List: Alb-Islam
[Alb-Islam] Shqip: "FILOZOFIA E AGJERIMIT DHE RREGULLAT E TIJ", nga DR. MUSTAFA SIBAI
Mentor Cana
mentor at alb-net.com
Sat Dec 11 21:56:43 EST 1999
DR. MUSTAFA SIBAI
FILOZOFIA E AGJËRIMIT
DHE RREGULLAT E TIJ
Shkup
1414/1994
Biblioteka Mendimi Islam
Titulli i origjinalit:
Botuar nga:
El-Mektebul-Islami
Bejrut - Damask
1986
Përktheu:
Muhamed Mustafa
CIP-Katalogizacija vo publikacija
Narodna i univerzitetska biblioteka Kliment Ohridski, Skopje
297
SIBAI, Mustafa
Filozofia e agjërimit dhe rregullat e tij / Mustafa Sibai ;
[përktheu Muhamed Mustafa]. Shkup: Logos-A, 1414 [i.e.] 1994.
110 str. ; 20 cm
(Biblioteka Mendimi Islam)
Prevod na deloto: Ahkamus-sijamu ve felsefetuhu.
a) Islam
HYRJE
I falënderohemi Zotit, Atij i mbështetemi dhe prej Tij kërkojmë
mbrojtje nga dëmet e epsheve tona dhe nga veprat e këqija. Atë që e
udhëzoi Zoti nuk humbë e atë që e humbë s'ka kush ta udhëzojë.
Dëshmoj se s'ka zot tjetër pos All-llahut xh. sh. dhe se Muhammedi
është rob dhe i dërguar i Tij!
Muaji i Ramazanit është një nga periudhat më të rëndësishme prej
periudhave të mirësisë sepse në të pastrohen shpirtrat, afrohen zemrat
ndaj Krijuesit të tyre, hapen dyert e parajsës, shtohet mirëbërja, i zbriti
Kur'ani Famëlartë Muhammedit a.s., pejgamber si udhëzues për
njerëzit, dallues mes të mirës e të keqes, udhërrëfyes kah mirësia dhe
dallues i rrugëve të humbjes e të keqes... Zoti e bëri Kur'anin
kushtetutë të përhershme deri në Ditën e gjykimit dhe ai që e përcjell
atë shpëton ndërsa ai që i refuzon udhëzimet, dritën, lejimet dhe
ndalesat e tij humbë jo vetëm në këtë botë por edhe në botën tjetër.
Zoti e obligoi agjërimin e Ramazanit, ia përshkroi vetes së Madhëruar,
shpërblen agjëruesin, realizon premtimin dhe bujaria e Tij s'krahasohet
me asgjë.
Që të pranohet vepra e mirë, njeriu duhet ta kuptojë çanësimin,
parimet dhe rregullat, gjegjësisht nëse dëshiron të praktikojë mënyrën
e drejtë sipas rregullave që i caktoi All-llahu xh.sh. për robin e Tij me
dëshirë të plotë e të lirë. Kjo gjë kushtëzohet me njohjen e ajeteve të
shpallura dhe haditheve të Muhammedit a.s.
Dijetarët tanë prej të kaluarës së hershme e deri më tash janë orvatur t'i
sqarojnë rregullat e agjërimit dhe obligimet tjera duke i paraqitur anët e
shumta pazitive të tyre, Zoti i shpërbleftë të gjithë. Njëri prej dijetarëve
të fundit është edhe Shejh Mustafa Siba'i (Zoti e mëshiroftë) i cili
shkroi një numër të madh artikujsh në të cilët ka diskutuar rreth
rregullave të agjërimit, ka komentuar disa ajete e hadithe të agjërimit,
ka ligjëruar rreth udhëzimeve të Muhammedit a.s., dy festave të
bajrameve, sadakatul fitrit (kontribut i obligueshëm), zekatit, israsë,
miraxhit etj.
Këta artikuj janë përmbledhur në këtë libër dhe kanë të bëjnë me
këshillime e fikh edhe atë sipas metodës së tij të njohur (Zoti e
shpërbleftë dhe e mëshiroftë).
Tash na u bë e mundur (me ndihmën e Zotit të Madhëruar) që t'ua
ofrojmë lexuesve tanë këtë botim duke iu lutur All-llahut xh.sh. ta
pranojë këtë mund e ta shpërblejë autorin, të na i falë mëkatet tona e të
tij dhe ky popull të ketë dobi nga trashëgimia e të parëve tanë si dhe të
na rikthehet fama dhe autoriteti i humbur.
Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
BOTUESI
PJESA E PARË
1. Ajetet e agjërimit
2. Hadithet e agjërimit
3. Hadithet e Bajramit
4. Udhëzimet e Muhammedit a.s.
rreth agjërimit dhe dy bajrameve
5. Rregullat e agjërimit
6. Sadakatul-fitri (dhënia lëmoshë)
AJETET E AGJËRIMIT
"O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte
obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të
devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i
sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le
të agjëroj) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të
agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të
varfëri e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te.
Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të
numëruara janë) Muaji i Ramazanit, që në të (filloi të) shpallet
Kur'ani që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së
drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton
prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose
në udhëtim, le të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme. All-llahu
me këtë dëshiron lehtësim e jo ngarkim për ju. (T'i agjëroni ditët e
lëshuara më vonë) që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun
për atë se ju udhëzoi dhe që ta falënderoni." (El-Bekare:183-185)
"Netëve të agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë
prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. All-llahu e di se ju e keni
mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin dhe ua fali gabimin.
Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar
All-llahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga
peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësone deri në mbrëmje. E
kur jeni të izoluar (në i'tikafë) në xhamia, mos iu afroni atyre (për
marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i
kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë All-llahu ua sqaron
njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen." (El-Bekare:187).
HADITHET E AGJËRIMIT
A. Vlera e agjërimit:
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush agjëron Ramazanin me bindje dhe kënaqësi, i falen
mëkatet e bëra." (Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi).
Transmetohet nga Ebu Se'id el-Hudrij se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush e agjëron Ramazanin, i njeh rregullat e tij dhe mbrohet nga
ajo që duhet të mbrohet, i falen mëkatet e bëra." (Bejhekij dhe Ibn
Hibban).
Transmetohet nga Xhabir ibn Abdil-lah se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Ummetit tim i janë dhuruar pesë gjëra në Muajin e Ramazanit të
cilat nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para meje.
Njëra prej tyre është se Zoti i Madhëruar i shikon ata në natën e
parë të Ramazanit, e atë që e shikon Ai nuk e dënon asnjëherë.
E dyta është ajo se era e keqe e gojës së tyre në mbrëmje është më e
mirë se aroma e miskut.
E treta është se engjëjt kërkojnë falje për ta çdo ditë e çdo natë.
E katërta, se Zoti i Madhëruar e urdhëron parajsën kështu:
"Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e Mi sepse është afruar dita e
pushimit të tyre në shtëpinë dhe zemërgjerësinë time nga lodhjet e
kësaj bote".
E pesta është se Zoti i Madhëruar i falë të gjithë natën e fundit.
Njëri prej të pranishmëve e pyeti: "A është Nata e Kadrit"? Ai u
përgjigj: "Jo, a nuk sheh se punëtorët kur i kryejnë punët i marrin
shpërblimet (rrogat)." (Bejhekij).
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Pesë namazet, prej xhumasë në xhuma dhe prej Ramazanit në
Ramazan falen (mëkatet) pos atyre që janë të mëdha (kebair)".
(Muslimi).
Transmetohet nga Ka'b ibn Axhre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Zoti e largon nga mëshira e vet atë që e kalon Ramazanin pa u
falur." (El-Hakimi).
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Çdo vepër e njeriut shtohet, e mira prej dhjetë deri në shtatëqind
herë. Zoti i Madhëruar thotë: "Përveç agjërimit, sepse ai është për
Mua dhe unë e shpërblej, sepse ai braktis kënaqësinë dhe ushqimin
për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar
kurse i dyti në takimin me Zotin e tij. Era e keqe nga goja e
agjëruesit është më e mirë te Zoti se aroma e miskut." (Buhariu dhe
Muslimi).
Transmetohet nga ibn Mes'ud el-Gaffari se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Sikur ta dinë njerëzit vlerën e Ramazanit, do të dëshironin të jetë i
gjithë viti Ramazan." (Ibn Huzejme).
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Tre personave u pranohen lutjet: 1. Agjëruesit deri në iftar; 2.
Udhëheqësit (prijësit) të drejtë; dhe 3. Lutja e të dëmtuarit (të
keqtrajtuarit) ngrihet lartë, i hapen dyert e qiellit dhe Zoti i thotë:
Pasha fuqinë time, do të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe." (Ahmedi
dhe Tirmidhiu).
B. Nata e Kadrit
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush ngrihet (lutet) Natën e Kadrit, me bindje e kënaqësi, i falen
mëkatet e bëra." (Buhariu dhe Muslimi).
Transmetohet nga Enes Ibn Maliku se me ardhjen e Muajit të
Ramazanit, Muhammedi a.s. ka thënë:
"U erdhi ky muaj, i cili ka vlerë më shumë se një mijë muaj e atij që i
ndalohet, i është ndaluar gjithë mirësia. Të mirën e tij e refuzon
vetëm i mallkuari." (Ibn Maxhe).
Transmetohet nga Ubade ibn Samit se Muhammedi a.s. për Natën e
Kadrit ka thënë:
"Kjo natë është në Ramazan, në dhjetë ditët e fundit, (gjegjësisht) në
ditën e njëzet e një, njëzet e tretë, njëzet e pestë, njëzet e shtatë,
njëzet e nëntë ose natën e fundit. Kush lutet në atë natë me kënaqësi,
i falen mëkatet e kaluara e të ardhshme." (Ahmedi).
C. Prishja e agjërimit të Ramazanit pa arsye
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush e prishë një ditë agjërimi në Ramazan pa arsye e pa sëmurje,
nuk mund ta kompensojë as me agjërim shekullor." (Tirmidhiu).
Ç. Lejimet e prishjes së agjërimit
Transmetohet nga Xhabiri se Muhammedi a.s. ka kaluar në Mekke në
vitin e çlirimit edhe atë në Ramazan derisa ka arritur në vendin Kera'ë
el-Gamim. Ai aty ka agjëruar së bashku me njerëzit tjerë pastaj ka
kërkuar ujë, e ka ngritur lartë gotën derisa e kanë parë njerëzit dhe e ka
pirë ujin. Kur është informuar se disa kanë vazhduar agjërimin, ka
thënë: "Ata janë mëkatarë, ata janë mëkatarë..." (Muslimi dhe
Tirmidhiu).
Transmetohet nga Xhabiri se Muhammedi a.s. gjatë një udhëtimi të tij
ka vërejtur një njeri rreth të cilit janë tubuar njerëz. Është afruar dhe i
ka pyetur: "Ç'ka ai?" Ata i janë përgjigjur: "Agjëron", kurse
Muhammedi a.s. atëherë u përgjigj: "Nuk është mirësi të agjëroni
gjatë udhëtimit". (Buhariu dhe Muslimi).
Transmetohet nga Aisheja se Hamza ibn Amër el-Eslemij e ka pyetur
Muhammedin a.s. për agjërimin në udhëtim (ka agjëruar shumë), kurse
Muhammedi a.s. i është përgjigjur: "Nëse dëshiron agjëro, e nëse jo,
atëherë ha." (Buhariu dhe Muslimi).
Transmetohet nga një njeri i Beni Abdil-las ibn Ka'ëb ibn Malikut, i
quajtur Enes ibn Malik, se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Zoti i Madhëruar ia ka shkurtuar namazin udhëtarit dhe ia ka
lejuar prishjen e agjërimit. Ai gjithashtu ia ka mundësuar gruas që i
jep gji fëmijës dhe asaj që është me barrë për shkak të mëshirës ndaj
fëmijëve të saj." (Përmbledhësit e Suneneve).
Transmetohet nga Mua'dh ibn Xhebeli se kur u shpall ajeti: "E ata që i
rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për
kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri", çdokush që dëshironte
ta prishte agjërimin, e prishte dhe e kompensonte, derisa Zoti e shpalli
ajetin: "E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë." Në
këtë mënyrë e caktoi All-llahu agjërimin e vërtetë dhe ia mundësoi
mosagjërimin: të sëmurit, udhëtarit dhe plakut në moshë që s'mund të
agjërojë". (Ahmedi).
D. Vlerat etike të agjëruesit
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra
të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse (eventualisht) e shanë ndokush ose
e sulmon, le të thotë: 'Unë agjëroj, unë agjëroj'." (Buhariu dhe
Muslimi)
Transmetim nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e
braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë." (Buhariu).
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Agjërimi nuk don të thotë të largohesh nga harja e pirja por të
largohesh nga fjala e keqe dhe vepra e shëmtuar. Nëse ndokush të
provokon apo sillet si i marrë ndaj teje, atëherë thuaj: 'Unë agjëroj,
unë agjëroj'." (Ibn Huzejme dhe Ibn Hibbani).
DH. Prishja me harresë
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush harron gjatë agjërimit e pin dhe han, le ta vazhdojë agjërimin
sepse Zoti e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë." (Buhariu, Muslimi,
Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Maliku).
E. Syfyri (Sahuri)
Transmetohet nga Enes ibn Maliku se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Hani në syfyr sepse në të ka begati (bereqet)." (Ibn Hibbani).
Transmetohet nga Se'id el-Hudrij se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Bëni syfyr qoftë edhe me një pikë uji". (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).
Ë. Iftari me hurma
Transmetohet nga Selman ibn Amir ed-Dibbij se Muhammedi a.s. ka
thënë:
"Kur bën ndokush iftar, le të fillojë me hurmë sepse ajo është begati,
e nëse s'gjenë dot, atëherë me ujë, sepse uji është i pastër." (Buhariu,
Muslimi dhe të tjerët).
F. Shpejtimi i Iftarit
Transmetohet nga Sehl ibn Sa'di se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Njerëzit do të kenë mirësi gjersa ta shpejtojnë iftarin". (Buhariu,
Muslimi dhe Tirmidhiu).
