Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Islam

[Alb-Islam] VROJTIM GJENDJES SË TEOLOGUT MUSLIMAN SHQIPTAR

Olsi olsi at rocketmail.com
Sun Dec 12 21:19:52 EST 1999


Dr. Ismail BARDHI

 

VROJTIM GJENDJES SË TEOLOGUT MUSLIMAN SHQIPTAR

 

Logos-A

Shkup 1998

 

VROJTIM GJENDJES SË TEOLOGUT MUSLIMAN SHQIPTAR

"All-llahu i Madhëruar nuk do t’ua marrë (njerëzve) dijen në atë mënyrë që do t’ua nxjerrë nga shpirtrat e tyre, por do ta marrë ashtu që do të bëjë të vdesin të diturit, pas së cilës në Tokë nuk do të mbetet asnjë njeri i ditur i cili do t’u bëhej imam. Atëherë njerëzit vetes do t’i marrin për imamë injorantët dhe do t’u shtrojnë pyetje të ndryshme fetare, kurse ata do t’u përgjigjen (japin fetva) pa dije përkatëse, me çka botën do ta lajthisin dhe vetveten do ta shkatërrojnë". 

(Hadith)

 

Teologjia është temë e rëndësishme dhe për çdoherë ka luajtur një rol shumë me përgjegjësi në formësimin e qenies njerëzore dhe kulturës në përgjithësi. Por, për fat të keq, jam i detyruar që këtë çështje shumë të rëndësishme që në fillim të shkruaj në mënyrë të një ankimi për teologun e hapësirës sonë, sepse më duket se në aspekt të kulturës teologjike jemi tejet të varfër, në fakt ‘të pastrehë’. Mbase do të ishte më së miri të thuhet të privuar, duke pasur parasysh historinë tonë përplot me emra të njohur të teologëve, të cilët kanë kontribuar edhe në kushtet shumë të vështira, si në hapësirën e teologjisë, ashtu edhe në atë të kulturës në përgjithësi, edhe pse kemi qenë tepër "importues", kemi shkruar me gjuhë "të huaj".

Është me rëndësi të kihet parasysh edhe çështja e teologëve tanë gjatë historisë - ata nuk ishin origjinalë; pse i braktisën trojet tona, pse shkruan në gjuhë "të huaj", pse lejuam që teologu ynë të jetë i varur nga faktorët e jo-teologjisë; pse lejuam që respekti ndaj teologut të komercializohet ose të humbet fare, pse u lejua që fuqia e teologëve tanë të bëhet vetëm fuqi eskatologjike e kështu me radhë.

Dëshirova që të dalin nga harresa emrat e teologëve tanë nga enciklopeditë dhe shënimet e vjetra të bashkësive fetare ose nga analet e shumta ku figurojnë emra shumë të rëndësishëm për të cilët mund të vërehet qartë se i takojnë kësaj hapësire! Nëse këta emra kanë qenë të detyruar të shkruajnë në gjuhë tjetër, "të huaj", a thua vallë gjuha jonë nuk ka qenë në gjendje ta përballojë shkrimin, ose ka qenë "e varfër" dhe "e panjohur" për ta? Nëse kanë qenë të detyruar të ngelin larg vendlindjes, vallë më tepër i kanë preferuar kushtet e mira apo katedrat universitare sesa të mbeten të pavërejtur në vendin e vet? Natyrisht, neve dhe çdo gjenerate i takon kryerja e obligimeve të veta, duke pasur parasysh edhe lëshimet e mëparshme, të cilat eventualisht figurojnë në shkrimet tona dhe fjalorin tonë; jo vetëm se kjo, por neve jemi të detyruar të mendojmë seriozisht si teologë të një populli, ose si "njerëz të shenjtë" të popullit, të mendojmë për përmirësimin e përgjithshëm dhe për përgatitjen për të ardhmen, duke iu përgjigjur asaj me tërë rreziqet që kanë mundësi të ndodhin, si në aspektin e religjiozitetit të individit ose masës, po ashtu dhe kulturës së popullit.

Edhe pse e kaluara jonë figuron përplot me emra të shquar të kulturës fetare ose teologë me nam, ne sërish nuk guxojmë të jemi të kënaqur vetëm me emrat dhe veprat e tyre, si ato të Hoxhë Tahsinit, Vehbi Dibrës, Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ibrahim Dalliut, Mulla Idrizit, Sherif Ahmetit, Ataullah Efendiun, Abdulfetah Efendiun etj. Ne medoemos jemi të detyruar dhe të thirrur fetarisht, moralisht, shtetërisht në vazhdimin e veprave të tyre të mëdha, në mënyrë që të zëmë hap me kohën prapa së cilës kemi mbetur mjaft, me imperativin që të ndikojmë në formësimin e së tashmes dhe ardhmërisë. Por, është mirë ta kemi parasysh një pyetje se çfarë janë përpjekjet tona që t’i përgjigjemi imperativit të kohës së tashme dhe kornizës hapësirore.

