Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Islam

[Alb-Islam] Fwd: [alb-muslimnews] RREZIKU "INTELEKTUAL"

olsi kosova at mailcity.com
Tue Dec 14 02:32:41 EST 1999


 
Begin forwarded message:



RREZIKU "INTELEKTUAL"


Fetarisht dhe njerëzisht është vulosur një e vërtetë nga Zoti i cili
thotë: "Veproni e Zoti e sheh punën tuaj"; "Zoti, Pejgamberi dhe
besimtarët do ta vërejnë punën tuaj"; "kini frikë Zotin e Zoti çdoherë
krijon rrugëdalje për ata të cilët i nënshtrohen Atij", ndërsa siç
dihet, ajo mbi të cilën duhet bazuar përgjegjësia intelektuale, pa
dyshim është e vërteta.
Natyrisht se duke qenë të liruar nga vendi, kombi apo rrethi
përgjegjësia më e madhe është ajo e intelektualëve, njerëzve të ditur.
Intelektualët janë forca kryesore e prezentimit të fuqisë krijuese dhe
zhvillimit të së mirës në përgjithësi. Kohëve të fundit kjo forcë
intelektuale është duke u paraqitur brenda kornizave të nacionalizmit,
ose të një etnikumi të përcaktuar, që vetvetiu i fut atë dhe dijen në
një "qorrsokak".  Në këtë drejtim me siguri ka pasur plotësisht të
drejtë Julijana Bendaja kur e ka paraqitur "tradhëtinë e
intelektualizmit". Mbyllja e intelektualizmit brenda këtij rrethi
momentalisht është duke zhvilluar një drejtim intelektual që tërësisht
i është larguar burimit të vet, por, në të njëjtën kohë, është duke
gjetur një satisfaksion në turmën. Domethënë manipulohet, keqpërdoret
fuqia e turmës, e cila i jep shenjtëri çdo gjëje, madje edhe të keqes.
Brenda gjithë kësaj ekziston një e vërtetë e heshtur që për çdoherë
ndjek mendjen, arsyen njerëzore dhe atë se njeriu asnjëherë nuk mund ta
mashtrojë vetveten, edhe pse është në gjendje të bëjë çmos që ta hudhë
vetveten në hapësirën e së vërtetës universale. Me një fjalë dijetari,
në gjuhën moderne intelektuali, ka përgjegjësi të madhe ndaj vetvetes
dhe ndaj të tjerëve, ndërsa shohim se ç'janë duke bërë intelektualët
sot: p.sh., ata vazhdimisht përpiqen ta fshehin vetveten, duke e fshirë
nga përdorimi termin "unë" dhe duke e zëvendësuar atë me "ne" dhe,
ç'është më e keqja të fshehur pas kësaj "ne" ata janë në gjendje të
bëjnë e trillojnë çmos. Ne shqiptarët e hapësirës së Ballkanit e kemi
përjetuar këtë për së afërmi: kujtoni paraqitjen e termave
irredentizëm, nacionalizëm, fundamentalizëm, makina "pjelljeje"...?
Këto vërtet eksploatoheshin nga politika ditore, por në rend të parë
fajin për këtë e kanë intelektualët. Kush është duke e paraqitur
superioritetin mbi kombet e ndryshme, duke e zhvlerësuar njërin e duke
e glorifikuar tjetrin? Është shkuar aq larg saqë janë përpiluar plane
që të vijë deri te shkatërrimi i kulturave dhe civilizimeve të
ndryshme, e deri te asimilimet në përmasa të globalitetit (S.
Huntington). "Intelektualët" pa taban të duhur intelektual janë në
gjendje të bëjnë çmos.
Tradhëtia/heshtja e intelektualëve është duke na përcjellur një kohë të
gjatë lidhur me heshtjen ndaj të vërtetës, humbjen e kritereve dhe
procesin e shpejtë në dhënien e titujve. (Paramendoni vetëm periudhën
disavjeçare të Universitetit në Prishtinë dhe trazirat së bashku me
varfërinë ekonomike të Universitetit të Tiranës). Unë këtë jam duke e
përjetuar në një mënyrë aq të paargumentuar saqë nuk jam në gjendje as
t'i përgjigjem për shkak të ironisë së madhe. Por, sinqerisht këtë e
kam pasur vështirë ta arsyetoj brenda përgjegjësisë së madhe
intelektuale, por fatkeqësisht "intelektualët" te ne vërtet luajtën rol
shkatërrimtar ndaj vetë fuqisë intelektuale dhe pastërtisë së saj.
