Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Reformat, sipas individualizmit tonë

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Tue Apr 22 02:16:12 EDT 2008


Reformat, sipas individualizmit tonë
[Gazeta Shqiptare, 22.4.2008]

U bë zakon të thuhet se çdo qeverisje që të kemi, po reformat e rekomanduara 
nga perëndimorët do të bëka, prandaj nuk paska rëndësi të diskutohet sesi 
duhet të jenë këto reforma.  Ajo që paska rëndësi qenka se kush është më "i 
aftë", kush "menaxhon më mirë", kush është "më i pakorruptuar", kush ka 
biografi "më pak të lidhur me komunizmin" etj.  Ka të vërteta në këto, e z. 
Berisha me të tijtë përjashtohet nga aftësia për të bërë reforma, vetëm me 
këto kritere.  Por, edhe pa z. Berisha, nuk mjaftojnë vetëm kriteret që 
përmendëm.  Vërtetë që rruga është me reformat perëndimore, por ama mënyrat 
konkrete janë të ndryshme, varen nga populli, nga shoqëria ku zbatohen, e që 
realizimi i reformave të jetë sa më eficient, duhen pasur parasysh edhe kjo. 
Me një fjalë, reformat tona duhen bërë sipas kokës sonë, të shqiptarit.

Shqiptari i sotëm ka karakteristikat e veta të veçanta, që përbëjnë 
mendësitë e tij, që janë të ngulitura thellë në sjelljet e tij.  (Këtu me 
"mendësi" po nënkuptojmë reagimin jo racional, atë të vetvetishmin, që quhet 
edhe "kulturë").  Këto mendësi janë zhvilluar në rrjedhën e dhjetëvjeçarëve 
dhe shekujve.  Nuk hyjmë dot në këtë shkrim, në një analizë të shkaqeve që 
kanë përcaktuar sjelljen e shqiptarit, por mund të themi se ato sillen rreth 
historisë së tij, ku akoma influencën më të madhe e ka regjimi komunist (50 
vjeçar).

Sot shqiptari karakterizohet nga tipi i një individualisti, ku e vetmja 
shfaqje e solidaritetit shoqëror janë lidhjet familjare.  Shqiptari nuk ka 
besim tek bashkëqytetarët e vet.  Kurse më gjerë, shtetin është mësuar ta 
shohë vetëm si një institucion armiqësor dhe që duhet të vidhet, të mos 
respektohet dhe t'i ruhesh.  Në këtë shkrim, do të përqendrohemi tek dy 
vetitë e para te shqiptarit, pra, e para, tek individualizmi dhe lidhjet 
familjare, dhe, e dyta, tek mosbesimi tek të tjerët.


IndividualistË, me pak Lidhje familjare

Ne shqiptarët në Shqipëri (por mbase edhe në Kosovë), jemi individualistë 
dhe karakterizohemi dhe nga lidhjet familjare mesatare, pra dhe jo aq të 
forta.  Kjo karakteristikë jona kufizohet në shtrirjen e saj, qoftë me 
nepotizmin tonë; qoftë me ekstreme mosdashurie brenda familjes, siç 
demonstrohet me vrasjet "për pronën" brenda familjes; qoftë dhe me 
kompleksin e sjelljeve dhe preferencave tona jo sociale, si tek "inati" që 
kemi për veprimet kolektive.

Kjo është arsyeja që bizneset shqiptare private janë kryesisht me pronësisë 
dhe menaxhim individual apo shumë-shumë familjar (baba-djalë, shumë-shumë 
disa vëllezër)  Gjithashtu, kjo bën që bizneset tona të jenë relativisht të 
vogla, shumë më të vogla sesa do të ishin po të bashkoheshin pasuritë e 
qindra familjeve në një biznes, apo edhe nëse bizneset me një pronar, do të 
menaxhoheshin jo domosdoshmërish nga pronari, por nga një staf menaxherësh. 
Nga ana sasiore, pak biznese shqiptare duhet të kalojnë një pasuri prej 100 
milionë Euro.

Edhe në aktivitetin politik, vërehet që shpesh sallat mbushen me familjarë 
të liderit politik, e shumë-shumë me kushërinj e miq personalë të tij.  Bile 
jo vetëm partitë e vogla, por edhe degët lokale të partive të mëdha, shpesh 
duken si parti familjare.

