| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Britmat e zeza.Artan Simeqi asimeqi at gmail.comMon Apr 7 14:30:35 EDT 2008
Nje interviste e Ismail Kadarese, dhene nje gazete ceke.
Shume interesante per mua komentet e tij ne lidhje me shkrimtarin
Besian Vorpsi ne romanin "Prilli i thyer". Kur lexoja ate roman mua me
dukej sikur ky shkrimtar ishte trillim krejt imagjinar i I.K. dhe si i
tille jo dhe aq i besueshem. Duhet gjetur edhe nje here koha per te
rilexuar ate roman.
Jo pa interes edhe kalimi nga "Vrimat e zeza" te Ismail Kadarese ne
"Britmat e zeza" te redaktorit te gazetes i cili me siguri paguhet me
numer kubikesh te mbjellur. Ma merr mendja qe korrektorit letrar ose
redaktorit do i kete shkruar mendja per kete sajim. Po kaq zor do ta
kene pasur ta marrin ne telefon perkthyesin e ta pyesin nese duhej
"vrime" apo "britme"?
Per mua, per shume arsye, Shqiperia vazhdon te jete nje vrime e zeze,
gje qe shtron pyetjen filozofike: Si munden ata qe jetojne brenda nje
vrime te zeze ta kuptojne qe jetojne brenda saj? Dhe ne fakt, a mund
te ekzistoje koncepti i vrimes se zeze brenda nje vrime te zeze?
Artani
P.S. Me poshte teksti i intervistes:
Ismail Kadare:Jam përpjekur të arratisem edhe dy herë nga Shqipëria
06/04/2008 - 11:00
"Diktaturat janë si britmat e zeza. Nuk iket kollaj prej tyre". Këtij
citati të shkurtër të shkrimtarit Ismail Kadare i paraprin një rrëfim
mbi përpjekjet e tij për t'u larguar nga Shqipëria. Ishin dy tentativa
arratisje, për të cilat ai vetë vendosi që të mbeteshin "të
dështuara". Hera e parë kur i shkoi në mend të largohej përgjithmonë
nga Shqipëria diktatoriale, ishte në vitin 1962. Qyteti ku i lindi
ideja e arratisjes ishte Praga. Detajet e arratisjes, dhe idetë e asaj
nate në Pragë rrëfen prej tij me detaje të imëta. Tentative e dytë
ishte në Paris, në vitin 1983, dy vjet para se të vdiste Enver Hoxha.
Ky rrëfim i shkrimtarit, ku sigurisht trajtohen dhe shumë çështje të
tjera lidhur me veprat e tij është botuar para pak kohësh në "Lidove
noviny" (Gazeta popullore) në Çeki. Me rastin e botimit në çekisht të
librit "Prilli i thyer", gazetari i rubrikës kulturore të kësaj
gazete, Andrej Horak realizoi një intervistë me shkrimtarin shqiptar,
ku e pyet mbi shumë detaje të jetës së tij dhe disa prej veprave.
Intervista u botua me nëntitullin "Shkrimtari më i njohur dhe më i
përkthyer shqiptar, Ismail Kadare (1936) fitoi në vitin 2005 'Man
Booker International prize', ndërsa sivjet u botua në çekisht romani i
tij 'Prilli i thyer'". E përkthyer nga regjisori i njohur, Pirro
Milkani intervistën po e botojmë të plotë si më poshtë.
Redaksia
Nga Andrej Horak
G.P. Një ndër personazhet e "Prillit të thyer" e akuzon shkrimtarin
Vorpsi, që librat e tij vijnë era krim, ose se spekulon me historitë
tragjike të malësorëve. Si përpiqeni t'i shpëtoni ju kësaj akuze?
Vorpsi është shkrimtar që akuzohet, se glorifikon Kanunin, pra të
drejtën zakonore shqiptare. Polemika e Kanunit u zhvillua në Shqipëri
në vitet '30 të shekullit të kaluar, në të cilin vendosen dhe ngjarjet
e përshkruara në roman.