Sa për intelektualët shqiptarë, pa dashur që t'i izoloj nga ajo
hapësirë më e gjerë intelektuale, por me dëshirë që ta analizoj edhe
vetveten, jam i detyruar t'i sjell disa momente nga kultura jonë. Te ne
intelektualizmi është duke kaluar nëpër fazat e veta më të tmerrshme,
duke filluar prej asaj të quajtjes së vetvetes intelektual dhe
sëmundjes së intelektualizmit, e deri te ajo e dhënies së rezultateve
të tyre. Ne lejuam interpretimin e historisë, në asi mënyre që
asnjëherë nuk është përputhur me realitetin, glorifikuam të kaluarën
ashtu që e lodhi të ardhmen; iu nënshtruam politikanëve të fëlliqur
"shqiptarë" dhe e harxhuam forcën e popullit (kujtoni enverizmin,
titoizmin, nanizmin...). Në këtë sërish vërehet "tradhëtia e
intelektualizmit".
Megjithëse kemi parasysh këto dobësi të mëdha ne përsëri lejojmë
sharlatantizëm brenda hapësirës intelektuale duke krijuar intelektualë
të profilit x vetëm për arsye se të tjerët e kanë, e pa përcjellur
ndonjë kriter të mirëfilltë intelektual. Kjo në të kaluarën disi
kalonte për shkak të "skamjes" universale të intelektualëve, por në
këtë kohë të globalitetit një gjë e tillë nuk kapërcillet.
Është fakt se "dija" dhe "inteligjenca" (jo vetëm diplomat dhe titujt)
janë konsideruar dhe akoma konsiderohen si "thesar kombëtar". Për atë
se sa sa vërtetësi ka në këtë mund të shkruhet, të analizohet në mënyrë
më të thuktë për t'u ardhur deri te një rezultat, por prapëseprapë
vetëm në atë mënyrë duke u bazuar në të kaluarën, në hapësirën e
naracionit apo "tregimologjisë". Thënë shkurt, e vërteta s'ka të bëjë
aspak me atë "kombëtare", kur kemi të bjmë me thelbin e
intelektualizmit dhe intelektualit. Madje edhe nëse 6 miliardë njerëz
në botë sot brohorisin se ashtu është, kjo prapëseprapë nuk është e
vërtetë. Këtë kanë mundësi ta bëjnë vetëm ata të cilët nuk i takojnë
kulturës universale.
Për fat të keq ky mendim kritik është duke kaluar në shprehi të
përhershme tek ne si një rregull dhe me të vërtetë njeriu i mençur has
në vështirësi ta refuzojë atë i ballafaquar me "forcën e shpejtë" të
doktorantëve, e kohëve të fundit edhe "ligjëruesve të nderit", a mbase
më vonë edhe "profesorëve të nderit". Është fakt se nuk jam kompetent
që të merrem me mbarë sistemin shkollor brenda shqiptarëve, por ajo që
shihet nga sytë e botës, nga sytë e njerëzve nuk është duke u pritur
ashtu siç duhet, dhe doemos akademitë tona këtë duhet ta kenë parasysh
dhe ta ngrisin zërin për ta ndaluar këtë nën-çmim që i bëhet kulturës
së shkollimit.
Unë si teolog nuk guxoj të hesht ndaj të vërtetës së shkollimit të
intelektualëve tanë ose të institucioneve tona më të larta siç është
edhe Fakulteti i Shkencave Islame te ne këtu në Shkup. Askush nuk na ka
faj që ne këtë institucion e harxhuam qysh para fillimit të tij e në
fund ngelëm pa kuadro të duhur. Natyrisht se këtu ekzistojnë arsyetime
të cilat mund të pranohen si të tilla, por poltronizmi dhe dëshira jonë
për të ngelur gjithmonë shërbëtorë të dikujt nuk pranohen sepse në atë
rast ne bëhemi shkatërrimtarë të së kaluarës dhe të tashmes. Me të
vërtetë është shumë vështirë të kesh punë me intelektualë fetarë të
lodhur, si nga ajo që quhet dije intelektuale, fuqi intelektuale,
lartësi intelektuale, krijimtari intelektuale e deri te ajo "kushte të
vështira sociale". Besoj se kësaj i duhet shtuar edhe mungesa e
kulturës fetare shtëpiake. Intelektualizmi ynë fetar në të kaluarën ka
kaluar brenda rreziqeve të lartshënuara, e problemi më i madh është
përse ai rrezik akoma mbetet i gjallë, e të kalojë në shprehi brenda
