| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Islam[Alb-Islam] Fwd: [alb-muslimstudents] HAFIZ IBRAHIM DALLIU MUFESSIR SHQIPTARolsi kosova at mailcity.comMon Dec 13 22:22:13 EST 1999
Begin forwarded message:
Dr. Ismail BARDHI
HAFIZ IBRAHIM DALLIU MUFESSIR SHQIPTAR
Logos-A
Shkup 1998
HAFIZ IBRAHIM DALLIU MUFESSIR SHQIPTAR
"Ne nuk kemi dërguar asnjë profet që ai për t'ia shpjeguar të mos ketë
folur me gjuhën e popullit të vet."
(Kur'an, Ibrahim: 4)
Libri i Shenjtë shenjtërinë e tij përpos në besim e ka edhe në lutje,
gjegjësisht në origjinalitetin e tij metahistorik, por edhe në aspektin
historik, e vetë Urdhëruesi i paraqitjes së Librit të Shenjtë, në këtë
rast të Kur'anit, na tregon se si besimi ashtu edhe gjuha janë dy
kategori të cilat në esencë burojnë nga vet Ai - Zoti: "Nga argumentet
e Tij është edhe krijimi i qiejve dhe tokës, llojllojshmëria e gjuhëve
tuaja..." (Kur'ani, er-Rrum: 22)
Pra, Kur'ani përveç dimensionit të vet metahistorik e ka edhe
dimensionin historik dhe atë me vetë paraqitjen e tij si për dëgjimin,
të pamurit dhe shkrimin, duke iu prezentuar njeriut në formën e fjalës
njerëzore, sepse gjuhën e merr si mjet për t'u bërë i dukshëm.
Gjuha e Islamit nuk njeh asgjë tjetër pos besimit dhe jobesimit, për
këtë arsye ai as që e ka si problem nacionalizmin në gjuhë. Në Kur'an
lexojmë për Zotin i cili porosinë e vet ua drejton të gjithë kombeve në
gjuhët e tyre.
Tefsiri, sipas shkrimeve të shumta dhe përmbajtjeve të tyre, mund të
konsiderohet si aftësi dhe njohuri për interpretim të duhur të të
folurit, librit apo tekstit. Ai ka qenë disiplinë ndihmëse
metodologjike në teologji dhe jurisprudencë. Parim i tij kryesor ka
qenë interpretimi i tekstit, analiza e gjuhës, vënia e tekstit në
kontekst historik dhe studimi i raportit mes formës letrare dhe
përmbajtjes. Tefsiri kërkon që teksti edhe të kuptohet, d.m.th. jo
vetëm që të përkthehet/interpretohet lashtësia, por edhe gjendja e
lashtësisë shpirtërisht të adaptohet në gjendjen e tashme.
Tefsiri rrënjët e veta i ka që nga koha e Muhammedit a.s., të cilin
edhe e kishte si interpretuesin më të afërt për zemrën, për shkak se ai
ishte nën hijen e Zotit. Kjo problematikë gradualisht shndërrohet në
disiplinë në vete, e cila ka vend të posaçëm në shkencën e teologjisë
islame.
Në këtë përpjekje vërehen punime të shumta nga dijetarët e proviniencës
islame, të cilët i janë përkushtuar të kuptuarit dhe të interpretuarit
sa më të mirë të Fjalës së Zotit. Për këtë arsye ne, duke e pasur
parasysh historiatin e gjatë të disiplinës së ekzegjezës së Kur'anit
dhe mufessirëve të ndryshëm, që ta tregojmë pasurinë e kësaj disipline
do ta prezentojmë një mufessir shqiptar, Hafiz Ibrahim Dalliun, së pari
ia dhënë vendin e duhur në korpusin e ekzegjezës, duke u ndalur në disa
pika të jetës dhe veprimtarisë së tij, burimeve të tefsirit dhe metodës
së tefsirit të cilat vërehen në tefsirin e tij të quajtur Ajka e
Kuptimevet të Kur'ani Qerimit.
Pak jetëpërshkrim
Hafiz Ibrahim Dalliu u lind në qytetin e Tiranës, më 1878 në një
familje me kulturë të lartë fetare, në kohën kur në Shqipëri lëvizja
arsimore rritej e bëhej gjithnjë më intensive.
I përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës fetare
tek shqiptarët, po ashtu edhe një periudhe shumë të rëndësishme për
historinë e popullit shqiptar, siç është ajo e Rilindjes kombëtare.
Jeta e tij nuk ka qenë e qetë, përkundrazi, ajo qe e vështirë, plot
shqetësime e brenga me lëvizje të detyruara nga rrethanat tragjike
historike gjatë shumë lëvizjeve që ndodhnin asokohe.
Nga gjurmimi i literaturës e nga autobiografia e tij mësojmë se
shkollimi i hafiz Ibrahim Dalliut u bë në faza të ndryshme, shkollën
fillore dhe të mesme i kreu në atdhe, pastaj për arsimim të mëtejmë u
dërgua në Stamboll, të cilin për fat të keq e ndërpreu për arsye
ekonomike.
Në kushtet e jetës e të punës së tij përpos problemeve fetare, kishte
edhe probleme të tjera siç ishin problemi i gjuhës shqipe, shkollës dhe
arsimit, publicistikës e që njëkohësisht ishin edhe probleme të
përgjithshme të asaj kohe në mesin e shqiptarëve. Si mësues i shkollës
shqipe, ai filloi në shkollën e parë shqipe në Tiranë, ndihmoi hapjen e
shkollës për femra po ashtu në Tiranë më 1908, nga dolën edhe mësueset
e para të gjuhës shqipe në këtë qytet.
