| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Islam[Alb-Islam] Shqip: "CESHTJA: LETER RRETH TRILLIMEVE DHE OFENDIMIT TE FETARIT SHQIPTAR", nga Dr. Ismail BARDHIMentor Cana mentor at alb-net.comWed Dec 8 16:47:04 EST 1999
Shkup, shtator 1998 Për: Ekselencën e tij Dr. Rexhep MEJDANI President i Republikës së Shqipërisë Tiranë Nga: Dr. Ismail BARDHI, teolog "Topaanska" 9 - Shkup ÇËSHTJA: LETËR RRETH TRILLIMEVE DHE OFENDIMIT TË FETARIT SHQIPTAR "Kur traditat e humbin lidhjen me realitetin aktual, kur institucionet mbijetojnë vetëm me ndihmën e represioneve të verbëta dhe kur individët nuk janë më në gjendje të njihen në veprimtaritë e tyre personale, atëherë çdo etikë shndërrohet në shkrumb e hi." Jürgen Habermas Ekselenca juaj, Edhe pse keni probleme më të mëdha se ato të cilat i trillojnë dhe i fetishizojnë mediat, me nxitjen edhe të qeverisë, sërish ndjej nevojën se ndjenjat e fetarit dhe feja janë nga fenomenet të cilat zënë vendin kryesor në kulturën e popujve të civilizuar. Paramendoni se si paraqitet ky problem: "Islamikët terroristë", "bomba islamike", "feja aziatike" e të ngjashme. Më lejoni që ta paraqes një revoltë timen rreth këtyre problemeve të cilat kanë bërë që çdokush të merret me çështjen e fesë, përpos ekspertëve dhe përgjegjësve të saj. Zotëri President. Në perspektivën e përvojës mbarënjerëzore fakti i kalueshmërisë për fat të keq është i pamohueshëm. Themi se çdo gjë kalon megjithëse presim që ajo sërish të kthehet. Ritmi i ndërrimit të moteve ndodh pavarësisht nga ne, në mënyrë të paevitueshme. Çdo gjë pra kthehet, vetëm njeriu udhëton në pakthim. Udhëton madje edhe atëherë kur qëndron në një vend. Udhëton, sepse shpirti i tij nuk njeh ankorim. Ne nuk jemi ajo që jemi, ne bëhemi vetëm në shqetësim dhe kërkim. Mirëpo, është rrezik që në gjithë këtë të mbetesh i vetmuar, pa bashkudhëtar dhe shok, pa udhëzues. Padyshim se kemi nevojë për dikë të na udhëheqë, i cili do të kujdeset për sigurinë dhe ngritjen tonë shpirtërore. Të gjithë brengosemi për nesër, për ardhmërinë, malli mbi mall, brenga mbi brengë. Brengat na ndjekin deri natën vonë, na marrin gjumin dhe na i thinjin flokët. Ekzistojnë situata në të cilat nuk mund të bëjmë asgjë, ku thjesht shndërrohemi në objekt të ndonjë procesi me të cilin ne vetë nuk mund të udhëheqim. Na udhëheq logjika e ardhmërisë. Përfundojmë: sot e nesërmja do të jetë dje. Vërtet, ne nuk jetojmë në të kaluarën, por në të tashmen me shikim të frikësuar drejt të nesërmes së mundshme, të pasigurt dhe të panjohur. Frika, kjo është dita e nesërme. Pyesim: Pse çdo tranzicion paraqitet me paradokse të shumta? Pse nën petkun e përgjegjësisë së kolektivitetit shkatërrohemi? Pse fenë e politizojmë, flasim pa dije dhe pa përgjegjësi njerëzore për të? Çdo kohë e kaluar për Shqipërinë është duke lënë zbraztësira të mëdha dhe dështime ideologjike, ekonomike e kulturore dhe moskuptim si nga vetvetja po ashtu edhe nga të tjerët. Ne akoma jemi të brengosur me sundimet e mëparshme, kinse ato kanë qenë shkaktare që Shqipëria asnjëherë mos të jetë e fortë dhe stabile, ndërsa vetveten, faktumin shqiptar brenda atyre periudhave fare nuk e studiojmë e as që e kritikojmë. Shumë lehtë e themi fjalën "robërim shekullor", që mundet madje të jetë edhe e vërtetë, sepse është një fakt historik. Por, parashtrohet pyetja se vallë përse truri shqiptar, vullneti shqiptar, besa