Nëse duam që reformat tona të ecin shpejt, duhet ta kemi parasysh këtë 
mendësi.

P.sh. të bëjmë privatizime duke e copëzuar pronën sa më shumë që të jetë e 
mundur, që të mund të përfshihen edhe bizneset relativisht të vogla, siç 
janë ato me bazë familjare.  Prandaj kemi ngulur këmbë që në privatizimin e 
shpërndarjes së elektrikut, të shihet mundësia e privatizimit të tij, jo 
vetëm si një e tërë në gjithë Shqipërinë, por i copëzuar në qytete, rajone 
etj.  Ligji i kaluar pa debat, në ditët e "Gërdecit", duhet të kthehet 
mbrapsht në Kuvend, dhe t'i bëhen amendamentet që lejojnë privatizimin 
shpërndarjes së elektrikut, edhe në disa kompani.


Mosbesimi tek të tjerët

Nuk kemi besim tek të tjerët, as tek shokët, as tek banorët e lagjes, as tek 
bashkëqytetarët, gjë që bën që pothuaj të mungojnë fare të gjitha 
organizimet jashtë familjeve dhe jashtë shtetit, apo siç thuhet në shkencat 
politike: "në mes shtetit dhe familjes, tek ne nuk ka gjë fare (asnjë grup 
social)".

Në Shqipëri kanë dështuar pothuaj të gjitha ortakëritë, të gjitha shoqëritë 
tregtare me shumë pronar.  Pothuaj nuk ka mbijetuar asnjë SHA (shoqëri 
aksionare) ku aksionet nuk janë të përqendruara në një aksionar komandues, 
në një që zotëron më shumë se gjysmën e aksioneve, e që indukton 
individualizëm edhe në SHA.  Në shumicën dërmuese të SHA-ve, aksionarët e 
vegjël, vidhen vazhdimisht nga aksionari komandues.  Natyrisht e kemi fjalën 
për SHA-të shqiptare, jo ato që janë investime të huaja.

Në jetën shoqërore shihet një paaftësi e aktivitetit të shoqërisë civile, 
por bile edhe e feve.  Shoqëria civile mbijeton vetëm nëse mbahet nga ndonjë 
sponsorizim i huaj, sepse përndryshe nuk do të kishim "asnjë" shoqatë të 
vockël, asnjë OPF (organizatë pa qëllim fitimi), pa folur këtu për shoqatat 
të fuqishme, si ato që hasen në shtete si SHBA (Shtetet e Bashkuara të 
Amerikës).
Edhe komunitetet fetare, mbijetojnë veçse në saj të sponsorizimeve të 
ndryshme, shpesh herë nga jashtë.  Vetëm në kohët e fundit, po konstatohet 
një ndryshim mendësie: po fillon një mbledhje vullnetare rreth feve 
përkatëse, gjë që të jep shumë shpresë për një ndryshim për mirë.

Praktikisht: sa më pak privatizime me SHA shqiptare, sa më pak zgjidhje ku 
kërkohen organizime spontane kolektive, pa një mbikëqyrje e rregullim direkt 
nga pushteti, lokal apo qendror.  Por kujdes: pushteti duhet vetëm të 
mbikëqyrë e rregullojë kur puna ngec, por jo të jetë bashkëpronar, sepse 
shfaqet mendësia e tretë shqiptare, "armiqësia me shtetin", që nuk trajtohet 
në këtë shkrim.

Pra është gabim i madh të shpresosh se ujësjellësin e një qyteti, duhet ta 
bësh SHA, që të mund të privatizohet.  Jo, ai duhet ose të privatizohet nga 
një biznes familjar i fuqishëm, ose nga një investitor i huaj.

Edhe armët mund t'i çmontojë një firmë private individuale, mjafton që 
shteti të mos harrojë detyrat e veta: të mbikëqyrë dhe kontrollojë 
aktivitetet private, njësoj siç duhet ta bënte dhe me ato shtetërore.

Dhamë disa raste sa për konkretizim.  Në çdo rast konkret, ka rëndësi që të 
kihen parasysh mendësitë tona tipike, në zgjedhjen e variantit më të mirë të 
realizimit të reformës.


Bashkim Kopliku
10.4.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2942 (20080312) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list