G.P. Kanuni, që nxiste gjakmarrjen, nga një anë ishte i egër, por në
anën tjetër siguronte njëfarë rendi në shoqëri...
Mbrojtësit e Kanunit argumentonin pathyeshmërinë e tij. Sipas tyre,
Kanuni e nënvlerëson gjakmarrjen, por njëkohësisht e frenon. Sipas
Kanunit, vdekja paguhet me vdekje. Gjysmë vdekje – që do të thotë
plagosje- paguhet me gjysmë vdekje! Sipas tyre, çmimi i çdo gjaku,
qoftë gjak princëror apo gjak i njeriut të parëndësishëm, është i
njëjtë dhe njëlloj paguhet. Sipas mbrojtësve, Kanuni edhe pse
primitiv, ishte më i logjikshëm se sa ligjet ndëshkuese të komunizmit,
i cili në egërsinë e tij nuk njihte kufij. Nga kjo rrjedh shpjegimi,
që pas rënies së komunizmit, ashtu si çdo gjë e ndaluar nga regjimi,
Kanuni përsëri u gjallërua.
G.P. Pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria pikërisht në vitin 1990?
Jam përpjekur të largohem dy herë të tjera. Për herë të parë kjo
ndodhi në gusht të vitit 1962, pikërisht në vendin tuaj. Isha si
gazetar në festivalin botëror të rinisë në Helsinki. Gjatë kthimit
grupi prej pesëdhjetë personash ndaloi për një natë në Pragë. Ika nga
hoteli me mendimin, se nuk do të kthehem. Bile sigurova edhe një dhomë
në hotel, diku afër sheshit Venceslav. Por natën më mbërtheu një
trishtim i madh, dhoma më dukej e ngushtë, e padurueshme. Edhe pse
ishte e rrezikshme, u ktheva te grupi i delegatëve dhe shpresoja se
askush nuk do ta kish vënë re mungesën time. Për herë të dytë ndodhi
në Paris në vitin 1983. Atëherë, miku im, Mishel Pikoli me
bashkëshorten më këshilluan të mos qëndroja. Sipas tyre, do të bija në
depresion dhe nuk do duroja mendimin se ç'do ndodhte me familjen time
në Shqipëri. Kishin të drejtë, dhe mua s'më erdhi keq që ndërrova
mendim. Diktaturat janë si britmat e zeza. Nuk iket kollaj prej tyre.
Në vitin 1990 situata ishte më ndryshe. Ikja ime nuk do të ishte kaq
dramatike si dikur. Qëllimi ishte që të kontribuoja në rënien e
regjimit. Shqipëria ndoshta mund të ngelej komuniste si Kuba, si
Koreja e Veriut. Mendoja se me ikjen time do ndihmoja për të
kundërtën.
G.P. Nga një anë gjatë regjimit të Hoxhës librat tuaja botoheshin,
ndonjëherë më vonë edhe ndaloheshin, por gjithashtu botoheshin edhe
jashtë. Mund ta shpjegoni ndopak këtë situatë skizofrenie?
Të ishe shkrimtar normal në vendin më të egër stalinist të Evropës,
siç ishte Shqipëria, ishte shumë e vështirë. Disidenca paguhej me
vdekje. Letërsia dhe disidenca përjashtonin njëra-tjetrën. Duhej të
zgjidhje, o njërën o tjetrën. Unë zgjodha letërsinë, dhe mendoj se
bëra mirë. Arrita të bëj diçka që dukej si e pamundur: shkrova një
letërsi, sikur regjimi të mos ekzistonte. Veç kësaj nuk u përzjeva në
asnjë aferë të pistë të regjimit të atëhershëm. Përmendet edhe
"situatën skizofrenike". Në një vend si i yni kjo ishte e
paevitueshme. Po jua shpjegoj fare thjeshtë: si ju thashë, edhe pse
jetoja në një vend stalinist, përpiqesha të isha shkrimtar si gjithë
të tjerët, kudoqoftë në botën e lirë. Botimi i librave të mi në
Perëndim dhe kryesisht realiteti, se a po pëlqeheshin, është një
dëshmi e fortë. Por në këtë kohë në Shqipëri lejohej vetëm "realizmi
socialist". Kështu që pyetjes, cila është letërsia që unë shkruaja, i
përgjigjesha shumë thjesht: është letërsi e realizmit socialist.
