| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] E dashur AUlysse ulyssed at wanadoo.frThu Mar 27 10:22:41 EDT 2008
E dashur A, A e ke dëgjuar ndonjëherë emrin e shkrimtarit Ivan Bunini ? Unë, me thënë të drejtën nuk e njihja, deri para disa ditëve kur pashë për herë të parë një libër të tij me kujtime mbi Çehovin. Aty mësova që Ivan Bunini, shkrimtar rus (1870-1953), bashkëkohës i Çehovit dhe njëkohësisht mik i tij, ka qenë fitues i çmimit Nobël në vitin 1933. Pyeta rreth meje nëse e njihnin të gjithë ngrihnin supet. (Sigurisht që nuk pyeta specialistë.) Ndërsa kur përmenda emrin e Çehovit, të gjithë, pa përjashtim, e njihnin. Pra, edhe çmimi më i madh nuk të bën detyrimisht të njohur. Me sa duket çmimet, titujt e dekoratat nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkëdhelin vanitetin tonë prej vdektarësh. Më kujtohet se kur kam qenë i vogël, shikoja afishet e vendosura para Pallatit të kulturës, ku shkruhej : Bethoven Sinfonia e 9-të Dirigjent X, Artist i popullit Dhe gjithëmonë më vinte keq për Bethovenin që nuk kishte asnjë titull. Gjithëmonë dyshues në talentin e tij, ja se çfarë i shkruan Çehovi mikut të tij Suvorinit kur fitoi çmimin « Pushkin » : « Po e përsëris : shkrimtarët e kategorisë së dytë, të tretë e të katërt, duhet të më ngrejnë një statujë, ose të paktën të më dhurojnë një çibuk prej argjendi ; kam hapur për ata udhën e lavdisë. Për momentin, kjo është e vetmja meritë e imja, sepse gjithëshka që shkruaj, për këtë mora dhe çmimin, nuk do të jetojë më shumë se dhjetë vjet në kujtesën e njerzëve.» Librin e Buninit me kujtime e shënime mbi Çehovin e lexova me ëndje. Mes të tjerave, aty mësova dhe për fatin e Lidia Avilovës. Të kujtohet Lidia ? Të fola për atë në një nga ato mbrëmjet kur takoheshim fshehurazi pranë Parkut të lodrave në rrugën e Elbasanit. Sapo kisha lexuar librin e saj « Cehovi në jetën time ». Të tregova episode nga historia e dashurisë së tyre. E cuditëshme ! Në një nga letrat e tua, ti më flet për ketë mbrëmje. Që në takimin e parë me Cehovin, ajo kishte ndjerë se diçka kishte ndodhur mes tyre, por vetem më 1896, në një ballo me maska në teatrin e Suvorinit edhe pse të maskuar ato arrijnë të njohin njëri-tjetrin. Cehovi e fton në një llozhë të zbrazur ku i shpreh dashurinë e tij dhe i afron një gotë shampanje. Një vit më vonë ajo i kishte derguar, pa vene emrin e saj, një medalion ku kishte gdhendur nje frazë të marrë nga shkrimet e Cehovit : « Nëqoftëse një ditë të duhet jeta ime, eja dhe merre. ». Gjithëmonë të maskuar, ai i lutet që të asistojë në premieren e shfaqes « Pulëbardhat » dhe i afirmon qe do ti përgjigjet që nga skena. Në aktin e III-të, Nina shfaqet për ti dhënë lamtumirën Trigorinit dhe i dhuron një medalje ku është gdhendur : faqja 121, rrjeshti 11 e 12 në të njejtën faqe, në të njejtat rrjeshta të librit të shkruar nga Lidia Avilova qe shkruar : « nuk është mirë që vajzat e reja të frekuentojnë ballot me maska ». A e ka njohur Cehovi dashurinë e vërtetë ? Po, përgjigjet Bunini në librin e tij. Ajo ka qenë : Lidia Avilova. Shkrimtare, ajo ishte grua e martuar dhe kishte tre fëmijë. Cehovi preferon më tepër që ti japë fund kësaj marrëdhënie sesa ta shkëpusë nga familja e saj. Më 1904, disa muaj para se të vdesë ai do ti dërgojë një letër ku i kërkon që të jetë e lumtur dhe të mos e konsiderojë jetën në mënyrë të komplikuar « E pastaj, kjo jetë nga e cila nuk dimë asgjë, a i meriton ajo gjithë këto kokëcarje që lodhin trutë e mjerë rusë? ». Por nga letra që Lidia i dërgon Ivan Buninit, i larguar tashmë nga Rusia sovjetike, marrim vesh se jeta e saj që me vendosjen e komunisteve ka qenë vetëm dhimbje. LETRA E LIDIA AVILONES DERGUAR IVAN BUNINIT 22 dhjetor 1922 Letra juaj më shkaktojë atë dhimbje të çuditëshme që për fat të keq tek mua i zë vendin çdo ndjenje gëzimi. Por kjo