Në fund të vitit 1909 radhitet me mësuesit e Normales së Elbasanit.
Punën e tij për këtë shkollë hafiz Ibrahim Dalliu e kishte filluar edhe
para Kongresit të njohur të Elbasanit, që vendosi për hapjen e
Normales. Në këtë Kongres ai mori pjesë si i deleguar nga tiranasit, së
bashku me disa shokë.
Veprimtaria kulturore e Hafiz Ibrahim Dalliut rrok një fushë të gjerë
pune e përpjekjeje, duke filluar së pari nga aktiviteti i tij që kishte
rreth gjuhës amtare, mësues i së cilës ishte, siç thamë më parë, në
shkollën e Tiranës, ku përgatiti breza të arsimuar për të cilët ndjehej
nevojë e madhe në vend. Përveç gjuhës amtare, ky atyre ua mësonte edhe
gjuhët e huaja, si osmanishten dhe arabishten. Këtë veprimtari përveç
se në Tiranë, e kreu edhe në Elbasan dhe në vende të tjera dhe atë edhe
në fushen e mendimit social-pedagogjik dhe atij fetar, ku punoi me aq
pasion në publicistikë si autor i shumë veprave, shkrimeve e sidomos me
përkthimin e tij të Kur'anit dhe komentit të tij, duke qenë ndër të
parët të cilët në mënyrë sistematike i kanë hyrë kësaj pune, e deri në
pjesëmarrjen aktive në radhët e luftëtarëve për krijimin dhe mbrojtjen
e vatanit.
Duke punuar me fëmijë e të rinj, hfz. Ibrahim Dalliu u bë i njohur në
popull dhe gëzonte një respekt të dalluar. Ai shquhej në trupin
pedagogjik të Normales si edukator dhe gjithmonë ishte i gatshëm për
biseda me të rinjtë.
Hfz. Ibrahim Dalliu bëri një jetë aktive shkencore e sociale e në radhë
të parë fetare. Atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, nuk ishte e
mundur mos të vërehej edhe hfz. Ibrahim Dalliu. Ai bashkëpunoi edhe me
deputetin e Perandorisë Osmane, Hasan Prishtinën dhe me figura të jetës
kulturore si Ismail Ndroqin, Hasan Voglin, Muslim Llagamin, Musa Maçin,
me Ibrahim Hasnajn etj. Po ashtu hfz. Ibrahim Dalliu u bë i afërt edhe
me personalitete të njohura ndërkombëtare në fushën e gjuhës shqipe nga
të cilët mund ta përmendim Norbert Joklin. Hfz. Ibrahim Dalliu mori
pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908, në atë të Elbasanit më 1909,
në shpalljen e Pavarësisë më 1912, po ashtu edhe në Kongresin e
Lushnjës më 1920.
Për shkak të veprimtarisë së tij ai edhe u burgos: më 1908 u thirr në
prefekturë për t'i bërë presion që të heqë dorë nga problemet e arsimit
e të kulturës shtetërore, por ai nguli këmbë se kushtetuta ua jepte të
drejtën për të mësuar në gjuhën amtare.
Më 5 shtator 1910 hfz. Ibrahim Dalliu gjendet përpara torturave më të
egra për shkak të një artikulli në formë letre të hapur ku dënoheshin
xhonturqit. Njihet thënia e tij: "Injoranca nuk zhduket me top, topi
zhduk vetëm njerëzit." Edhe në burgimet e mëvonshme, gjatë sundimit të
mbretit Zog, gjatë sundimit fashist si dhe gjatë diktaturës komuniste,
asnjëherë nuk i mbrojti armiqtë e popullit, por çdoherë ju përmbahej
parimeve të veta fetare/morale, duke mbetur njëkohësisht atdhetar i
flaktë, i cili kurrë nuk i ka shikuar shqiptarët si të ndarë dhe hoxhë
besnik i Kur'anit dhe i fesë islame.
Hafiz Ibrahim Dalliu bën pjesë në plejadën e atyre teologëve shqiptarë
të cilët janë dalluar me punën e tyre të frytshme fetare e kulturore.
Nëse i bëjmë një vështrim kohës se kur ka jetuar dhe vepruar ai, mund
të vërejmë se në shkrimet e tij ndjehet ndikimi dhe hovi reformator, me
çka lirisht mund ta radhisim në mesin e ithtarëve të rrymës reformuese,
e cila në literaturën islame njihet me termin islaha. Në botën islame
në këtë kohë vërehet veprimtaria e emrave eminentë të historisë islame,
siç janë Xhemaludin Afganiu, Reshid Rida, Muhammed Abduhu, Muhammed
el-Behij, Ahmed Hani, Muhamed Vehbi, Mehmet Akif Ersoj etj., shumica
prej të cilëve janë marrë me komentimin e Kur'anit. Sa u përket emrave
të cilët kanë zënë vend të posaçëm në hapësirën tonë, sidomos në Bosnje
dhe tek hapësira shqiptare, mund t'i përmendim Shukrija Alagiqin,
Muhamed Tufon, Xhemaludin Çausheviqin, Mehmed Hanxhiqin, pastaj Hafiz
Ali Korçën, Vehbi Dibrën, Hoxhë Vokën, Ibrahim Dalliun etj.
