Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Imuniteti i shqiptarëve, si anti-plumbi i amerikanëve

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Sat May 10 03:13:13 EDT 2008


Imuniteti i shqiptarëve, si anti-plumbi i amerikanëve
[Gazeta Shqiptare, 10.5.2008]

Me pikëllim dëgjuam propozimin për heqjen e imunitetit, të bërë publikisht 
nga ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers II.  Ai këshilloi 
popullin shqiptar, që t'u heqë imunitetin deputetëve të vet (si dhe 
zyrtarëve të tjerë në përgjithësi), gjë që i le ata më pak të mbrojtur ndaj 
sulmeve të gjykatës dhe administratës shqiptare.  Për absurd, këtë këshillë 
Ambasadori na e dha pikërisht kur po i quante, me plot të drejtë, si shumë 
të korruptuar gjykatësit dhe administratën tonë!  Kjo është njësoj sikur ne 
t'i rekomandonim amerikanëve që marinsat (si dhe ushtarakët e tjerë) të tyre 
në Irak etj., të mos përdorin jelekë e veshje të tjera anti-plumb, që të 
jenë kështu "njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të Irakut", në ambientin 
e sulmeve terroriste.

Naiviteti i këtij ambasadori na dëshpëron më shumë, sepse është ambasadori i 
Amerikës, që është shteti që ne e duam më shumë se të gjithë shtetet e tjera 
perëndimore: Amerika na ka mësuar lirinë dhe demokracinë, na ka ndihmuar të 
zbatojmë në praktikë këto ligje.  Një nga mësimet Amerikane, është që një 
ambasador nuk duhet të ndërhyjë direkt në jetën politike të vendit, siç e 
bëri ky ambasador, që kërkoi nga shqiptarët të ndryshojnë Kushtetutën (neni 
73 i saj), e kjo kur në Shqipëri ka plasur debati politik për ndryshimin e 
padrejtë te Kushtetutës, nga ana e një kuvendi të pamoralshëm: shumë 
deputetë të tij janë aty, vetëm si rezultat i mashtrimit të madh zgjedhor të 
vitit 2005, megadushkut.

Ambasadori amerikan me të drejte po kritikonte korrupsionin, e pikërisht 
edhe në gjykatat dhe organet e tjera shtetërore, dhe si të tilla janë krejt 
të pabesueshme nga populli shqiptar-por edhe nga Ambasadori!  E pikërisht 
këtyre gjykatave, e kësaj administrate, Ambasadori do t'ua lerë në dorë 
deputetët tanë, duke u hequr imunitetin?!  Shqip kësaj i thonë: "t'i varësh 
qenit mëlçitë në qafë".  Po si mor zoti Ambasador, t'u lihen në dorë 
politikanët tanë të lartë, këtyre gjykatësve të korruptuar: nuk janë 
gjykatësit tanë, as nëpunësit tanë, si ata amerikanë: nuk është demokracia 
jonë, as tek një e "milionta" e asaj amerikane.  Ambasadori duhet ta dinte 
këtë fakt, dhe nëse nuk e di, është faj i tij personalisht.

Kjo heqja e imunitetit e këshilluar nga Ambasadori, tingëllon dhe si e 
sajuar.  Në Shqipëri nuk ka tashmë ndonjë problem me heqjen e imuniteteve të 
deputetëve.  Mjafton që prokuroria ta kërkojë, dhe Kuvendi është i gatshëm t'ua 
heqë imunitetin të gjithë të dyshuarve për korrupsion.  Pra, problemi që 
ngre ambasadori, praktikisht nuk ekziston.

Diagnoza e Ambasadorit është gabim edhe logjikisht: vërtetë ka deputetë të 
korruptuar tek ne, por ata nuk janë të korruptuar sepse "kanë imunitet", por 
sepse politika shqiptare nuk e ka lënë vrapin të zhdukë korrupsionin, por të 
mbajë pushtetin në mënyrë të korruptuar.  Politikës shqiptare aktuale u 
duhen pikërisht deputetë të korruptuar, që si rregull janë edhe pa 
personalitet.  Heqja e imunitetit do t'i siguronte politikës sonë më me 
bollëk se sot, pikërisht deputetë të korruptuar, pra të kundërtën e asaj që 
mëton Ambasadori.

