Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Ministri i padrejtë i drejtësisë

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Sun Apr 6 02:50:15 EDT 2008


Ministri i padrejtë i drejtësisë
[Gazeta Shqiptare, 6.4.2008]

Ministri i drejtësisë Enkelejd Alibekaj bëhet  bashkëfajtor në mbytjen e 
biznesit-e pra kishim besim se ky do të ishte ndryshe, sepse vinte nga 
internimi komunist.  Zor se gjen në ndonjë vend në botë, e jo më në NATO, dy 
ministra të dytë që t'i vënë biznesit një tatim më të lartë se çmimi i 
shitjes së mallit (ka firmosur edhe ministri Bode, por me të nuk po merremi, 
sepse ai është brenda doktrinës së tij antikapitaliste, të ekstremit të 
majtë).  Ky tatim vihet tek ne, me një akt nënligjor të padrejtë, të 
nënshkruar edhe nga ministri i drejtësisë: shitësit e tokës tatohen më shumë 
se kanë shitur tokën!  Akti është Udhëzimi nr. 9, datë 26.02.2008, "Për 
Tatimin e Kalimit të së Drejtës së Pronësisë së Paluajtshme".  Natyrisht që 
ky Akt duhet të anulohet urgjentisht, sepse është dhe i kundërligjshëm.

Po ilustrojmë me një shembull real, që të kuptohet lehtë se ç' po bëhet.

Meti i ka shitur Mirës një parcelë toke bujqësore prej 1000 metra katrorë, 
në fund të vitit 2007.  Shitja është bërë me 2000 lekë/m2, gjithsej 2 
milionë lekë.  Meti kishte llogaritur se do të paguante tatim 0,5% të vlerës 
së shitjes, pra gjithsej 10 mijë lekë.  Shkon ta regjistrojë shitjen, dhe i 
thonë: "Jo, tatimi që do të paguash është mbi 3,4 milionë lekë".  U çmend 
Meti, pasi fillimisht iu duk e pamundur, siç po ju duket edhe ju lexues, dhe 
me të drejtë.  Edhe ju do të thoni: si ka mundësi të paguhet tatim më shumë 
se vlera e mallit të shitur, pavarësisht se dhe vetë tatimi është rritur 343 
herë, në krahasim me tatimin para ardhjes në pushtet, të kryeministrit 
Berisha që premtoi me të madhe se do t'i ulte tatimet.

Në pikën 7 të Aktit, shkruhet:

"Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të 
përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret 
çmimi i përcaktuar në VKM nr. 555, datë 29.08.2007, VKM nr. 653, datë 
29.09.2007, dhe VKM nr. 139, datë 13.02.2008" [Vendime me firmë dhe vulë të 
kryeministrit Sali Berisha]

Sipas njërit nga këto VKM, çmimi minimal i tokës, në vendin ku ka parcelën 
Meti, është 34 237 lekë/m2.  Edhe ministri Alibekaj, pavarësisht se nuk 
është ekonomist, di të llogarisë se parcela e Metit, i bie ta ketë vlerën 
minimale 34 237 000 lekë (1000 m2 herë 34 237 lekë/m2), dhe se tatimi prej 
10% mbi këtë vlerë, është fiks 3 423 700 lekë (34 237 000 lekë, pjesëtuar me 
10).  (Për arsye "misterioze", toka supozohet, nga Akti, me vlerë zero para 
vitit 2008, prandaj nuk zbritet asnjë vlerë, siç e kërkon ligji në 
përcaktimin e "fitimit kapital të realizuar", shih GSH të datës 14.1.2008, 
tek "Ministri i financave shkel kushtetutën").

Nuk ia vlen të zgjatemi më tej, me absurdet me të cilat është mbushur, dhe 
me mënyrën idiote sesi është shkruar akti nënligjor që cituam, i cili është 
bërë objekt talljeje nga të gjithë noterët e Shqipërisë, të cilët përflasin 
edhe shkruesen e tij.

Kjo qeveri po asfikson ekonominë, dhe konkretisht po shkatërron tregun e 
pasurive të paluajtshme.  Qeveria është e babëzitur për para, prandaj, duke 
u justifikuar me luftën kundër evazionit fiskal, ka rritur tatimet me qindra 
herë, duke shkelur edhe ligjet e aprovuara nga vetë Kuvendi që e ka pjellë 
këtë qeveri.

Padrejtësia është aq e madhe, sa nuk mund të mos themi se ministri ynë i 
drejtësisë është i padrejtë.  Nuk mund t'ia falim këtë padrejtësi, me gjithë 
predispozicionin (prirjen) pozitive që kemi sepse ai është rritur në 
internimin komunist, dhe nuk është si kryeministri ynë Berisha që ishte 
sekretar i partisë komuniste që internoi ministrin, edhe në kohën që u 
internua, dhe edhe në gjithë periudhën kohore kur ministri ishte në 
internim!

Natyrisht që fajin kryesor e kanë politikanët berishistë, që u ka lidhur 
dorën me spango (si kukullave), dhe aprovojnë çdo gjë që u servir ai, 
kryeministri.

Por ka shumë faj dhe opozita, e cila duhet të bënte pjesë të protestave të 
saja të përgjithshme, protestat konkrete kundër këtyre qëndrimeve me 
tatimet, që po i kushtojnë ekonomisë, më shumë se i ka kushtuar Gërdeci, 
vetëm se Gërdeci ishte një eksplozion që u detyruan ta shohin dhe ta 
dëgjojnë të gjithë.

Bashkim Kopliku
5.4.2007


Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3004 (20080405) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list