dhimbje më bëhet e këndëshme dhe për këtë ju jam shumë mirenjohëse. Jam mësuar tashmë me privime të çdo lloji, me mungesën e parave, por sidoqoftë mos u hidheroni për mua. Vetë kjo korrespondencë me ju tani, ështe një lumturi e madhe ! Nuk mund të them se revolucioni më solli shumë mbarësi. Përkundrazi. Për katër vjet rradhazi kam jetuar e mbyllur në të njejtin apartament po t¹a quajme këtë mbyllje, sepse sigurisht që dilja jasht, por nuk i kapërceja asnjëherë rrugët përreth dhe pazarin e Smolensk-it. Meqë nuk kishim asgjë për t¹u mbajtur frymën dhe kishim uri, kur m¹u dha rasti, vendosa që të shkoja çdo ditë në pazar për të shitur vjetërsirat që nuk m¹i kishin vjedhur akoma. Rrobat shiteshin mirë ; vishja disa funde dhe këmisha njëherësh dhe zija vend mes shitësve të tjerë, duke fituar kështu bukën e gojës për vete dhe për djemtë e mi. Të haje një copë bukë të zezë sa për të zënë frymën, ah çfarë ëndrre ! Por kjo ishte një punë me rrezik dhe disa herë i kam shpëtuar për pak policëve dhe arrestimeve në masë! Megjithatë ato orë që kaloja në pazar nuk ishin fare pa interes, sidomos gjate verës kur nuk kishim nevojë për t¹u mbrojtur nga të ftohtit. Na quanin « sektori borgjes » apo « sektori aristokrat » sepse shitësit qenë ish-pronarë të dalë nga shtresat e larta të shoqërisë, ajka e Moskës, si të thuajsh. Flisnim frengjisht mes nesh, të lumtur që mund t¹a praktikonim këtë gjuhë. Në verë dielli digjte fort, por ndryshe nga ç¹mund të pandehni, kjo ndihmonte tregëtizën time ! Qepja çanta të vogla, qese duhani, kravata dhe në përgjithësi punët shkonin mirë. Të dehur nga një hyrje e menjëhershme e parasë, blerësit vërshonin : ushtarë e fshatarë që më të shumtën vinin nga fshatrat përreth ku jetonin me prodhimet e kopshteve të tyre ; ata gllabëronin gjithëshka që kishin dëshirë roba, bizhuteri, argjentari, por më shumë perdet. Që prej një viti pazari ndryshoi tërësisht, u ndalua shitja në rrugë, duhej që të pajiseshe me një flete-leje, të paguaje një taksë, dhe pastaj gjërat e vjetra nuk pëlqehen më, sepse tani, për spekullatorët e pasuruar janë hapur magazina me sende « të reja »; fshati, i mbytur nga zija e bukës që prej dy vjetësh nuk mund të blejë asgjë. Tani e di mirë se çdo të thotë uri ! Mund të kujtoni se ka qenë e lehtë për të jetuar? Gaboheni ! Duhej që t¹i përvisheshe punës e të ndërtoje një strategji për të mbijetuar, dhe po te mos i kisha shënuar deri në detaje e me përpikëmëri të gjitha vuajtjet e mia të asaj kohë, sot do t¹a kisha të vështirë të besoja se i kam jetuar ato me të vërtetë. Jo vetëm që kishim uri, por kishim ftohtë gjithashtu. Në dimër, termometri nuk është ngjitur asnjëherë më shumë se 4 gradë ; në mëngjes bënte 0 gradë, disa herë edhe më ftohtë. Ishte e pamundur që të ngroheshe ; drutë ishin me numur ; as çaj, as kafe ; pinim lëng prej karrote të pjekur. Ah, sa e neveritëshme ! Më në fund zura shtratin dhe vendosa që të shkoj tek mjeku. Ah, për të më ulur ethet që po më brenin, nuk do të kisha kundërshtuar sikur të më jepnin një dozë kinine njëherë e përgjithëmonë, t¹i bleja ato njëherë e mirë pa qenë e detyruar që të shkoj dy herë në ditë në farmaci për të kërkuar dozën e vogël të pudrës ! Përveç kësaj, mjeku deklaroi se isha prekur nga turbekulozi në mushkëri, se duhej që të ushqehesha mirë, të qëndroja shtrirë, të shmangia daljet sepse për më tepër kisha dhe një hipertrofi të zemrës si dhe një anemi të theksuar Për fat të mirë, në atë moment, djemtë e mi arritën të fitonin aq para sa të mund të ndërpres tregëtinë time ; kishte ardhur koha, sepse dhe stoku i « mallrave » ishte mbaruar dhe kisha filluar të shes gjëra që na nevojiteshin Nuk e di në mund të imagjinoni veprimet e një lloji shumë të vecantë që ritmonin jetën tonë ; kontollet, ndarja e sipërfaqes së banueshme me të tjerët, arrestimet (kur arrestuan