Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Atentat: presidenti vetëm i mazhorancës

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Fri Apr 25 03:02:59 EDT 2008


Atentat: presidenti vetëm i mazhorancës
[Gazeta Shqiptare, 25.4.2008]

Kuvendi i megadushkut bëri atentate anti-kushtetuese, duke e kthyer 
Kushtetutën e 1998-ës, në Kushtetutën e megadushkut.  Ndërmjet të tjerave, 
megadushkarët miratuan që presidenti i vendit të zgjidhet nga mazhoranca 
(shumica parlamentare).  Në kushtet e Shqipërisë, nuk duhet t'ia lemë 
zgjedhjen e presidentit, as mazhorancës e as votimit direkt nga populli, por 
konsensusit, apo një shumice mbi mazhorancën, tamam ashtu siç e kishte 
Kushtetuta e 1998-ës.  Rrëzimi i Kushtetutës së megadushkut, do të jetë 
detyrë e forcave demokratike të pas-megadushkut.


Jo zgjedhje me 50%

Presidenti ka disa detyra që janë shumë të rëndësishme, si zgjedhja dhe 
kryesimi i disa organeve të kontrollit e të drejtësisë etj.  Të gjitha këto 
organe dhe institucione janë të depolitizuara.  Prandaj Kushtetuta e 
1998-ës, kërkonte një president sa më konsensual, pra që nuk votohet vetëm 
nga gjysma e deputetëve, por nga më shumë se kaq, nga tri të pestat.

Kushtetuta e megadushkut, ajo e 21 prillit 2008, e ktheu presidentin në një 
apendiks të mazhorancës.  Sipas saj, presidenti do të jetë një çfarëdo nga 
mazhoranca, i zgjedhur me 50% të votave të Kuvendit.  Raundet e gjoja 
përpjekjes për arritjen e shumicës 60% (tri të pestat), gjoja "si Kushtetuta 
e 1998-ës", destinohen për naivët, ata që nuk kuptojnë se kjo është fare e 
kotë: presidenti do të jetë caktuar ushtari i radhës, një "50%-ësh", dhe 
raundet e "tri të pestave" janë lënë sa për një ritual mashtrimi.

Tani kryeministri, nëpërmjet ushtarit të tij presidentit, do të urdhërojë të 
gjitha: gjykata, kontroll shteti, prokurori, ushtri etj.


President jokonsensual, vetëm pas dy zgjedhjeve

Kushtetuta e 1998-ës, këmbëngulte shumë që të arrihej presidenti konsensual. 
Teorikisht mund të kalohej edhe dy herë në zgjedhje kombëtare, e vetëm 
pastaj lejohej që presidenti të zgjidhej jo konsensual, por me 50% të votave 
të deputetëve.  Pra, i ishte lënë kohë këtij popull të zgjidhte deputetë të 
tillë, që të ishin në gjendje të zgjidhnin një president konsensual.  E nëse 
deputetët e rinj (ata pas zgjedhjeve të parakohshme), nuk do të ishin në 
gjendje prapë të merreshin vesh për një person për president, vërtetë që ata 
nuk duhet të vazhdonin as të bënin ligje për këtë vend, prandaj më mirë që 
ai Kuvend të shpërndahesh prapë, dhe të provohej edhe një herë, duke 
zgjedhur deputetë të tjerë.

Në fakt, gjasat që edhe kuvendi i ri, i zgjedhur me kërkesën e parë dhe 
kryesore, zgjedhjen e presidentit, zor se nuk do të ishte në gjendje ta 
bënte këtë gjë.  Por Kushtetuta e 1998-ës, e kishte marrë parasysh që në 
Shqipëri mund të ndodhin dhe të tilla absurde, prandaj dhe e linte të 
bëheshin deri dy zgjedhje deputetësh-mirë ia bënte: populli shqiptar duhet 
të dinte kë të zgjidhte për deputetë.

Pastaj, pas dy zgjedhjesh, vinte ky mjerimi që u sanksionua tani në 
Kushtetutën e megadushkut: presidenti zgjidhej me 50%.  Ama kjo tashmë 
vinte, vetëm pasi ishte provuar se ky popull nuk arrinte të kishte deputetë 
që të bien dakord për presidentin: ishin bërë të gjitha provat, dhe prandaj 
nuk kishte më kuptim të bëheshin prova të tjera.  Detyroheshe të ecje 5 vjet 
me një president jokonsensual.  Por ama, herën tjetër, pas pesë vjetësh, 
prapë bëheshin të gjitha përpjekjet për president konsensual, duke kërcënuar 
prapë me dy zgjedhje.


