Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Islam

[Alb-Islam] Shqip:"DESHIROJNE...2000", nga Dr. Ismail Bardhi

Mentor Cana mentor at alb-net.com
Tue Dec 28 12:46:36 EST 1999


DËSHIROJNË...2000
nga Dr. Ismail Bardhi 
Shkup, 01.11.1999                                   

"Ata dëshirojnë me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu
nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë!"

(et-Tevbe, 32)
 
Si hyrje
 
Nuk është për t'u habitur nga tradhëtia e njeriut që ia bën vetvetes si në
aspektin e përparimit ashtu edhe në atë të shkatërrimit. Si njërën ashtu
edhe tjetrën ai përpiqet t'i prezentojë brenda fjalëve të bukura dhe
qëllimeve të larta. Kjo ka ndodhur në të kaluarën e si duket vazhdimësia e
saj nuk ka fund as edhe në prag të mijëvjeçarit të tretë -  me të vërtetë
njeriu është "zalumen xhehula", injorant e zullumqar. Njeriu është i këtillë
për shkak se përpiqet ta keqpërdorë fuqinë e madhe të cilën e ka si dhuratë
nga Zoti e të krijojë traditë të së keqes, duke shkatërruar ardhmërinë e
njerëzisë: ai vetes i lejoi ta keqpërdorë shpirtin; për një çmim të pavlerë
ta shesë intelektin e madje edhe trupin. Shkatërrimet, mjerimet e ligjeve që
burojnë nga kokat e ndryshme të njerëzve me vite janë duke treguar se fare
nuk kanë qenë në dobi të njeriut, përpos përsosurisë në shkatërrim dhe
frikë. Në këtë shekull për të cilin tashmë flitet se ka kaluar, nëse pak e
shikojmë të kaluarën - e që duhet bërë, do të vërejmë çudira, momente nga të
cilat njeriu rrënqethet. E gjithë kjo për shkak se njeriu nuk u ngrit më
tepër nga të qënit rob vetëm i njeriut apo siç ka thënë një filozof i
Lindjes nga i cili është kërkuar t'i shërbejë mbretit: "aty është fundi dhe
poshtërsia ime".

E kaluara e këtillë i përngjan përshkrimit të gjendjes të cilën e tregon
Kur'ani "idh kuntum a'dâen... kur ishit armiq..." për shkak se hidajeti i
Zotit kishte kaluar andej dimensioneve të së drejtës, ose të keqpërdorimit
të fjalëve të shenjta. Mëshira e Zotit bëri që në periudhën më të dëshmuar
të kohës ta zbresë Kur'anin. Me këtë përfundimisht njerëzve iu bë i
pamundshëm intervenimi në Fjalën e Zotit, për shkak të kushteve të ndryshme
që nuk lejonin një mundësi të tillë dhe betimit që Zoti e dha se do ta ruajë
këtë Fjalë - Kur'anin, si përfundim i ri i shpalljes së hershme. 

Kur'ani bazën kryesore të fesë e prezenton mbi tre momente të cilat çdo fe i
ka pasur dhe duhet t'i ketë, duke filluar nga Judaizmi, Krishtërimit dhe
Islamit, të gjitha këto fe Ibrahimiane: besimi në Zot, veprat e mira dhe
besimi në Ditën e Fundit. Këto janë tema për të cilat janë bërë shkrime të
shumta nëpër tefsire dhe literaturën si islame ashtu edhe në atë joislame.

Problemet e kohës sonë mund të konsiderohen si të padrejta për qëllimin,
thelbin ose prëmbajtjen e religjionit-fesë: interpretimi i fesë brenda
traditës së caktuar, etnikumit të caktuar, racës së bardhë dhe të zezë dhe
studimeve që rrjedhin nga hapësira shkencore shoqërore, e madje edhe
ekzakte, të cilat marrin guximin dhe japin analizat e veta që në fe nuk
ekzistojnë, sepse feja sa është e dukshme në kohën "e kaluar" ajo më tepër
merret përsëri me "kohën" e tashme, e cila për çdoherë gjendet në kontakt me
vdekjen. Kjo vërehet më së miri kur i vëzhgojmë lëvizjet dhe rrethanat e
ndryshme të zhvillimit të religjionit, ose pozitës së religjionit, si në
suaza të globalitetit ashtu edhe brenda hapësirës sonë.