djalin e madh, sa s¹desh u çmenda). Por në mënyre paradoksale telashet e vogla janë më të rënda se ato të mëdhatë . Sepse të mëdhatë ndodhin më rrallë, ato mobilizojnë më shumë energji, ato e zgjojnë atë. Ato janë goditje, dhe jo si këto telashe që ju brejnë e kundër së cilave nuk mund të bëni asgjë. Këto telashe të vogla ishin aq të shumta sa është e vështirë të ndërtojsh një listë ; kanalizimet që çaheshin nga ngrica, sobat e gjetura rastësisht që më tepër lëshonin, tym, këllirë, blozë, lagështirë ; mijtë mbi tavolinë, në krevate e deri në xhepat e robave ; mushkonjat i merrnim në zyrat e shtetit që ishin vendosur në apartamente të ngrohura mirë të cilat ishin rekuizuar, por që liheshin të zinin myk nga pislliku Tani kam përshtypjen që e gjitha kjo ishte e durueshme. Nëse kishte diçka të mire në këtë mënyrë egzistence, ajo ishte mundësia për të menduar, të mendoje gjatë gjithë ditës. Djemtë e mi dilnin, ktheheshin ; ata kishin jetën e tyre, punën e tyre. Sa për mua, unë rrija me mendimet e mija. Gjatë kohës që mbaja rradhën diku, ëndërroja që me të rënë mbrëmja të ulesha e të shkruaja për të vendosur pak rregull në kaosin që kishte pushtuar shpirtin tim. Shpirti im, e ndjeja që ishte akoma gjallë ! Më vonë u gjenda në një sanatorium ku më ngritën në këmbë falë një trajtimi mjaft të thjeshtë : haja mirë, nuk qëndroja në të ftohtë e në lagështirë Bash në këtë kohë u inaguarua Politika e Re ekonomike. U vendosën gardhet që kishim djegur, dritaret, dhe mbi të gjitha u pa të dukeshin dyqanet Hyra në një dyqan anglez, në urën e Ferranit, për të blerë diçka që ëndërroja ; një çark mijsh ( i kapja me dore). Nuk po i besoja syve ! Ajo që pata menduar se kishte vdekur, ishte ringjallur Se si të dukej ! Dyqanet megjithatë nuk ishin të furnizuara mirë ; në atë dyqan anglez, për shembull, nuk mund të gjeje një pjatë të vetme që të mos ishte çalltuar apo krisur. Bleva tre çarqe mijsh ! Pikerisht rreth kësaj kohe ndjeva një nevojë të domosdoshme për të parë vajzën, Ninoshkën time, për të cilën nuk kisha asnjë lajm që prej një viti e gjysëm ; madje nuk e dija nëse ishte akoma gjallë. Një nga miqte e mi, që nisej jasht shtetit, më premtoi se do t¹a kërkonte ; më në fund ai e gjeti dhe unë munda t¹i shkruaj. Dhëndri im me anë të një letre më la të kuptoj se duhej të shkoja urgjentisht edhe sikur të nisesha këmbadorësi. Por ata në atë kohë qenë vendosur në Serbi, ku ishte e pamundur që të shkoja. Për fat të mirë ata u larguan për në Cekosllovaki, ç¹ka lehtësoi përpjekjet e mia. U nisa sëbashku me motren time Dhe tani jam shumë e zënë me Ninën time të mjerë dhe me nipin tim tre vjeçar. Mezi mundem të kem një apo dy orë të lira në darkë, edhe ato kur s¹ka të ftuar. Nuk kam pra veçse një dëshirë : të lexoj, të shkruaj. Kam një uri të madhe për libra e për gazeta. Siç e shihni edhe vete, egzistenca ime s¹ka asgjë me të vërtetë interesante; e megjithatë kam shkruar jashtëzakonisht që nga fillimi i revolucionit ; besoj se në jetën time nuk kam medituar aq shumë se sa përgjatë këtyre viteve të vetmisë. Një gëlim i tillë mendimesh lë pa dyshim gjurmë në personalitet , dhe a e dini se cila ka qenë pasoja direkte e gjithë kësaj ngopje ? Edhe une vete jam befasuar : një ndjenjë çudije kudo që të ndodhem. Këtu takoj shumë emigrantë, janë njerëz të shtresës sime e megjithatë nuk ndjej asgjë të përbashkët me ata. Letra ime është e gjatë tashmë, prandaj është më mirë që të mos e ngas përsëri këtë subjekt. Kam parë disa herë Juli Alekseijeviçin. M¹u duk mjaft i plakur dhe i dobësuar. Sëbashku kemi bërë disa shëtije dhe kemi folur për ju. E juaja L. Avilova Nina është e paralizuar pjesërisht. Fytyra e saj është një maskë pa shprehje; mezi arrin që të luaj pak krahun, por ecën dhe e ka ruajtur gjithë mëndjemprehtësinë e saj.
More information about the Alb-Club mailing list |