Jo zgjedhje direkt nga populli

Nuk duhet të kemi as ekstremin tjetër, atë që e kërkuan disa: një president 
të zgjedhur direkt nga populli.  Kjo do ta bënte postin e presidentit më të 
fortë se duhet, më të fortë sesa president i zgjedhur me tri të pestat e 
Kuvendit.  Duhet të rivendoset mesi i artë që kishte Kushtetuta e 1998-ës: 
as shumë i fortë, por as leckë fare.

E pikërisht për të mos krijuar poste personash kaq të fortë, Kushtetuta e 
1998-ës, ishte merakosur të sigurojë një president jo aq të fortë-shkatërroi 
vendin ai presidenti i zgjedhur në marsin e 1997, e iu ruajtën përsëritjes 
së atij tmerri, që populli heroik shqiptar, e bëri kryeministër në 2005-ën!

Po të vihet re, dy shtetet më të përparuara që dilnin nga diktatura, 
Gjermania (nga nazizmi) dhe Italia (nga fashizmi), futën në kushtetutat e 
tyre, që presidenti të mos zgjidhet direkt nga populli.  Kjo është bërë 
qëllimisht, që të kufizojnë postet që mund të prodhojnë diktatorët.

Dikush thotë se shumë vende ish-komuniste, si ne, e zgjidhkan presidentin 
direkt nga populli, e me këtë duan të ulin rëndësinë e shembullit të 
Gjermanisë dhe Italisë.  Me nazizmin dhe fashizmin, ka qenë shumë më i 
ngjashëm enverizmi ynë sesa komunizmi i shumë shteteve ish-komuniste, e nuk 
ka të krahasuar me ish-komunizmin e shteteve evropiane.  Sistemi 
ish-komunist i atyre shteteve, prej nesh anatemohej si revizionist, 
pikërisht sepse kishte zbutur diktaturën e proletariatit (bile e kishin 
hequr fjalën diktarurë, nga doktrina e tyre), që do të thotë se kishte 
lejuar shumë më shumë të drejta se enverizmi ynë.  Por edhe praktikisht, 
këto shtete kishin një liri relative me dhjetëra herë më të madhe se ne. 
Pra enverizmi ynë, ishte dhe teorikisht, por edhe praktikisht, ku e ku më 
diktatorial se komunizmi i të gjitha shteteve ish-komuniste të Evropës. 
Mund të jepen shembuj pa fund të mungesës totale të lirisë në Shqipëri, 
krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste, por mendojmë se mjafton të 
përmendet vetëm sa vijon: ishim i vetmi vend në Evropë, që jo vetëm që 
ndaloi praktikimin e çdo lloj feje, por edhe prishi të gjitha objektet e 
kultit (xhami, kisha, teqe etj.), dhe dënoi me pushkatime, burgosje, 
internime e demaskime publike (para kolektivit), çdo shfaqje të tendencave 
për të respektuar fetë.


Zgjedhjet e parakohshme, një e drejtë e Çmuar

Në një vend si yni, pakicat duhet ta kenë të drejtë ta shpien vendin në 
zgjedhje të parakohshme, duke përdorur votën e bllokimit të zgjedhjes së 
presidentit.  Kështu, i jepet mundësia një pakice të ndërpresë një regjim të 
rrezikshëm për vendin, si p.sh. ai i z. Berisha në vitin 2007-nëse do të 
kishim në këtë Kuvend megadushku, një pakicë idealiste, do ta kalonte vendin 
në zgjedhje të parakohshme, dhe do të parandalohej Gërdeci, do të ndalohej 
atentati anti-kushtetues i 21 prillit, si dhe kush e di sa të tjera që mund 
të na vijnë këto muaj që z. Berisha mbetet në pushtet.

Nuk ka asgjë të keqe, që kur nuk arrihet dot konsensusi, të shkohet në 
zgjedhje të parakohshme-Italia, ka shkuar disa herë në zgjedhje të 
parakohshme (për 63 vjet, 63 kryeministra), dhe vazhdon të jetë një nga 
vendet më të përparuara, dhe më demokratiket e botës.


Gjykata Kushtetuese

"Gjykata do ta rrëzojë këtë atentat anti-kushtetues", shpresojnë disa. 
Nejse, ata deputetë që nuk votuan pro atentatit, duhet të bëjnë kërkesë tek 
Gjykata Kushtetuese që ajo formalisht ta shqyrtojë çështjen: mos të thotë 
pastaj kështu apo ashtu.

Gjithsesi, atentati anti-kushtetues u krye: rreziku i Shqipërisë janë dy 
krye-atentatorët: Rama dhe Berisha.  Mbetet të formohet një front i 
shpëtimit të demokracisë dhe lirisë, që fillon me rikthimin e Kushtetutës së 
1998-ës.  Nuk qenka aq e lehtë që një popull që ka duruar komunizmin 
enverist për "50 vjet", të vendosë demokracinë dhe lirinë.


Bashkim Kopliku
22.4.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2942 (20080312) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list