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Zoti xh.sh. thotë: "Më i dashuri prej robërve të mi është ai që
shpejton më tepër iftarin". (Ahmedi dhe Tirmidhiu).
G. Vonimi i Syfyrit
Transmetohet nga Ja'la ibn Murre se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Zoti i do tri gjëra: shpejtimin e iftarit, vonimin e syfyrit dhe lidhjen
e duarve njërën mbi tjetrën në namaz". (Taberani në Ewsat).
GJ. Të ushqyerit e agjëruesit
Transmetohet nga Zejd ibn Halid El-Xhuheni se Muhammedi a.s. ka
thënë:
"Kush ushqen një agjërues, fiton shpërblimin sa të tij ashtu që nuk
pakësohet as shpërblimi i agjëruesit". (Tirmidhiu dhe Nesa'iu).
H. Namazi i teravive
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Muhammedi a.s. dëshironte të lutet
(falet) në Ramazan pa ndonjë urdhër specifik dhe thoshte:
"Kush lutet (ngrihet e falet) në Ramazan me bindje e kënaqësi, i falen
mëkatet e bëra". (Transmetim i të gjithëve).
Transmetohet nga Aisheja r.a. se Muhammedi a.s. është falur në
xhami (namazin e teravive) dhe me të janë falur edhe disa njerëz. Kur
është falur edhe natën e dytë njerëzit janë shtuar edhe më tepër. Ata
janë tubuar edhe natën e tretë e të katërt mirëpo Muhammedi a.s. nuk
ka dalur dhe kështu kur ka aguar mëngjesi ai u ka thënë: "Pashë ate që
vepruat dhe nuk dola nga frika se mos po ju bëhet obligim, edhe ate
në Ramazan" (Buhariu dhe Muslimi).
Transmetohet nga Aisheja r.a. se Muhammedi a.s. nuk shtonte në
Ramazan e as jashtë tij më shumë se njëmbëdhjetë reqate. (Buhariu
dhe të tjerët).
Transmetohet nga Ibn Abbasi: "I ka falur në Ramazan pa xhemat
njëzet reqate dhe namazin e vitrit". (Bejhekiu).
Transmetohet nga Abdurrahman ibn Abdulkarijë: "Shkova me Umer
ibn Hattabin në xhami, edhe ate në Ramazan dhe vërejtëm se njerëzit
ishin të ndarë e të shpërndarë dhe çdokush falej për vete. Umeri pastaj
tha: "Sikur t'i bashkoj ata me një lexues (imam) do të ishte më mirë",
dhe i bashkoi nën udhëheqjen e Ubejj ibn Ka'bit. Kur shkuam natën
tjetër, i pamë njerëzit se faleshin me një lexues (imam), ndërsa Umeri
tha: "Sa risi e bukur është kjo!" (Buhariu dhe Maliku).
Transmetohet nga Jezid ibn Rumani se njerëzit kanë falur në Ramazan
gjatë kohës së Umer ibn Hattabit 23 reqate. (Maliku në El-Muvat-ta
dhe në të ka shkëputje).
HADITHET E BAJRAMIT
A. Gdhimi i natës së Bajramit
Transmetohet nga Ebu Umame se Muhammedi a.s. ka thënë:
"Kush lutet (falë namaz) në dy netët e bajrameve me kënaqësi (e
sinqeritet), nuk i vdes zemra atë ditë kur do të vdesin zemrat". (Ibn
Maxhe, kurse Taberani e transmeton nga Ubade ibn Samiti).
B. Zbukurimi për Bajram
Transmetohet nga Xhabir ibn Abdull-llahu se Muhammedi a.s. e
vishte gëzofin (gunën) e kuq të tij në të dy festat e Bajramit dhe në
Ditën e xhumasë. (Ibn Huzejme).
C. Ngrënia para namazit
Transmetohet nga Enesi se Muhammedi a.s. nuk dilte ditën e Bajramit
të Ramazanit pa ngrënë hurma edhe atë një nga një. (Buhariu dhe
Ahmedi).
Ç. Tekbiri në mëngjesin e Bajramit
Transmetohet nga Ibn Umeri se kur (Pejgamberi a.s.) ka dalur në
xhami, ka lexuar tekbir me zë të lartë. Sipas një transmetimi tjetër, dilte
me agimin e diellit dhe lexonte tekbir derisa të arrinte në xhami. Aty
vazhdonte të lexojë tekbir derisa të ulej imami dhe pastaj ndalej.
(Shafi'u; Taberani e transmeton nga Ebu Hurejre; Bejhekiu dhe Hakimi
nga Ibn Umeri me sened merfu'ë).
D. Namazi i Bajramit
Transmetohet nga Ibn Umeri se Muhammedi a.s., Ebu Bekri dhe
Umeri e falnin namazin e Bajramit para hutbes. (Transmetim i të
gjithëve përpos Ebu Davudit).
Transmeton Sa'ëd ibn Evs el-Ensari nga i ati i tij se Muhammedi a.s. ka
thënë:
"Në ditën e Bajramit, engjëjt ndalen para dyerve dhe thërrasin: "O
muslimanë! Shpejtoni te Zoti Fisnik, i cili ju siguron begati dhe ju
shpërblen me të mira. Ishit të urdhëruar të faleni (luteni) natën, u
falët; ishit të urdhëruar të agjëroni ditën, agjëruat dhe iu nënshtruat
Zotit tuaj, pra merrni shpërblimet tuaja!" Gjatë faljes një thirrës
thërret: "Zoti i juaj ju fali dhe kthehuni drejtë në vendbanimet tuaja
sepse kjo është dita e shpërblimit". (Taberaniu transmeton në veprën e
tij El-Kebir transmetimin e Xhabir El-Xhu'fit. Këtë e transmetojnë
edhe Bejhekiu me Ibn Hibbanin).
UDHËZIMET E MUHAMMEDIT A.S.
RRETH AGJËRIMIT DHE DY
BAJRAMEVE
A. Adhurimi dhe bujaria e Muhammedit a.s.
Muhammedi a.s. gjatë Muajit të Ramazanit e shtonte adhurimin. Gjatë
këtij muaji Xhebraili ia mësonte Kur'anin. Kur e takonte Xhebrailin
ishte edhe më zemërgjerë; ai ishte më zemërgjerë se njerëzit tjerë
mirëpo edhe më tepër gjatë Muajit të Ramazanit; gjatë këtij muaji ai
shtonte dhënien e lëmoshës, mirësinë, leximin e Kur'anit, namazin,
përmendjen e emrit të All-llahut (dhikrin) dhe i'tikafin, gjegjësisht
adhurimi dhe bujaria e tij gjatë këtij muaji ndryshonin nga muajt tjerë,
ndërsa ndonjëherë agjëronte (edhe natën edhe ditën) me qëllim që sa
më shumë kohë të kalojë në adhurim e ibadet, kurse shokëve të vet
(as'habëve) nuk ua lejonte agjërimin e vazhdueshëm (natën dhe ditën).
B. Iftari i tij para namazit
Muhammedi a.s. hante iftar para namazit dhe zakonisht fillonte me
lëngje, nëse nuk kishte lëngje atëherë me hurma, e nëse nuk kishte
edhe hurma, atëherë me ujë.
C. Lutja e tij në Iftar
Transmetohet se Muhammedi a.s. në kohën e iftarit thoshte: "O Zot,
për ty agjërova dhe me furnizimin Tënd ha iftar". Gjithashtu
transmetohet se ai thoshte: "Përfundoi etshmëria, u ngopën damarët
dhe u sigurua shpërblimi, nëse dëshiron Zoti!"
Ç. Mosagjërimi i tij gjatë udhëtimit
Muhammedi a.s. gjatë udhëtimit në Ramazan herë agjëronte e herë jo
kurse shokët e tij (as'habët), zgjedhnin njërën prej të dyjave.
Muhammedi a.s. i urdhëronte shokët e tij të hanë kur i afroheshin
armikut me qëllim që të kenë forcë për ta luftuar.
D. Në dy festat e Bajramit
Muhammedi a.s. falte namazin e të dy Bajrameve në musal-la kurse
vetëm njëherë e ka falur në xhaminë e vet edhe ate për shkak të shiut.
Falja e tij në musal-la argumentohet me hadithe të transmetuara në
Sunenet e Ebu Davudit dhe Ibn Maxhes. Në festat e Bajramit dhe
Ditën e xhumasë i vishte rrobat më të bukura. Zakonisht hante hurma
para se të dilte në namazin e Bajramit të Madh, kurse në Bajramin e
Vogël pas kthimit nga musal-laja dhe hante nga kurbani.
Sipas haditheve autentike ai në këto dy festa të Bajramit, pastrohej.
Muhammedi a.s. dilte në këmbë, shkonte në musal-la dhe kthehej nga
ndonjë rrugë tjetër. Kur arrinte në musal-la, fillonte namazin pa ezan,
pa ikamet dhe pa thirrjen: "Namazin në bashkësi!". As ai e as shokët e
tij nuk faleshin në musal-la para e as pas namazit (të Bajramit). Ai e
fillonte namazin para hutbes, falte dy reqate, përsëriste shtatë herë
tekbirin: Zoti është më i madhi (All-llahu Ekber) me interval shumë të
shkurtë dhe pa cekur diç tjetër. Mirëpo transmetohet nga Ibn Mes'udi, i
cili i falënderohet All-llahut xh.sh. dhe kërkon mëshirë për
Muhammedin a.s. se: "Muhammedi a.s. pas përfundimit të tekbirit
lexonte suren el-Fatiha dhe pas saj lexonte suren Kâf: "KÂF - pasha
Kur'anin Famëlartë" në një reqat kurse në tjetrin suren El-Kamer:
"U afrua koha dhe u nda hëna...". Ndonjëherë lexonte suren El-A'la:
"Madhëroje Zotin tënd më të lartë" apo suren Gashije: "A të erdhi
lajmi për belanë që kaplon (kijametin)". Pas përfundimit të leximit
merrte tekbir dhe binte në ruku. Kur e përfundonte reqatin e ngrihej
nga sexhdja, merrte tekbir pesë herë e pastaj fillonte të lexojë. Në të dy
reqatet fillonte me tekbir kurse pas leximit binte në ruku.
Pas përfundimit të namazit, qëndronte para njerëzve të cilët ishin ulur
pranë tij, i jepte leje atij që dëshironte të shkojë pa e dëgjuar hutben
dhe fillonte hutben, gjegjësisht zhvillonte ligjëratë para tyre e pastaj u
ligjëronte grave të cilat edhe jepnin sadaka.
Gjatë hutbes shpesh merrte tekbir.
Këto ishin disa të dhëna rreth asaj se si vepronte Muhammedi a.s. gjatë
Muajit të Ramazanit dhe dy Bajrameve.
Zoti i shtoftë ithtarët e tij, na fisnikëroftë me gjurmët e tij dhe na
shpërbleftë me të mira!
RREGULLAT E AGJËRIMIT
Obligimi i agjërimit të Ramazanit
Të gjithë muslimanët pajtohen se agjërimi i Ramazanit është obligim
(farz), në bazë të ajetit:
"(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në të (flloi të)
shpallet Kur'ani që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës
së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton
prej jush këtë muaj, le të agjërojë..." (El-Bekare:185)
Obligim është edhe sipas hadithit të Muhammedit a.s.:
"Islami u ngrit mbi pesë (shtylla): 1. Dëshmisë se s'ka zot tjetër
përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Tij; 2. Faljes së
namazit, 3. Dhënies së zekatit; 4. Agjërimit të Ramazanit; 5.
Haxhxhit për atë që ka mundësi".
Kushtet e obligimit
Kushtet e obligimit të tij janë: 1. Islami, 2. Mendja e shëndoshë dhe 3.
Pjekuria. Agjërimi nuk obligohet për jomuslimanin, as për të
çmendurin e as për fëmijën.
Parimet e agjërimit
Parimet e agjërimit janë tre:
1. Hyrja e Muajit të Ramazanit në bazë të pamjes së drejtpërdrejtë të
hënës ose në bazë të vendimit të gjykatësit.
2. Largimi nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime prej agimit të
mengjesit deri në perëndim të diellit.
3. Vendosja (nijeti)
Koha e vendosjes (nijetit) është para agimit të mëngjesit; duhet të
vendoset me bindje të plotë për agjërimin e asaj dite me qëllim që të
fitohet shpërblimi i Zotit. Sipas disa shkollave juridike (medhhebeve)
mjafton vetëm një vendosje (nijet) gjatë Muajit të Ramazanit pa
përsëritje.
Çka e prishë agjërimin
1. Ushqimi i qëllimtë qoftë edhe me pakicë ose me diçka që nuk është
ushqyese.
2. Pirja e qëllimtë qoftë edhe një pikë.
3. Barnat ushqyese.
4. Marrëdhëniet intime dhe ejakulimi.
Çka urrehet gjatë agjërimit
Urrehet të ndërmerret çdo gjë që e dobëson agjëruesin, si transfuzioni i
gjakut apo që mund ta nxitë e ta prishë agjërimin, si puthja e gruas,
kontrollimi i ushqimit me gjuhë dhe atë pa nevojë apo hyrja e pluhurit
në gojë qëllimisht.
Aspektet pozitive të agjërimit
Agjërimi është adhurim (ibadet) për kontrollimin e epshit, forcimin e
trupit, edukimin për bashkëpunim shoqëror si dhe për t'i njohur
vuajtjet e të mjerëve e të varfërve...
Kështu, preferohet që gjatë Ramazanit të shtohen: adhurimi, namazi,
kërkimi falje (pendimi) dhe leximi i Kur'anit. Gjithashtu është e
preferueshme të jepet më shumë sadaka, të ushqyerit e të mjerëve e të
varfërve, vizita e fqinjve dhe anëtarëve të familjes, aplikimi i veprave të
vlefshme për shoqërinë dhe pakësimi i veprave të padobishme.
