| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Fw: Ndotje radioaktive po, akustike joBashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comFri Feb 22 01:58:52 EST 2008
Ndotje radioaktive po, akustike jo [Gazeta Shqiptare, 22.02.2008] Së fundi e dëgjuam të bisedohet edhe në Japoni, në vizitën e para disa ditëve të kryeministrit, për centralet bërthamore, si mundësi e ndërtimit të tyre në Shqipëri. Kjo na bëri përsëri të vëmendshëm për rreziqet që mund të na kanosen. Jemi një shoqëri me një kulturë (mendësi) të veçantë: bëjmë sikur shqetësohemi për ndotjen akustike (zhurmat), dhe nuk çajmë fare kokën për ndotjen radioaktive. Shoqëria jonë duhet të tregojë së pari një reagim minimal ndaj rreziqeve të radioaktivitetit, e pastaj të diskutojë ndërtimin e centraleve në vendin tonë. Inxhinier Edgar Frashëri, një profesionist i shquar, por edhe një patriot me sens të theksuar qytetar, ka hedhur në publik disa herë, edhe me shkrime në shtyp, rrezikun që mund t'i kanoset jetës sonë, nga përdorimi i hekurit të infektuar me radioaktivitet të importuar nga Ukraina apo Bjellorusia, si pasojë e eksplozionit në Çernobil, të centralit bërthamor që eksplodoi disa vjet përpara (26 prill 1986). Këto vitet e fundit, me këtë hekur qenkan ndërtuar disa banesa në Shqipëri. Inxhinieri ka rënë në kontakt me këtë fakt, gjatë punës së tij si projektues dhe si ndërtues, por edhe duke ndjekur shtypin duke qenë përzgjedhës ndaj problemeve të profesionit të vet: diku nga viti 2000, aparati i matjes së radiacionit, paska treguar disafishin e normës së lejuar të radiacionit, në një shkollë të ndërtuar me atë hekur të infektuar. Inxhinier Frashëri e dha alarmin e tij, edhe në vitin 2006, dhe edhe në janar të vitit 2008, por deri tani nuk dihet të ketë reaguar ndonjë instancë shtetërore, së paku për verifikimet përkatëse për të vlerësuar masën e rrezikut. E keqja, dhe më e madhe, është se nuk dihet të ketë pasur as edhe ndonjë jehonë mediatike, që të këmbëngulet për këtë verifikim, çka akuzon edhe shoqërinë tonë. Sipas inxhinierit, ky hekur mund të jetë më i dëmshëm për shëndetin, sesa shumë ndotës të tjerë të ambientit. E pra shohim se flitet në media për zhurmat e trafikut, bile dhe pozojnë në ekranet tona njerëz me aparate që masin zërin me "decibel", me ca njësi që habisin telespektatorin, por nuk dëgjojmë gjë se janë bërë matje radiacioni, apo investigime të tjera, për radiacionin e ndërtesave tona, atyre me atë "hekurin radioaktiv". Pra, nuk shohim asnjë preokupim nga nëpunësit e mbrojtjes së ambientit, me ministrin Xhuveli në krye. Nuk ka luajtur vendi njeri, që të thotë: u verifikua, dhe rrezatimi është i parrezikshëm. Ose, rrezatimi është në nivele të palejueshme, dhe shteti vendos prishjen e ndërtesës. Nuk është vetëm një ministri që nuk çan kokën, por është edhe një shoqëri e tërë që nuk e çan kokën. Kjo shoqëri bombardohet me një mori lajmesh të vërteta apo të pavërteta, dhe është e trullosur, dhe pa aftësi reaguese. Kaq mjafton për të përfunduar se shoqëria jonë është krejt e paaftë, krejt e papërgatitur të përballojë sfida të rënda, siç është ndërtimi i një centrali bërthamor. Shoqëri të tjera, me qindra herë më të zhvilluara se jona, si p.sh. ajo italiane, kanë qenë të vetëdijshme se nuk e përballojnë dot rrezikun që paraqet ndërtimi i centraleve bërthamore, dhe kanë vendosur që mos ta lejojnë ndërtimin e tyre në vendin e vet-ne mos jemi çmendur fare?! Elita jonë intelektuale, duhet të ketë sensin praktik qytetar. Të vihet në krye të një kundërshtimi qytetar, që të ndalojë qeverisjen që të hyjë në aventura në të cilat duhet një mbikëqyrje shtetërore e nivelit më të lartë të mendueshëm: centralet bërthamore. Pavarësisht se ato centrale do t'u ndërtuakan nga firma shumë të specializuara, qofshin japoneze apo të tjera, sido qoftë, do të ndërtohen në tokën shqiptare, të qeverisur nga shqiptarët, nga njerëz që kanë kulturën qytetare aktuale, me të gjitha mangësitë e saja. Natyrisht që një firmë që vjen të ndërtojë centrale bërthamore në Shqipëri, ka para të korruptojë sa e sa nëpunës shqiptarë, që të mbyllin sytë para sa e sa gafave teknike, shumë më komplekse, si ato të lidhura me centralet bërthamore-masmedia botërore është mbushur me akuza ndaj firmave me shumë emër të mirë në botë, që janë përzier në skandale korrupsioni marramendës, me qeveritarë të korruptuar, sepse ndryshe dhe nuk e çanin dot në ato shtete. Këtu tek ne, rastet do të jenë skandaloze, derisa nuk po lëviz njeri për të verifikuar një radiacion të hekurit të betonit, e mbase vetëm e vetëm sepse një tregtar hekuri ka paguar ndonjë ryshfet që instanca përkatëse shtetërore të mos lëvizë vendi, të bëjë të paditurin. Ndërtimi i centralit bërthamor mund të guxojë të përmendet tek ne, vetëm kur të kemi dhënë shenja se po ndryshojmë. Natyrisht, që duhen marrë edhe masat institucionale, ku ndër të parat janë futja në ligjet tona e neneve që detyrojnë transparencën qeveritare dhe të privatëve, kur është fjala për rreziqe ekologjike; penalitete kundër personave që nuk marrin masa për parandalimin e dëmtimeve ekologjike; parashikimi i veprave penale me dënimet përkatëse për personat që i fshehin popullsisë pasojat e mundshme ekologjike; ndalimi i klasifikimit sekret, i të dhënave që lidhen me ekologjinë etj. Vetëm pasi të kemi së paku ligjet e përgjithshme mbi ekologjinë, vetëm pasi të kemi filluar t'i zbatojmë mbi gjëra të thjeshta, atëherë mund të fillohet të mendohet për aventura bërthamore, për ligje specifike për to. A kemi arritur të sensibilizojmë me këtë shkrim?! Kjo do të kuptohet nga sesi do të reagojë shteti dhe shoqëria, ndaj verifikimit të ndotjes radioaktive të mundshme, nga hekuri ukrainas apo bjellorus. Bashkim Kopliku 20.2.2008 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <bkopliku at gmail.com> optional: <bkopliku at infinito.it> Please, send important e-mails on both addresses. __________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature database 2894 (20080221) __________ The message was checked by ESET NOD32 Antivirus. http://www.eset.com
More information about the Alb-Club mailing list |