 
Vazhdimësia e persekutimit religjioz
 
Besimi dhe liria religjioze në këtë shekull kanë kaluar nëpër fushën e hijes
së vdekjes, duke i mbijetuar "gulagët" sovjetikë, "holokaustët", e deri te
vrasja e qindra mijëra muslimanëve në hapësirat Ballkanike në vetë fundin e
këtij shekulli, edhe pse civilizimi qe betuar se ky lloj persekutimi, ose
për të qenë më specifik, martirësia, i takojnë të kaluarës dhe nuk do të
përsëriten më. Mirëpo, u dëshmua e kundërta. Ky persekutim u ndodhi edhe të
tjerëve dhe atë me përmasa më të mëdha, siç është rasti me hapësirat
sovjetike, me Kinën e sila sillet me një çmenduri ndaj fesë e kështu me
radhë. Shikoni rastin e Çeçenisë dhe po ndodh sot para botës. Mbi 50 mijë
ushtarë me pajisje të rëndë dhe të sofistikuar ushtarake Rusia po i përdor
në emër të luftimit të grupeve ekstremiste islame?! Shumica e atyre të
vrarëve zënë vend në definimin e martirësisë, respektivisht ata janë njerëz
jeta e të cilëve është shuar vetëm për shkak të besimit dhe lirisë së tyre
të besimit religjioz. 

Edhe politika dhe demokracia e imituar në hapësirën arabe në mënyrë të
pakuptueshme është duke u sjellur ndaj bindjeve religjioze islame dhe ndaj
muslimanëve. Edhe pse me rezervë, prapëseprapë duhet pranuar statistika e
organizatave ndërkombëtare si Amnesty International dhe organizatave islame
për të drejtat e njeriut të cilat japin shifra tmerruese rreth kësaj
gjendjeje. Kjo nuk do të thotë se Perëndimi me ligjet e hekurta dhe sistemin
kompjuterik pa shpirt nuk është duke bërë çrregullim ndaj religjionit ose
religjiozitetit. Përsëri në këtë hapësirë njeriu është duke kaluar mbi
padrejtësitë e ndryshme, e lëre më qetësisë së shpirtit dhe lirisë
individuale bindëse që ka çdo njeri.

Ky rrezik edhe në hapësirën e Maqedonisë kalon nëpër faza të çuditshme të
cilat nuk mund t'i arsyetosh, as çmendurisht e as racionalisht. Në një
shkrim lexuam se nuk është e mundshme të vendoset të diç vetëm për shkak se
kemi "urdhër nga dikush", që për fat të keq një ish-ministër i këtij shteti
tregoi guxim duke shkruar se përcjelljet dhe përgjimet e ndryshme, e deri te
arrestet disa orëshe të cilat po bëhen kohëve të fundit në Maqedoni, janë
urdhëra nga jashtë që shkaktuan mosmarrëveshje brenda establishmentit
politik. Liria religjioze në këtë hapësirë ka kaluar tmerrin më të madh të
ateizimit dhe masakrës së tij në kohën e ish-Jugosllavisë, kur planet
religjioze, vakëfet e ndryshme dhe institucionet fetare ishin më të
përgjuarat dhe "tërësisht" nën direktivën e fuqisë së tmerrshme. Kjo dukuri
e mëparshme siç shihet është bërë rregull shtetëror i mentalitetit që e
udhëheq këtë shtet. Kulmi i gjithë kësaj është përcjellja e hyrjes-daljes së
qytetarëve të vet nga ky shtet, duke bërë fotokopjimin e çdo gjëje të
shkruar apo shtypur e deri te ndalimi i tubimeve individuale me qëllime të
cilat i kanë vetëm njerëzit e sinqertë. 