Gjatë agjërimit ndalohet çdo gjë që ndalohet edhe jashtë periudhës së
agjërimit: gibeti (përgojimi), shpifja, gënjeshtra, armiqësia dhe
njollosja e nderit të njerëzve. Pasi që këto vepra ndalohen jashtë
periudhës së agjërimit, atëherë si do të trajtohen gjatë Muajit të
Ramazanit, i cili është muaj i adhurimit, pastërtisë dhe dëlirësisë!...
Për këta njerëz, Muhammedi a.s. ka thënë se agjërojnë barqet e tyre
kurse gjymtyrët bëjnë mëkate: "Shumë agjërues nuk fitojnë gjë,
përpos urisë dhe etjes".
Muhammedi a.s. gjithashtu na ndalon dëmtimin e dëmbërësit dhe të
sharësit: "Agjërimi mbron nga zjarri e ai që agjëron të mos harrojë
një gjë të tillë. Nëse ndokush e nxitë, të mos e shajë e as ta blasfemojë
por le të thotë: "Unë agjëroj". (Nesa'iu).
Le ta dijë agjëruesi se nëse dëshiron shpërblim nga Zoti, do ta fitojë;
çdo lëvizje që e bën dhe çdo fjalë që e flet konsiderohen adhurim...
Agjëruesi duhet të ketë nijet të pastër, të bëjë më shumë vepra të mira
e dhikër dhe të kërkojë falje (istigfar).
SADAKATUL-FITRI (DHËNIA E
LËMOSHËS)
A. Tekstet argumentuese
Transmetohet nga Ibn Umeri se Muhammedi a.s. e ka obliguar
Sadakatul-Fitrin në Muajin e Ramazanit për robin, të lirin, mashkullin,
femrën, fëmijën dhe plakun muslimanë, qoftë nga sa'ë hurme ose
elbthi. (Buhariu, Muslimi dhe të tjerët).
Transmetohet nga Ibn Umeri se Muhammedi a.s. ka urdhëruar të jepet
Sadakatul-Fitri para se të nisen për në namaz. (Transmetimi i të
gjithëve përveç Ibn Maxhes).
Transmetohet nga Ibn Abbasi se Muhammedi a.s. e bëri obligim
Sadakatul-Fitrin për pastrimin e agjëruesit nga përgojimi dhe fjalët e
turpshme; me agjërimin ai (Muhammedi a.s.) e obligon t'i ushqejë të
varfërit; ai që e jep Sadakatul-Fitrin para namazit pranohet e kush e jep
pas namazit (të Bajramit) është sadaka (lëmoshë) e rëndomtë. (Ebu
Davudi, Ibn Maxhe dhe Hakimi).
B. Rregullat e Sadakatul-Fitrit
Vitrat obligohen të jepen para agimit të mëngjesit në ditën e Bajramit
të Vitrit (Bajramit të Madh), kurse për atë që vdes në këtë kohë ose
lindet pas kësaj kohe, nuk janë obligim. Më mirë është të jepen para
namazit të Bajramit si dhe mund të jepen gjatë Muajit të Ramazanit.
Nëse vonohen nga namazi i Bajramit, nuk anulohen por patjetër të
realizohen.
Sadakatul-Fitri i jepet për çdo person një të varfëri, bile nuk lejohet t'u
ndahet dy apo tre varfanjakëve, sepse qëllimi i kësaj sadakaje është
shpëtimi; ngase Muhammedi a.s. thotë: "Shpëtoni ata nga hallet
(barra e rëndë) në këtë ditë".
Preferohet Sadakatul-Fitri në të holla, nëse kështu më tepër u
konvenon të varfërve.
PJESA E DYTË
1. Ardhja e muajit të dashur
2. Ramazani, muaji i të vërtetës
3. Ramazani, muaji i fuqisë
4. Ramazani, muaji i lirisë
5. Filozofia dhe sekretet e agjërimit
6. Ramazani, muaji i mirëbërjes
7. Ndikimi i adhurimit (ibadetit) në
edukimin e popullit
8. Institucioni i zekatit
9. Ramazani flet
10. Lamtumira e Ramazanit
11. Filozofia e Bajramit
ARDHJA E MUAJIT TË DASHUR
Jemi para një kohe të re të gjithësisë ngase pas disa ditëve do të vjen
Ramazani me rregullimin, format dhe atmosferën e vet. Njerëzit ndaj
këtij muaji kanë disa qëndrime:
1. Ka njerëz që nuk shohin në të gjë tjetër pos ndalesës së
padobishme, traditës së paarsyeshme fetare. Qytetërimi u zhvillua dhe
mendimi njerëzor përparoi kështu që, sipas mendimit të tyre, këto
pranga të rënda fetare janë të panevojshme. Ky grup tallet me
agjëruesit dhe shpotit mendjen dhe qëndrimin e tyre.
2. Ka njerëz që e kuptojnë vetëm si uri të cilës nuk mund t'i përballojë
lukthi dhe si etshmëri të cilës nuk mund t'i përballojnë damarët. Ky
grup nuk agjëron, paraqitet si agjërues para atij që e njeh kurse si
joagjërues para atij që nuk e njeh.
3. Ky grup mendon se Ramazani është kohë e dëfrimit vjetor që
përbëhet prej llojeve të ndryshme të ushqimit si dhe si rast i bukur për
dëfrim deri në agimin e mëngjesit dhe për gjumë të thellë tërë ditën
deri në mbrëmje.
Nëse është punëtor i mërzitet puna, nëse punon me palë sillet keq me
to, e nëse është funksionar funksioni i duket shumë i rëndë...
4. Sipas këtij grupi, edhe pse janë pakicë, qëllimi i Ramazanit është diç
krejt tjetër sepse ka vlerë të madhe... Ky grup mendon se ky muaj
është periudha ushtruese e ripërtërirjes shpirtërore të njerëzve si sjellja
fisnike, përshtypja e bukur, durimi i pastër dhe edukata e përsosur
hyjnore.
Për ata të cilët mendojnë se agjërimi nuk përkon me zhvillimin e
qytetërimit, propozojmë të bisedojnë me mjekët dhe psikologët që t'i
shohin zbulimet e reja shkencore që kanë të bëjnë me dobitë e
agjërimit.
Atyre të cilët dështojnë para urisë, edhe pse e pranojnë obligimin dhe
hyjninë e agjërimit, ua rikujtojmë se jetojmë në zemër të luftës
definitive në historinë e këtij populli, kurse agjërimi është vetëm durim
disaorësh dhe ai që dështon mes agjërimit dhe epshit të vet në durimin
që zgjatë gjatë orëve të ditës, atëherë do të dështojë edhe para armiqve
të tij në rast të luftës së tmerrshme që zgjatë me ditë, muaj e vite të
tëra.
Të dështuarit në një mejdan të vogël nuk janë të aftë të fitojnë për
popullin e tyre në ndonjë konflikt më të madh.
Ai që dorëzohet në luftën disaorëshe me epshin e vet, e humbë
karakteristikën kryesore të moralit të luftëtarëve, gjegjësisht burrërinë,
ndërsa ai që jeton në sferën e burrërisë del ngadhënjimtar ose
dëshmor.
Ka një grup që e kuptojnë Ramazanin si uri gjatë ditës dhe kënaqësi
materiale gjatë natës...
Masës së agjëruesve muslimanë ia kushtojmë këtë ngjarje dhe
dëshirojmë që Zoti t'u jep dobi nga agjërimi e t'i shpërblejë me të mira.
Si popujt, ashtu edhe individët, gjatë jetës së tyre të gjatë kanë nevojë
për pushim dhe rehati përmirësuese e ripërtërirëse. Koha e pushimit
dhe e qetësimit është pjesë e rasteve definitive në historinë e individëve
dhe shoqërive dhe nëse dinë si ta shfrytëzojnë, fitojnë çelësin e të
mirave të ardhshme, fitoreve në luftëra dhe përhershmërinë historike.
Shoqëritë dhe individët gjejnë në Ramazan rastin e reformës së
historisë së tyre ngase ai prezenton periudhën shpirtërore.
Ramazani është epiqendër për përforcimin e fuqive shpirtërore, psikike
e morale në jetën e popullit apo të individit... Ky na rikujton të vërtetën
e qiejve dhe të tokës, na armatosë me fuqi ngadhënjyese dhe na nxitë
ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi i njerëzimit. Pra, Ramazani na
dhuron "të vërtetën", "fuqinë" dhe "lirinë" gjatë ditëve të urisë dhe
etjes... Çdokush që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton
për hir të vërtetës me bindje të plotë, ngadhënjen dhe përfiton qëllimin
më fisnik të lirisë, gjegjësisht refuzon nënshtrimin dhe robërinë.
Muslimani, i cili agjëron me vullnet të lirë e bindje të plotë për hir të
Zotit e afrimit ndaj Tij, vuan nga egoizmi, izolimi dhe indiferenca e
shoqërisë dhe kështu orvatet t'i zhdukë e t'i eliminojë; ky musliman
agjërues mendon se epshi, pasioni, dëmi, armiqësia dhe urrejtja janë
dobësi që e shkatërrojnë shpirtin e Ummetit dhe për këtë shkak ndien
në vete përgjegjësi e obligim për t'u përballuar. Gjatë lutjeve dhe
aplikimit të urdhërave të Zotit, ai ndien liri të plotë dhe pavarësi nga
çdo gjë tjetër pos Tij, si ushqimi, pirja, kënaqësia, ambicia dhe
gënjeshtra. Ai në këtë rast është përgjithmonë i lirë, jo në kuptimin e
transferimit prej një vendi në vend tjetër, por në frenimin e epsheve
dhe animeve të tij, fundos çka don dhe liron çka don.
Ai kështu qëndron shpirtlirë mes mureve, mendjelirë në vend të
shkretë dhe dëshirëlirë në pranga të hekurta...
Pasha jetën time, kjo liri i takon nderit të njeriut, pra si mund të
krahasohet me lirinë e trupave!
Historia jonë e vjetër dhe ajo bashkëkohore kanë shënuar fitore të
mëdha në bazë të këtij koncepti preciz të filozofisë së Ramazanit dhe
të modelimit të plotë me edukatën e agjërimit, gjegjësisht në këtë
mënyrë i kemi dhuruar botës njerëzore heronj dhe kreshnikë të
reformave, çlirimeve, urtësive, shkencës etj...
Shikoni muslimanët, të cilët në betejën e Bedrit që u zhvillua në ditën e
shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, edhe pse ishin pakicë, korrën fitore të
bindshme, të cilën e amshoi Kur'ani Famëlartë...
A mendoni se do të korrnin sukses sikur të mos i kishte përforcuar
agjërimi në shpirtrat e tyre fuqinë, të vërtetën dhe lirinë e plotë
shpirtërore.
Ata sulmonin me fuqinë e Zotit, qëllonin me fuqinë e Zotit, sulmi i tyre
kishte për qëllim të vërtetën.
Pastaj shikoni fitoret tona në betejat e Jermukut, Kadisijes, Xhelules,
Hit-tinit etj...! A do të mund të ndodhnin në atë mënyrë mahnitëse, që
i habitnin edhe hulumtuesit më të mëdhenj, sikur të mos ishin fituar
me karakteristikat e agjëruesve si ndershmëria, krenaria, sakrifikimi,
durimi ndaj vështirësive, nënshtrimi para Zotit dhe zhvlerësimi i fuqive
destruktive? E gjithë kjo ndodhi me fuqinë e Zotit xh.sh. sepse Ai
është ngadhënjyesi më i madh!
T'i shikojmë betejat tona moderne në malet e Oresit, eventualisht
trimëritë dhe mrekullitë e Algjerit...! A i shihni ata të cilët luftonin
kundër gjysëm milion njerëzve që ishin të armatosur me armë nga
Franca, Amerika dhe shtetet e Paktit Atlantik? Jo vetëm atëherë por
ende qëndrojnë në revolucionin e tyre edhe pse kaluan 900 ditë Ata e
sulmonin armikun e armatosur dhe ushtritë e mëdha me kryelartësi...
A thua vallë do të qëndronin në atë betejë të madhe, qoftë edhe disa
ditë sikur të ishin të formuar me shpirtrat e pabesimtarëve që tallen me
agjërimin e muslimanëve apo me shpirtrat e të dështuarve që jetojnë
nëpër bare e kafene të mbushura me alkool e që s'mund t'i përballojnë
urisë dhe etjes disaorëshe?
Jo vëllezër, sepse Islami i ka mësuar me anë të agjërimit në kohën e
paqes si të agjërojnë në ditët e luftës... Në luftë nuk e fiton i dobëti të
fortin, pakica shumicën, i paarmatosuri të armatosurin përpos nëse
është i kalitur me moralin e agjëruesve...
Heronjtë e maleve Ores, Konstantinës dhe Vehranit të Algjerit kanë
agjëruar më parë dhe janë përgatitur që me agjërim të luftojnë;
agjërojnë (të larguar) nga pushimi dhe nuk dinë se ç'është qetësia e as
stabiliteti...; agjërojnë (të larguar) nga kënaqësia dhe nuk dinë
kënaqësinë e gruas e as të fëmijës, agjërojnë nga luksi dhe nuk
përjetojnë kënaqësinë e mëndafshit e as të armaçit; agjërojnë nga
gjumi dhe nuk dallojnë ditën prej natës; agjërojnë nga dashuria e kësaj
bote sepse gjëja më e kënaqshme për ta është shija e vdekjes dhe e
flijimit.
Francezët thonë se janë lodhur prej trimërisë së algjerianëve: Kush
janë ata, a janë xhinë, djaj apo njerëz të krijuar me zemër të hekurt e
nuk e njohin frikën, tmerrin, shkatërrimin dhe zjarrin?
Vaj për kolonialistët që nuk e kuptojnë shkakun e disfatës nga
revolucionarët agjërues... Këtu qëndron fshehtësia (e fitores së
revolucionarëve), o ju njerëz, sepse francezët, që janë të preokupuar
me ushqimin e pijen, nuk mund të korrin fitore ndaj agjëruesve
ngadhënjimtarë e që janë të preokupuar me Zotin e Fuqishëm si dhe të
udhëzuar me zemër të pastër ndriçuese.