institucionit më të lartë fetar. Ekziston një rregull lidhur me të
rrezikuarit të cilët për ta evituar rrezikun instinktivisht çdoherë
ndërmarrin masat më të forta për mbijetesë, e ne si krijesa, si
intelektualë fetarë vetëm për hir të dallaverllëkut zbresim nën çdo
nivel, për ta marrë më në fund guximin e prodhuesve të "titujve". Kjo
assesi nuk mund të pranohet. Ne si përfaqësues të botës së
spiritualitetit, ashtu siç minatorët që nxjerrin floririn nga thellësia
e tokës, ashtu ne duhet t'i nxjerrim vlerat e çiltëra nga thellësitë e
shpirtit kolektiv, t'i lëvrojmë arat shpirtërore edhe pse asnjëherë nuk
jemi të sigurt se do t'i vjelim frytet. Ne duhet të jemi shërbëtorë të
resurseve intelektuale, e assesi të manipulimeve të ndryshme.
Intelektualët i lidh një mënyrë e veçantë e të menduarit dhe të
folurit, por ajo pikërisht i dallon dhe shquan nga të tjerët; ata nuk
thonë se çdo gjë e kanë të qartë, por çdo gjë që bëjnë është e drejtuar
në qartësimin e asaj që nuk është e qartë; rrallëherë pajtohen për
ndonjë gjë, por pikërisht kjo i dallon nga njerëzit e thjeshtë të cilët
e respektojnë atë që nuk përshtatet me shprehitë e jetës së përditshme;
ata gjykojnë, por rrallëherë dënojnë, sepse dëshirojnë ta kuptojnë edhe
atë që është kundër tyre; gjuha e tyre nuk është vetëm profesionale dhe
nuk kufizohet vetëm në njohjen e gjërave por edhe në shprehjen e
shpresës; ata mendojnë se vlera e një mendimi është e pavarur nga
statusi shoqëror i mendimtarit, por i humbin pozitat e veta për shkak
të mendimeve të tilla; ajo që ata mbajnë në shpirt nuk mund të vendoset
në realitet; ajo është diç më tepër se realiteti - mbase dita e nesërme
e botës.
Gjyqi para të cilit ata përgjigjen është ndërgjegjja e tyre; nuk ikin
nga përgjegjësia, por nuk e dijnë përse duhet të përgjigjen, meqë
paraprakisht nuk e dijnë rezultatin e asaj që e bëjnë; nuk janë kundër
rendit, por dëshirojnë që ai rend të mbështetet mbi të vërtetën dhe
domethënien; ata kanë frikë nga sistemet autoritare, por i gëzohen
autoritetit racional; e vërteta është autoritet i vetëm, ndërsa
adhurimi i autoriteteve të tjera nuk është e vërtetë; janë modestë para
të vërtetës, ndërsa të mëdhenj para përgjegjësisë ndaj së vërtetës;
flasin publikisht, por një pjesë e fatit të tyre është që të kuptohen
gabimisht; për ta mbikëqyrëse është ndërgjegjja e tyre, prandaj edhe
mendojnë ashtu siç nuk është e domosdoshme; nuk janë dogmatikë në
filozofinë e tyre, prandaj edhe nuk mund të jenë autoritarë në
politikë; kur të fuqishmit i largojnë nga jeta politike, ata nuk e
konsiderojnë veten si të larguar, por si të zgjedhur; nuk kanë
pushtet/fuqi por i shfrytëzojnë aftësitë krijuese të cilat ofrojnë
pozitë anësore në jetën shoqërore; mendojnë se mjafton ta arsyetojnë
jetën e vet nëse zbulojnë ndonjë të vërtetë për jetën; shpesh
revoltohen, por revolta e tyre është më tepër estetike e morale sesa
ideologjike e politike; revoltohen edhe kur e kanë mirë, meqë e dijnë
se njeriu nuk është patjetër të jetë i mirë nëse e ka mirë; mund të
kenë çdo gjë, por sërish janë të pakënaqur, sepse burimi i pakënaqësisë
së tyre është në natyrën e thirrjes së tyre, e jo në posedimin apo
mungesën e ndonjë gjëje. Gjithë këtë bukuri të intelektualit,
titullarët e sotëm janë duke e harxhuar vetëm për hir të "mendjes së
robëruar".
Gjatë tërë historisë intelektualët që i kanë shërbyer politikës ditore
ose institucioneve duke e fshehur të vërtetën gjithmonë kanë qenë të
rrezikshëm. Hapësira jonë ballkanike, e madje edhe më gjerë evropiane,
