| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Islam[Alb-Islam] Shqip: "KOSOVA NE MES DIPLOMACISE DHE REALITETIT", nga Dr.Ismail BARDHIMentor Cana mentor at alb-net.comWed Dec 8 16:45:19 EST 1999
Dr.Ismail BARDHI KOSOVA NË MES DIPLOMACISË DHE REALITETIT Çështja shqiptare është duke kaluar fazat e ndryshme dhe problemet e përsëritura që historia mirë i ka treguar, si të kohës së lashtë ashtu edhe ato të së tashmes. Në diplomacinë shqiptare lexuesi e ka vështirë që të hasë në realitetin dhe të drejtën. Siç dihet, diplomacia e re evropiane me sjelljet e veta ka dëshmuar se mbi të dobëtin është duke bërë eksperimente të ndryshme, duke filluar me shkatërrimin kombëtar, ndarjen territoriale dhe çrregullimin e brendshëm kulturor e fetar të një populli. Edhe pse koha nuk lejon që të merremi me histori ne në mënyrë shumë të shkurtë do ta paraqesim problemin e çështjes shqiptare, gjegjësisht segmentit të saj kosovar, të cilat argumentojnë trishtimin e ardhmërisë dhe mashtrimin zyrtar të diplomacisë evropiane. Kjo mënyrë fillon të vërehet në kohën e fundit të Perandorisë Osmane, kur fillon krijimi i shteteve të reja dhe pastrimet etnike të konfesionit islam. 1876 Për herë të parë kjo çështje nga diplomacia evropiane fillon të trajtohet në Konferencën e Ambasadorëve në Stamboll, e organizuar me nismën e Anglisë ku marrin pjesë 6 fuqi të mëdha të asaj kohe: Anglia, Austro- Hungaria, Gjermania, Italia, Rusia dhe Franca. Edhe pse kjo Konferencë u mbajt në Stamboll, fjala kryesore ishte ndarja territoriale e Perandorisë osmane, ashtu që pjesët si Bosna e Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia u ndanë ndërmjet Greqisë, Serbisë, Austro-Hungarisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Ishte ky një pazarllëk shumë i lirë dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm për ardhmërinë. 1878 Kongresi i Berlinit. Tezat e lartshënuara u verifikuan faktikisht pa i dhënë ndonjë rëndësi diplomacisë osmane të asaj kohe, ku kjo diplomaci e luajti rolin më të dobët sidomos kur ishte problemi i përkatësisë fetare dhe çështjes nacionale. Natyrisht këtu ishte insistimi i Kishës Ortodokse që përkatësia fetare islame të identifikohet me përkatësinë nacionale turke. Kjo tezë bëri që hapësira ballkanike të pastrohet na elementi islam, duke përdorur shpërnguljen masive të shqiptarëve, boshnjakëve dhe turqve. Natyrisht se kjo rodhi nga ideja se meqë të gjithë janë turq, atëherë duhet të shkojnë në Turqi. 1912-1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër.Në këtë Konferencë pa pjesëmarrjen e faktorit shqiptar u vendos që territori i shqiptarëve të ndahet në shtetin amë Shqipëri (gjysma e tokave shqiptare), ndërsa pjesë të tjera të territorit të mbeten nën Mbretërinë Jugosllave (Kosova dhe pjesë e Maqedonisë), Malin e Zi dhe Greqinë. 1912-1945 Mes dy Luftërave Botërore, shqiptarët e Kosovës dhe të vilajetit të Shkupit dhe të Manastirit nuk gëzonin kurrfarë të drejtash shkollimi në gjuhën e tyre, çdo mësim në gjuhën amtare dënohej me masa drakonike. Përpos izolimit kulturor ishte i pranishëm edhe shkatërrimi ekonomik e etnik. Në këtë kohë filloi praktikimi i Memorandumit të njohur të serbit Vasa Çubrilloviq. Në këtë kohë shpërngulja e shqiptarëve bëhej në masa të gjera për shkak të gjenocidit ndaj muslimanëve shqiptarë. Për këtë historiografia ka dokumente autentike. Në Jugosllavinë e Titos siç dihet teza e "vëllazërim-bashkimit" dhe e "barazisë" duke paraqitur ideologjinë marksiste-komuniste filloi destabilizimin shpirtëror dhe mashtrimin e "bukur" të cilit iu nënshtrua një masë e madhe e popullatës shqiptare e boshnjake. Për