shqiptare ta lejojnë tragjedinë e robërimit? A nuk mjafton kjo të kuptohet si e kaluar, e fakt është se është e kaluar, e sot nuk kemi njeri të gjallë që e ka përjetuar atë kohë, sepse nuk jemi vetëm ne shqiptarët ata të cilët e kemi kaluar atë periudhë, kemi edhe popujt të tjerë të cilët edhe me fe nuk kanë lidhshmëri. Por, ata përpiqen që të ndalen në interesat e tyre duke krijuar marrëdhënie kulturore dhe diplomaci të duhur me simpati ndaj njëri-tjetrit. E ne, pa nevojë krijojmë acarim dhe ofendim. Ideologjia komuniste, sundimi enverian që ishte "parajsë" për gjithë Shqipërinë, bashkë me shkrimtarë e politikanë të cilët krijuan karierat e tyre akademike me mbrojtjen e sistemit të tillë, me një sekondë u shndërrua në hiçgjë. Përsëri fajtore ishte ideologjia për shkatërrimin ekonomik dhe shtetëror të Shqipërisë. Edhe pse Shqipëria nuk ishte vend i vetëm me atë ideologji të shëmtuar dhe të fëlliqur, ajo në mesin tonë u paraqit në mënyrë e cila nuk është e kuptueshme madje as për ata të cilët e kanë përjetuar atë, si për nga aspekti teorik, ashtu edhe politik e fetar. Si është e mundshme që "çdokush spiunonte", "kishe frikë nga fëmija yt", "nuk kishte liri në Shqipëri" etj. Këto janë momente që askush nuk i beson e as që ka mundësi racionale për tu besuar. Por te shqiptarët u bë fundamentalizëm i gjallë ky tmerr që shkatërroi shpirtin, familjen, shtetin. Përfundimisht, vetvetiu u paraqit demokracia dhe shqiptarët atë masovikisht e pranuan, duke u bërë më demokrat se vetë domethënia e fjalës. Besoj se askund në botë demokracia nuk e mori atë formë të "lirisë" si në Shqipëri. Siç e pamë, në këtë kohë të demokracisë trazirat e vitit të kaluar krijuan një fotografi para botës e cila fare nuk pati nevojë të komentohet. U shkatërrua një shtet, u drodh në tërësi. Brenda këtij kaosi u formua qeveria e tjetër demokratike me shpresa se kinse do të merret me çështjet jetike të Shqipërisë. Fatkeqësisht, ajo deri më tani po merret me teori utopike, me Shqipërinë pa Shqipëri, me burgime dhe me luftimin e "fesë aziatike", "fundamentalizmit", "terrorizmit musliman shqiptar", që do të thotë si Don Kishoti "mullinjtë e erës". Zotëri President, Kjo fotografi e jetës së Shqipërisë na mundon dhe na shqetëson. Kjo gjendje vetvetiu nënkupton zhdukjen e përgjegjësisë individuale dhe paraqitjen e përgjegjësisë së kolektivitetit, i cili edhe sot e kësaj dite mbretëron në çdo dimension të shqiptarit. Manipulimi kolektiv me fajin dhe me "vetëfaljen" nuk është asgjë e re. Ngjashmëri do të mund të gjendej edhe në fenomenin e ksenofobisë e cila ka marrë vrull në Evropë. Në të gjitha ato dukuri mund të gjenden elemente të ngjashme. Njeriu akoma përpiqet që fajtor ta konsiderojë atë i cili ka "sjellur" deri te ajo situatë: disidentin, të huajin, të marrin. Mirëpo, kur qartësia e veprimeve antietike arrin përmasa të atilla që ajo mos të mbetet e panjohur, e as që mund ti hidhet mbi supe atij "të ndryshmit", nëse nuk mund të fshihen faktet dhe pasojat, sidomos pasojat e dëshirave të tij - atëherë faji i tij bëhet i qartë. Fakti se ka bashkëpunuar në krijimin e fajit, se me vetëdije u ka ofruar mbështetje dorasve, fiton përmasa të stërmadhuara në masë të njëjtë me atë kur më parë i satanizonte ata të cilët dëshironte publikisht ti njollosë. Mund të themi se të ballafaquar me situatën jetësore e cila i nxit qeniet në veprim, mbrojtjen