 
Tërheqshmëria e "fundamentalizmit"
 
Asnjë fe nuk ka mundësi të jetë e tillë nëse i largohet bindjes së vet e
cila del nga Libri i Shenjtë, duke filluar që nga urdhrat e ndryshëm e deri
te flijimi i gjërave më të shtrenjta të kësaj jete vetëm për ta arritur
kënaqësinë si rob ndaj Zotit. Feja islame këtë e ka të qartë dhe nuk ka fare
dyshim se ajo thërret vetëm në të mirë, duke e çmuar e lartësuar individin
dhe shoqërinë, lirinë fetare dhe moskeqpërdorimin e saj, njeriun si qenie me
tërë bukuritë e tij që lartëson në piedestal e deri te kujdesi dhe thirrja
për mbrojtjen e tokës, respektivisht ambientit/ekologjisë. "Fundamentalizmi"
ishte një pjellë e cila sot e kësaj dite përdoret vetëm në fjalorin e
shërbimit të sigurimit, i cili përzien kuptimin fundemantalizëm-terrorizëm
që në asnjë fe nuk mund të haset. Islami është shumë i pastër nga kjo. Nuk
ka mundësi të ketë fe pa ibadet, pa shehadet, e më në fund as pa xhihad. Po,
pa "xhihad", term ky i cili, për fat të keq, u keqpërdor. Momentalisht ky
term në botë është bërë "trishtues", ndërsa në fjalor d.t.th. thjesht luftë.
Pse t'i merret gëzimi besimtarit që të vdes në emër të Zotit për të drejtat
e veta individuale e shoqërore, për të drejtat njerëzore, për idealet e fesë
e nga ana tjetër mos të diskutohet fare për ata të cilët masakrojnë,
shkatërrojnë duke përdorur arsenalet e llojllojshme të luftës që lënë pasoja
jo vetëm në të tashmen por me vite të tëra? Kur'ani në mënyrë të përhershme
thërret në edukimin e vetvetes dhe lirinë individuale duke rregulluar e
përmirësuar si qëllimin ashtu edhe jetën në këtë botë. 

Këtë fenomen e kaluara e ka bërë që të zhvillohet në mënyrë të
pakontrolluar. Siç cekin Martin Marty dhe Scott Applebee në veprën e tyre
Projekti i Fundametalizmit, fundamentalizmi religjioz është në ngritje e
sipër, jo vetëm brenda Islamit dhe Krishterimit, por gjithashtu ndjehet edhe
në Budizëm dhe Hebraizëm. Në këtë ka njëfarë vërtetësie lidhur me "ngritjen
e fundamentalizmit" në formën e "revivalizmit" (ringjalljes). Këtu
ekzistojnë batica dhe zbatica dhe atë duke iu falënderuar shekullaristëve
dhe politikës anti-religjioze. 

Tek ne me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë u paraqit një shpejtësi në
hapësirën religjioze, e cila ishte jashtë kontrollit të edukimit kulturor e
profesional të fesë. Kjo është e dukshme edhe në rastin e proviniencave të
tjera religjioze. Në mesin tonë mund të vërehen edhe dukuri të cilat në botë
tashmë janë pranuar si momente të lirisë qoftë personale qoftë tjetërfare,
ndërsa te ne, mendoj në Maqedoni, ato u pengojnë "të paprekshmëve". Ne duhet
medoemos të pranojmë se dukuri të tilla, lëvizje të ndryshme religjioze të
cilat do të kenë karakter intelektual, kulturor e po ashtu edhe klasik do të
paraqiten dhe atë duke u përsosur. Por nuk mund të pranohet krijimi i frikës
se "ata nuk kanë të drejtë të tubohen e të thërrasin njerëz në fe", kur
dihet se imperativ i çdo feje qiellore është që të prezentohet haptazi. Këtë
duhet ta përjetojë çdokush dhe çdokund, duke mos i lënë anash këtu as
institucionet e ndryshme shtetërore apo qeveritare të cilat më së tepërmi
kanë nevojë për një edukatë të duhur fetare. Me një fjalë: kush dëshiron
pranon e kush dëshiron refuzon. Besoj se çdokush e ka të qartë se forca mund
të përdoret çdokund, përpos në fe.