këtë fazë është folur dhe shkruar mjaft nëpër forume të ndryshme të të drejtave të njeriut. Është fakt se populli i Kosovës në këtë kohë ishte më i paarsimuari dhe më i paorganizuari, i njohur për nga burgimet politike të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ajo që duhet theksuar këtu është se çështja e Kosovës me sakrificat e mëdha të shqiptarëve filloi ta marrë kahjen e vet të zyrtarizimit, me një fjalë të bëhet faktor për vetveten, ashtu që Partia komuniste e Jugosllavisë iu detyrua t'ia japë autonominë. Ishin këto vitet 1968 e këndej kur vetëdija kombëtare filloi gjithnjë e më tepër të zgjohet. Një dridhje tjetër që shkaktoi faktori shqiptar në Kosovë ishte periudha 1981-1991, kur kërkesat shqiptare u bënë maksimaliste për Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera jugosllave. Në këtë periudhë kohore i tërë arsenali i ish-Jugosllavisë u derdh në mënyrë të padrejtë dhe anti-ligjore ku u shkelën të gjitha normat ndërkombëtare, natyrisht ushtria e ish-Jugosllavisë me arsenalin e vet ushtrak filloi ushtrimin e forcës ndaj Kosovës duke shkelur mbi trupat e njerëzve të pambrojtur dhe duke bërë burgosje masive. Sipas të dhënave të Forumit për të Drejtat e Njeriut të Kosovës 600.000 shqiptarë nga Kosova kaluan nëpër duart e policisë jugosllave. Burgjet në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi ishin përplot me shqiptarë. Në këtë kohë fillon edhe shpërngulja e të rinjve nëpër Evropë, numri i të cilëve edhe sot është mjaft i madh. Ndodhitë në Kosovë faktori ndërkombëtar i kaloi kinse fare gjë nuk ndodh, edhe pse kërkesat e Kosovës ishin minimalisht për kohën që kërkonte zhvillimi ballkanik-evropian. Në këtë kohë republikat e ish- Jugosllavisë, të cilat sot janë shtete të pavarura, përpos disa intelektualëve nuk i dhanë përkrahje politike e morale, saqë edhe disa politikanë shqiptarë të asaj kohe iu bashkangjitën fushatës anti- Kosovare. Kosova ishte ajo që gjenin serb më së miri e njihte, ajo u përpoq në çdo mënyrë të tregojë se faktori serb është shumë i rrezikshëm dhe i lig, i fëlliqtë për kulturën dhe civilizimin e sotëm dhe i destabilizimit në Ballkan dhe më gjerë. Ai është në gjendje të bëjë çmos, por fatkeqësisht u hesht ndaj këtyre paralajmërimeve. Të flitet për sindromin serb është e tepërt, racionalisht është çmenduri, sepse faktet, fotografitë, numrat e viktimave dhe gjaku i cili akoma rjedh në troje si Bosnja e Kosova nuk lejojnë tjetër përpos që diplomacia evropiane të mendojë mirë kur bashkëpunon me lugatin e shekullit XX. Në këtë kohë në Jugosllavi ndaj Kosovës filluan të krijohen metoda të reja të përndjekjes dhe presionit, si p.sh. të ndiqet "armiku" gjithkund: në fushën e arsimit, kulturës, fesë, ekonomisë, shëndetësisë etj. Kësisoji duhej që shqiptarët kudo që paraqiten të konsiderohen si armiq. Ndërgjegjja e ish-Jugosllavisë faktikisht ishte e këtillë. Paramendoni vështirësinë e këtij momenti. Në këtë kohë vatra kryesore e arsimimit - Universiteti i Prishtinës me mbi 30.000 studentë u shpall si kështjellë e nacionalizmit shqiptar, fundamentalizmit islam dhe vatër e separatizmit. Vjedhja dhe shkatërrimi i resurseve natyrore të Kosovës filloi të bëhet në mënyrë shtetërore; kultura filloi të zhduket dhe të asgjësohet, ashtu që ky shtet (i cili inshall-llah do të krijohet) nesër mos të ketë mbështetje të vet kulturore e historike. Në shëndetësi u bënë helmime, eksperimentime të ndryshme dhe pasiguri mjekësore, faktikisht ai që kishte nevojë të shërohet nga spitali dilte akoma më i sëmurë dhe me frikë psiqike të tmerrit. Temat kryesore të cilat i përdorte propaganda për ta përkufizuar