Funksionarët komunistë kishin të drejtë të hutoheshin dhe
revoltoheshin. Se ajo nuk ishte letërsi e realizmit socialist, por
letërsi borgjeze, dekadente. Unë thosha të kundërtën: Dekadente është
letërsia që aprovoni ju, letërsia mediokre, dogmatike! Siç e shikoni,
ky dialog ishte kulmi i absurditetit. Dikush e merrte për tallje,
dikush e merrte seriozisht. Funksionarët më të drejtë kërkonin, që
vepra ime të ndalohej. Të tjerët ishin të lumtur, që në shkretëtirën
kulturore shqiptare mund të lexonin letërsi të vërtetë.
G.P. Tani jetoni në Francë e megjithatë: a jeni i kënaqur me situatën
aktuale në Shqipëri?
Aspak. Shqipëria ka pasur dhe ka akoma të ardhme të mirë, por
fatkeqësisht klasa e saj politike është shumë konfliktuale, shumë
primitive. Shqipëria i krijon pengesat vetë. Nuk di vend tjetër në
Evropë që të ketë kaq konflikte me vetveten si Shqipëria. Gjëja më
pozitive në Shqipëri është ëndrra e madhe e gjithë popullit të kthehet
në familjen evropiane. Shqipëria nga kontinenti i vet u shkëput para
gjashtë shekujsh. Dhe kjo është një kohë e gjatë, shumë e gjatë...
G.P. Në romanin tuaj të parë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur",
ktheheni në Luftën e Dytë Botërore, kur Shqipëria u okupua nga Italia.
Çfarë pasojash pati kjo gjë për vendin tuaj?
Okupacioni italian në vetvete nuk kishte tiparet e errëta tipike të
okupacionit. Ishte për më tepër i maskuar si një dyshtetësi. Mbreti
italian Viktor Emanueli u shpall "mbret i Italisë dhe Shqipërisë dhe
perandor i Etiopisë". Kjo ishte ana e jashtme. Në një vështrim më të
thellë mund të themi, se ky okupacion na solli më vonë komunizmin. Dhe
kjo ishte tragjedia e vërtetë. Sikur mbreti i shqiptarëve, Zogu i parë
të mos përmbysej nga Italia, Shqipëria do të ngelej dhe gjatë Luftës
së Dytë Botërore si një monarki. Shqipëria do të ngelej ndoshta jashtë
konfliktit. Ndoshta mund të ishte nën influencën gjermane dhe pas
lufte për këtë influencë do ta paguante njëlloj si Spanja. Por të
paktën do të kishte ngelur pjesë e botës perëndimore dhe nuk do të
kishte njohur komunizmin. Fati i saj do të kishte qenë krejt ndryshe.
G.P. Si e kujtoni kohën e studimeve tuaja në Moskë?
Kam studiuar në Institutin Gorki. Jeta studentore, në kohën që erdhi
fill pas liberalizimit hrushovian, ishte shumë e këndshme. Kam nga
Moska kujtimet më të mira. Për sa i takon Institutit Gorki, guxoj të
përsëris pikëpamjen time, se ajo që fitova aty ishte negative. Me
fjalë të tjera, mësova aty se si nuk duhet të shkruaj. Për shumicën e
gjërave që dëgjoja në leksione mendoja: Pikërisht këtë nuk duhet ta
bëj! Dhe me vete përsërisja: Duhet të bëj të kundërtën. Të shkruaj
tjetërlloj!