Megjithëse në "liri", shëndetlig nga mundimet e burgut vdiq në Tiranë
më 1952. Në varrimin e tij që u bë në Tiranë mori pjesë vetëm familja
më e afërt. Meqë ishte element "antiqeveritar" nuk u vu kurrfarë shenje
apo mbishkrimi mbi varrin e tij.
Veprat
Si teolog i thelluar në shkencat e teologjisë dhe njohës i mirë i
diturisë së fesë islame konsiderohet se Hafiz Ibrahim Dalliu është
autor i pesëmbëdhjetë veprave të vlefshme fetare, disa nga të cilat
përkthime nga arabishtja e turqishtja, kurse shumica e tyre janë
origjinale.
Sipas teologut të shquar shqiptar, Imam Vehbi Ismailit, i shpërngulur
në SHBA, hafiz Ibrahim Dalliu ka shkruar apo përkthyer afro dhjetë mijë
faqe me përmbajtje fetare, që do të thotë më tepër se çdo shqiptar
tjetër musliman. Një gjë të ngjashme e pohon edhe shoku i Hafiz Ibrahim
Dalliut, Ibrahim Hasnaj.
Hafiz Ibrahim Dalliu lirisht mund të konsiderohet si njëri nga
punëtorët shkencorë dhe teologët më të njohur të asaj kohe si për nga
shkrimet, po ashtu edhe për nga ligjërimet e shumta.
Përkitazi me veprat e Ibrahim Dalliut, mund të thuhet se një pjesë prej
tyre janë botuar, ndërsa edhe shumë dorëshkrime të tjera kanë mbetur të
pabotuara, ose, në rastin më të keq, edhe qëllimisht janë zhdukur.
Përveç veprave origjinale, krijimtaria letrare e hfz. Ibrahim Dalliut
në masë të madhe është e karakterizuar nga përkthimet e tij dhe atë si
nga osmanishtja, po ashtu edhe nga arabishtja.
Veprimi i klasifikimit dhe sistematizimit të veprave të Ibrahim Dalliut
mund të bëhet në bazë të tematikës dhe përmbajtjes së atyre veprave.
Opusi i përmbajtjeve të veprave të këtij autori është i gjerë dhe
përfshin ato: fetare - të besimit (akide) dhe praktike (ibadet), tefsir
(hermeneutikë), hadith; letrare, sarkastike, humoristike.
Veprat e këtij autori janë: Ajka e kuptimevet të Kur'ani
Qerimit;Texhvidi i Kur'anit; Besimet e muslimanëvet; E lemja e të
madhit Profit dhe jeta e tij; Hadithi Erbain; Dhantie Ramazani; Mësime
teorike dhe praktike të moralit islam; Ç'është islamizma; Një broshurë
mbi degat e imanit; Libri i së falmes; Udha Muhammedane; Grenzat e kuqe
të Tiranës; Kreshniku i atdheut; Dokrrat e hinit; Patriotizma në Tiranë.
Tefsiri Ajka e kuptimevet të Kur'ani Qerimit
Në vazhdim theks të veçantë do të vëmë mbi veprën Ajka e kuptimevet të
Kur'ani Qerimit, e cila megjithëse e pambaruar konsiderohet edhe si
kryevepër e Hafiz Ibrahim Dalliut.
Muslimanët shqiptarë të cilët konsiderohen edhe si popull që me shumicë
i takon fesë Islame, natyrisht se fesë ia kanë treguar respektin si në
kohën kur nuk kanë shkruar në gjuhën e tyre amtare, po ashtu edhe pas
themelimit të alfabetit të gjuhës, kur aktiviteti i tyre në fushën e
shkrimit merr një hov shumë të madh.
Në këtë fushë kulturore me punën e tij të palodhshme shquhet edhe vetë
hafiz Ibrahim Dalliu, si me përkthimin e Kur'anit në gjuhën shqipe, po
ashtu edhe me komentin, mund të thuhet të parin në hapësirën shqiptare,
të cilin e ka titulluar Ajka e kuptimevet të Kur'ani Qerimit.
Sipas analizave tona, si në bazë të dokumenteve të shkruara po ashtu
edhe atyre gojore, del se kjo vepër, megjithëse askund nuk shkruan apo
figuron emri i tij, është vepër e hafiz Ibrahim Dalliut. Për nga
përkthimi është e dyta, kurse për nga komenti i këtij lloji sistematik,
por, fatkeqësisht jokomplet, është e para.
Në kopertinën e tefsirit Ajka e kuptimevet të Kur'ani Qerimit shkruan
se ky botim "u lexue, u shqyrtue e u pëlqye prej Këshillit të Naltë të
Sheriatit". Me këtë dëshmohet rëndësia e veprës, të cilën e merr
përsipër qendra më e lartë e cila është kujdesur për çështjet fetare
islame në kuadër të Komunitetit Musliman Shqiptar. Ky tefsir është
shtypur në Shtypshkronjën "Ora e Shkodrës" më 1929 dhe është i formatit
23 x 15 cm.
Kjo vepër fillimisht është botuar në formë fletoresh apo fashikullash,
por më vonë edhe në formë të tubuar dhe atë me kopertinë të fortë mbi
të cilën shkruan Tefsiri i Kur'ani Qerimit, pa emër autori por me një
shkrim kur'anor si ornament.