raportin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës ishin - sipas shkallës së nxehjes së makinerisë së saj - "presioni" për t'i detyruar serbët që ta braktisin Kosovën, pastaj "terrori" e madje edhe "gjenocidi". Të dhënat që përdoreshin për t'i provuar inkriminimet merreshin nga përditshmëria e Kosovës, së pari të gjitha trajtat e konflikteve të rëndomta midis shqiptarëve dhe serbëve transformoheshin përmes kësaj propagande në konflikte ndëretnike. Pastaj mediumet e impononin në gjykim të formuar a priori për çdonjërin prej këtyre rasteve, para çfarëdo hetimi gjyqësor, e në të gjitha rastet roli i fajtorit ishte i rezervuar për shqiptarin, ndërsa ai i viktimës për serbin. Po të bëhej një analizë sado e sipërfaqshme e prezentimit të kësaj teme në mediume gjatë një decenieje, ajo që bie në sy është në njërën anë shpeshtësia me të cilën përmendet fenomeni i dhunës e në anën tjetër mungesa e të dhënave që do të mund të vërtetonin inkriminimin. Shoqatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Komiteti i Helsinkit dhe Amnesty Internaional, sa herë që kanë kërkuar fakte nga faktori jugosllav rreth "terrorit shqiptar", ata mbetën duarthatë edhe pas disa vjet pritjeje. Por, diplomacia dhe politika evropiane heshti, fare nuk tregoi interesim të duhur. Jugosllavia çështjen shqiptare në çdo mënyrë përpiqet ta heshtë dhe ta paraqesë në dritë shumë të rrezikshme të lëvizjeve të ndryshme të botës, duke vënë shenjën e barazimit me atë të IRA-së në Irlandë, të kurdëve e të ngjashme. Me paraqitjen e luftës në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë çështja e Kosovës edhe më shumë u hesht dhe u margjinalizua. Jugosllavia edhe pse kishte përvojë të madhe të dhunës ndaj popullit të Kosovës, ajo kohëve të fundit po e përsos këtë duke krijuar metoda të reja, të cilat në mënyrë të paparë i kreu në Bosnje e Hercegovinë, duke vrarë qindra mijëra njerëz dhe duke shkatërruar kulturë fetare. Ilustrim për këtë është edhe masakri në Drenicë, ku gati dy muaj asnjë faktor humanitar e ndërkombëtar nuk ka mundësi të hyjë për ta verifikuar masakrin e bërë. Është më interesant se Jugosllavia luftën është duke e fshehur nga çdokush, madje edhe nga vetë kosovarët. Në këtë drejtim u vërtetua konstatimi i strategëve dhe plnifikuesve të ardhmërisë siç janë qendrat më të njohura informative të SHBA-ve dhe të Anglisë kur parashikuan se lufta në Kosovë është e paevitueshme. Është fakt se lufta e brendshme në Kosovë ka ndodhur që moti. Çështjes së luftës i ka ndihmuar si ana shqiptare, po ashtu edhe ajo serbe; ana shqiptare për shkak të rezistencës paqesore e jovendosmërisë, e sidomos për shkak të qëndrimit të paunjësuar e në anën tjetër Serbia për shkaqe të diskriminimit dhe padrejtësisë që të ketë mbisundim mbi këtë territor dhe popull të Kosovës. Historikisht, Kosova asnjëherë nuk i ka takuar Serbisë. Këtë e kanë dëshmuar edhe të dhënat historike të etnologëve e sidomos momentet ekzistuese e dëshmojnë autoktoninë e këtij populli. Siç dihet, me vetë shpartallimin e Jugosllavisë dhe krijimin e shteteve të reja edhe populli i Kosovës (në vitin 1992) me referendum në kushte të çuditshme dhe të vështira shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës, të cilën e njohu si shtet vetëm Republika e Shqipërisë; faktori ndërkombëtar heshti dhe në mënyrë private e përkrahu hapin e këtyre dhe politikën paqësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën. Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryetari i saj Rugova bëri keqpërdorime të shumta dhe atë me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Ajo nuk mbrojti statusin që vet e inicoi - pavarësinë e Kosovës, nuk i krijoi institucionet tjera që kërkohen nga vetë ajo që përmban Republika e Kosovës, siç janë Ministria e brendshme, Ministria e jashtme dhe ajo e mbrojtjes. Edhe pse Ministria e mbrojtjes disa herë u paraqit me disa kumtesa, në realitet ajo nuk ekzistoi. Kjo politikë e udhëhequr bëri që në mesin e partive të ndryshme të krijohen mosmarrëveshje dhe konflikte të shumta për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës së Kosovës (të shpallur po të njëjtin vit). Faktikisht, në mesin e tyre u krijua forcë radikale e cila në mënyrë kategorike kërkon mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, krijimin e kushteve të Republikës së Kosovës dhe largimin definitiv nga Jugosllavia e udhëhequr nga Millosheviqi. Siç dihet, në mënyrë spontane erdhi deri te paraqitja edhe e forcës ushtarake të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila akuzon faktorin e brendshëm politik shqiptar me tradhti dhe mashtrim të gjithanshëm popullor. Ndërsa është e vërtetë se LDK-ja duke krijuar një heshtje universale njollosi gjenin shqiptar me atribute shumë të rrezikshme për një të nesërme më të mirë. Ajo metafizikisht e çrregulloi popullin shqiptar. Ajo nuk është në gjendje as të koordinojë sadopak pushtetin të cilin mundohet ta ketë, koordinimin e brendshëm të qeverisë dhe të kryetarit të Kosovës. Një fotografi e këtillë u mbështet në dobësinë momentale të vetë shqiptarëve dhe të Republikës së Shqipërisë. Shqiptarët u ballafaquan me një shtet të vetin nga i cili përpos deklaratave për përkrahje tjetër gjë nuk patën. Ai u tregua si politikisht ashtu edhe ekonomikisht i dobët dhe jo si faktor me relevancë për çështjen shqiptare në Kosovë. Me këtë nuk do të thotë se ai nuk ka mundësi të bëjë diç, por sa herë që është përpjekur t'i tregojë përkrahje çështjes së Kosovës, faktori ndërkombëtar e ka dënuar ashpër. Sa për ilustrim përpos qëllimeve të fshehura dhe të fëlliqura që akoma nuk janë zbuluar në shkatërrimin e fundit të Shqipërisë, udhëheqjes berishiane i kushtoi shtrenjtë përkrahja Kosovës. Momentalisht obcionet ekzistuese brenda korpusit politik shqiptar të Kosovës mund të përmblidhen si vijon: - Politika e Rugovës me mashtrimet e shumta, më falni, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar i cili bëhet përmes telefonave dhe disa emisarëve të cilët personalisht fitojnë popullaritete të ndryshme, prezenton rregullimin e çështjes së Kosovës në mënyrë paqësore dhe e cila me vite të tëra ka lejuar, ose në prezencën e saj dhe me përgjegjësinë e vet politike e morale ka ndodhur tmerr i madh nga ana e Jugosllavisë ose Serbisë, duke filluar nga gjenocidi, zhdukja misterioze e njerëzve, vjedhja e pasurisë shtetërore të Kosovës e kështu me radhë; - Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Bujar Bukoshin ka treguar se politika e udhëhequr nga kryetari i Republikës së Kosovës nuk është në pajtim me normat ligjore dhe rregullat e saj. Ajo nuk është pajtuar me sjelljet e Serbisë dhe për çdoherë i ka prezentuar planet që me rezistencë aktive dhe diplomaci t'i përgjigjet çdo padrejtësie që ndodh brenda Kosovës për shkak se atë të drejtë e ka të garantuar në mënyrë ligjore dhe me përkrahje të popullit. Natyrisht se qeveria e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka shfaqur dyshim se Kosova mund të kërkojë diç tjetër përveç pavarësisë; - Disa liderë, në krye me Adem Demaçin dhe akademikun Rexhep Qosja, haptazi nuk pajtohen me politikën paqësore të Rugovës, sepse ajo është iracionale dhe shkatërrimtare për Republikën e Kosovës. Disa herë me pretekst që Republika e Kosovës