Pastaj, Ramazani vjen pas disa ditëve... Ata që e trajtojnë si muaj i
urisë së ditës, ngopjes së natës dhe leximit formal të Kur'anit dhe
fjetjes ditore nëpër xhami, nuk do të kenë kurrfarë dobie prej tij.
Ata që e konsiderojnë si shkollë për përtërirjen e besimit (imanit,
bindjes), dhe edukatës, përforcimin e shpirtit dhe vazhdimin e një jete
më të mirë e më të përkryer, do të kenë dobi prej tij... Vetëm këta
njerëz gjejnë gjatë ditës së tij (Ramazanit) kënaqësinë e trimave të
mbuluar me pluhurin e luftërave, kurse gjatë mbrëmjes, natës, syfyrit
dhe mëngjesit ndiejnë kënaqësinë e fundit të betejës, shpejtojnë...
Këtyre u hapen dyert e parajsës (xhennetit) në Ramazan, u mbyllen
dyert e skëterrës, pranojnë prej engjëjve (meleqve) në Natën e Kadrit
uratë dhe paqe, u falen mëkatet e të këqijat, u mbushen zemrat me
dritën e Zotit dhe e përtërijnë famën me fuqinë e besimit (imanit)...
Me ta fitohen luftërat, gëzohen shoqëritë... Nevoja jonë për njerëz të
tillë është shumë e madhe sepse sot ballafaqohemi me kolonializëm,
gjëra destruktive, korrupsion dhe devijim; të jetojmë ose kryeulur ose
kryelartë...
O besimtarë!
O bijtë e këtij Ummeti!
Muhammedi a.s. ligjëroi në ditën e fundit të Muajit Sha'ban (apo si në
këto ditë) kështu: "O ju njerëz, është afruar muaji famëlartë dhe i
begatshëm, në të cilin është nata që vlerësohet më tepër se një mijë
muaj, në të cilin obligohen agjërimi dhe lutja (namazi) vullnetare
natën (nafile); kush vepron pak fiton shumë dhe ai që kryen një farz
në të sikur ka kryer shtatëdhjetë farze në një kohë tjetër; ky është
muaji i durimit kurse durimi shpërblehet me xhennet; ky është muaji
i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rizkut) të besimtarit; ai që
ushqen ndonjë agjërues i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i
pakësohet shpërblimi fare".
Njerëzit i thanë: "O i Dërguar i Zotit, nuk mundet çdokush prej nesh të
ushqejë ndonjë agjërues", kurse ai (a.s.) u përgjigj: "Zoti e shpërblen
kështu atë që ushqen ndonjë agjërues me hurmë, ujë ose qumësht."
Fillimi i këtij muaji është mëshirë, mesi falje (ndjesë) kurse fundi
shpëtim nga zjarri. Atë që jep nga pasuria e vet, Zoti e mëshiron dhe
e shpëton nga zjarri.
Shtoni (në këtë muaj) katër gjëra: me dy fitoni pëlqimin e Zotit kurse
me dy të tjerat jeni të obliguar; dy të parat janë: Deklarimi se nuk ka
zot tjetër pos All-llahut dhe kërkimi për faljen (e mëkateve), kurse dy
të fundit janë: kërkoni prej Zotit parajsën (xhennetin) dhe
mbështetuni në mbrojtjen e Tij nga zjarri; kush i jep ujë agjëruesit,
Zoti i jep atij prej lumit tim dhe nuk ndien etje derisa të hyjë në
parajsë (xhennet). (Ibn Huzejme).
Në një hadith tjetër thuhet: "U erdhi Ramazani, muaji i begatisë; me
të Zoti ju kaplon, ju zbrit mëshirë, i mbulon gabimet, i përgjigjet
lutjes, shikon garat tuaja në te; Tregoni Zotit mirësinë tuaj. I
mallkuari privohet nga mëshira e Zotit të Madhëruar." (Taberani).
Këtë e thoshte i Dërguari i Zotit para Ramazanit, i nxiste besimtarët në
lutje e adhurim, i mbushte zemrat e tyre me begatitë dhe mëshirat që
dërgoheshin ato ditë dhe i frymëzonte shpirtrat me të mirat e agjërimit
si fuqia, ndriçimi, hyjnimi etj.
Përgatituni për Muajin e Ramazanit, edukohuni me edukatën e tij dhe
fitoni dobi prej urtësisë dhe fshehtësive të tij.
Eni o besimtarë, sepse janë hapur dyert e parajsës! O ju që keni bërë
lëshime, ejani, sepse Zoti ua ka ofruar mëshirën e Vet!
RAMAZANI, MUAJI I TË VËRTETËS
"E populli yt e konsideroi atë (Kur'anin) të
rremë, porse ai (Kur'ani) është i vërtetë.
Thuaj: 'Unë nuk jam roje e juaj.'" (El-En'amë:
66)
Mjafton t'i themi muslimanit: "Zoti urdhëron të agjërosh" e ai të
agjërojë pa i numëruar dobitë dhe sekretet e agjërimit, mirëpo jemi të
detyruar të ndërmarrim një hap të tillë për dy shkaqe:
1. Zoti i Madhëruar na informon në shumë ajete të Kur'anit Famëlartë
për dobitë dhe sekretet e sheriatit që të mendojmë e punojmë dhe të
bindemi se sheriati hyjnor i përhershëm është shpallur vetëm për të
realizuar interesin e njerëzve dhe për t'i mënjanuar dëmet prej tyre.
Shiko fjalën e Tij (xh.sh.) mbi etikën e kërkimit leje për hyrjen në
shtëpi të huaj kur thotë se një gjest i tillë është më i mirë për ta: "O ju
që besuat, mos hyni në shtëpi të huaj pa kërkuar leje dhe pa i
përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të
merrni mësim". (En-Nur:27).
Gjithashtu edhe kur na urdhëron të agjërojmë i cekë dobitë dhe
urtësinë e Tij me një fjalë: "O ju besimtarë, agjërimi u është bërë
obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush,
kështu që të bëheni të devotshëm." (Bekare:183).
Urtësia e obligimit të agjërimit, ashtu siç e potencon Zoti, xh.sh.
fshehet në devotshmërinë që nënkupton çdo gjë të mirë që e don Zoti
e që falënderohet njeriu për të në këtë botë, kurse mbrojtja nënkupton
largimin prej çdo vepre të urryer e të dëmshme për shoqërinë dhe
individin.
Shih hadithin e Muhammedit a.s. rreth dobive të agjërimit:
"Agjërimi është mbrojtje ngase agjëruesi s'përgojon e as që bën
mëkate".
Dobitë nga agjërimi numërohen me qëllim që të ndikojnë më tepër në
shpirt e të kenë ndikim më të thellë, kurse muslimani të jetë më tepër i
bindur në adhurim e në Sheriat.
Një gjë e tillë është cekur edhe më parë kur Ibrahimi a.s. kërkoi prej
Zotit t'i tregojë se si i ringjallë të vdekurit..! Kur e pyeti Zoti se "a nuk
beson?", ai u përgjigj: "Po, por të qetësohet zemra ime". Analizimi i
rregullave dhe shpalimi i sekreteve të tyre nuk kundërshtojnë imanin e
as që prezentojnë dobësinë e bindjes ngase vetë Muhammedi a.s. i
analizonte dhe i arsyetonte.
2. Disa njerëz mendojnë se kanë qëndrim të lirë ndaj të kuptuarit të
feve dhe besimeve dhe duke u mbështetur në këtë parim, dyshojnë në
to dhe i kritikojnë sepse e pranojnë vetëm atë që e pranojnë intelektet e
tyre dhe logjika. Pasi që Islami nuk e mohon rolin e intelektit, u flet
njerëzve për atë që përputhet me mendjen e shëndoshë dhe logjikën e
arsyeshme dhe obligon atë që është në favor (të njeriut) nëse
urdhërohet ose ndalohet. Atëherë nuk na pengon gjë që të
mbështetemi edhe në analizat racionale të fshehtësive dhe dobive të
sheriatit. Të gjithë njerëzit, në çdo kohë, i kanë përjetuar dobitë e
sheriatit që përputhen me mendjen, logjikën dhe interesin e tyre, pra
ky është argument se pas këtij sheriati qëndron fuqia dhe caktimi i
Zotit Mëshirues, të Urtë e të Gjithëdijshëm. "(Kjo është) mjeshtri e
All-llahut që përsosi çdo send". (En-Neml:88)
Me këto analiza u orvatëm t'i qetësojmë zemrat e muslimanëve për
obligimin e agjërimit dhe t'ua vërtetojmë refuzuesve dhe mohuesve
urtësinë dhe filozofinë e tij. Këtë vlerë të Islamit s'mund ta mohojë
askush!
Të shohim tani se çfarë urtësie ka agjërimi dhe cilat janë dobitë e tij?!
Ne këtu nuk do të flasim për dobitë shëndetësore sepse shpjegimi i tillë
është përgjegjësi e mjekut ngaqë Zoti urdhëron që t'i pyesim dijetarët
përkatës, pra, t'ua lëmë aspektin shëndetësor të agjërimit mjekëve që
mund të na njoftojnë më tepër rreth zbulimeve të mjekësisë moderne.
Këtu do të përqëndrohemi në dobitë psikike, shpirtërore e morale të
agjërimit. Kjo temë është shumë e gjerë dhe s'kemi mundësi të hyjmë
në detaje të hollësishme që distribuohen nëpër mediumet informative,
por do t'i cekim vetëm dobitë që kanë të bëjnë me shoqërinë, individët
dhe gjendjen momentale të shoqërisë sonë.
Një ndër aspektet më të rëndësishme të edukatës shoqërore që ka të
bëjë me ndikimin e agjërimit në shpirtrat e agjëruesve, është përforcimi
i bindjes në të vërtetën, konfirmimin, thirrjen në të (të vërtetën) dhe në
formësimin me të.
E vërteta në Islam ka vlerë të madhe, bile është edhe një prej emrave të
Zotit (El-Hakk): "Këtë (e themi për ta ditur) se All-llahu është Ai i
Vërteti", (El-Haxhxh:6); e vërtetë ëshë ajo që e thotë Zoti i Madhëruar:
"Fjala e Tij është e njëmendtë dhe Atij i takon sundimi". (El-
En'am:73), apo: "E vërteta është nga Zoti yt", (Bekare:147).
Për këtë, mesazhet e pejgamberëve përmbanin thirrjen në të vërtetën
dhe përhapjen e saj midis njerëzve: "Njerëzit ishin një popull (të fesë
së natyrshme islame) e (kur u përçanë) All-llahu dërgoi
pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre Ai ua zbriti edhe
Librin me fakte të sakta për të gjykuar në atë që u kundërshtuan
ndërmjet veti". (El-Bekare:213).
Mesazhi i Islamit është periudha e fundit e sheriateve, thirrje në së
vërtetën dhe konfirmues i synimeve të të vërtetës: "O ju njerëz, juve u
erdhi i Dërguari me të vërtetën (fenë e drejtë) nga Zoti juaj". (En-
Nisaë:170).
Pasi që qëllim i Islamit është "e vërteta", atëherë në fillim duhet të
ceket adhurimi i Zotit, Krijuesit, Formuesit dhe Furnizuesit tënd me
begatitë e shumta. Është kob i madh e i papërshkruar për njeriun nëse
e harron adhurimin e Tij dhe fuqinë e Tij mbi të.
Njerëzit hyjnizohen, dëmbërësit dëmtojnë dhe tiranët keqtrajtojnë
atëherë kur e harrojnë adhurimin dhe kur ia mveshin vetes atributet e
Zotit, ashtu që lejojnë derdhjen e gjakut, marrjen e shpirtrave,
mendjemadhësinë në tokë, dëmtimin, robërimin e popujve dhe
shkeljen e nderit të tyre...
Faraoni ndjehej i madh në tokë dhe i fuqishëm: "O ju pari, unë nuk
njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje". (El-Kasas:38). Kështu, i vriste
njerëzit, i dhunonte gratë dhe i internonte udhëzuesit dhe prijësit më
fisnikë të popullit. Tirania e tij vazhdoi derisa i erdhi vdekja
përkujtuese: "Derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: 'Besova se
nuk ka zot tjetër pos Atij që i besuan beni israilët, edhe unë jam nga
muslimanët!'..." (Junus:90).
Gjatë agjërimit njeriu e ndien veten njeri, apo ndien se është rob që ka
nevojë për ushqim e pije, i shmangur nga çdo fuqi dhe barabarësohet
me jetën e njerëzve të tjerë, si në ushqim, vendbanim ashtu edhe në
veshmbathje...
Gjatë agjërimit mbretërit, udhëheqësit, prijësit, komandantët, të
fuqishmit, të pasurit dhe të autorizuarit me privilegje ndjejnë në vete se
i ngjajnë popullit për shkak se kanë nevojë për furnizimin, ushqimin
dhe pijen e Zotit; ndjejnë se u ngjajnë të varfërve dhe njerëzve të dobët
për shkak të urisë, ushqimit, ujit... gjegjësisht pse e privojnë popullin
nga ushqimi dhe pirja? Pse e pengojnë të drejtën e tij, sepse sikur t'i
dobësonte Zoti xh.sh. faktorët e fuqisë së tyre, do të ishin të dobët në
tokë, të poshtëruar e të degraduar?
Këtë e rikujton për herë të parë agjëruesi (qoftë mbret apo tiran), sepse
një gjë të tillë mund ta harrojë jashtë Ramazanit... Sa e bukur është
lutja e besimtarit kur bën iftar e thotë: "O Zot, për ty agjëroj dhe nga
furnizimi Yt filloj iftarin". Ai këtu pranon se furnizimi, pasuria dhe
dhurimi janë të Tij dhe se e posedon vetëm atë që ia jep Zoti. Kjo është
një ndër karakteristikat më të çmueshme të adhurimit dhe të atributeve
të Tij.