G.P. Romani juaj "Kështjella" ishte dukshëm reaksion ndaj invazionit
ushtarak të ushtrive të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë në
vitin 1968. A mund të lexohet vërtet romani në këtë prizëm?
Kjo pyetje është dyfish interesante, sepse bëhet nga një çek. Romani
"Kështjella" ka vërtet lidhje me pushtimin e Çekosllovakisë në vitin
1968. Në parathënien e botimit të librit në frëngjisht, të miratuar
nga botuesit shqiptarë, flitej haptas për këtë lidhje. Ishte një nga
paradokset më të mëdha të asaj kohe. Në Shqipërinë staliniste
okupacioni i Çekosllovakisë nga "barbarët fashistë sovjetikë" dënohej
më ashpër se në vendet perëndimore. Unë e shfrytëzova këtë paradoks,
kur krahasova Shqipërinë e vogël, të rrethuar nga otomanët turq, me
Çekosllovakinë liberale të rrethuar nga ushtritë e Traktatit të
Varshavës. Në të vërtetë, nëse i qëndrojmë këtij krahasimi, Shqipëria
ishte liberale në krahasim me Otomanët, por kurrë me vendet e bllokut
komunist. Shqipëria ishte vendi më i egër dhe më primitiv i bllokut
komunist. Kur krahasova Shqipërinë e rrethuar me Çekosllovakinë,
shpreha dëshirën time të fshehtë, që kjo ngjashmëri të bëhej një ditë
realitet. Por ky krahasim i hutoi disa njerëz, veçanërisht kritikën
letrare, e cila nuk dinte, si ta analizonte romanin. Dhe kështu
zgjodhi heshtjen. Polemika e këtij paradoksi vazhdon edhe sot. Një nga
interpretimet është, që në këtë roman nuk flitet për rrethimin e
Shqipërisë nga të huajt, por se Shqipëria rrethoi vetveten. Me fjalë
të tjera, që pjesa më e keqe ka rrethuar pjesën e saj të mirë dhe
përpiqet t'i marrë asaj frymën. Unë jam për këtë shpjegim të dytë.
G.P. Përveç romanit "Prilli i thyer", bëni fjalë për gjakmarrjen edhe
në librin e vjetshëm në esenë me titull "Hamleti, princi që ngjall
kundërshti". Çfarë analogjie keni zbuluar midis gjakmarrjes shqiptare
dhe Hamletit?
Gjakmarrja-vendetta-është nganjëherë e vlerësuar si një zakon
karakteristik shqiptar. Në të vërtetë ky është një zakon universal që
vjen që nga Greqia antike. Trilogjia e Eskilit, "Orestia" është
tragjedi tipike për gjakmarrjen. Motivet e gjakmarrjes gjinden në
sagat nordike, të cilat i kujton Saxo Grammaticus, kur shkruan për
historinë e Hamletit. Siç jam shprehur në studimin për Hamletin, në
letërsinë shqipe dhe në letërsinë ballkanike është ky motiv i
shpeshtë. Figura e Hamletit kishte jehonë të madhe në ish-botën
komuniste, sepse shërbente si shembull për ata që ishin të pakënaqur,
të dëshpëruar dhe politikisht të mënjanuar. Mund të shihet si një
parashembull i disidencës. Raporti i saj me pushtetin, me krimin e
afrojnë atë me botën tonë. Në Shqipëri është Hamleti ndoshta personazh
më i pëlqyer, dhe kjo kryesisht për dy arsye: nga njëra anë është
raporti me traditën tonë të të drejtës zakonore, në anën tjetër në
kujtimin e vuajtjeve dhe pështirosjes nga komunizmi.
Perktheu: Pirro Milkani
More information about the Alb-Club mailing list |