Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Eksplozioni, tek ne, jo në Amerikë

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Tue Apr 1 01:51:56 EDT 2008


Eksplozioni, tek ne, jo në Amerikë
[Gazeta Shqiptare, 1.4.2008]

Vërtetë që mundet që ajo firma amerikane, ajo e atij 22-vjeçarit që shitka 
armë për llogari të ushtrisë amerikane, mund të ketë gjithë ato shkelje 
ligjore dhe gjithë ato veprime mafioze.  Por ajo ka punë me qeverinë 
amerikane, dhe jo me ne: le t'ia lëmë Amerikës të merret me të, se ajo i 
rregullon punët e veta, pa nevojën tonë.  Ne të rregullojmë punët e pista 
tonat, për të cilat kemi faj ne, dhe mos të fshihemi pas halleve të të 
tjerëve.

Zhvendosja e diskutimeve rreth problemeve në vende të tjera, kontribuon për 
të zvogëluar fajin e qeverisë sonë shqiptare.  Na kujtohet dikur në 
komunizëm, që sa herë kishte një ngjarje në Shqipëri, të gjithë gazetarët e 
qeverisë së kohës, shpejtoheshin të sillnin nga bota, lajme për ngjarje të 
ngjashme, e mundësisht dhe më të rënda se jona.  Kështu, kur tek ne mungonin 
ushqimet, edhe ato të talonit famëkeq ushqimor komunist, nxitonin të 
nxirrnin pamje nga Bangladeshi e vende të tjera, ku njerëzit po vdisnin nga 
uria.  Edhe ky përqendrimi, edhe në Kuvend, rreth komentit të "New York 
Times" (NYT) (një nga gazetat më prestigjioze të Botës), po bën efektin e 
kundërt: po na rrenë mendjen se paska edhe më keq, bile dhe në shtetin më të 
përparuar të botës, në SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës)".

Më keq se Gërdeci ynë, ka pasur, por po tek ne, në 1997-n, 1998-n etj.: nuk 
kemi nevojë të krahasohemi me jashtë, sepse kemi mjaft të brendshmet tona. 
Le që fajësia politike e qeverisjes, për eksplozionin e Gërdecit, është aq 
evidente, saqë nuk ka nevojë për krahasime, as për t'u rënduar, dhe as për t'u 
lehtësuar.

Kanë filluar të hedhin edhe ide konspirative, të gjithë berishistët në 
terren-nuk ua mban t'i hedhin në masmedia, se i dëgjojnë amerikanët, dhe të 
gjithë ata të Natos.  Kanë filluar të thonë se "Gërdeci është një sabotim 
grek", apo se është një "serb", apo se mund të jetë dhe një sabotim i 
"qarqeve anti-republikane në SHBA".  Ç' nuk dëgjon nga ata.  Është po ajo 
taktikë e vitit 1997, kur PD-ja e kohës u transformua në 180 gradë kundra: 
nga një parti pro-amerikane, në një si parti komuniste, në ekstrem 
anti-amerikane.  Atëherë, për të nxjerrë të pastër presidentin Berisha, 
kalohej në çdo lloj ekstremi, deri dhe që "Klintoni (presidenti i SHBA) 
është komunist, se po lë të vinë në pushtet socialistët".  Po edhe sot, 
doktrina bazë berishiste mbetet po ajo e hershmja, po ajo e Enver Hoxhës, me 
"Imperializmi amerikan dhe socialimperlializmi sovjetik": na e paskan fajin 
të huajt, se ne vetë qenkemi fare në rregull.

Shumë gazetarë po bëjnë këtë herë një punë investiguese (hetimore, kërkuese 
etj.) që po ua kalon edhe prokurorëve të botës (prokurorët tanë nuk janë 
pikë krahasimi, sepse e kanë mendjen tek ryshfetet e përfitimet e 
pamerituara dhe në shkelje të ligjit).  Pra gazetarët shqiptarë, sidomos ata 
të Gazetës Shqiptare, po japin aq material akuzues penale, kundër 
kryeministrin dhe skotës së tij (por edhe për kryeministrat para tij), saqë 
do ta kenë të vështirë ta groposin këtë çështje, varësit e zonjës Rama, 
prokurores së republikës.  Po, po, ta groposin të vërtetën, sepse këtë gjë 
ka bërë prokuroria shqiptare, që kur është krijuar.

Materiali investigues i gazetarëve, ai që hedh dritë mbi mafien shqiptare, 
politike dhe ekonomike, mbi berishët, meditë, delijorgjët, pinarët etj., 
kësaj here ka shanse të mos groposet dot aq lehtë nga drejtësia në 
(prokuroria dhe gjykata), nga që po ngrihet vetëdija popullore për fajin 
politik.  Por mos u bëni naivë të mendoni, se prezenca në hetime e 
prokurorisë, e specialistëve amerikanë (thanë se FBI etj., paska nisur disa 
specialistë për "Gërdecin"), do ta rregulluaka këtë punë; pra ne shqiptarët 
prapë shpëtuakemi, sepse do të na e bëkan punën të huajt, amerikanët.  Jo, 
ata specialistët amerikanë do të kontribuojnë teknikisht, por nuk mund t'u 
kundërvihen urdhrave politikë të shtetit ku veprojnë, sepse kështu janë 
principet e mosndërhyrjes në punët e brendshme, sidomos në vendet mike, si 
yni: amerikanët e kanë klasifikuar si vend mik, Shqipërinë.  Problemin 
politik shqiptar, duhet ta zgjidhim ne vetë: mos të kemi shpresë t'i biem 
qylit.

Faji politik i z. Berisha ishte i qartë që ditën që eksplodoi "Gërdeci", 
tani duhet të punohet vetëm për dokumentimin dhe vërtetimin edhe të fajit 
penal, që ka gjasa se është aty, direkt tek kryeministri, apo fare afër tij. 
Por mos e hani diversionin: mos u merrni as me Bushin, as me Obamën etj., se 
fajtorët i kemi brenda, mes nesh, shqiptarëve.

Një sqarim në fund.  Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: sa shkruhet në 
NYT, ka ngarkesa të mëdha të fushatës për president në SHBA, në një farë 
mënyre, është një kritikë kundër qeverisjes republikane të vendit, nga një 
gazetë që shpesh shihet ta bëjë këtë gjë, opozitën demokrate: është e drejtë 
e saj.  Por ne shqipot, nuk kemi sepse të marrim anësi në fushatën 
elektorale amerikane.  Për ne, si të fitojë një president republikan, si një 
demokrat, njësoj është: miku ynë më i madh aktual, do të mbetet prapë se 
prapë Amerika.


Bashkim Kopliku
28.3.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2990 (20080401) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list