Është e vërtetë se njeriu duhet përherë ta rikujtojë lidhjen e vet me
Ummetin dhe të jetojë përherë në zemrën, shpirtin dhe jetën e tij; aty
të dëfrehet e të pikëllohet; tirani e sundon shoqërinë e tij vetëm kur
harrohet kjo e vërtetë ngase paramendon se është gjeni, ka fuqi dhe
personalitet; Kështu njerëzit i përkulen, pranojnë paaftësinë e tyre para
tij dhe e përcjellin mendimin e tij... Nëse ndonjëri prej tyre thotë, "Jo",
tirani përgjigjet me mendjemadhësi: "Vrit, burgos dhe interno!"
Të pasurit sillen brutalisht ndaj të varfërve, të afërmit i këpusin
marrëdhëniet familjare dhe fqiu refuzon të drejtën e fqiut vetëm
atëherë kur e harrojnë lidhjen shoqërore dhe kur çdokush jeton për
vete e jo për njerëz, jeton me barkun dhe epshin e tij gjinor e jo me
nevojat dhe kërkesat e popullit... Gjatë agjërimit njeriu rikujton se i
përket shoqërisë, është prej saj, me të, për të dhe në afërsi të saj... Ai
jeton në uri me shoqërinë, ushqehet së bashku me të dhe feston me
të...
Vetëm atëherë i rikujton ato, nevojat e tyre, urinë e të varfërve, ndien
mjerimin dhe nevojën e tyre; pra, sikur të mos ishte agjërimi, nuk do t'i
rikujtonte... Kështu, shpirti i agjëruesit bëhet më i lartë, më njerëzor
dhe më afër zemrave të njerëzve...
Muslimani i parë, Muhammedi a.s. ishte njeri shumë bujar, mirëpo
gjatë Ramazanit i ngjante puhisë që sjell dobi, jetë dhe ringjallje...
Aisheja r.a., gjatë Ramazanit i ka dhuruar popullit të vet njëqind mijë
dirhemë ndërsa për vete i ka ruajtur teshat e rëndomta... Guvernatori
për ketë e ka pyetur: "Sikur të bësh diçka për iftarin tonë të sodit!".,
kurse ajo është përgjigjur: "Pasi që ma rikujtove, do të lëmë", pastaj ka
vazhduar: "A shihni o ju njerëz, se si lartësohet shpirti i agjëruesit aq sa
i harron nevojat dhe kërkesat e vetvetes dhe i rikujton vetëm nevojat e
popullit të vet! Këtë e kërkon Zoti prej agjëruesve".
Është e vërtetë se kryetarët, udhëheqësit, funksionarët dhe politikanët
nuk duhet të punojnë për hir të autoritetit ose pozitës së tyre por për
hir të Zotit xh.sh., nëse populli refuzon vlerën e tyre atëherë nuk do t'i
përkasin refuzimit, nëse e pranojnë vlerën e tyre nuk do mashtrohen
me verbimin nga pasioni, nëse kanë nevojë për të (popullin), nuk do të
hasin në mashtrues e lajkatarë; kështu populli fiton lumturinë së
bashku me udhëheqësit dhe prijësit e vet kurse Zoti i bekon ata
udhëheqës e prijës për veprat dhe përpjekjet e tyre..., e në të
kundërtën, vjen mjerimi dhe vuajtja.
Me agjërim mëvetësohet edukata e përsosur... Agjërimi është adhurim
i fshehtë mes njeriut dhe Zotit të tij pa kurrfarë hipokrizie e tradhtimi,
nuk kërkon lavdërim e as mirënjohje... Muslimanit agjërues i mjafton
dituria e Zotit për urtinë, përuljen dhe vendimin e sinqertë; nga
shpërblimi i Zotit xh.sh. i mjaftojnë pastërtia nga hipokrizia e tradhtimi
dhe sinqeriteti e besa e gjuhës së tij... Turpërohet prej gënjeshtrës,
vjedhjes, gibetit (përgojimit), dëmtimit dhe armiqësisë ndaj njerëzve
sepse Muhammedi a.s. thotë:
"Zoti s'ka nevojë për largimin e ndonjërit nga ushqimi dhe pirja nëse
ai nuk e braktisë gënjeshtrën."
Muhammedi a.s. gjithashtu e ka ndaluar agjëruesin t'i kundërvihet të
keqes me të keqe, paturpshmërisë me paturpshmëri;
"Nëse ndokush e shanë ose sulmon, le të thotë: 'Unë agjëroj', apo unë
jam engjëll i tokës sime! Nuk gënjej, as nuk sulmoj e as s'dëmtoj..." Sa
me vlerë është morali i tillë, për të cilin kanë nevojë para së gjithash
udhëheqësit e politikanët, posaçërisht në Ramazan e në këtë kohë
aktuale!
Është e vërtetë se njeriu nuk ka vetëm natyrë trupore materiale dhe se
nuk mund të arsyetojë se qëllimi i tij në jetë është vetëm ushqimi
trupor, por në vete ka edhe natyrë të engjëjve, shpirtit dhe zemrës.
Kur e harron njeriu këtë të vërtetë, bie në një nivel më të ulët se të
kafshës. A nuk i sheh njerëzit e Perëndimit, të cilët janë shndërruar në
rrezik për njerëzinë në atë çast kur e humbën engjëlloren dhe
përkrahën shtazoren?!.
Gjatë agjërimit barku ndjen uri kurse shpirti ushqehet, pastrohet trupi e
zemra forcohet, dobësohet epshi e lartësohet shpirti... Në këtë muaj të
bekuar besimtari gjenë kohë për t'iu lutur Zotit, për leximin e Kur'anit
Famëlartë që është libër i përhershëm, edukativ, reformist dhe pastrues
i shpirtrave.
Në Ramazan muslimani dëgjon fjalët e Kur'anit të cilat e ftojnë në
mirëbërje, adhurim dhe e largojnë nga e keqja dhe mëkati. Në këtë
muaj muslimani i dëgjon fjalët e Zotit: "Afrohu o robi Im! Pasi që kjo
botë të largoi prej Meje edhe pse jam më i afërt se damari i qafës, pasi
që të demoralizoi djalli nga mëshira Ime edhe pse ajo kaplon çdo gjë,
pasi që u mashtrove me autoritetin që ta dhurova dhe mendove se s'ke
nevojë për Mua, edhe pse nuk mund ta shpëtosh gjënë që ta rrëmben
miza dhe pasi që ke ra në një shkallë më të ulët se kafshët, edhe pse të
krijova si mëkëmbës Timin në tokë... Eja te Unë, o robi Im, që të të
lartësoj në shkallën e engjëjve të Mi e të jetosh me shpirt të lartë,
ndriçim shpirtëror dhe dritë të zemrës. Në këtë mënyrë do të jetosh në
parajsë para se të hysh në te."
O vëlla besimtar!
Këtë të vërtetë që e vërteton agjërimi në unin tënd, e ka vërtetuar edhe
në paraardhësit tanë dhe për këtë shkak kanë qenë mrekulli e Islamit.
Njerëzimi nuk njeh diçka që mund të krahasohet me shpirtin e tyre të
lartë, qëllimin e ndershëm, synimin fisnik, ndriçimin e shpirtit dhe
udhëzimin e zemrës.
A s'ka njerëzimi sot nevojë për një gjeneratë të tillë, a s'ka nevojë
shoqëria jonë për njerëz të tillë?
A nuk sheh dëmin, humbjen, korrupsionin dhe amoralitetin që e kanë
kapluar shoqërinë tënde?
Ku është jehona e së vërtetës në shoqërinë tënde?
A pranohet që popujt tanë të jetojnë nën presionin e hekurit dhe zjarrit
e në shpinat e tyre të fëshkëllojnë kërbaçët e xhelatëve?
A pranohet që popujt tanë të jetojnë në mjerim e vuajtje ndërsa
pasurinë ta shrytëzojë një pakicë e pasur dhe cinike?
A pranohet që këto parti t'i gënjejnë popujt tanë me fjalë të ëmbla për
të arritur pozitë, fitim e autoritet?
A pranohet që politika të jetë mashtrim, gënjim dhe humbje apo
nxitëse e instinkteve dhe devijimit të popullit?
A pranohet që feja të jetë tregti për disa juristë apo shkenca të jetë
idhujtari për disa dijetarë?
A pranohet që autoriteti i disa injorantëve të poshtër të jetë mjet
nënshtrimi dhe shfrytëzimi?
O vëlla besimtar!
Pasi që Islami kërkon prej nesh që të jemi në çdo kohë mbrojtës të së
vërtetës dhe më të sinqertë ndaj saj, atëherë a hase në Ramazan diçka
që ta mundëson predikimin e këtij mesazhi në popujt e botës?
A gjete në Ramazan atë që të lartëson aq shumë saqë të shndërron në
udhëheqës nga e mira dhe paqja?
A nuk të afron Ramazani me Zotin tënd të Vërtetë edhe atë nëpërmjet
të Dërguarit të Tij, Librit të vërtetë dhe udhëzimit të sheriatit të
drejtë?...
Dëgjo atë çka të thotë Zoti xh. sh. me anë të ajeteve të agjërimit:
"E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem
lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të
më përgjigjen Mua dhe le të më besojnë Mua." (Bekare, 186)
RAMAZANI, MUAJI I FUQISË
"Nuk është i fuqishëm ai që tërbohet por ai që
kontrollon veten në çastin e shqetësimeve të
mëdha." Hadith
Kjo jetë prezenton konfliktin në të cilin fitojnë të fuqishmit. Fuqia
është dyllojesh: fuqia materiale dhe fuqia shpirtërore (ideologjike).
Sipas parimeve islame, fuqia materiale ndonjëherë mund të korrë fitore
të përkohshme dhe nuk do të jetë dobiprurëse. Kur'ani na rrëfen për
popujt e hershëm për të cilët thuhet se kanë qenë të fuqishëm në
aspektin e jetës materiale. Për këtë shkak është përhapur në tokë
korrupsioni e devijimi, janë luftuar të dërguarit e Zotit e
përgënjeshtruar thirrjet reformiste dhe kanë mbizotëruar dekadenca e
shkatërrimi.
Dëgjo ç'thotë Kur'ani Famëlartë rreth tyre:
"A nuk e di ti se ç'bëri Zoti yt me Adin? Me banorët e Iremit me
ndërtesa të larta? Që si ata (populli Ad) nuk është krijuar askush në
tokë! Dhe me Themudin, të cilët shpuan shkëmbinj në luginën
(Kura). Dhe me faraonin e fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të
cilët e tepruan me krime në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E
All-llahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh. Pse Zoti yt është që
përcjell (u rri në pritë)." (Fexhër:6-14)
Në një ajet tjetër thuhet:
"A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shikojnë se si përfunduan ata
që ishin më parë, të cilët ishin edhe më të shumtë prej tyre dhe më të
fortë për nga forca e ndikimit në tokë, por ajo që fituan, nuk u
ndihmoi asgjë. Kur u erdhën atyre të dërguarit me argumente të
qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu ajo që e
tallnin." (Gafir:82-83)
Ky është fundi i popujve të cilët u mbështetën në fuqinë materiale pa
atë shpirtërore ideologjike, gjë që rezultoi me mosrespektimin e
besimit, moralit dhe jetës shpirtërore.
Fuqia shpirtërore pa atë materiale, sipas Islamit, nuk do të korrë sukses
dhe s'mund ta udhëheqë jetën. Gjatë historisë kemi parë popuj që
jetuan të shkelur, të nënshtruar e të keqtrajtuar, sepse nuk luftonin e as
që i përballonin ndokujt në jetë dhe kështu pësuan disfatë nga të
fuqishmit.
Rruga e vërtetë e jetës së lumtur e fisnike është të harmonizohet
materia me shpirtin për ta përforcuar njeriun dhe jetën e tij si dhe të
mbështetet populli në të dy fuqitë: fuqinë e materies dhe atë të shpirtit;
nuk sundon njëra mbi tjetrën. Kështu ngjitet në qiejt e lartë duke mos
u frikuar nga tatëpjeta. Kur'ani na mëson ta lusim Zotin kështu:
"O Zot, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër."
Kur'ani na obligon ta përforcojmë besimin, kontrollojmë epshin dhe
lartësojmë shpirtin; ai na urdhëron të përgatitim fuqi maksimale: "E ju
përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake) e kuaj të
caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të (me
përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të
tjerët". (El-Enfalë: 60)
Ai gjithashtu na urdhëron të falim namazin e të japim zekatin sepse
këto dy aspekte paraqesin faktorët kryesorë të fuqisë shpirtërore
ideologjike si dhe urdhëron të punojmë: "Dhe me atë që ta ka dhënë
All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të
takon nga kjo botë." (El-Kasas: 77)
Gjithashtu na urdhëron t'i zbulojmë pasuritë e tokës dhe fshehtësitë e
gjithësisë (qiellit) "Thuaj: 'Vështroni me vëmendje çka ka (nga
argumentet) në qiej e në tokë.'" (Junus: 101)
Kur'ani na urdhëron të luftojmë në rrugë të Zotit xh. sh. dhe ta
sakrifikojmë jetën për hir të së vërtetës sepse xhihadi është një ndër
fenomenet më të mëdha të fuqisë, lëvizjes dhe punës, gjegjësisht në
këtë frymë filloi thirrja islame në kohën e Muhammedit a.s. dhe u
zhvilluan luftërat, kurse Muhammedi a.s. nuk ishte i fortifikuar por
luftoi së bashku me ta (muslimanët), e udhëhoqi ushtrinë, sulmoi, fitoi,
u plagos... Fitorja ishte në anën e thirrjes që i bashkoi të dy fuqitë
kundër idhujtarisë që kishte dobësuar mendjen, moralin dhe fuqinë
luftarake të arabëve.
Islami konfirmon se fuqia shpirtërore me pak fuqi materiale ka sukses
kundër fuqisë materiale nëse humbet faktori psikik ideologjik: Për këtë,
në Kur'an thuhet:
"'Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut kanë triumfuar
ndaj grupeve të mëdha!' All-llahu është me durimtarët." (Bekare:
249)
Shembull më i qëlluar për këtë është beteja e Bedrit, ku muslimanët,
numri i të cilëve ishte treqind, fituan në Bedër edhe pse ishin arabë si
kurejshitët që ishin afër një mijë. Ata ishin të afërmit e tyre, prej një
vendi, një popull dhe me karakteristika identike; kurse armët e
njëmijëshit ishin më të shumta se ato të treqindëshit... Por, muslimanët
kishin fuqinë e besimit, moralit e shpirtit, gjë që nuk e kishte opozita
pabesimtare dhe për këtë dështuan ashtu që disfata e tyre u shënua në
Kur'an në një formë ideale që tregon se ç'mund të bëjë fuqia
shpirtërore ndaj asaj materiale nëse vlerësohet minimalisht fuqia e
armës.