pa u vonuar fare duhet të mendojë për bashkimin e natyrshmërisë së vet, ose shkurtimisht me shtetin amë - Shqipërinë; - Obcioni i disa intelektualëve dhe bijve të ish-sistemit komunist, si Veton Surroi, Nazmi Maliqi, Mahmut Bakalli etj., të cilët në mënyrë individuale tentojnë të depërtojnë në politikë dhe me tezat se çështja e Kosovës nuk mundet më të rregullohet me politikën e lartshënuar, ajo duhet të riaktivizohet dhe në mënyrë paqësore ose, siç është e njohur me dialog shqiptar-serb, shqiptarët ta rregullojnë atë. Faktikisht, kjo mënyrë e zgjidhjes ka mundësi të bëhet edhe sipas maksimës Kosova - Republikë Jugosllave, jashtë kuadrit të Serbisë. Ky sistematizim është fakt i cili prezentohet edhe nëpërmjet shtypit dhe shkrimeve të ndryshme, saqë faktori ndërkombëtar në mënyrë të hollësishme bën studimin e tyre, duke e përkrahur çdonjërën nga këto, disa herë me akuza se Kosova me qëndrimet e këtilla të paunjësuara e ka vështirë ta arrijë një zgjidhje të duhur. Racionalisht është e vërtetë se populli i Kosovës nuk ka forcë e cila do të mund t'i bënte rezistencë një ushtrie siç është ajo jugosllave, por gjendja faktike e Kosovës në këtë mënyrë është shumë vështirë të jetë nën kontrollin e politikës së lartshënuar të partive politike shqiptare. Prezentimi i politikës serbe në Kosovë është jashtë çdo rregulli dhe norme shtetërore e ligjore.. Këtë e them duke u bazuar në histori dhe duke analizuar çështjet e një marrëdhënieje politike mes politikës serbe dhe të asaj kosovare. Serbia në këtë fushë asnjë moment të volitshëm nuk e posedon për një zgjidhje të një bashkëjetese me këtë popull. Kjo më së miri vërtetohet nga ajo se ç'ka bërë deri më tani dhe ç'është duke bërë Serbia me shqiptarët: 1. Duke u nisur që nga fillimi i këtij shekulli, ajo e ka mohuar statusin politik për vetvendosje të shqiptarëve dhe e ka grabitur Kosovën nga Shqipëria, me përkrahjen e faktorit të jashtëm; 2. Në mënyrë konstante nuk ia ka lejuar shkollimin, hapjen e institucioneve kulturore këtij populli. Sot fëmijët shqiptarë shkollohen jashtë institucioneve shkollore, nëpër dhoma, bodrume dhe në natyrë. 3. Ka eksploatuar, vjedhur dhe akoma po vjedh pasurinë natyrore dhe fuqinë punëtore të këtij populli për ndërtimin e "Beogradit"; 4. Ka bërë spastrimin etnik duke filluar me vrasjet e popullatës së fshatrave të tërë, saqë për raste të tilla janë xhiruar edhe filma; 5. Emigrimi duke filluar në Turqi dhe shtete të ndryshme, i cili ka lënë trauma të rënda në kulturën shqiptare, ku e tërë pasuria e ikanakëve u është lënë në duar serbëve. Këtu bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz; 6. Burgosja në mënyrë konstante dhe jashtëligjore, me ç'rast burgjet kanë qenë të ndërtuar vetëm për shqiptarët dhe të mbushur vetëm me shqiptarë; 7. Çrregullimi shpirtëror, duke filluar me konvertim dhe shkatërrimin e objekteve fetare, saqë edhe në Memorandumin flet se shqiptarët duhet prekur në pikat më të ndjeshme: feja dhe nderi; 8. Izolimi i përhershëm i këtij populli, si përbrenda shqiptarëve, po ashtu edhe në hapësirën më të gjerë të faktorit ndërkombëtar, dhe 9. Shëndetësia dhe garancia e jetës është definitivisht jashtë duarve të shqiptarëve, ndërsa shqiptarët plotësisht kanë të drejtë që mos t'i besojnë institucionit shëndetësor që është shumë i shenjtë për njerëzit. Sot lindja bëhet nëpër shtëpi, operacionet e ndryshme nëpër bodrume e kushte nën çdo minimum të nevojshëm. Mbetet pyetja se si vallë Serbia me këtë të kaluar të cilën akoma po e vazhdon përpiqet ta rregullojë çështjen shqiptare në Kosovë? Ajo e ka ndyrë hapësirën psiqike dhe nuk ka lejuar e as që lejon