Me këtë shkrim assesi nuk guxoj, e as që kam të drejtë, të merrem me vetë fillimin e kësaj teme, nga vetidentifikimi ynë fetar, etnik dhe gjuhësor, sepse për formësimin e këtyre çështjeve para nesh kanë kontribuar teologët e mëparshëm. Në mënyrë që sa më mirë të mund të vlerësohej gjendja e teologut në kohën tonë, është me rëndësi të merren parasysh situata historike, strukturat shoqërore dhe mjedisi kulturor.

Së pari do të filloja me vetë terminologjinë fetare dhe fjalorin teologjik, i cili për fat të keq nuk është përpjekur të pasurohet me terma shumë të qëlluar dhe përplot metafizikë. Më duket se kjo do të zgjaste edhe më tepër po mos të ngjanin ndryshimet e tilla rrënjësore jo vetëm në botë, por edhe në vetë "korpusin teologjik", me të cilin ajo është në unitet të ngushtë, si p.sh. problemi i përkthimit të Librit të Shenjtë, Fjalës Hyjnore, lingua sacra-së, fanatizmit teologjik dhe fuqisë që e kaluara të jetë në disponim për t’iu përgjigjur së ardhmes dhe atë duke u izoluar në një vetmi shumë të çuditshme, me një diferencim të panjohur edhe për rrethin e ngushtë të vetë jetesës, të rritjes dhe të vdekjes. Kjo për shkak se teologjia nuk mund të prezentojë teologji të ndryshme në aspektin e kulturës dhe jetës sociale. Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera natyrisht ka bërë përpjekje t’u përgjigjet udhëheqja fetare, por çdoherë që kjo udhëheqje është treguar e dobët janë vërejtur shumë lëshime të cilat vështirë se mund të përmirësohen. Udhëheqja fetare ose teologu shqiptar i cili e ka një histori shumë të vështirë si ajo e kaluara, e sotmja po ashtu edhe e ardhmja, është i detyruar të mendojë mbi krijimin e një vetëdijeje shumë të lartë të popullit, si në krijimin e vetëdijes shtetërore dhe një kulture fetare shtetërore që do të ketë mundësi së paku t’i përgjigjet rrethit ku jeton.

Ata nuk janë hiç më pak të brengosur nëse paraqitet madje edhe diçka e vogël dhe e re, me të cilën nuk janë mësuar, sepse kjo do të mund të ishte një rrënim subtil i fesë islame. Është vështirë të thuhet se në çdo gjë për shpëtim duhet thirrur në traditë dhe a është e përshtatshme që çdo traditë të inkorporohet në realitetin e sotëm. A është për ne kompetente praktika e vjetër e teologjisë, kur kemi të bëjmë me një fe e cila i prezentohet njeriut në mënyrë evolutive. 

Shumica në paraqitjen e çdo risie në teologji shohin vetëm dyshim dhe mosbesim, çdo vërejtje ndaj kierarkisë, të ndjekur me dëshirë të sinqertë që bashkësinë e vet fetare ta ndjejnë sa më të mirë, e shohin si rebelim ndaj autoritetit dhe e vlerësojnë si këputje të unitetit fetar dhe mashtrim të besimtarëve. 

Sigurisht se fakti për ekzistimin e të kuptuarit të tillë vështirë do të mund t’i ndalojë forcat përparimtare që të qëndrojnë në rrugën e tyre, por kuptimet e tilla janë tregues se akoma nuk i kanë braktisur shprehitë apologjete dhe polemike të cilat vërehen edhe në shtypin tonë. Gjendja e këtillë në masë të madhe ka qenë e kushtëzuar me trashëgiminë intelektuale, shoqërore, politike e kulturore.