Në punën time kërkimore kam hasur në material të shtypur deri në faqen
1572 të këtij tefsiri dhe atë në formë libri duke filluar nga faqja 1,
d.mth. nga sureja Fatiha, e deri në faqen 699, ku përfundon sureja Âli
Imrân. Pjesa e dytë, të cilën e kam tubuar në një vend, fillon me
ajetin 1 të sures en-Nisa, d.m.th. nga faqja 701, e përfundon në faqen
1316 me ajetin e fundit të sures el-En'am. Pjesa e tretë fillon nga
faqja 1317 me ajetin e parë të sures el-A'raf dhe përfundon në faqen
1572 me ajetin 16 të sures et-Tevbe, megjithëse me kaq nuk përfundon
edhe tefsiri i tërë.
Brenda tekstit çdo sure fillon me Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim dhe
atë në origjinal në arabishte. Disa herë merr një e herë më tepër se
një ajet të cilin e ka edhe në arabishte edhe në përkthim në shqipe,
por nuk përdor një sistem konstant në tekstin e tij, sepse ka edhe
vende ku përveç origjinalit në arabishte teksti i ajetit jepet edhe në
transkribim me germa shqipe, e pastaj vijon përkthimi i ajetit dhe
vazhdon duke bërë spjegime, në disa vende edhe shkoqitje e diku tjetër
ku e jep përkthimin e ajetit e shkruan nën Thalbi i kuptimit. Por,
fjala spjegim është më e përdorura. Për çdo sure tregohet vendi i
zbritjes, ndërsa diku-diku edhe shkaku i zbritjes së sures së caktuar.
Autori përpiqet të jetë i përpiktë dhe për këtë arsye bën një
Deklaratë, ku tregon për ndërrimin e metodës së punës së vet. Brenda
tekstit, gjegjësisht brenda komentimit të Kur'anit përmenden edhe
burime të ndryshme të përdorura, disa herë duke përmendur emrat e
mufessirëve, e disa herë titujt e veprave të tyre.
Tefsirit të Hafiz Ibrahim Dalliut, të quajtur Ajka e kuptimevet të
Kur'ani Qerimit, nga dita e botimit të të cilit kanë kaluar afro 70
vjet, për fat të keq deri më tani nuk i është bërë kurrfarë studimi,
përpos të llojit informativ. Edhe pse në këtë vepër nuk e përmend emrin
e vet si autor, e as si përkthyes i Kur'anit, gjë që e vështirëson
identifikimin e autorësisë dhe përkundër supozimeve se ai është
përkthyes i kësaj vepre, mbetet një enigmë shkencore për këtë
pretendimin e fundit meqë brenda tekstit hasim në emrat e mufessirëve
të ndryshëm, qoftë arabë apo joarabë, të cilët kanë jetuar në periudha
të ndryshme kohore dhe atë duke filluar nga emrat e njohur të
as'habëve, siç është Ibn Abbasi, e deri te bashkëkohësi i h. Ibrahim
Dalliut - Muhammed Vehbi ef. Konjalliu - gjë që dëshmon të kundërtën.
Po ashtu, në koment vërehet preokupimi i brendshëm social, kulturor,
politik, gjuhësor e tradicional.
Kjo vepër si për nga përkthimi i Kur'anit, po ashtu edhe për nga
komenti i tij paraqet ndërmarrje të rëndësishme në kulturën e tefsirit
dhe dëshmon inteligjencën e lartë të mufessirit shqiptar, i cili me
siguri meriton vend shumë të privilegjuar në mesin e mufessirëve, si të
hapësirës ballkanike, ashtu edhe më gjerë.
Tefsiret e shfrytëzuara nga hfz. Ibrahim Dalliu
Në tefsirin Ajka e Kuptimevet të Kur'ani Qerimit, hafiz Ibrahim Dalliu
shfrytëzon sintezën arabo-osmane dhe tërë traditën fundamentale të
tefsirit, që mund të vërehet në vetë veprën e tij.
Nga shumësia e mufessirëve të përmendur: Taberiu, Muxhahidi, Fahruddin
er-Raziu, Bejdaviu, Medariku, Nimetull-llah efendiu, Ebu Suud efendiu,
Ismail Haki efendiu si dhe Muhammed Vehbi efendiu, fitohet përshtypja
se ky dijetar musliman ka shfrytëzuar si literaturë veprat e këtyre
mufessirëve dhe natyrisht i ka cituar ata në mënyrë të interpretimit.
Edhe pse në tefsirin e lartpërmendur më së tepërmi citohen Fahruddin
er-Raziu dhe Kadi Bejdaviu, nuk është e mundshme, për shkaqet e
lartpërmendura, të sillet përfundim se ky tefsir është përkthim. Për
këtë problematikë në mënyrë bindëse teologu i shquar dhe bashkëkohasi i
Hafiz Ibrahim Dalliut, Imam Vehbi Ismaili, thotë se ky është tefsir
origjinal i tij. Përpos këtij mendimi kemi edhe një mendim tjetër se në
këtë tefsir ka bashkëpunuar një kolegium dijetarësh. Mirëpo, të
cituarit e shumtë të mufessirëve vërtetojnë se h. Ibrahim Dalliu është
autor i këtij tefsiri, ndërsa sa i përket krahasimit ose ndjekjes
tekstuale të ndonjë tefsiri tjetër, kjo nuk është e mundshme të
vërtetohet, për shkak se, siç thamë edhe më lart, nëse bëjmë krahasimin
mes Raziut, Kadi Bejdaviut dhe Vehbi efendiut, mund të vërehet se të
dhënat që i kanë tefsiret e tyre janë të afërta, si informata e jo si
tekst i gjerë, që sërish nuk do të thotë se fuqia e tefsirit të Ibrahim
Dalliut kalon te të tjerët.