Islami sërish në rritje

Edhe pse nuk ka mundësi të jetë argument i duhur, rezultatet e sociologjisë
e cila merret me kushtet dhe rrethanat shoqërore, tregojnë se ndryshimet në
këtë shekull në hapësirën e fesë janë duke lëvizur me një shpejtësi të madhe
dhe se trendi i cili e kornizon kontekstin tonë të fundshekullit është
Islami. Në mesin e religjioneve botërore, Islami radhitet si feja që më së
shpejti përhapet dhe atë në Perëndim. Këtu si bazë paraqitet edhe momenti
demografik, por edhe ai i konvertimit dhe atë, megjithëse dikujt kjo nuk i
shkon për shtati, jo me "shpatë". Hulumtuesit religjiozë e projektojnë
shtimin e Islamit në rreth 2 milardë ithtarë deri nga viti 2025, ndërsa atë
të Krishtërimit në rreth 3 miliardë. 

Ky shekull ka dëshmuar një ndryshim të Krishtërimit nga të bardhët në
pozitën e një shumice të ithtarëve jo të bardhë. Sot më tepër se 60% e të
gjithë të krishterëve vijnë nga ithtarët e racave jo të bardha jashtë
Evropës dhe Amerikës, kështu që është bërë zhvendosje nga qendra e
gravitetit të krishterë drejt botës së tretë. Kjo prodhon lloj-lloj faktesh
interesante, siç është fakti se kisha më e madhe presbiteriane në botë nuk
gjendet në Skoci por në Seul, Kore.

Te ne, duke pasur parasysh se si fe mbizotëruese kemi Islamin dhe
Krishtërimin Ortodoks, ekziston shansi i madh për krijimin e projekteve të
përbashkëta në prezentimin e fesë ashtu siç duhet, duke filluar nga njohjet
elementare e deri te krijimi i institucioneve më të larta të cilat do të
kenë mundësi të profesionalizohen në mënyrë intelektuale e kulturore dhe më
në fund, të krijohet hapësira e integrimit sa më të mirë dhe harmonisë
religjioze e cila për çdoherë forcon paqen dhe rendin, hidajetin, në botë.
Këtë, si duket, rendi i ri i demokracisë në këtë hapësirë nuk është duke e
pritur siç duket meqë më tepër kënaqet të krijojë vazhdimësinë e politikës
së urrejtjes dhe pasigurisë. Kjo ndodh për shkak se udhëheqësit politikë i
takojnë të kaluarës së pafesisë.

Një trend tjetër i fundit të këtij shekulli të cilin e shënojnë studiuesit e
religjionit është edhe pluralizmi. Kjo në veçanti ka të bëjë me Perëndimin.
I shtyrë nga multi-kulturalizmi dhe internacionalizimi i Perëndimit,
llojllojshmëria e shtuar në shoqëri paraqet edhe mundësi edhe sfidë për
religjionet. Llojllojshmëria e shtuar kulturore dhe kontakti ndërfetar mund
të ofrojnë mundësi për mirëkuptim të ndërsjellë, rritje dhe dialog. Nga ana
tjetër, sfida e modernitetit, me relativizmin dhe individualizmin e vet
vazhdon t'i minojë besimet tradicionale që njëherë i kanë formësuar kredotë
e ndryshme të përbashkëta, duke krijuar luftëra kulturore mes
tradicionalistëve dhe progresistëve.


