare të qytetërimit perëndimor, nuk po arrin ta vendosë veten si një korpus i vetëm mbi këtë bazament vlerash, mbi të cilin të zhvillohet pastaj i gjithë debati kulturor, artistik, politik, etj. Cilat janë këto vlera? Ja p. sh., një shoqëri civile e organizon bashkëjetesën mbi bazën e rregullave, të cilët, me t'u vendosur, nuk mund të shkelen. Nëse dikush i shkel, duhet të krijohet imediatisht solidariteti elitar kundër tij. Ose tjetër, në demokraci gjithkush ka të drejtë të shprehë opinionin e vet, dhe rrjedhimisht askush nuk ka të drejtë të etiketojë bartësit e këtyre opinioneve si armiq, tradhëtarë, të shitur, të poshtër, duke përjashtuar këtu rastet kur, së pari opinionet nuk ngrihen mbi sistemin e vlerave, për të cilat po flasim, e së dyti kur një person ngrihet deklarativisht e në mënyrë të troçtë kundër interesave të komunitetit, të cilit i përket. Ndryshe, kundër atyre, që të etiketuarit e kanë shndërruar në zanat, duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë, jo për t'i linçuar, por për t'u thënë, se me strategjinë e përjashtimit (etiketime të tilla synojnë përjashtimin, apo jo?) nuk mund të ketë as demokraci, as bashkëjetesë. Ose tjetër, demokracia nuk mund të kuptohet pa debat, ndërsa nga ana e vet, debati është ballafaqim idesh e vizionesh, e jo shkëmbim akuzash e sharjesh të ulëta, që lëshohen nga llogore të ndara njëherë e mirë. Ose tjetër, partitë politike janë bashkime vullnetare njerëzish, dhe askush nuk ka të drejtë t'i kthejë partitë në banda apo klane në shërbim të një personi apo të një grupi personash, e në këtë pikë, vetëm të kqyrësh është e pafalshme. Kështu mund të vazhdojmë gjatë, për të konkluduar më në fund se elita shqiptare ka mbetur sehirxheshë, dhe unë nuk di mëkat më të madh për një elitë, se sa në rastin ku ajo vetëm bën sehir. Siç shihet, jam duke kërkuar e nxitur një elitë të angazhuar, duke rihapur me këtë një debat të vjetër e të lashtë, s'ka gjë se e di, që kjo tezë nuk gjen shumë partizanë këtejpari. Ndoshta edhe në vende të tjera kjo tezë është e diskutueshme e pa mbështetje, por nëse është vërtet kështu, ja tek kemi më në fund një tabiat perëndimor që nuk duhet imituar. Ndryshe, Shqipëria do të mbetet në duar të atyre, që po e mjelin pa mëshirë si një lopë të dikujt tjetër. Në këto rrethana, të rrish mënjanë e të soditësh, nuk mund të shihet thjesht si një modë, si një sjellje interesante, si një gjetje intelektuale që të blaton komfort; përkundrazi, komforti në këtë rast është një vetgënjim i trishtuar e trishtues. Për ta bërë bërë angazhimin një kauzë të intelektualëve shqiptarë, nuk është e nevojshme të thërresim në ndihmë modele intelektualësh të huaj, as Jean-Paul Sartre-in, i cili në librin e tij "Qënia dhe hiçi", ndërsa synon të rikonsiderojë konceptin e lirisë, thotë: "Liria është lirí për të zgjedhur, por jo lirí për të mos zgjedhur, s'ka gjë se të mos zgjedhësh, në fakt, do të thotë të zgjedhësh të moszgjedhurit." (Ky shkrimtar e filozof ekzistencialist francez arrin të bezdiset edhe prej qëndrimeve që mbajtën Honoré de Balzac e Gustave Flaubert, i pari lidhur me ngjarjet e vitit 1848, ndërsa i dyti lidhur me revolucionin francez. Ai nuk mund ta kuptonte "të ndenjurit mënjanë"). Por siç thashë më sipër, nuk është e nevojshme të kërkojmë të tillë shembuj inspirues. Në Shqipëri ka nevojë për një "participation" të një lloji tjetër. Nuk është e thënë, që elita e këtushme të angazhohet politikisht, por është e pafalshme, që ajo të mos e thotë një fjalë, të zbythet e të struket përballë maskarenjve që po na e bëjnë këtë vend të pabanueshëm. Përse të vetpëlqyerit intelektualë shqiptarë heshtin tek ballafaqohen me gjuhën e dhunshme të politikës e të politikanëve, tek ballafaqohen me arbitraritetin e ca kodoshëve të vegjël, të cilët lozin me pushtetin, a thua se ky i fundit është një lodër e blerë në dyqanin më të parë, tek shohin që nga ekranet e disa televioneve të ngritur prej kontrabandistësh villet vrer e mashtrohet, tek shohin që këto televizione keqpërdoren prej politikanësh të pafytyrë e prej gazetarësh çapaçulë, tek shohin që turmat e gënjyera shkojnë pas një njeriu, që nuk ofron gjë tjetër, veçse ruspa e sloganin "vdekje, vdekje, vdekje", tek shohin që një pjesë e pushtetarëve të sotëm nuk e kanë mendjen të qeverisin, por të vjedhin, tek shohin që komunikimi politik midis palëve të këtushme është lënë në dorë të një gjermani, i cili, ndërsa vë duart në kokë prej tmerrit sa herë del prej takimeve me shefat e partive tona, me siguri thotë: "O zot, si nuk arrij ta kuptoj keqkuptimin e këtushëm!", tek shohin që atë, elitën e shqiptarëve, jo vetëm nuk e pyet askush, por e fyejnë, e poshtërojnë, etj, etj? E pra, mund të heshtet në këto rrethana? Në mënyrë të përmbledhur, ka dy arsye që ndodh kështu. Së pari, elita shqiptare, ashtu si të gjithë banorët e tjerë të këtij vendi, është e detyruar të rropatet për të mbijetuar. Sipas një logjike të këtushme kolektive, të heshtësh apo të shitesh në këto kushte, nuk përbën ndonjë mëkat kushedi se çfarë. Eshtë vërtet kështu? Hm! Së dyti, prej disa vitesh është krijuar një klimë terrorizuese. E vërteta apo të vërtetat vetëm mund të pëshpëriten. Ndryshe, nuk është e tepërt të thuhet se mund të të ikë edhe koka. Klasa politike e sotme, pasi ka bërë shumë zullume, nuk ka rrugë tjetër për t'u mbrojtur, veçse të shndërrohet në një klasë politike banditeske, d.m.th. të kërcënojë këdo që guxon të thotë më tepër se sa duhet. Dhe ata, intelektualët, ose heshtin, ose gjejnë rrugët për ta braktisur këtë vend. Kanë të drejtë? Jo! Njëmijë herë jo! Gjithkush mund të ketë të drejtë, por jo ata. Ata janë fajtorë. Janë fajtorë pikërisht sepse nuk bëjnë asgjë. Të mos bësh asgjë është një alibi fantastike për gjithkënd, por jo për një elitë. Për këtë të fundit, të rrish mënjanë e të bësh sehir është provë e fajit.
More information about the ALBSA-Info mailing list |