H. Ibrahim Dalliu në fillim komentin e bën më të zgjeruar, megjithëse
te pjesët tjera, sidomos kah fundi, nuk vërehet ajo hapësirë e gjerë e
komentit, saqë ka raste kur e jep vetëm përkthimin e ajetit, duke mos
dhënë ndonjë koment. Ai i largohet përsëritjes për arsye se më parë
është dhënë koment, siç ishte edhe rasti me Besmelen.
Është e vërtetë se metoda e tefsirit për shkak të asaj se është
përdorur literaturë e shumtë, nënkupton se i takon tefsirit të lirë,
tefsirit bi rej, por vërehet se nuk i është shmangur edhe metodës
tradicionale. Më mirë do të ishte të thuhet se ky tefsir është i llojit
teologjik me liri fetare e me përpjekje racionale. Në këtë tefsir ai
bazohet edhe në rregullat e Usul-i tefsirit, ndjek me kujdes
sebebi-nuzulin, thekson abrogimin me theks të veçantë ndalet në
çështjet e besimit, e largon çdo dyshim nga monoteizmi, duke paraqitur
tevhid të pastër; bazohet në rrugën e ehli-sunnetit, tregon mendimet e
rrymave kelamiste, siç janë Maturidiu, mu'tezilitët e esh'aritët. Ky
është tefsir që me të vërtetë lexuesit shqiptar ia mundëson kuptimin sa
më të mirë, sa më të lehtë të Fjalës së Zotit.
Kur kemi parasysh kohën e zbritjes së Kur'anit, leximin dhe
interpretimin e tij nga Muhammedi a.s. dhe kohën se kur u është
paraqitur kjo Fjalë shqiptarëve, kemi të drejtë të themi se ky koment
është i pari pas Kur'anit për lexuesin shqiptar. Historia e tefsirit me
këtë koment është pasuruar dhe ka marrë rrugën e zhvillimit dhe të
rritjes, që për gjeneratat pas-Ibrahimiane është me rëndësi të veçantë,
sidomos në krijimin e terminologjisë kur'anologjike dhe të një fillimi
që për kulturën e muslimanëve do të jetë ndihmesë e madhe në
interpretimin dhe kuptimin e Kur'ani Kerimit.
Prezentimi fragmentar i metodës së tefsirit "Ajka e kuptimevet të
Kur'ani Qerimit"
Mendimi i tefsirit te Hafiz Ibrahim Dalliu pothuajse është unik në
kontekstin e lëvizjeve shpirtërore në këto hapësira. Përveç asaj se ky
mendim deri diku e ndjek diskursin racionalist të disa mufessirëve, ai
në masën më të madhe mbështetet mbi komentimet tradicionale të
Kur'anit, të cilat ekzistojnë në botë, megjithëse jetoi në një kohë kur
ideologjia "scientiste" përjetonte kulmin e saj historik, duke
shkatërruar çdo gjë të shenjtë dhe duke e kundërshtuar çdo mendim që
rridhte nga tradita e që nuk mund të mbrohej para gjyqit të arsyes së
pastër. Ai mendim paraqet një sintezë tejet të popullarizuar
shpirtërore e cila, përskaj përvojave të realizuara deri atëherë në
shkencën e tefsirit, në themel në vete i përthith të gjitha përvojat e
mendimit bashkëkohor shkencor që e realizonte shpirti njerëzor i kohës
së tij në përmasat më të gjera gjeografike. Mirëfillësia e mendimit të
tij është e padyshimtë dhe në një masë është e hijesuar nga depërtimi i
tij mendjelirë dhe i thellë në tekstin e shpallur kur'anor, duke e
respektuar frymën, nevojat, praktikën zakonore, mentalitetin dhe
horizontet kulturologjike të humanumit të këtushëm ballkanik. Duke i
sjellur në lidhje të pashkëputshme Shpalljen dhe arsyen, të shenjtën
dhe të përbotshmen, traditën dhe shkencën, shpirtëroren dhe materialen,
etj., autori në atë mënyrë e ka dëshmuar se sa kujdeset që ta
ndërgjegjësojë nevojën e leximit dhe të bashkëkohësimit të përmbajtjes
kur'anore në çdo moment konkret historik. Pothuajse nuk ekziston asnjë
segment brenda interpretimeve të tij të tekstit të shpallur kur'anor e
që nuk i shpreh kujdesin dhe përpjekjen e tillë të autorit. Ja disa
shembuj nga komentimi i autorit i disa rasteve nga përmbajtja kur'anore.
Duke diskutuar paarritshmërinë e tekstit kur'anor, në kuadër të
interpretimit të ajeteve 23 dhe 24 të sures el-Bekare, Hafiz Ibrahim
Dalliu mes arsyeve tjera të asaj paarritshmërie thekson hyjnësinë apo
prejardhjen hyjnore të tekstit. Në këtë drejtim ai Kur'anin e vështron
në dy horizonte: si vepër hyjnore, në të cilën janë dhënë të gjitha
rregullat, parimet dhe mësimet të cilat kanë të bëjnë me jetën e botës
dhe të cilat Muhammedi a.s. nëpërmjet Xhibrilit ua ka dorëzuar
nejrëzve; si fjalë e gjallë hyjnore e cila është e Vërteta e
pashterrshme, Ligj dhe Rrugë, rinia e amshuar shpirtërore dhe
efikasiteti praktik i të cilës në themel burojnë nga natyra e brendshme
hyjnore.