lirinë dhe përgjegjësinë intelektuale, si dhe politikën, e ka të
kuptuar krejtësisht ndryshe në krahasim me atë se ç'po ndodh në vendet
arabe. Jam i detyruar të mendoj kështu duke pasur parasysh
intelektualët fetarë të proviniencës islame të cilët kemi qenë
përçdoherë në kontakt me vendet në fjalë, dmth., që kemi studiuar atje.
Vallë a ekziston mundësia që disa dukuri të atjeshme të prezentohen
edhe në këtë mentalitet që nuk është në gjendje të pranojë mentalitetin
e "poltronisë"? Për këtë argument është vet pozita e "lirisë", e
intelektualëve në ato vende që për ne janë krejtësisht alogjike. Ne nuk
mund ta pranojmë mentalitetin që intelektuali politikanit apo
përgjegjësit të vet t'i thurrë poezi e t'i shkruajë ese; ne i takojmë
hapësirës ku vetë e krijojmë lirinë dhe vetë e vrasim vetveten. Rreth
kësaj nuk kam ndërmend të ndalem megjithëse është një moment rreth të
cilit mund të bëhen studime bashkë me baticat dhe zbaticat e saj.
Institucionet akademike, e besoj se Fakulteti i Shkencave Islame është
i tillë, te ne është mirë të merren me atë "sot" dhe "nesër" e të
ndjekin kriteret e duhura përkatëse, e assesi t'i ndjekin shprehjet
"meqë s'kemi, jemi të detyruar të shpikim". Dimensioni i përgjegjësisë
i intelektualëve tanë ndaj kësaj çështjeje është shumë i madh. Sot
shumë qendra të këtij lloji në hapësirën e Evropës, dhe atë jo vetëm të
proviniencës islame por edhe të tjera, kanë role të veçanta,
përgjegjësi të madhe në përmirësimin e gjendjes së fetarëve dhe
prezentimit të tyre në dimensionet më të larta shtetërore. Mu për këtë
arsye ata kanë vendosur rregulla rigoroze akademike. Përpos kërkesës që
kanë ndaj përcjellësve të studimit me kulturën e gjerë në kohën e
fundit janë bërë përafërsisht domosdoshmëri edhe gjuhët e huaja, jo
vetëm për ata të fakulteteve, por edhe për ata të cilët u takojnë
shkallëve më të larta akademike. Me të vërtetë është e pamundshme të
shpjegohet dukuria se kush është duke u dhënë mësim studentëve tanë
duke ditur se nuk pranohen nënshkrimet e atyre të cilët nuk i
plotësojnë normat akademike, që don të thotë  se studentët tanë
ardhmërinë e kanë në vakum. Kjo ndodhi me fakultetin, por keqpërdorimi
i ndarjes së titujve akademik, qoftë edhe ato "nderi", është
përgjegjësia jonë më e madhe. Me një fjalë, si duket kjo shoejtësi e
shkollarimit ka lënë zbraztësi të mëdha brenda kulturës shtetërore,
akademike, institucionale e sidomos fetare. Ndarja e titujve, e
diplomave është bërë dukuri e cila po kalon nëpër një fazë të cilën
asnjëherë dhe askush nuk do të mund ta pranojë. Tekefundit
intelektualët nuk janë ata që ndajnë diploma dhe tituj me
propozime/vendime. Si duket është duke u vërtetuar thënia e filozofit
F. Muhiq se intelektualët janë ata të cilët më së shpejti shiten.
Nuk e di se si do të kuptohet kjo duke meqë jam i vetëdijshëm se për të
shkruar kështu duhet të jem mbi këto, e për fat të keq nuk jam. Por,
megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk jam duke e vërejtur rrezikun.
Intelektuali nuk guxon të shitet, intelektuali nuk jep nota për hir të
kombit, intelektuali i shërben vetëm qëllimeve më të larta të
dimensionit qiellor dhe përfaqëson popullin në formën më të mirë.
Vetëm intelektualët me frymë të pastër dhe dije të thellë janë thesar i
çdo populli. Ata nuk lejojnë të manipulohen e aq më pak të jenë
shërbëtorë të dikujt - ata janë larg çdo kritike.


Shkup, 17.10.1999 							      Dr. Ismail Bardhi








More information about the Alb-Islam mailing list