Heqja e imunitetit në Shqipëri, kërkohet vetëm nga ata që duan t'i 
komandojnë deputetët si të duan, kërkohet vetëm nga ata që i duan deputetët 
të jenë të gjithë "yes-men" (njerëz që thonë vetëm po, që binden 
verbërisht).  Kryesori i atyre që duan heqjen e imunitetit është 
kryeministri aktual, Sali Berisha.  Deputetëve pa imunitet, ua mbyll gojën 
më lehtë Ai-ashtu si një terrorist vret më lehtë një marins amerikan pa 
veshje anti-plumb.

Mendoni se ç'do t'u punonin deputetëve guximtarë e të lirë, si Spartak 
Ngjela, apo Gilman Bakalli!  Sapo të ishin dukur shenjat e para të 
disidencës së tyre, kryeministri do t'i kishte marrë masat e "duhura".  Pra 
kryeministri do të thërriste "organet përkatëse", edhe ato "të pavarurat", 
ato që aktualisht dridhen prej tij, dhe do t'u "rekomandonte" (urdhëronte): 
gjeni një pretekst çfarëdo e mbylluani gojën atyre deputetëve.  Dhe këto 
organe "të pavarura" janë të specializuara për poshtërsi, sepse janë të 
korruptuara, siç tha vetë dhe Ambasadori.  Ata prokurorë dhe gjykatës, do t'u 
gjenin ndonjë shkak kot, Spartakut apo Gilmanit, sa për t'i sorollatur me 
muaj të tëra me hetime e pyetje kot, e në rastin më të mirë, do t'i nxirrnin 
"të pafajshëm për mungesë provash".

P.sh., "organet e pavarura" të shtetit tonë, do të kishin mundësinë të 
akuzonin, bile dhe ta arrestonin deputetin Bakalli, sepse ai paska "prishur 
pronën publike", kur sharroi drynin e administratës së z. Berisha në majë të 
malit Tarabosh, atë dry që kishte mbyllur një stacion televiziv që 
kritikonte qeverinë.  Natyrisht që deputeti Bakalli nuk do të kishte më 
mundësi as të diskutonte në Kuvend, as të jepte intervista për 
autoritarizmin e z. Berisha, sepse do t'i duhej të merresh me drejtësinë 
shqiptare të korruptuar ashtu siç tha Ambasadori.

E ky shembull që dhamë, është më i thjeshti, se mos e thëntë zoti mor zoti 
Ambasador, mund t'i ndodhte zotit Bakalli, apo Ngjela, apo ndonjë guximtari 
tjetër, ndonjë gjë e ngjashme me atë që i ndodhi para ca vjetësh atij 
biznesmenit që thuhet se u vdiq në dorë organeve tona shqiptare "të 
 pavarura", në kohën që presidenti i tyre ishte po ky që sot është 
kryeministri, z. Berisha.

Ne shqiptarët, tash 12 vjet i njohim mirë metodat e kryeministrit aktual, e 
po ashtu i dinë mire edhe miqtë tanë të ngushtë amerikanë, prandaj nuk po e 
marrim vesh këtë amnezinë (harresën) e Ambasadorit.

I themi Ambasadorit, se deputetëve tanë, vërtetë që imuniteti nuk u siguron 
mbrojtje "100%" nga terrori politik, por ama ju shton mbrojtjen, i bën më 
pak të cenueshëm nga terrorizmi shtetëror shqiptar.  Që ta kuptojë mirë 
Ambasadori, por edhe shumë shqiptarë, edhe veshja anti-plumb, nuk u siguron 
me 100% jetën ushtarëve të lavdishëm amerikanë, nga sulmet e terroristëve, 
por ama ua ul vdekshmërinë, prandaj e kanë me rregullore ta veshin në zonën 
e rrezikut të lartë.  E pra, Shqipëria e sotme është një zonë e rrezikshme 
për deputetët e ndershëm dhe guximtarë, prandaj u duhet "jeleku i 
 imunitetit", për të mirën tonë, të popullit që mbrojnë-siç u duhet 
ushtarëve amerikanë që mbrojnë popullin amerikan dhe të të gjithë botës.

Kur Shqipëria të ketë arritur standarde lirie dhe demokracie, diku afër 
Amerikës, natyrisht dhe deputetëve tanë do të vijë koha t'u hiqet imuniteti, 
por në asnjë mënyrë sot.


Bashkim Kopliku
8.5.2008


Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3090 (20080509) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list