Në Kur'an ceket shembulli i individit që i bashkon të dy fuqitë dhe
fiton e korrë sukses, gjegjësisht Musa a.s. i cili u mbushi ujë dy
vajzave dhe eci me to deri te babai i tyre pa i shikuar fare për shkak të
turpit, moralit dhe fisnikërisë. Njëra prej tyre i tha babait të saj:
"O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, sepse më i miri i atij
që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!" (Kasas:
26)
Po ashtu në Kur'an ceket edhe shembulli i popullit që bashkon të dy
fuqitë dhe që ngadhënjen:
"Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të
(as'habët), janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm
ndërmjet vete, ti i sheh ata kah përulen (në ruku) duke rënë me
fytyrë në tokë (në sexhde), dhe kërkojnë nga All-llahu që të ketë
mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre". (El-Fet'h:29)
Ky është fryti i bashkimit të të dy fuqive dhe elementi kryesor i
lumturisë së popullit të sinqertë.
Agjërimi, të cilin e obligoi All-llahu xh. sh. për muslimanët, përmban
në vete bashkimin harmonik të dy fuqive, që jep fryt ideal, sepse në
aspektin shëndetësor prezenton fuqinë e trupit kundër shumë
sëmundjeve, kurse në aspektin ideologjik muslimanit i dhuron tri fuqi
ideologjike që ndikojnë më së shumti në lumturinë e individëve dhe të
shoqërive.
Durimi
Muslimani gjatë Ramazanit duron në uri e etje, braktis gjërat që
zakonisht i praktikon gjatë ditës, si kënaqësitë dhe lëngjet freskuese,
pra me vetdëshirë abstenon e duron e jo nga frika e burgut, kërcënimi i
trupit dhe i pasurisë.
Durimi vullnetar në kënaqësitë e epsheve ka më tepër dobi për shpirtin
dhe popullin se ai i obliguar nga mospasja, dënimi apo maltretimi.
Ushtari i cili nuk ka mësuar të agjërojë vullnetarisht në kohën e paqes
nuk do të jetë më i durueshëm në betejë gjatë rrethimit eventual nga
armiku dhe ndërprerjes së lidhjeve mes tij e eprorësisë.
Ushtari musliman duron urinë njëmujore në çdo vit dhe atë disaorëshe
në ditë derisa shmangia nga gjërat e shndërruara në vese të ditës, si
duhani, çaji dhe kafja, të bëhet për të e rëndomtë. Vetë e kam përjetuar
gjatë burgosjes sime në Luftën e Dytë Botërore se si të burgosurit e
humbnin vetëdijen për shkak të urisë disaditëshe. Vetëdijen e humbnin
ata që nuk ishin mësuar të agjërojnë kurse ata që zakonisht kishin
agjëruar më parë, urinë e pranuan si të rëndomtë në jetën e tyre, gjë që
shkaktoi habi të madhe.
Durimi në rastet e vështira paraqet armën më të fuqishme për popujt
sepse një durim i tillë në mesin e betejës është faktor kryesor për ta
mundur armikun.
Ne e dimë, se një ndër problemet më të mëdha të eprorësisë luftarake
bashkëkohore është furnizimi i ushtarëve me ushqim dhe disponimi i
tyre nëse gjenden larg vendit dhe familjeve të tyre...
Shpeshherë shohim se ushtria perëndimore merr me vete një grup
laviresh për t'i disponuar ushtarët. Krahaso këtë me ushtrinë islame që
zhvillonte luftëra dhjetëvjeçare në Gadishullin e Arabisë pa patur
probleme me ushqimin dhe disponimin e ushtarëve. Problemi i
ushqimit zgjidhej për shkak se ushtria islame përbëhej prej ushtarëve
që nuk i jepnin rëndësi kënaqësisë ushqimore por sakrifikimit për të
hyrë në parajsën (xhennetin) e gjerë aq sa qiejt e toka... Ushqimi për ta
ishte vetëm materie për lukthin dhe përforcimin e trupit, nëse gjenin
mish e qumësht, nuk ngopeshin, e nëse gjenin hurma e ujë ngopeshin
dhe nëse nuk ushqeheshin me ditë e netë të tëra veten e konsideronin
si agjërues të Ramazanit..!
Sa i përket disponimit të tyre, ata e gjenin ate në adhurim sepse kishin
fuqi shpirtërore, pastërti të besimit dhe moral të lartë. Po, pasha Zotin,
disponimin epshor e largonin kurse në anën tjetër e forconin veten për
luftë kundër armiqve të tyre, edhe ate me anë të adhurimit gjatë natës
deri para agimit të mëngjesit sepse lexonin Kur'an, lutnin (All-llahun)
dhe mësonin orë të tëra para se ta kryenin namazin e mëngjesit. Ata
vetëm ashtu e gjenin fuqinë në shpirtrat e tyre dhe qetësinë e zemrave
të tyre. Kështu vepronin çdo ditë pas përfundimit të betejës e ju mund
t'i paramendoni mundimet e atëhershme të luftëtarëve... Arma e
bardhë, shigjetat e përpikta dhe kuajt e shaluar ishin armët e tyre, me të
cilat luftonin ballë për ballë armikun, çdo ditë prej mëngjesit deri në
mbrëmje, gjegjësisht deri në kryerjen e namazit të jacisë, pastaj
pushonin disa orë në tendat e tyre. Pas pushimit çoheshin, i
drejtoheshin All-llahut xh. sh. dhe i luteshin me zemra të pastra sepse
vetëm lutjet dhe leximi i Kur'anit i dispononin shpirtrat e tyre.
Ata vepronin kështu... A s'keni dëgjuar si erdhi deri në tubimin e
Kur'anit gjatë kohës së Uthmanit r.a.? Hudhejfe ibn El-Jeman,
komandant i ushtrisë islame, i cili luftonte në Azerbajxhan, dëgjonte
lexime të ndryshme të muxhahidinëve gjatë kontrollimit të tij natën
nëpër tendat e tyre para namazit të mëngjesit.
Ata lexonin aq shumë saqë zëri i tyre i ngjante gumëzhimit të bletëve!!
Kjo është fshehtësia e fitores se tyre mahnitëse e të mrekulluar, të cilën
na e rrëfen historia si të pakrahasueshme. Kjo është fshehtësia e
disfatës së ushtrive persiane e romake që kishin moral të shkatërruar,
shpirt të pandritshëm, johuman e joideologjik, ashtu siç është rasti me
ushtritë e Perëndimit, të cilat vazhdojnë luftën në qoftë se kanë pranë
vetes pije alkoolike dhe lavire. Hyrja e tyre në beteje realizohet vetëm
pas sigurimit të ushqimit dhe furnizimit disamujor!
Respektimi
Muslimani i cili agjëron në Ramazan, largohet nga ushqimi, pija dhe
tradita e përditshme për shkak të respektimit të urdhërit të Zotit xh. sh.
dhe nderimit të Muhammedit a.s., dhe për këtë, ai nuk mendon se a do
të jetojë në qetësi apo në vështirësi sepse për të mjafton besimi në një
Zot dhe pranimi i Muhammedit a.s. si i dërguar e udhëheqës; ai është
betuar në Islamin e tij qoftë në rrethana të volitshme apo të
pavolitshme, të mira apo të këqija.
Kështu, ushtari musliman ishte shembull ideal i respektimit që
realizohej me vullnet dhe bindje të thellë shpirtërore.
A do të përfitonte Halidi virtytin më të lartë, i cili u revokua nga posti si
komandant i ushtrisë dhe u shndërrua në ushtarë të thjeshtë që luftonte
me të njëjtën energji, duke thënë: "Unë luftoj për hir të Zotit të Umerit
e jo për Umerin", sikur të mos e kishte thelluar Islami në shpirtin e tij
atë moral të lartë që përbëhej prej agjërimit, namazit dhe parimeve
tjera islame?
A do të realizoheshin shembujt e mrekullueshëm në historinë e Ebu
Bekrit, Umerit, Halidit, Sa'dit dhe kolosëve tjerë muslimanë sikur të
mos ishte ngulitur agjërimi në karakterin e devotshmërisë së tyre të
vetëdijshme gjersa e respektonin njëri-tjetrin dhe vepronin
bashkërisht?
Çka vëreni në ushtrinë e Usames, të cilën e përgatiti Muhammedi a.s.
pak para vdekjes ashtu që pleqësia e muhaxhirëve dhe ensarëve, si
Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Halidi të jenë nën komandën e të riut
Usame ibn Zejd, i cili ende nuk kishte mbushur njëzet vjet?
Si i shpjegoni fjalët e Ebu Bekrit drejtuar Umerit pas vdekjes së
Muhammedit a.s., kur Umeri kërkoi që të caktohet komandant ndonjë
që është në moshë dhe më me përvojë: "I Dërguari i Zotit ta caktojë e
unë ta largoj?!"
Si e kuptoni respektimin e çuditshëm të porosive të Muhammedit a.s.
para dhe pas vdekjes së tij? A nuk është ky respekt fryt i ndikimit të
agjërimit në edukatën e muslimanëve për respektimin e komandantit të
dashur?! Po, këtë e dëshmon edhe vetë historia!
Disiplina dhe organizimi
Muslimani gjatë Ramazanit ushqehet, fle e zgjohet në mënyrë të
disiplinuar e të organizuar. Organizimi i shoqërisë islame gjatë Muajit
të Ramazanit realizohet në formë të përkryer sepse uria ditore është e
përbashkët, bashkërisht në një kohë hanë iftarin, bashkërisht falin
namazin e jacisë, teravisë, mëngjesit... Ky lloj organizimi s'krahasohet
me asnjë shoqëri tjetër sepse në të barazohet plaku me të riun, dijetari
me të paditurin, sunduesi me të sunduarit, i pasuri me të varfërin; nuk
dallohen klasat njerëzore e as individët njëri prej tjetrit.
Sa i mrekullueshëm është agjërimi në sytë e hulumtuesve, si vegël për
edukimin, respektimin dhe organizimin e popujve?!
Ky është morali kryesor që thellohet në shpirtin e muslimanit nën
ndikimin e agjërimit: durimi, respektimi, organizimi, disiplina...
A mendoni se një popull që i posedon këto fuqi shpirtërore do të
shkatërrohet?
A mendoni se ushtria e kalitur me këto elemente të fuqishme të moralit
do të pësojë disfatë?
A mendoni se në shoqërinë ku mbizotëron morali i tillë i fuqishëm do
të përhapet amoraliteti?
Pasha Dërguesin e Muhammedit a.s. si pejgamber, sikur ta posedonim
sot këtë moral në konfliktin tonë me Izraelin, do të ndikonim shumë
edhe sikur ta posedonim gjysmën e armëve dhe pajisjeve të tyre!
Sikur t'i posedonim armët ideologjike e shpirtërore, do ta shndërronim
çështjen e kolonializmit të botës arabe e islame në legjendë!
Sikur të përkryhemi me këtë moral dhe të armatosemi me fuqi
materiale do ta zhbinim flamurin e qytetërimit nga duart e
perëndimorëve të mëdhenj e të degjeneruar.
O vëlla musliman!
Kur të agjërosh Ramazanin, mos harro se Zoti xh. sh. don të të
shndërrojë me anë të agjërimit në njeri "të fuqishëm e besnik" dhe ke
kujdes që të mos kalojë Ramazani e të ngelish "i dobët e tradhtar"!
O bijtë e Ummetit!
Kur agjëroni, mos harroni se Zoti me anë të agjërimit don t'ju
shndërrojë në popull "të ashpër kundër jobesimtarëve e të
mëshirshëm ndërmjet vete" (El-Feth, 29) dhe keni kujdes të mos
kalojë Ramazani e t'u përngjani njerëzve që i përshkruan Zoti kështu:
"E kur t'i shohish ata, trupat e tyre të mahnisin, e kur të flasin,
fjalës së tyre i vë veshin. Por ata janë si trungujt e zgavruar e të
mbështetur, e çdo zë e mendojnë se është kundër tyre". (El-
Munafikun: 4)
RAMAZANI, MUAJI I LIRISË
"Në liri plotësohet adhurimi, kurse me
realizimin e adhurimit plotësohet liria".
Ahmed ibn Hadravejhi
Liria nuk është ashtu siç e kuptojnë shumica e njerëzve, gjegjësisht
nuk përkufizohet me përfitimin e popujve, të drejtat e tyre në
udhëheqje e pavarësi sepse kjo është liri politike, e pas saj vijon liria e
idologjisë, e popullit, kulturës dhe doktrinave humane fisnike.
Liria nuk është ashtu siç e paramendojnë shumica e të rinjve,
gjegjësisht njeriu të vrapojë pas epsheve dhe dëfrimeve të tij, të hajë e
të pijë si të dojë si dhe të realizojë çdo gjë që dëshiron. Kjo liri
prezenton formën e kaosit në një anë dhe robërinë e urrejtur në anën
tjetër.
Kjo liri prezenton formën e kaosit sepse s'ka në botë liri absolute e të
pakufizuar me ligj ose sistem, bile çdo gjë në botë zhvillohet sipas ligjit
të posaçëm sistematizues.
Liria e individit mbrohet vetëm nëse përkufizohet me disa rregulla me
qëllim që të mbrohen liritë e të tjerëve, dhe nga kjo urtësi dalin ligjet,
kushtetutat, sistemimet dhe rregullat. Për shembull, ligji i trafikut në
metropolet e mëdha, ku udhëzohesh nëpër rrugë me shenjat
udhëzuese të komunikacionit, ligji i qetësisë së përgjithshme, i cili
pengon të bërtasish natën në rast të kalimit nëpër lagjet e banuara; ligji
i mbrojtjes së pavarësisë, gjegjësisht s'mund të propagosh ide që e
rrezikojnë sigurinë e paqes në shtet...