Duke diskutuar rreth vetë tekstit, ashtu siç ka hyrë ai në gjuhën
njerëzore dhe e ka pranuar mbi vete petkun e përditshmërisë semitike,
d.m.th., duke diskutuar rreth përmbajtjes kur'anore në nivelin e gjuhës
së pastër, autori konsideron se ajo përmbajtje rrezaton me
paarritshmërinë e dyfishtë: Artistiken (Belaga) dhe mendoren (ideoren).
Paarritshmëria artistike e kësaj përmbajtjeje, thotë autori, vërehet jo
vetëm se në formën, por edhe në përmbajtjen, në ndërtimin e fjalisë e
cila është dhënë në një mënyrë krejtësisht të re dhe të panjohur deri
atëherë, në mënyrën individuale të shijes hyjnore të shpalljes urtësia
e të shpallurit të të cilit e ka bërë të njohur Shpalljen në gjuhën e
përditshme, kështu që i është shmangur përdorimit të çfarëdo gjinie
letrare të hulumtimit të zakonshme të asaj kohe e cila ka qenë e
zakonshme në shpirtëroren e përgjithshme të traditës lindore e
perëndimore semitike.
Paaritshmëria ideore e përmbajtjes, sipas mendimit të autorit, është
akoma më e lartësuar dhe më e rëndësishme. Madhësia e saj ideore para
së gjithash vërehet në atë se çdo fakt brenda Kur'anit, sipas
domethënies të cilën e shpreh, në mënyrë shembullore është e mbërthyer
(palosur) me njërin nga realitetet e krijuara në gjithësi, ashtu që
Kur'ani paraqet një formulë të shkruar për atë që Zoti me ndërmarrjet e
tij krijuese që moti e ka kryer në botën e natyrës së arsyeshme e të
paarsyeshme të krijesave. Me një fjalë, në Kur'an ka ngjarë përputhja
absolute e frymës të natyrës me frymën e Shpalljes dhe, në atë mënyrë,
me qëllimin dhe urtësinë e amshuar të Zotit. Përputhja e tillë tekstit
të shpallur ia dhuron furinë e përhershme të rimëkëmbjes dhe rinisë së
pakalueshme e cila në çdo çast kohor sërish shkëlqen me çdo ndërmarrje
të re shkencore në sferën e përvojës së përditshme njerëzore, me të
cilën për çdo ditë përvijohet fryma shkencore, artistike, teknike e
krijuese e njeriut, duke e zgjeruar rrethin e tij kulturor në themel të
shënuar me domethëniet e amshuara të Shpalljes kur'anore.
Brenda interpretimit të kaptinës së njëjtë kur'anore, duke e ndjekur
ritmin e tekstit, autori kalon në interpretimin e misionit të njeriut
në Tokë, dhe në atë mënyrë e përvijon modelin ekzegjetik për formimin e
të a.q. antropologji dogmatike në Islam, të cilën mjaft e ka zhvilluar
një traktat i veçantë brenda teologjisë muslimane për njeriun si
fotografi që është shembull, kurorë dhe art suprem e çdo krijese
hyjnore në botë. Në dritën e faktit për njeriun si halif apo mëkëmbës i
Zotit në Tokë, autori do të përfundojë se njeriu, si sintezë e shpirtit
dhe trupit, tokës, zjarrit dhe dritës është tempull i vërtetë i Zotit
mbi Tokë, brenda të cilit në mënyrë të bollshme ndodh prania e Zotit, e
cila me fuqinë e saj ruajtëse, e cila kurrë nuk shterrohet, gjithmonë
në zemrën e njeriut e ndrit dritën e besimit e cila është ajo xixë e
shpirtit hyjnor sipas së cilës është krijuar njeriu dhe përgjithmonë ka
mbetur të jetë i pavdekshëm.
Duke pasur parasysh faktin se njeriu është qenie njohëse, respektivisht
qenie e vetme e cila në vete posedon fuqi të llojllojshme psiko-fizike
dhe mendore, se është qenie e gjuhës e cila me fuqitë e veta shprehëse
dhe foljore realizon komunikimin themelor me botën që e rrethon dhe po
asaj bote që e rrethon ia zbulon pasurinë e jetës dhe të botës së vet
të brendshme, dmth., duke pasur parasysh të gjitha këto fakte të
lartpërmendura autori do të përfundojë se njeriu, pos asaj se është
halif dhe tempull i Zotit në Tokë, është edhe vet qenësi e gjuhës që
çdo gjë ontoëogjike e ngërthen në të vërtetën, çdo gjë e përkthen në
meta-gjuhë, duke paralajmëruar asisoji vendlindjen ontologjike të botës
dhe të njeriut të cilët, në prototipet e tyre ideale i paraprijnë
formës së trupëzuar, të përbotshme të qenësisë.