Natyrisht, teologjia muslimane e ka tërësinë e vet, që dtth. se edhe teologjia shqiptare e proviniencës islame ka të drejtë të ketë si bazë një qendër të përgjithshme e cila momentalisht është andej fuqisë së dukshme, sepse ne momentalisht nuk kemi një qendër të zyrtarizuar për teologji, meqë konsiderohemi si gjeneratë e asaj të ashtuquajturës post-halifate. Institucioni i hilafetit është shumë i rëndësishëm si për çështjet teorike, ashtu edhe për ato praktike të teologjisë. Ndërprerja e tij bëri margjinalizimin edhe të teologjisë shqiptare që ajo sot të jetë në një varfëri intelektuale teologjike, për shkak se në rrethanat e reja u bënë përpjekje që me të gjitha mjetet të zvogëlohet ose të shtrembërohet çdo vlerë njerëzore në drejtimin e dëshiruar. Teologjinë jomuslimane e ka ndjekur përçdoherë qendra me përkrahje materiale dhe politike për zhvillimin e mëtejmë të saj.

Në rrethanat e atilla ku është në pyetje ekzistenca jetësore si dhe ajo fetare, kulturore dhe mëvetësia kombëtare, kultura më e lartë shuhet. Natyrisht, në atë rast nuk mund të themelohen institucione kulturore dhe të ngriten qendra universitare. Mbetëm pa shkollat teologjike, pa të cilat suksesi individual është jetëshkurtë. Përveç kësaj, vendet udhëheqëse politike e fetare ishin në shërbim të të tjerëve, ateistëve, që teoretikisht nuk i takonin teologjisë, besimit, sepse bënin mohimin e tyre. Udhëheqësit me përgjegjësi të lartë formonin një forcë centraliste konzervative e cila ngulfatte çdo liri shpirtërore, saqë ajo erdhi dhe u bë shprehi përcjellëse e punës së udhëheqjes teologjike. Kjo është vërejtur si në aspektin e mendimit ashtu edhe në atë të formës së jashtme të teologut.

Nëse pak mundohemi që në një mënyrë reale ta vështrojmë çështjen e prezentimit ose kur’anizimit të besimtarit, thënë konkretisht, fetarizimit ashtu siç i takon një feje me burimet e veta, atëherë do të na bëhet e qartë se teologu duhet flijuar shumë për konkretizimin e asaj për çka thërrasin vetë Kur’ani dhe praktika e Muhammedit a.s.. Fatkeqësisht, këtu është e mundshme të prezentohen momente shumë të dëmshme për vetë ekzistimin e qendrës teologjike, natyrisht të vetë teologut, kur shohim se teologu të gjithë aktivitetin e vet e sheh ose e zhvillon nëpërmjet asaj që quhet pagë ose interes shumë të kufizuar. Ilustrim i gjallë për këtë është se çdo shërbim fetar bëhet nëpërmjet peshojës së pagesës. 

Mirëpo, ne duhet ta pranojmë një realitet të tillë por edhe fuqishëm të punojmë në ndryshimin e tij, ajo që e kemi arritur deri tani është e pamjaftueshme, por vërehet përparim dhe aktivitet. Po ta bëjmë krahasimin mes gjeneratës hilafetiane dhe pas-hilafetiane edhe pesimistët më të mëdhenj mund të jenë të kënaqur për suksesin e arritur brenda një periudhe të këtillë kohore, por nuk duhet harruar se ne zhvillimin e teologjisë sonë muslimane shqiptare është mirë ta ndjekim duke parë edhe teologjitë e proviniencave të tjera, si asaj katolike ashtu edhe ortodokse. Në krahasim me këto, teologjia muslimane tek shqiptarët është në fazën fillestare të zhvillimit, sepse praktika e saj ka qenë prezente, por aspekti i zhvillimit të saj intelektual teorik fare nuk është vërejtur. Teologjia shqiptare prej vitit 1935 e deri nga viti 1988 krejtësisht ka qenë "e pensionuar"; kjo paraqet një periudhë relativisht të gjatë kohore, e cila lë pasoja shumë të dëmshme për kulturën fetare, jo vetëm se për vetë këtë kulturë, por edhe për kulturën në përgjithësi, të cilën për çdoherë do ta shohim konfrontuese. Gjatë gjithë kësaj kohe në aspektin e fjalës së shkruar vërejmë vetëm revistën "Edukata islame", e cila në mënyrë sistematike është botuar nga Ulemaja e Kosovës, por pa pasur asnjë shtëpi botuese fetare.

Lëshimi i tillë edhe pse ka mundësi të arsyetohet, diçka që është bërë traditë "qyqare" te ne, megjithatë duhet ditur se koha e kaluar nuk kthehet, kurse ajo vetëm zhvillohet dhe për çdo sekondë bëhet kohë e re. Nuk do të ishte e arsyeshme, e assesi intelektuale, të thuhet se "dje nuk kam ditur!?!", por për çdoherë thuhet "nuk di!". Teologjia jonë është rrotulluar mes asaj "nuk kam ditur" dhe "nuk di", disi koha e ardhshme e teologjisë krejtësisht është duke u zhvilluar me atë të kaluarën. Me të vërtetë është vështirë të depërtohet në ardhmëri me një mentalitet teologjik të llojit prezent. 