A mund të kërkosh kontratën paqësore me armikun gjersa populli yt
gjendet në kulm të luftës? A mund të zhvillosh tregti me armikun apo
t'ia dorëzosh prodhimet e vendit tënd pa kurrfarë dënimi që
shpeshherë përfundon me ekzekutim?
Plotësimi i lirisë ndonjëherë realizohet me ndalim, p.sh. të sëmurit të
cilit i ndalohet ushqimi i dëmshëm, i kufizohet përkohësisht liria e
ushqimit për shkak të shërimit ndërsa krimineli burgoset përkohësisht
për të kuptuar se si ta shfrytëzojë më vonë lirinë e vet, në mënyrë të
drejtë dhe pa i dëmtuar njerëzit dhe vetveten.
Njeriu nuk jeton i vetëm por është pjesë e shoqërisë së bashkuar dhe
kështu nëse dëmtohet ai dëmtohet edhe shoqëria. Për këtë,
Muhammedi a.s. ka dhënë një shembull të bukur rreth një grup
njerëzish që kanë lundruar me anije. Disa prej tyre kanë qenë në
pjesën e lartë kurse të tjerët në pjesën e ulët të anijes. Pasi që ata të
cilët ishin poshtë e merrnin ujin prej atyre që ishin lartë, thanë: "Pse
nuk fundosemi e të marrim ujin drejt nga deti?" Muhammedi a.s. tha:
"Sikur t'u lejonin të veprojnë sipas dëshirës së tyre do të fundoseshin
të gjithë, e nëse shpëtonin ata, do të shpëtonin të gjithë". Ky është
një shembull i mirë nga mësuesi më i madh i njerëzimit, i cili
përkufizon lirinë individuale që nuk dëmton askend dhe lirinë që
dëmton dhe shkatërron shoqërinë nëse eventualisht aplikohet.
Sa i përket robërimit, mund të themi se liria plotësohet atëherë kur nuk
të robëron ndokush që është njeri sikur ti. Liria individuale, në të cilën
mbështeten disa njerëz, prezenton robërimin e urrejtur nga ana e
njeriut që është sikur ti dhe kaosin e parimeve jetësore. Nëse mbi
njeriun dominojnë kënaqësitë e epsheve dhe jeta e shfrenuar, atëherë
ai shndërrohet totalisht në rob të kënaqësisë, sepse jetën e tij vetëm ajo
e dirigjon. Në këtë rast ai vepron siç dikton kënaqësia epshore dhe
s'mund ta kundërshtojë.
Çfarë lirie është kjo kur gjërat e pavlefshme e shndërrojnë njeriun në
rob?! Sikur të vlerësohej njeriu sipas sasisë së plotësimit të epsheve,
atëherë shtaza do të ishte më e vlefshme!
Shtazët vrapojnë pas kënaqësisë së pakufizuar e të paqëllimtë, kurse
njeriu sado që orvatet t'i plotësojë kënaqësitë e veta, përsëri do të
gjegjë pengesa në rrugë. Pra si mendoni ju, a mund të paramendojë
ndokush se shtaza që nuk hasë në pengesa është më e lirë se njeriu dhe
më e lumtur?!
Kur ndjek ndokush ndonjë vajzë apo këngëtare, a mund të
paramendojë se është i lirë nga dominimi i tyre? A nuk e sheh ate si
rob të çastit, të zënë peng e të humbur?
Qëllimet më të larta në jetën e tij varen nga dashuria e larguar apo nga
dëshuria e trupit të ndaluar?
A ka robëri më të keqe se ajo që nuk e lë njeriun të lirë në dashuri ose
urrejtje, në vazhdim ose ndalim, në kënaqësi ose hidhërim apo në
qetësi ose huti?
A mund të supozojmë se është i lirë ai që jepet pas pijeve dehëse
derisa të dëmtohen nervat, shëndeti, mendja dhe dinjiteti i tij? A ka
diçka më neveritëse se robërimi nga pija vrasëse dhe helmi
shkatërrues?
Kështu mund ta gjykosh atë që dorëzohet krejtësisht para pasurisë e
pozitës dhe fanatizmin e udhëheqësit. Çdo njeri i dorëzuar para këtyre
gjërave, shndërrohet në rob të mposhtur si dhe çdo epsh që sundon
mbi veprat dhe sjelljet e tij, e shndërron në rob të përhershëm. Kjo
gjendje përshkruhet shumë bukur në Kur'an: "A e ke parë ti
(Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të
vetin?" (El-Xhathije: 23)
Dëshirat e njerëzve të tillë kanë karakteristika hyjnore... A nuk është
Zot ai i cili adhurohet, i nënshtrohen, i frikohen dhe i luten? A nuk janë
ithtarët e epsheve nën dominimin e dëshirave të tyre ngase nuk mund
t'i hidhërojnë e as t'i refuzojnë?!
Robërimi nuk paraqitet vetëm në formë të lidhjes apo të burgut sepse
këto janë llojet më të lehta të tij dhe me afat shumë të shkurtë.
Robërimi i vërtetë formohet nga tradita e përditshme që dirigjon, epshi
që sundon dhe kënaqësia që adhurohet... Liria nuk është në
transferimin prej një vendi në një vend tjetër por ajo është në
dominimin mbi epshet tuaja dhe në dallimin e të mirës ndaj së keqes.
Liria e vërtetë është që të mos bëhesh rob i shprehisë së përditshme
dhe të të mos mposhtë epshi. Në këtë kuptim muslimanët e devotshëm
kanë qenë plotësisht të lirë sepse feja i ka liruar shpirtrat e tyre nga
ambiciet, epshet dhe dëshirat e dëmshme, i ka lidhur shpirtrat e tyre
me All-llahun, xh.sh. Krijuesin e gjithësisë dhe jetës kurse dëshirat e
tyre i ka kufizuar vetëm me dëshirën e Tij. Zoti xh.sh. është i Vërtetë,
burim i të mirës, dashurisë dhe mëshirës. Njeriu lirohet nga atributet e
urrejtura vetëm në rastë se dominojnë mbi te: e vërteta, mirësia dhe
mëshira. Nëse njeriu obligohet të robërohet nga ndonjë ide, doktrinë
apo krijesë, atëherë për të më mirë do të ishte sikur të bëhej rob i të
Vërtetës se sa i të keqes. Ata të cilët i robëron doktrina njerëzore që e
përfiton lartësinë e saj nga Zoti, janë më të mirë se ata të cilët i robëron
doktrina epshore që rrjedh nga djalli. Ata të cilët i nënshtrohen All-
llahut xh.sh. dhe i respektojnë urdhërat e Tij janë më të mirë, më të
përkryer dhe më të mençur se ata të cilët i nënshtrohen femrës, gotës,
pasurisë ose epshit, gjegjësisht respektojnë urdhërin e njeriut që gabon
apo qëllon, lartësohet apo mposhtet, bën mirë ose keq...
A nuk vëren, së bashku me mua, pas gjithë kësaj, marrinë e disa
përparimtarëve që refuzojnë të thirren ashtu siç i kanë thirrur etërit e
tyre, si Abdull-llah (Rob i Zotit) ose Abdulxhevad (Rob i Bujarit),
kurse në të kundërtën lejojnë të atribuohen me "robëri"?! A nuk i sheh
ata të cilët refuzojnë robërinë nga fuqia e të cilit nuk mund të largohen
kurse pranojnë robërimin e epshit më të urryer e më të poshtër? A nuk
sheh se ata kanë nevojë për keqardhjen tënde më tepër sesa të nxisin
në shpirtin tënd marrinë dhe mohimin?
Me këtë koncept preciz të lirisë dhe robërimit e presim Ramazanin si
muaj të "lirisë" kurse agjërimin si shkollë ku diplomojnë të lirët me
plotkuptimin shkencor të fjalës.
Në Ramazan ka uri, etje, kufizim dhe ndalim, por edhe shëndet dhe
lirim nga robërimi; në të ka revolucion kundër robërimit të ushqimit e
pierjes, shprehisë e jetës monotone...
Revolucioni kundër robërisë është atributi i parë i të lirëve.
Në Ramazan ka abstenim vullnetar nga kënaqësia dhe pikërisht kjo gjë
paraqet lirinë. Liria e dëshirës është të veprosh sipas mendjes tënde e
jo sipas epsheve dhe emocioneve, si dhe ta ndalosh veten nga ajo që
mund ta realizosh. Vetëm në këtë rast ke dëshirë të fuqishme, epsh të
dobët, i kontrollon dëshirat tuaja dhe nuk dështon mendja yte para
fuqisë së epshit tënd. Ai që atribuohet kështu, korrë fitore në çdo
betejë.
Shiko tregimin për mbretin Talut, i cili ndaloi ushtarët e vet të pijnë ujë
nga lumi, edhe pse ishin të etur e të rraskapitur, mirëpo vetëm një
numër i vogël e respektoi urdhërin e dhënë dhe ky numër ngadhënjeu
për shkak se ishin dinjitozë në përcaktimet e tyre:
"E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: 'All-llahu do t'ju
sprovojë me një lumë, e ai që pi prej tij, ai nuk është me mua, e kush
nuk e shijon ate, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi
një grusht!' Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët
pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë së bashku me të edhe ata që
ishin besimtarë thanë: 'Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe
ushtrisë së tij!' Por ata që ishin të bindur se do ta takonin All-
llahun xh.sh. thanë: 'Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e All-llahut
kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!' All-llahu është me
durimtarët. E kur i dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij,
thanë: "Zoti ynë! Na dhuro durim, na i përforco këmbët tona dhe
na ndihmo kundër pabesimtarëve!" (El-Bekare: 249-250)
Kështu, triumfuan ndaj tyre pasi që dominuan mbi nevojat e tyre.
"E ata, të cilët luftuan për hir Tonin, Ne me siguri do t'i orientojmë
rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e
besimtarëve". (El-Ankebut: 69)
Gjatë Ramazanit, adhurimi ndaj Zotit është i plotë!
Sa më të lirë të jenë njerëzit, aq më shumë do ta adhurojnë Zotin!
Këta njerëz nuk robërohen nga këngëtarja, epshi, pasuria, kënaqësia,
ambicia dhe shqetësimi, bile as që i kaplon frika apo drithma.
Adhurimi i Zotit i ka çliruar nga çdo frikë pos frikës nga Ai: "Ta keni
të ditur se të dashurit e All-llahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën
tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Ata janë ata) të cilët besuan dhe
ishin të ruajtur. Atyre u jepet myzhde në jetën e dynjasë (në çastin e
vdekjes) dhe në jetën tjetër (për shpëtim dhe xhennet). Premtimet e
All-llahut nuk mund të pësojnë ndryshim. E, kjo është sukses i
madh". (Junus: 62-64)
Kështu, ata refuzuan çdo adhurim pos atij të All-llahut xh.sh. dhe u
shndërruan në zotërues të epsheve, fituan liri të vërtetë e moral fisnik
dhe në zemrat e tyre u pasuruan...
Pasha jetën time, kjo është liri e madhëruar!
Me të drejtë ka thënë Muhammedi a.s.:
"Pasuria nuk është në pronën e gjerë, por në shpirt."
Sa e mirë është thënia e Ibn Ataull-llahut: "Ti je i lirë nëse largohesh
nga diçka, e nëse jo, atëherë bëhesh rob i saj".
Nga e gjithë kjo që u theksua mund të kuptohet urtësia e madhe e
thënies së sufistit të njohur Ahmed ibn Hadravejhit: "Në liri plotësohet
adhurimi, kurse me realizimin e adhurimit plotësohet liria".
Gjatë Ramazanit njeriu largohet nga paedukimi i urrejtur, fjala fyese,
sjellja e turpshme...
Sa e ëmbël është kjo liri!
Ti je i lirë në sjelljen fisnike dhe nuk dërgohesh nëpër gjyqe, nuk
burgosesh dhe nuk e humbë meritën e pozitës!..
Ti je i lirë në fjalën fisnike, nuk obligohesh të kërkosh falje, nuk
qortohesh dhe nuk pendohesh!
Ti je i lirë në bashkëpunim me të tjerët, nuk kritikohesh, nuk flitet për
tradhtinë tënde dhe nuk je i dyshimtë!
O vëlla besimtar!
Ky Ramazan na mëson lirinë e plotë me urinë e tij, etjen, kufizimin
dhe ndalimin... A s'e dëshiron lirinë e tillë, që buron nga uria dhe
ndalesa?
Eja pra me mua e të fluturojmë në horizontet e lirisë!
Eja me mua e të largohemi nga bota e robërve!
Eja me mua e të shohim se si jetojnë robërit në botën e adhurimit!
A mendon se politikanët e mëdhenj, që i dirigjojnë çështjet e botës
janë të lirë? A nuk sheh se janë robër të ambicieve të tyre politike!
Si të bëhet bota e lumtur kur robërit e udhëheqin?
A mendon se ata të cilët e udhëheqin popullin pa dëshirën e tij janë të
lirë? A nuk i sheh se janë robër të epsheve dhe lakmisë? Si mund të
jetë populli i lumtur kur robërit e udhëheqin?
A mendon se të gjithë popujt që anojnë nga epshet e lira janë të lirë
nga çdo adhurim? A nuk sheh se janë viktimë e pavetëdijes dhe
shprehisë vrasëse? Si mund të zgjohet një popull që nuk është çliruar
nga prangat e robërisë?
A mendon se "përparimtarët" që nuk agjërojnë janë të lirë në mendime
e ide? A nuk sheh se mvaren nga kënaqësia e pafrenueshme dhe se
janë robër të epshit të pangopur? Barku dhe epshi i tyre i kanë privuar
nga bota e të lirëve dhe nga atributet e luftëtarëve! Si mund ta
paramendojnë lirinë kur mendja e tyre është nën dominimin e epshit?
Ata janë robër me rroba të të lirëve!
T'i cekim të lirët e botës së të lirëve!