mundësi për rregullimin momental të një psikologjie të duhur për një shtet stabil. Këtë nuk e them me ndonjë qëllim e as që më intereson të merrem me çështjen e pastrimit të psikologjisë serbe, por merrem vetëm me momentin që çdo politikë racionale e morale kërkon për një dialog dhe rregullim ose stabilitet. Kushtet fare nuk tregojnë një klimë të tillë. Serbia dita-ditës vetëm se e përforcon politikën e vet dhe serbizmin e vet si vjedhës, si planifikues të gjenocidit me mbështetjen e Akademisë së tyre, ndërsa askund në botë intelektualët nuk shndërrohen në barbarë siç është rasti me Serbinë. Çdo intelektual serb që ka treguar pak mirëkuptim të mbështetur në bazat njerëzore dhe që ka treguar se politika serbe nuk është në rregull, i njëjti intelektual është rrahur në shesh të Beogradit, është izoluar. Kjo dëshmon po ashtu se sot në Serbi çdokush që është shqiptar, ballafaqohet me momente të papritura. Ndërgjegjja njerëzore nuk lejon që të fliten fjalë të mira për momentumin e serbit; serbet e treguan fytyrën e tmerrshme të tyre në mënyrë të paparë në Bosnje e Hercegovinë ku dhunuan fëmijë, plaka, ku therrën njerëz mu në këtë kohë kur çdo gjë regjistrohet në mënyrë jo vetëm të shkruar por edhe vizuele. Kësaj mënyre të shtypjes dhe pranisë në Kosovë i është bashkangjitur edhe Kisha ortodokse serbe, e cila edhe e ka inkurajuar politikën e këtillë, duke i bekuar zyrtarisht veprimet gjenocidale të serbëve në Kosovë. Ajo deri më tani nuk dënoi, e as që mohoi se nuk ka marrë pjesë në gjenocidin si në Bosnje ashtu edhe në kosvë. Politika momentale dhe diplomacia ndaj kësaj çështjeje shumë të rëndësishme akoma është duke lejuar hapësira të ndryshme të veprimit të shqiptarëve. Është fakt se shqiptarët të cilët asnjëherë nuk e kanë pasur lirinë që të merren me kulturën ashtu siç duhet dhe me fenë ashtu siç duhet, e kanë të domosdoshme të jetojnë në një vend. Nëse kushtet e jetës dhe liria e tyre u merren, atëherë ata medoemos duhet t'i kthejnë ato; ata do të bëhen të pamëshirshëm ndaj çdo gjëje, sepse natyra e tyre është luftuar, e shumë mirë dihet se për çdoherë kur luftohet natyra, ajo kthen me një bumerang të çuditshëm dhe të papritur. Në këtë mënyrë Serbia edhe në ushtarakisht filloi luftën dhe masakrën ndaj popullatës së Kosovës. Sot në Kosovë është duke u derdhur gjak, duke u therrur njeriu për së gjalli, me një fjalë e tërë përvoja nga Bosnja në mënyrë të modernizuar po zbatohet në Kosovë. Serbia po ballafaqohet edhe me rezistencë të armatosur e cila e ka mbështetjen e popullit por jo edhe të politikës udhëheqëse të brendshme dhe diplomacisë ndërkombëtare. Fshatra të tëra janë zbrazur, trupat e vrarë akoma nuk janë varrosur, fëmijët lindin nën qiell të hapur, tmerr që vështirë mund të përshkruhet. Natyrisht se ndihma e çdokujt është e nevojshme, por ajo që vjen nga muslimanët është akoma më e nevojshme. Çdo kosovar, çdo shqiptar sot pyetet se ku është njerëzia, ku është civilizimi, ku është diplomacia e botës moderne dhe humanizmi që me çdo kusht mundohet të tregohet se krimineli doemos dënohet në fund. Është e vërtetë se gjithmonë kur popujt e vegjël janë përpjekur t'u nënshtrohen zgjidhjeve diplomatike, janë ballafaquar me pasoja shumë të rrezikshme. Kosovës dhe popullit të Kosovës i mbetet që ta riaktivizojë zemrën, arsyen dhe fuqinë duke u mbështetur në Allahun dhe duke kërkuar mëshirë për gabimet që i ka bërë në emër të njerëzve ndaj Zotit, e ta dëshmojë vetveten se kushtet për rezistencë me forcë tashmë janë pjekur, si duke u bazuar në metafizikën njerëzore ashtu edhe në arsyen e pastër.
More information about the Alb-Islam mailing list |