Në kohën kur teologu në përgjithësi është figurë me peshë në botë, ku propozimi i zë vend të rëndësishëm me një imunitet specifik teologjik, teologu i proviniencës islame momentalisht lejon zbraztësira të harresës dhe dobësive që fare nuk zënë vend në kulturën as shtetërore e as fetare. Kjo do të thotë se teologu musliman shqiptar ka nevojë që të mendojë dhe të krijojë kushte të volitshme për zënien e vendit të duhur dhe së bashku me teologët e proviniencave të tjera t’i ndihmojë kulturës dhe civilizimit në përgjithësi.

Me rëndësi të madhe është të theksohet se ndër aktivitetet intelektuale teologjike dhe kulturore në përgjithësi paraqesin përkthimet e Kur’anit të bëra aty nga fundi i periudhës së lartpërmendur, me çka u hap një horizont shumë i gjerë dhe mundësi e shpejtë si për leximin e teologjisë, ashtu edhe për zhvillimin e saj në një mënyrë më të shpejtë. Për këtë punë të shenjtë natyrisht përkthyesit janë renditur në radhët e "dëshmorëve" të teologjisë muslimane shqiptare. Teologu shqiptar këtyre punëtorëve për çdo herë do t’ua ketë për borxh. 

Por, vetëm përkthimi i Fjalës së Zotit nuk është i mjaftueshëm madje as për vetë Fjalën e Zotit; kjo ka historiatin e vet të Mus’hafit, shkencën hyrëse të saj dhe hermeneutikën me një histori shumë të gjatë.

Kam përshtypjen se teologjia muslimane shqiptare nuk është treguar aq fleksibile dhe atë duke u bazuar në vetë mundësitë e bazamentit fetar, që i garanton siguri ardhmërisë, leje për punë e kështu me radhë. Por, ajo është ndalur duke e harruar funksionin e vet, sidomos në hapësirën e vet gjeografike dhe historinë e saj të mëparshme, ka lejuar që ajo vetvetiu të zhvillohet dhe vetvetiu të lërë zbraztësi pa pjesëmarrjen e saj. 

Koha jonë është kohë për të cilën në shkrimet tona përdoret termi "bashkëkohore", natyrisht këtu vjen në shprehje teologjia jonë, e cila duhet të merret me problemet bashkëkohore të teologjisë, ku do të krijohen emra të teologëve që do t’i përgjigjen kohës. Ajo përsëri po ndalet në veprimin e vet të dogmatizuar, duke u kthyer në bazën e vet dhe atë kohësisht të quajtur "shumë kohë më parë". Me këtë kurrsesi nuk mendoj, e as që kam të drejtë intelektuale, t’i apostrofoj burimet fundamentale të fesë dhe t’i shoh ato si të tepërta për kohën tonë, por vetëm shkoj nga ajo që jeta e besimtarit të jetë bashkëkohëse.

Por, sot "udhëheqja teologjike" vëren se nuk ekzistojnë zgjidhje të sigurta dhe të përhershme dhe kjo e detyron në hulumtim dhe lëvizshmëri, e njëkohësisht edhe në mbështetje në shpirtin e Librit të Shenjtë. Prandaj, ajo nuk lejon më zgjidhje thjeshtësuese të së vërtetës, e cila është transcendente dhe e tejkalon çdo shprehje dhe çdo të kuptuar. Që këtu rrjedh se çdo qasje ndaj të vërtetës mund të përkryhet. Përveç kësaj, Zotin dhe të folurit për Të kurrë nuk mund deri në fund ta njohim. Prandaj, vij deri te përfundimi se ka kaluar koha e sjelljes së dogmave, ato nga këndvështrimi psikologjik parashohin kuantum të njëjtë të besimit, dijes dhe pasqyrimit, gjë që është problematike, ashtu që teologjia muslimane shqiptare do të lejojë zgjerimin e saj me vetë prezentimin e temave të ndryshme si nëpërmjet interpretimit gojor, ashtu edhe me anë të fjalës së shkruar.