A nuk të kujtohet dita kur i erdhi Muhammedit a.s. liria, gjegjësisht
liria e plotë e sheriatit të Zotit, i çliroi arabët dhe i shndërroi në
udhëheqës të botës?
A nuk të kujtohet liria e tyre në mendime gjersa Umeri i tha (Haxherul-
Esvedit) gurit të zi: "Pasha Zotin, e di se je vetëm gurë, nuk dëmton e
as që ka dobi prej teje. Sikur të mos e shihja të Dërguarin e Zotit se të
puthë, nuk do të puthja asnjëherë".
A nuk të kujtohet se përhapja e Islamit ishte mëshirë për popujt, çlirim
dhe shkatërrim i prangave... Ata u shndërruan në popuj më të
mëshirshëm dhe më të sinqertë në bartjen e flamurit të lirisë gjersa një
i Perëndimit brohoriti: "Historia nuk ka parë pushtues më të
mëshirshëm se arabët"!
A nuk të kujtohet se u liruan nga robërimi i pasurisë aq shumë saqë të
pasurit, gjatë jetës e shpërndanë tërë pasurinë e tyre. Kur e pyeti
Muhammedi a.s. njërin prej tyre se çka i ka lënë familjes së tij, ai është
përgjigjur: "Zotin dhe të Dërguarin e Tij".
A nuk të kujtohet lirimi i tyre nga frika e vdekjes dhe dashuria e jetës
gjersa komandanti i tyre, Halidi u tha armiqve: "Ju solla njerëz që e
duan vdekjen ashtu siç e doni ju jetën!"
Po, vëllai im, ti e kujton gjithë këtë!
Pra, të mësojmë prej Ramazanit lirinë që të jetojmë të lirë në këtë botë
dhe ta mësojmë botën se si është liria: "Ju jeni popull më i dobishëm,
i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni
nga veprat e këqija dhe të besoni All-llahun." (Ali Imran: 110)
FILOZOFIA DHE SEKRETET E
AGJËRIMIT
"Agjërimi paraqet burrërinë e proklamuar dhe
dëshirën e lartë".
Kjo është mbrëmja e dytë e këtij Muaji fisnik, në të cilin njerëzit
zakonisht qëndrojnë deri në mëngjes, përgatisin ushqim gjersa e
kalojnë nivelin e rëndomtë dhe përjetojnë gëzim dhe hare. Këto forma
mund t'i plotësojnë dëshirat e disa fetarëve, që i konsiderojnë si
argument për thellimin e Islamit në zemrat e muslimanëve, por ngelin
në këtë kufi sepse e pranojnë realitetin e agjërimit në bazë të urisë
ditore, realitetin e fisnikërisë me pagesat e iftarit dhe syfyrit kurse
realitetin e devotshmërisë me ndriçimin e minareve dhe mbushjen e
xhamive me njerëz.
Në realitet e vërteta e agjërimit nuk ndikon në mjedisin e disa njerëzve
dhe për këtë vendosin të mos agjërojnë, pa ndier kurrfarë faji ose
mëkati, bile ndonjëherë hanë gjatë ditës së agjërimit publikisht pa
kurrfarë turpi ose shqetësimi.
Sekretet e agjërimit
Sikur të ishte agjërimi traditë atëherë sipas edukatës shoqërore, duhej
ta respektonim më tepër sesa e respektojmë tash për shkak të nderimit
të popullit dhe traditës së tij.
Pra në ç'mënyrë ta respektojmë pasi që është edukatë shpirtërore e
popullit që mëson prej agjërimit ngritjen mbi epshet, depërtimin në
horizontet e mirësisë dhe largimin nga materja, gjegjësisht shoqëria
fiton lumturinë e saj?!
Kështu, agjërimi është vegël për edukimin e dëshirës stabile të popullit
sepse agjëruesi nuk dominon vetëm mbi kënaqësinë e lejuar por edhe
mbi ate të ndaluarën; fiton shprehi të largohet vullnetarisht nga
ushqimi e pija që më vonë të mos ndiej vështirësi në rast obligimi.
Agjërimi është obligim praktik i Islamit të mëshirshëm për të gjithë
muslimanët; hanë e pijnë në një kohë, nuk dallohet barku prej barkut e
as goja prej gojës; ndien urinë edhe ai që se ka ndier para Ramazanit si
dhe përjeton vuajtjet e varfërisë dhe të skamjes edhe ai që s'i ka
përjetuar më parë.
Pasha jetën time, a ka në botë socializëm praktik që i trajton njerëzit në
mënyrë të barabartë, si në skamje ashtu edhe në bollëk, ashtu siç është
shoqërorizimi i agjërimit gjatë Muajit të Ramazanit?!
O agjërues besimtarë, Ramazani është largim nga epshi e kënaqësia,
lartësim shpirtëror dhe liri shpirtërore. Sa bukur do të ishte sikur i tërë
viti të ishte Ramazan, nëse ky është koncepti i agjërimit!
Ramazani është muaji i burrërisë së proklamuar që dominon mbi
instinktet dhe i dëshirës së lartë që funksionon vullnetarisht. Sa mirë
do të ishte sikur Muaji i Ramazanit ta bashkonte gjithë popullin e të
mos mbetet askush me burrëri të dështuar dhe me dëshirë të
parealizuar! Sa mirë do të ishte sikur Ramazani t'i bashkonte njerëzit
me agjërimin që përmban në vete burrëri të proklamuar dhe dëshirë të
lartë!
Ramazani është varfëri e obliguar sepse të gjithë njerëzit në të janë të
barabartë, ndiejnë vuajtje të njëjta që dalin nga realiteti objektiv e jo
nga imagjinata iluzore. Nga vuajtjet lindë mëshira kurse nga mëshira
drejtësia! Sa e bukur do të ishte jeta sikur të gjithë të kishin vuajtje dhe
ndjenja të njëjta!
Sa e bukur do të ishte koha edhe sikur të ishte krejt Ramazan, ngase ai
(Ramazani) i realizon gjërat më të rëndësishme në shoqëri:
barabarësinë dhe rehatinë!
Nëse Ramazani është përkryerje, burrëri, edukatë e dëshirës dhe
socializëm praktik, atëherë a nuk e shpallin publikisht muslimanët që
nuk agjërojnë zhytjen e tyre në epshe, largimin nga burrëria, dështimin
në mejdanin e dëshirës dhe luftimin kundër socializmit praktik? A e
fitojmë të drejtën që joagjëruesit e rritur t'i quajmë "fëmijë të rritur",
kurse fëmijët agjërues "të rritur të vegjël?"
O fëmijët e mi të vegjël dhe o vëllezër të rinj që e përjetoni vuajtjen e
urisë, vapën e verës dhe vështirësinë e etjes! Ju agjëroni së bashku me
prindërit tuaj dhe e vërtetoni burrërinë dhe dëshirën tuaj!
Ju lumtë, sepse vatani me ju do të fitojë e jo me ata të cilët dështuan
para se të hynë në mejdanin e luftës!
O vëlla besimtar!
Nëse Ramazani është ashtu siç u theksua, atëherë e drejta jonë është të
pyesim se a agjërojmë me të vërtetë këto ditë apo a i përjetojmë
vuajtjet e urisë në ditët e Ramazanit e t'i mënjanojmë nga ato që i
përjetojmë gjatë tërë vitit?
A e ndalojmë ushqimin e trupave tanë që t'i mbrojmë organet tona nga
dëmtimi dhe armiqësia?
A ndjejmë në agjërim lartësinë e shpirtrave tanë ashtu që të mos
veprojmë siç kemi vepruar para Ramazanit?
Muhammedi a.s. përgatitej para çdo Ramazani, jo me ushqim e pije as
me zbukurim e veshje, por me adhurim dhe devocion, bujari dhe
shpirtgjerësi, kështu që para Zotit xh.sh. shndërrohej në rob
respektues, para njerëzve në pejgamber të urtë, kurse para vëllezërve
dhe fqinjëve të tij në mirëbërës dhe bujar aq shumë saqë disa shokë të
tij thonin se gjatë Ramazanit ishte më bujar se kurdoherë më parë...
Ashtu vepronin edhe shokët dhe pasardhësit e tij. Ramazani për ta
ishte koha kur shijonin erërat e parajsës (xhennetit), fluturonin
besimtarët në qiejt e të vërtetës dhe ngriheshin zërat e falësve të
namazit kundër tiranëve keqtrajtues.
Pse nuk e përjetojmë Ramazanin ashtu siç e përjetuan Pejgamberi dhe
paraardhësit tanë? Pse nuk e shndërrojmë në muaj të mirësisë ashtu që
jeta jonë të lulëzojë vetëm me mirësi, begati dhe lartësi shpirtërore?
Pse nuk e shndërrojmë Ramazanin në muaj të luftës kundër dobësisë,
injorancës, epsheve tona, kaosit tonë dhe kundër çdo mëkatari e tirani
në botë?!
O ju agjërues!
Ju jeni në luftë me epshet tuaja për shkak të grindjes mes materies dhe
shpirtit dhe duhet të keni kujdes që të mos dështoni; keni kujdes që të
mos keni uri ditën për t'i mbushur barqet natën; keni kujdes që të mos i
ushqeni duart, sytë dhe gjuhën tuaj pas agjërimit me mëkate,
gënjeshtra e sharje!.
Keni kujdes që të mos jeni aktivë në veprat e këqija dhe përtacë në
adhurim! Keni kujdes prej të gjitha këtyre gjërave sepse janë vepra të
djallit e jo të Rrahmanit (Zoti xh.sh.).
Shpejtoni në përkushtim!
Bëni vepra të mira!
Shijoni erërat e xhennetit!
Çoni sytë përpjetë kah qielli!
Ngreni shpirtrat tuaj nga kjo botë!
Përkujtoni gjithmonë thënien e Muhammedit a.s.: "Shumë agjërues
nuk fitojnë prej agjërimit të tyre pos urisë dhe etjes", ose: "Agjërimi
është mburojë dhe nëse e nxitë ose e sulmon ndokush agjëruesin le të
thotë: 'Unë agjëroj, unë agjëroj'."
O Zot, na bën prej agjëruesve të pranuar!
RAMAZANI, MUAJI I MIRËBËRJES
Para pak çastesh përfunduat iftarin dhe falënderuat Zotin xh.sh. për
ushqimin pas urisë dhe etjes. Iftari është njëri prej dy gëzimeve që i ka
theksuar Muhammedi a.s.: "Agjëruesi ka dy gëzime: në iftar dhe në
takimin me Zotin e tij."
Gëzimi i përbashkët nga ushqimi dhe freskimi zakonisht realizohet në
mbrëmjet e Ramazanit sepse familja vështirë bashkohet në ushqim e
haje pos në Ramazan, bile nëse ndokush mungon nga familja,
mungesa e tij ndihet më së shumti në ditët e Ramazanit.
Ju, o agjërues, në çdo mbrëmje të Ramazanit përjetoni lumturi të
papërshkruar, i falënderoheni Zotit xh.sh. dhe kërkoni prej Tij që ajo
lumturi të vazhdojë; pra si e paramendoni vazhdimin e këtyre begative
dhe si i falënderoheni?
Falënderimi për mirësitë nuk shprehet vetëm me gjuhë por duhet të
punosh që edhe vëllezërit tu, të cilët jetojnë një jetë në skamje, të të
shoqërojnë në ato mirësi. Sa të varfër ka që janë më të zgjuar e më të
mençur se të pasurit mirëpo ashpërsia e shoqërisë dhe mosinteresimi
shtetëror ua destinoi botën e mjerimit dhe të problemeve elementare.
Pasi që mëshira për ta është e obliguar jashtë ditëve të Ramazanit,
atëherë gjatë këtij muaji bëhet edhe më e obligueshme.
Pasi që shoqatat humanitare obligohen t'u ndihmojnë dhe t'ua fshijnë
lotët, pikëllimet dhe mjerimet e tyre, atëherë muslimanët janë më të
obliguar për t'i bërë të lumtur e t'u ndihmojnë.
O ju njerëz, a nuk mendoni se numri i njerëzve të tillë është shumë i
madh?
A nuk mendoni se ata në shoqërinë tonë të ashpër e të vrazhdë
gjenden në çdo lagje, treg, rrugë, fshat...?
Mos mendoni se të gjithë ata të cilët trokasin në dyert tuaja dhe të cilët
ju bezdisin me insistimet e tyre nëpër rrugë janë të varfër sepse
shumica janë ekspertë në fjalë. Të mjerë dhe të varfër janë ata të cilët
nuk mund t'i ushqejnë fëmijët me rrogat e tyre, gratë që s'kanë gjë në
vatrat e tyre, jetimat, refugjatët e ikur të cilët për shkak të politikës
diskriminuese, tradhtisë apo faktorëve të tjerë e humbën pasurinë, u
poshtëruan, u shpërndanë nëpër rruzullin tokësor dhe erdhën te ne që
të kërkojnë lëmoshë për jetë.
Për ta sot duhet të kujtoni. Nuk them që t'u jepni lëmoshë apo të
bëheni zemërgjerë sepse këto janë sjellje njerëzore, por them: "fshini
mëkatet tuaja dhe të tyre me ndjenjat e vëllazërimit, lidhjet fetare,
mëshirën dhe afërsinë fqinjësore".
Sikur të mos ishte vrazhdësia e shoqërisë, nuk do të jetonin në mjerim
të tillë. Nëse ata ndjejnë idhëtinë e jetës një herë jashtë Ramazanit,
atëherë e ndjejnë shumë herë gjatë këtij muaji.
O ju njerëz, ata janë fqinj tuaj sepse në çdo lagje keni një ose më
shumë familje të varfëra. Paramendone mjerimin e tyre kur ju shohin
se si hyni në shtëpitë tuaja me lloj-lloj pemë, perime e ëmbëlsira, kur e
ndjejnë erën e mishit të pjekur dhe të gjellave për çdo mbrëmje dhe
kur i shohin fëmijët tuaj që dalin të ngopur në rrugë për të luajtur. I ati i
tyre ndien dhembje në gjoks, nënës i rrjedhin lotët, kurse fëmija qanë
e vajton nga uria.
Kështu ju ushqeheni |