Në kuadër të interpretimit të kaptinës së njëjtë, autori do ta
komentojë edhe nocionin e shfuqizimit apo të abrogimit të disa teksteve
apo të dispozitave të caktuara nga Kur'ani. Në këtë kontekst është me
interes të paraqitet pikëpamja e autorit lidhur me këtë, ku ai mendon
se përmbajtja kur'anore në asnjë segment të saj nuk është e shfuqizuar
dhe se nuk ka asnjë vend në Kur'an që sot do të mund të paraqiste
pleonazëm përmbajtësor, tepricë tekstuale e cila ka qenë aktuale dhe
interesante për ndonjë kohë të kaluar, për një mjedis dhe njerëz të
cilët qysh moti janë zhdukur nga skena historike. Para së gjithash,
konsideron autori, kur Kur'ani e përmend nocionin e abrogimit dhe e
konstaton ndërprerjen e disa dispozitave apo teksteve, kjo në çdo rast
duhet marrë si abrogim jo i përmbajtjes kur'anore apo dispozitës së
shpallur Muhammedit a.s., si përfundues i të gjitha Shpalljeve hyjnore,
por duhet kuptuar si abrogim i dispozitave të disa shpalljeve të
mëparshme apo teksteve që janë ndryshuar, gjymtuar në burimësinë e tyre
dhe të interpoluara n ndonjë përmbajtje të shpallur më parë si krijim i
thjeshtë njerëzor, si një lloj observimi teologjik që është infiltruar
në Shpalljen.
Përmbajtja kur'anore, thotë autori, nuk mund të vjetërsohet për shkak
se ai paraqet plotësinë e të gjitha qëllimeve hyjnore lidhur me botën
dhe njeriun, për shkak se qenësisht është e përqëndruar në fenë si
fluid i gjallë shpirtëror, natyrën më të thellë dhe të pakapërcyeshme
njerëzore e cila gufon njësoj si në makro ashtu edhe në mikrokozmosin
dhe i lëshon degët e veta të llojllojshme shpirtërore, ashtu që
dinamika e fesë gjithmonë e ndjek nivelin e zhvillimit të vetëdijes
njerëzore e cila mund të jetë prezente në kohën e njëjtë kalendarike,
por vetëdija njerëzore, duke e ndjekur ritmin e fesë, nuk mund ta
jetojë pleqërinë e njëjtë të fesë në çdo nënqiell dhe në çdo
mentalitet. Kështu, një rregullë e fesë, e cila në shikim të parë mund
të mos jetë interesante dhe joaktuale në një nënqiell dhe mentalitet,
mund të jete interesante dhe tejet e aktualizuar në ndonjë nënqiell apo
mentalitet tjetër. Që këtu, nuk ekziston asnjë çast historik brenda të
cilit përmbajtja kur'anore në këtë apo atë mënyrë nuk aktualizohet.
Duke e komentuar ajetin 134 të të njëjtës kaptinë, autori i rreket
interpretimit të fakteve për vazhdimësinë e Shpalljes që merret vesh
nga teksti i ajetit të mësipërm. Në këtë kuptim auori do të theksojë se
Kur'ani shpallet në gjurmët e shpalljeve të mëparshme në formën e tyre
të mirëfilltë, duke konsideruar se ato shkallë të mëparshme të
shpalljeve formëjnë përgatitjen për përfundimin dhe plotësinë e
shpalljes që është arritur me Kur'anin. Ai gjithashtu konsideron se të
gjitha llojet e mëparshme të shpalljeve të shpalljeve i kanë përjetuar
dhe qetësuar të gjitha refleksionet e tyre shpirtërore në Kur'an, në të
vërtetë jo në kuptimin verbal, por edhe në atë substancial, që do të
thotë se në tekstin kur'anor nuk kanë hyrë në mënyrë integrale dhe
tekstuale tekstet e shpalljeve të mëparshme, por janë vetëm porosi
themelore nga sfera fetare, morale dhe ligjdhënëse të teksteve të
mëparshme të shpalljes të shkrira në shpirtin dhe natyrën e porosive
dhe ligjeve universale kur'anore. nëpërmjet faktit për vazhdimësinë e
Shpalljes autori zbulon edhe disa fakte të cilat janë relevante për
përmbajtjen e Kur'anit dhe për jetën e përditshme të besimtarëve
muslimanë, e këto janë: fakti për unitetin (njëjësi) e fesë, si traditë
primordiale fetare e cila është forma historike e arketipit të vet unik
metahistorik, pastaj fakt për unitetin e ligjit fetar i cili në çdo
çast historik e ka rregulluar jetën e çdo bashkësie të gjallë të
besimtarëve, pavarësisht se a i kanë takuar ata kohës së Ademit, Nuhut,
Ibrahimit apo Muhammedit a.s. Më në fund, nga vazhdimësia e Shpalljes
rrezaton edhe fakti për unitetin e pejgamberisë dhe misioneve
pejgamberike, me atë se çdo mision i mëparshëm pejgamberik në fund ka
qenë e shënuar me natyrën themelore të natyrës përfunduese,
pejgamberike të Muhammedit a.s., duke formuar në këtë mënyrë
përgatitjen historike dhe hyrjen për misionin e tij.
