| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Islam[Alb-Islam] Kumtesa: "Ramazani ne Kosove," Dr. Rexhep BojaMentor Cana mentor at alb-net.comWed Dec 8 16:41:24 EST 1999
Vëllezër të dashur! Nesër, më 9 dhjetor, është dita e parë e muajit të Ramazanit. Ky është Ramazani ynë i parë në Kosovën e lirë. Deshi Allahu i madhërishëm me fuqinë e Tij e na plotësoi një lutje tonë të kahmotshme që Kosova jonë të jetë e lirë. Mirëpo, çmimi i kësaj lirie ishte tejet i shtrenjtë. Prandaj, me këtë rast kemi obligim fetar dhe kombëtar ti përkujtojmë mbi 15.000 viktima të pafajshme e të pambrojtura, të cilët u flijuan për lirinë e Kosovës dhe mbi 7000 të zhdukur e po aq të burgosur të cilët po mbahen peng në burgjet e Serbisë. Prandaj, kemi obligim që të gjithë ne të kemi respekt për sakrificat e tyre dhe të lutemi për ta, ndërsa me të afërmit e tyre të solidarizohemi që së paku tua lehtësojmë dhembjet që ata kanë për më të dashurit e tyre. Por, respektimi më i madh që ne do të bënim për ta do të ishte që ne ti realizojmë idealet e tyre për të cilën ata sakrifikuan edhe jetën e tyre e ajo është që në Kosovën tonë të lirë të mbretërojë qetësia, paqa dhe siguria. Vetëm nëse e realizojmë këtë, atëherë ne do të çojmë në vend amanetin e tyre. Agjërimi, si njëri prej pesë shtyllave të Islamit, për besimtarin është simbol i sakrificës, prehjes shpirtërore dhe solidaritet në kuptimin më të thellë të fjalës. Një solidaritet të tillë ndaj nesh më së miri e treguan në praktikë vëllezërit tanë në Maqedoni, Shqipëri e Mal të Zi, duke i strehuar vëllezërit e tyre në kulminacionin e fushatës më të egër të dëbimeve nga soldateska serbe. Këtu nuk duhet të harrojmë dhe solidaritetin dhe ndihmën e adhe që na ofroi edhe Bashkësia e gjerë ndërkombëtare, qoftë në strehim apo sigurimin e rikthimit tonë në Kosovë, si dhe përpjekjet e saj për vendosjen e rendit dhe stabilizimin e gjendjes në të. Agjërimi nuk do të thotë që besimtari të mos hajë e të mos pijë për një kohë të caktuar, por para së gjithash, ai lypset ta ndalojë vetveten prej punëve të këqija. Vendosja e rendit, qetësisë dhe paqes në Kosovë, nuk është obligim vetëm i forcave të KFORit, policisë ndërkombëtare të UNMIKut ose e TMKsë, por ai është obligim i çdo qytetari të Kosovës. Imazhin, të cilin populli i Kosovës e arriti në botë me aq sakrifica, nuk duhet të lejojmë që ta prishin disa kriminelë ordinarë, hajdutë e plaçkitës nën çfarëdo maske qofshin ata. Në Kosovën e lirë më nuk duhet të ketë vend për hakmarrje, djegie e vrasje të njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata i përkasin një feje apo kombi tjetër apo flasin një gjuhë tjetër. Fajësisë kolektive në Kosovë duhet thënë stop njëherë e përgjithmonë. Njerëzit nuk duhet të gjykohen mbi këtë bazë, por në bazë të veprimeve të tyre dhe se këtë duhet ta bëjnë organet e ndjekjes dhe të drejtësisë. Apelojmë tek besimtarët tanë që për hirë të Ramazanit, në Kosovë të mbretërojë qetësia, rendi dhe paqa, që njerëzit të jenë të lirë ti kryejnë punët e tyre, që ata të mos brengosen për fëmijët e tyre. Vetëm, nëse kthehet rendi e qetësia do të jemi të denjë ta quajmë veten popull i lirë dhe në atdheun e lirë. Secili prej nesh ka përgjegjësi për (mos)veprimet e veta, andaj mos të lejojmë që tash të dështojmë para Allahut, pastaj edhe të mos i dëshpërojmë miqtë tanë të cilët në momentet më të vështira na ofruan ndihmë, sepse Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli pa mos e ndryshuar ai vetveten. Të nderuar vëllezër dhe motra! Allahu i Gjithëmëshirshëm na urdhëron: Dhe kapuni që të gjithë për fenë e Allahut e mos u përçani në mes veti... (Kur ani) Është ky një urdhër i paalter nativë për unitet e urtësi, prandaj ftojmë të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, e në veçanti prijatarët politikë, që të gjejnë kurajë e gatishmëri, e të jenë sa më unikë. Vetëm me unitet, harmoni dhe respekt të ndërsjellë, do ta jetësojmë idealin e shehidve tanë pavarësinë e Kosovës. Edhe në këto momente, kur e tërë bota jeton me kënaqësitë e muajit të Ramazanit, me dhuntitë e pakufishme të tij, zemrat tona janë të plagosura për Mitrovicën përkohësisht të ndarë, për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, e sidomos për të burgosurit tanë që dergjen nëpër kazamatet e Serbisë. Duke ju uruar për muajin e madhërishëm të Ramazanit, lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm që lutjet dhe ibadetin tonë të na i pranojë. Kryetari: Myftiu, dr. Rexhep Boja
More information about the Alb-Islam mailing list |