personale mund tua dorëzojmë të tjerëve, mirëpo mënyra me të cilën bëhet ajo mbrojtje kthehet kundër nesh, meqë kryesi i asaj mbrojtjeje vepron në mënyrë joetike. Reagimi ndaj kësaj reduktohet në mbrojtjen e njeriut nga përgjegjësia me atë që ua fal kryesve të veprave joetike të cilat i kanë kryer ato në emër të tij, e me këtë ia fal edhe vetvetes. Ekselenca juaj, Ditëve të fundit u krijua një kinse problem i cili as në teori, as në interes, as në fjalor e kulturë shtetërore nuk ekziston, përpos në "politikën shqiptare" dhe asaj të medias: "terrorizëm islamik", trillim ky i cili është i bazuar në gënjeshtër e jo në njimtim. E vërteta logjike është e kundërt me njimtimin, ndërsa e vërteta morale është e kundërt me gënjeshtrën. Gënjeshtra mund të jetë logjike, ndërsa njimtimi mund të jetë moral. Kjo është e vërtetë që është dëshmuar shpeshherë. E çtë bësh kur të ballafaqohesh në historinë tonë me momente të cilat pothuajse askund tjetër nuk mund ti vëresh, siç janë prezentimi i ateizmit zyrtar, thirrja në konvertim të përgjithshëm, ndarja e kuptimit të fesë në atë moderne e jomoderne, aziatike, paraqitja e "fundamentalizmit islamik", "terrorizmit islamik" e kështu me radhë. Këso trillime nuk mund të jenë bazë studimi, e lëre më të gjenden në fjalorët fetarë, politikë e enciklopedikë. Këto ditë lexuesi shqiptar është i ballafaquar me trillimet e lartshënuara, atij fare nuk i lejohet të mendojë për jetën e vet, shtetin dhe kushtet ekonomike dhe ato të sigurisë shtetërore. Sidomos pjesëtarët e konfesionit islam janë të prekur nga informimet e llojit të lartshënuar. Prezentimi i problemeve në këtë mënyrë krijon një konfuzion i cili me të vërtetë mund të paraqitet me të papritura të ndryshme. Edhe unë si lexues i atyre shkrimeve përjetova momente të çuditshme. Mu paraqit i tërë problemi i shqiptarëve në ish-Jugosllavi; u detyrova të besoj se akuzat që u janë bërë shiqiptarëve në ish-Jugosllavi kinse kanë qenë të vërteta: të gjitha ato burgosje, rasti i Paraçinit, "fundamentalizmi" dhe "terrorizmi" i shqiptarëve e të ngjashme. Pothuajse e njëjta metodë kohëve të fundit po shihet në shtypin shqiptar për "fundamentalizmin" e "terrorizmin". Me të vërtetë është për tu çuditur kur dihet se çdo popull i civilizuar dhe i pacivilizuar është rritur e ngritur vetëm nën hijen e mitit dhe të fesë. Dashti Zoti dhe i paraqiti fetë qiellore që të gjitha të jenë prezente në etnikumin shqiptar, por përsëri "shqiptari i çuditshëm" përpiqet që ta çrregullojë atë natyrshmëri të feve. Ku fati që jo vetëm muslimani shqiptar të ishte besimtar i fesë me fe, por edhe i krishteri shqiptar të ishte i tillë pa e politizuar - politika nuk jep fe. Këtë e them duke pasur parasysh frikën e Perëndimit i cili ballafaqohet me sekte të panumërta, gjë që paraqet njërin nga problemet e mëdha shtetërore, e fati i Shqipërisë ishte që ajo të jetë nën hijen e feve qiellore, larg sekteve dhe deliriumit të Perëndimit në aspektin destruktiv. Feja është imperativ, forcë ndaj së cilës fuqia njerëzore në esencën e vet nuk mund ti kundërvihet pos me pranimin apo refuzimin e saj. Dtth., "me apo pa dëshirë, njeriu do të takohet me Perëndinë". (M. Heideger). Njeriu me fenë vetëm se ka të drejtë të bëhet fetar i drejtë, i sinqert, njeri i cili nuk shkatërron kulturë dhe shtet. Feja islame është fe që beson në një Zot, në punët e mira dhe eskatologjinë. Feja