Duke e dhënë komentin e tij për vetë dukurinë e shpalljes, ç'është ajo
dhe në çfarë mënyre ngjan, autori thekson se shpallja në vetvete shpreh
një proces të vazhdueshëm të ngjarjes së asaj hyjnores që paraqitet në
dy lloje: si krijim i natyrës së paarsyeshme të krijesës, ku gjurmët e
shpalljes hyjnore i zbulojmë në faktin e vargut shkak-pasojë, dhe si
krijim i natyrës së arsyeshme të krijesës, respektivisht njeriut i cili
në një mënyrë paraqet vestigo Dei, gjurmën e gjallë të Zotit. Lloji
tjetër është shpallja e dhënë në shkrim apo në librin i cili mund të
jetë fryt i shpalljes së dyfishtë: diktimit të drejtpërdrejtë të
tekstit të shpallur të cilin Xhibrili (a.s.) e vulos në zemrën e
Pejgamberit si Vahj apo Revelatio, në të cilën mënyrë është shpallur
Kur'ani; frymëzimit të mëpastajmë të cilin shpirti Shpallës ia dhuron
hagiografit në kuptimin e Inspiratio-s, në të cilën mënyrë është
kodifikuar i tërë materiali biblik i Dhiatës së Vjetër e të Re.
Shpallja nën llojin e krijimit akoma vazhdon, thotë autori, dhe do të
vazhdojë deri në fund të kohës, ndërsa shpallja në llojin e librit
tashmë ka përfunduar.
Përfundim
Vepra e Dalliut në mënyrë burimore dhe të drejtpërdrejtë obligon. Në
dukje pamjaftueshëm koherente në tërësinë e përmbajtjes së saj, në
shumicën e teksteve e ngutshme dhe jokonsekuente, më së shpeshti e
thellë dhe provokuese, gjithnjë e sinqertë, e hapur dhe deri në
skajshmëri nxitëse, ajo nuk mund nga ndonjë anë neutrale të vlerësohet,
klasifikohet, rregullohet. Çdo përpjekje që do të nisej në atë drejtim
do të thoshte tradhtim i saj, ndërsa ai i cili në të do të kërkonte
konsekuence logjike, themel pozitivist do të dëshpërohet. Kjo vepër
presupozon standarde të tjera. Hafiz Ibrahim Dalliu nuk ka shkruar nën
hijet e tempujve të ideve të pastërta, dhe për ndonjë depo të shuguruar
(përkushtuar) të sistemeve, shkencave dhe mësimeve të pakundërshtueshme
ideore. Vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut buron nga jeta, si të thuash
kundër jetës dhe për jetën, me të cilin që nga rinia e hershme ka qenë
në shqyrtim të vazhdueshëm dhe të flaktë islamik. Shumicën e punimeve
të tija teologjika i ka shkruar në një frymë dhe pa u kthyer, si
përgjigje personale ekzistenciale dhe ideore ndaj sfidave të vetë
jetës. Ndërsa jeta kurrë nuk ka qenë logjike dhe konsekuente, aq më
tepër në ngjarjen e vet autentike kurrë nuk është kujdesur për
shabllonet dhe parashikimet pozitiviste. Tani më nuk e kemi të vështirë
të përfundojmë se vepra e shkruar e Dalliut qëndron në dritën e
interpretimeve të tij të Kur'anit, ndërsa interpretimi i tij i Kur'anit
i takon asaj lëvizjeje botërore të ringjalljes së Islamit i cili ka
filluar dhe është realizuar si vendosje e lidhjes së drejtëpërdrejtë të
muslimanëve me tekstin e Shpalljes së fundit të All-llahut xh.sh. Në
përpjekjet e veta që Kur'anin ta hapë për të kuptuarit e porosive të
tij, ai padyshim i takon plejadës specifike teologjike të rimëkëmbësve
të Islamit të asaj kohe, e rezultatet e veprimit të tij korrespondojnë
me veprimin e veprave të rimëkëmbësve të tjerë në anët tjera të botës
islame.
Vepra e Dalliut është e hapur e epokës së ringjalljes së Islamit. Mbase
nesër ajo do të tejkalohet nga ndonjë fazë tjetër në realizimin jetësor
të Islamit në trojet tona, ashtu siç tashmë janë tejkaluar veprat e
bashkëkohasve të tij në disa anë të botës islame nga kërkesat e
gjeneratave të reja muslimane, që ndërmjet Kur'anit dhe jetës të
ndërpritet ajo urë që e formojnë komentimet e Kur'anit, e ndërtuar me
vetë rimëkëmbjen e Islamit; të ndërpritet çdo ndërmjetësim mes Kur'anit
dhe jetës dhe ato të shkrihen në një lidhje të pastër e të plotë; që
Kur'ani aspak mos të intepretohet por, thjesht, të jetohet. Nëse kjo do
të ndodhte edhe tek ne, atëherë vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut me siguri
paraqet kontributin e parë për këtë e koha që do të mbetet pas asaj
periudhe të re do të mbetej e përhershme, e shënuar me atë vepër të tij.
Dr. Ismail Bardhi
HAFIZ IBRAHIM DALIU - ALBANIAN MUFESSIR
SUMMARY
Hafiz Ibrahim Daliu, Albanian mufessir born in Tirana, a renowned
theologist who gave great intelectuall, cultural and religious
contribution during his life.
Political, cultural and religious problems of his time, as well as many
wars that toke place then were factors that influenced the life of this
mufessir. This may be witnessed not only from his works, but also from
the unjustice done to him by leaving him forgotten.
The intelectuall work of this mufessir is consisted of original works
and translations from the Othoman and Arabic languages and especially
his translation of the Qur'an into Albanian language and its commentary
called Ajka e kuptimevet të Kur'ani Qerimit ("The Essence of the
Meanings of the Holy Qur'an"), that makes him alive forever. In this
commentary he uses the rational and traditional methods of tafseer,
with a high knowledge of this science, by creating a tradition of
tafseer within the range of the Albanian languge.
More information about the Alb-Islam mailing list |