| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Mos të fshihen ushtarakët, pas ministritBashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comWed May 7 01:43:23 EDT 2008
Mos të fshihen ushtarakët, pas ministrit [Gazeta Shqiptare, 7.5.2008] Ministri i mbrojtjes ka përgjegjësi për udhëheqjen e keqe politike të ministrisë së mbrojtjes, sepse e degjeneroi në atë masë aparatin ushtarak shqiptar, saqë ndodhi Gërdeci. Por nuk mund të bëhet ai fajtor direkt as për zgjedhjen e Gërdecit, as për moskontrollet e kryerjes së punës në fabrikë, as për mos mbikëqyrjen teknike (ushtarake) të të gjithë procesit. Që shpërtheu Gërdeci, shkaku direkt është moszbatimi i normave e standardeve ushtarake, për të cilat mbajnë përgjegjësi direkte specialistët, ushtarakët, dhe jo ministri, i cili nuk duhet të sillet si specialist. Për rrjedhojë, prokuroria nuk mund t'i japë ministrit Mediu përgjegjësi teknike ushtarake. Duhet që administrata jonë të zbatojë rregullat teknike, pavarësisht se ç'urdhra merr nga politika. Po nuk dhamë kësaj here fort këtë mesazh, nuk ka asnjë garanci se nuk do të kemi prapë një Gërdec tjetër. Me Gërdecin pleksen shumë probleme. Por njëri është kryesori: eksplozioni (shpërthimi) që ngjau, ku humbën jetë dhe u plagosën me qindra njerëz, ku u shkatërrua gjithë ajo pasuri. Shkaku kryesor i eksplozionit, është mosmarrja e masave teknike ushtarake. Problemet si korrupsioni, nuk duhet të errësojnë problemin kryesor. Nuk duhet që marrja pas korrupsionit të heqë vëmendjen nga përgjegjësia politike për eksplozionin, si dhe përgjegjësia teknike ushtarake. Të përqendrohesh tek korrupsioni, është mënyra më e mirë që të mbrosh fajtorët kryesorë: politikanët dhe ushtarakët. Nuk është Gërdeci, një problem si mijëra të tjerë, thjesht punë ryshfetesh me tendera, evazione fiskale etj., me të cilat është mbushur Shqipëria. Z. Mediu, ish-ministri i mbrojtjes, bëri mirë që dha dorëheqjen, sepse katastrofa që ngjau, ishte në ministrinë e tij, dhe ai ka përgjegjësi direkte, për mos zbatimin e një politike kuadri që sjellë në krye të punëve ushtarakët më të aftë, apo që ka lejuar një frymë moszbatimi të ligjeve dhe rregullave ushtarake etj. Vertikalisht mbi z. Mediu, kanë përgjegjësi politike, në radhë të parë kryeministri, e në radhë të dytë presidenti, e në radhë të tretë edhe kryetarja e Kuvendit. E thënë më përmbledhtas, kanë përgjegjësi politike të gjithë ata që i dëgjuam t'i japin vetes merita për marrjen e ftesës për në NATO: e pra, meritat janë të pandara nga përgjegjësitë. Por nuk ka asnjë përgjegjësi direkte z. Mediu, për probleme teknike ushtarake, sepse ministri i mbrojtjes, as tek ne, po as edhe në ndonjë vend tjetër demokratik, nuk ka sepse të merret me çështjet teknike, edhe po të merrte vesh nga problemet teknike të ushtrisë. Bile edhe nëse ministri do të ishte ushtaraku më i zoti i Shqipërisë, ai duhet prapë se prapë problemet ushtarake t'ua lërë t'i zgjidhin strukturat ushtarake të ushtrisë: shefi i shtabit, gjeneralët, kolonelët e deri tek ushtarët. Ndaja e pushtetit politik, nga ai ushtarak, është i qëllimshme në demokraci. Vetëm diktatorët, si Stalini dhe Hitleri, përqendronin çdo gjë në duart e veta, ani se as nuk ishin specialistë ushtarakë, e nuk kishin as përgatitjen minimale për këtë punë. Nejse, nuk po zgjatemi këtu në principet e ndarjes së pushteteve në ministri. Heqja e imunitetit të z. Mediu, është krejt normale: duhet të hetohet se mos përgjegjësia politike ka arritur deri në një vepër penale, e mbase ka edhe elementë korrupsioni që janë bërë objekt diskutimi publik-por mbase korrupsioni është dhe si diversion për të harruar përgjegjësinë politike, që është kryesorja. Ajo që është krejt jonormale, është mosmarrja në përgjegjësi penale e ushtarakëve në linjën e kontrollit të zbatimit të rregullave të trajtimit të municioneve, e mbikëqyrjes dhe inspektimit të procesit të fabrikës së Gërdecit, të ruajtjes së vendit nga rreziqet (zgjedhja idiote e manipulimit me sasi të mëdha municioni mu në mes të Shqipërisë) etj. Këto të gjitha janë detyra teknike ushtarake. Ushtarakët e strukturave të Ministrisë së mbrojtjes, kanë përgjegjësi direkte për moskryerjen e detyrës. Edhe nëse "ministri nuk i ka pyetur", kjo nuk i justifikon fare që nuk kanë kryer detyrën e tyre. Ushtaraku e di detyrën e vet, dhe duhet ta kryejë, edhe nëse "ministrit i ka luajtur mendja". Ushtaraku e di që ministri është person politik, jo specialist i ushtrisë, prandaj është detyrë dhe përgjegjësi direkte e ushtarakëve, kryerja prej tyre e detyrave teknike ushtarake, dhe mos lejimi që për to të mos pyeten ata. Pra, edhe sikur asnjë shkresë e transaksioneve tregtare të mos u ketë vajtur ushtarakëve-gjë që është krejt e pamundur-prapë se prapë, përgjegjësia e tyre ushtarake nuk shmanget: edhe pa "shkresa për Gërdecin", ata e dinin se nga magazinat e tyre merreshin municione, dhe duhet t'i ndiqnin ato. Nëse do të justifikohen ushtarakët për moskryerjen e detyrave të tyre, me "na urdhëroi ministri", kemi legjitimuar servilizmin në ushtri, kemi legjitimuar zbatimin e urdhrave të kundërligjshëm, zbatimin e urdhrave në kundërshtim me logjikën teknike dhe morale, që është tipike e regjimeve diktatoriale. Jo, ushtarakët duhet të zbatojnë jo "urdhrat e politikës" për çështjet teknike ushtarake, por ligjin dhe rregullat e zanatit të tyre. Ushtarakët duhet të dënohen për Gërdecin, jo vetëm për fajin e tyre, por edhe për të dhënë mesazhin për të tjerët, për ushtarakët që do t'i pasojnë, se nuk mund të justifikohen për mosveprimet apo veprimet e tyre, nga trysnia e politikës. Duhet të ngulisim në ushtri, si dhe në dikasteret e tjera, që nëpunësi i shtetit, ushtarak apo dhe jo ushtarak, duhet të kryejë detyrat e veta, jo sipas urdhrave të politikës, por sipas ligjit, moralit dhe zanatit të tij, prej ushtaraku, në këtë rast. Bashkim Kopliku 4.5.2008 Phone: +355 52 223663 Mob: +355 0682200590 Email: <bkopliku at gmail.com> optional: <bkopliku at infinito.it> Please, send important e-mails on both addresses. __________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature database 3080 (20080506) __________ The message was checked by ESET NOD32 Antivirus. http://www.eset.com
More information about the Alb-Club mailing list |