edukon, mbikëqyr përgjegjësinë individuale, lidhshmërinë Zot-njeri. Këtë e dëshmojnë si Fjala e Shenjtë po ashtu edhe filozofia. Atëherë, si është e mundur që të lidhen, të kuptohen akuzat, ofendimet "terrorizmi islamik", "terrorizmi shqiptar"... Terrorizmi është dukuri, drejtim, destruksion në vete që ska komb e fe. Kështu kuptohet, kështu është dhe nuk mund të jetë ndryshe. Do të thoja se problem kryesor në hapësirën shqiptare është afetarizmi, afundamentalizmi në çdo aspekt, përpos negativitetit. Natyrisht se këtu vërehet paaftësia intelektuale, kulturore e shtetërore që me këtë çështje të merret vetëm për hir të dikujt tjetër. Shteti kur do ta humb vetveten lejon që të merret me mbrojtjen e interesave të të tjerëve. Paramendoni paradoksalitetin e lidhshmërisë së çrregullimeve të lartshënuara me shoqatat arabe në Shqipëri. Është e vërtetë se disa shoqata arabe bënë aktivitete në Shqipëri nën emrin e bamirësisë dhe të kulturës, por shoqatat tjera që sot ekzistojnë në Shqipëri dhe numri i të cilave është mbase mbi 100 sosh, harrohen, ndërsa apostrofohen të gjitha ato vetëm se si disa shoqata arabe. Natyrisht se këtu nuk merrem me mbrojtjen e asnjërës nga ato; ku fati që Shqipëria të ishte një shtet që nuk do të kishte nevojë për shoqata bamirëse e kulturore, por ja që ato janë aty. Problemi i misionarëve në përgjithësi është çështje që duhet analizuar. Ata më tepër janë duke shfaqur dobësi sesa dobi dhe pëlqyeshmëri ndaj shtetit dhe institucioneve. Ata përpos fjalëve të bukura po përcjellin edhe traditat e tyre kombëtare dhe interesat e tyre territoriale e shtetërore. Por, për këtë ekzistojnë institucionet, shteti e kështu me radhë. Sa u përket shoqatave arabe, ato mund të akuzohen vetëm për joprofesionalizëm në punët e tyre, si në aspektin fetar, ashtu edhe kulturor. Shqipëria është duke treguar vonesë në çdo drejtim; përpos lajmeve të mira dhe jetës së vështirë njeriu fare nuk përjeton diç tjetër. Çdo e mirë, çdo bukuri është duke u njollosur me atë që nuk duhet. Besimtarët kërkojnë respektin e duhur nga çdo institucion si dhe nga vetë shteti. I nderuari z. President Është e vërtetë se ju personalisht nuk e keni identifikuar "terrorizmin" me fenë islame, por fatkeqësisht qeveria po merret me këtë çështje joekzistuese, që do të thotë se është duke krijuar gënjeshtër dhe duke e harxhuar forcën ekonomike të shtetit shqiptar mbi këtë çështje. Siç e dini edhe ju vetë në Shqipëri nuk ka, e as që mund të ketë "terrorizëm islamik". Edhe nëse tërë bota e thotë këtë, interesi shqiptar nuk ka të drejtë të lejojë një shpifje të këtij lloji ndaj shtetasve të vet. Ju lutemi z. President mos të lejoni që Shqipërinë ta izoloni nga marrëdhëniet e mira dhe diplomacia pozitive me shtetet që gjenden brenda korpusit islamik. Ndjenjat e fetarëve kanë rëndësi të madhe, ato janë të shenjta dhe Zoti nuk i len pa i mbrojtur, por kërkon nga ata që kanë përgjegjësi të sillen me korrektësi dhe drejtësi ndaj tyre. Shteti shqiptar të ruhet nga konfuzioni dhe çrregullimi konfesional. Le të ruhet nga diskriminimi fetar. Të kërkohet përgjegjësi për të thënat e paargumentuara, e sidomos për deliriumin e mediave. Shtetit shqiptar mos ti imponohet ndarja në atë në Lindje e Perëndim. Kurani thotë: "All-llahu nuk e ndërron një popull derisa ata vetveten nuk e ndërrojnë." Sinqerisht
More information about the Alb-Islam mailing list |