Pritja e Mijëvjeçarit të ri

Kjo dukuri që po formësohet gjatë 30 viteve të fundit, me çdo muaj që kalon
po intensifikohet. Arritja përtej të kuptuarit njerëzor dhe atraktiviteti i
vitit 2000 i ka përfshirë të gjitha fushat, që nga tregëtia deri te qeveria,
nga shkaqet humanitare deri te veprimtaria religjioze.

Nga perspektiva kulturore, viti 2000 është dymijëvjeçari i kalendarit
qytetar, ndërsa për perspektivën religjioze është ditëlindja e dymijtë e
Isait a.s. Në prag të mijëvjeçarit, vitet 1999-2001, janë duke u planifikuar
një sërë tubimesh kongresionale dhe përkujtimoresh për ta shënuar ndodhinë e
mijëvjeçarit të tretë. Në mbarë hapësirën e botës po përgatiten aktivitete
të ndryshme, si Lojrat Olimpike të vitit 2000 në Sydney, Australi, Panairi
Botëror (EXPO) me titull "Humaniteti/njerëzia, teknologjia dhe natyra" në
Gjermani për rreth 40 milionë vizitorë; Anglia është duke harxhuar afro 700
milionë funta sterline për organizimin e Ekspozitës së Mijëvjeçarit për
Kohën në Greenwich; Roma është duke pritur nja 20 milionë vizitorë për Vitin
e Shenjtë 2000, ndërsa Toka e Shenjtë është duke pritur një shtim të
turistëve me rastin e dymijëvjeçarit. Këtu duhet përmendur edhe Turqinë ku
përgatitet projekti i "turizmit të krishterë"; këmbana e paraparë për t'u
vënë me këtë rast në sheshin e Tiranës e deri te projekti "2000 kisha deri
në vitin 2000" në Maqedoni. 

E nga ana tjetër kemi një gjë krejtësisht të papranueshme: Në Londër
organizohet një shfaqje teatrale "Chorpus Christi" ku Jezu Krishti paraqitet
si Mbret i homoseksualëve, ndërsa muslimanët (e Anglisë) janë ndër të parët
që ngrejnë zërin kundër kësaj poshtërsie që nuk është e pranueshme as në fe,
as në kulturë, as në traditë.

Muslimanët të cilët i besojnë Isa a.s. si pejgamber, i lindur nga Merjemeja
e pastër, me siguri nuk do të habiten nga ky pompozitet që ka marrë hov të
madh nën pretekstin e fesë, duke bërë prezentimin e një jete e cila akoma
është duke jetuar tmerrin e areligjiozitetit dhe vështirësinë e demokracisë
e cila është duke qëndruar "e mirë" vetëm se në fjalë, e kurrsesi si gëzim
për njeriun e mijëvjeçarit të ardhshëm - nëse nuk e shkatërrojmë. Shpresë se
Librat e Shenjtë me pastërtitë e tyre do ta marrin hovin e rivendosjes së
rregullave fetare në botë, e më në fund njeriu të jetë i lirë edhe si
individ edhe në shoqëri duke iu kthyer fundamentalizmit të parimeve të fesë.


Përfundim

Feja edhe pse pranohet nga njeriu nuk do të thotë se ai ka të drejtë ta
keqpërdorë si në mendim, kuptim ashtu edhe në praktikim. Popujt e mëparshëm
e bënë këtë e Zoti i dënoi. Feja islame e pranon respektin e atyre që e
shfaqin ndaj pejgamberit Isa a.s., si i dërguar i All-llahut. Qëllimi i fesë
është se urdhërat të dëgjohen me kujdes duke iu larguar çdo dëshire që nuk
ka të bëjë me Zotin. Feja fare nuk i njeh numrat. Shtetet nuk krijojnë fe,
edhe pse ato mundohen të tregohen si liridhënës të fesë pa Zot si fe. Nuk ka
fe pa Zot dhe pa parime të karakterit të lutjes, rregullave të jetës dhe
pastërtisë së shpirtit. Islami pa iman, pa ibadet, pa shehadet, pa llogari,
pa takim me Zotin nuk është Islam.






More information about the Alb-Islam mailing list