Tek teologët tanë vërehen mendime të ndryshme se në ç’drejtim duhet të niset teologjia jonë e sotme. Edhe pse nuk ka shumë shkrime burimore të cilat i përkasin mentalitetit tonë dhe shkrimit tonë etnik, sërish mund të vërehen mendime kundërshtuese kur bëhet fjalë për fenë, për shkak se disa thrrasin në racionalizimin e saj, në dogmatizimin e saj, në metafizikën e saj e kështu me radhë. Natyrisht se me këtë nuk mëtoj ta jap definicionin e fesë, sepse ajo për çdoherë është në gjendje ta ruajë gjallërinë e saj dhe të jetë gjithmonë mbi çdo interpretim, që diç të mbetet e pathënë. Por, prezentimet kundërshtuese që nuk i takojnë spekulimit mendor lejojnë që të krijohet një hamendje dhe disharmoni tek besimtarët. Kjo mund të vërehet kur bëhen krahasime mes atyre "të tjerëve" dhe besimtarit, p.sh., besimtari disa herë ka qenë në dilemë: të arsimohet apo mos të arsimohet; për çdoherë i prezentohet "hallalli dhe harami" në një mënyrë konfuze.

Teologjia jonë ndodhet para problemeve të shumta për të cilat me të vërtetë duhet një koordinim teologjik intelektual me edukatë profetike, që do t’i përgjigjej kohës e cila do ta përgatisë besimtarin se si ta pranojë dhe ta refuzojë atë që do t’i paraqitet, si p.sh., "revolucionin shkencor", "revolucionin seksual" dhe "revolucionin e filozofisë shkencore", ose "tmerrit të metafizikës" në kohën e sotme.

Teologjisë sonë këto tema nuk guxojnë t’i jenë të huaja, sepse njeriu nuk është i huaj për to. Çdo gjë me të cilën ballafaqohet njeriu, me atë duhet ballafaquar edhe teologjia jonë, prandaj sot nuk janë hiç më pak interesante këto pyetje sesa ato skolastiket, si: natyra njerëzore, mëshira, liria, paracaktimi etj. Aq më tepër, do të thoja se ato sot janë me jetike se kurdoherë më parë. Në të vërtetë teologjia jonë duhet të merret me njeriun dhe me ekzistimin e tij të tërësishëm, të cilin sot duhet vlerësuar sa më mirë, kur dihet se janë duke u paraqitur disa "mendime" të cilët në çdo gjë shohin dështim dhe pashpresë.

Këto ndjenja gjithnjë e më tepër po paraqiten nëpër qarqet e inteligjencisë së mesme dhe të lartë, disa herë me qëllime të mira. Në marrjen me njeriun dhe preokupimet e tij teologjia nuk guxon të kalojë në skajshmëri të tejtheksimit të horizontales dhe lënies pasdore të vertikales: edhe njëri edhe dimensioni tjetër duhet ta gjejë pjesën e vet.

Që këtu detyra të reja teologjisë sonë bashkëkohore që edhe më tepër ta studiojë atë që ia mohon bota e sotme, që këtë pasuri t’ia paraqesë në mënyrë të kuptueshme botës së sotme, por jo me qëllim që që në fillim e mbyllur në vete dhe në mënyrë abstrakte t’i zgjidhë problemet thelbësore të së sotmes, pa iu kthyer realitetit. Në rast se teologjia nuk e kupton rolin e saj dhe nuk e interpreton në rregull atë që Zoti ia ka besuar, përherë do të paraqiten kundërshtues të cilët në masë të madhe do t’i "shërbejnë" asaj. Pikërisht sot duhet kthyer fesë së Zotit, i Cili jo vetëm se ka krijuar çdo gjë, por edhe që pandërprerë krijon dhe i Cili në fund do të na ofrojë çdo gjë të re, si dhe shpresës në të cilën Kur’ani pandërprerë në porosinë e tij e thrret besimtarin dhe i jep forcë.

 

Ismail BARDHI

A GLANCE ON THE SITUATION OF THE ALBANIAN MUSLIM THEOLOGIST

SUMMARY

Among the Albanians one destructive factor has always supervised and followed every movement of these people. This factor has never revealed its plans nor has it uncovered itself, but it has always tried to realise its goals both on political as well as in cultural aspect, so depriving the Albanian Muslim theologist from his excellent history that belongs to the teologist himself in the vocabulary as well as in life. Albanian Muslim theologist has never responded on time to the questions of theology and believers. Presently, the Albanian Muslim theology has not any determined plan that would supervise the theological and cultural issues of the people. This doesn’t mean that Albanian Muslim theology had no prominent names in the past and today, but they were always marginalized by the internal factor of the Albanian ethnicum.

 

 


---------------------------------
Do You Yahoo!?
Thousands of Stores. Millions of Products.  All in one place.
Yahoo! Shopping.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the Alb-Islam mailing list