| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Kosova e pavarur, Rruga eficienteBashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comWed Feb 20 03:28:48 EST 2008
Kosova e pavarur, Rruga eficiente
[Gazeta Shqiptare, 20.2.2008]
Shpallja e pavarësisë së Kosovës u dha fund edhe atyre pak anktheve për
investimin kolosal të rrugës "Durrës-Morinë" (Rruga). Rruga tashmë është e
sigurt, edhe për skeptikun më të madh: ajo është një investim fitimprurës,
jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Tani duhet të përqendrohemi
edhe në "vogëlimat", që t'i paraprihet me kohë fillimit të funksionimit të
plotë të Rrugës, sapo të përfundojë, në vitin 2009. Këto vogëlima lidhen me
rajonin e Durrësit.
Shumë nga ne shqiptarët, sidomos ata me eksperiencë jete, nga ata që "janë
djegur nga qulli, dhe i fryjnë kosit", rrinim me një frikë të fshehur thellë
në zemër, se mos Kosova nuk arrin të marrë pavarësinë, por mjaftohet me
ndonjë sofizëm të shteteve të mëdhenj, e atëherë Rruga do të ishte një
investim i dështuar. Menjëherë shumë optimistë do të hidhen e do të thonë:
"për çfarë sofizmash, e keni fjalën?!". E kemi fjalën për sofizma tip: "të
rrijë Kosova krejt autonome, nën një Serbi demokratike, evropiane; autonomi
të garantuar nga Evropa, nga Rusia demokratike etj." Nejse, shyqyr i zotit
që nuk u realizuan "sofizmat", dhe Kosova është e pavarur, në saj të luftës
së popullit të saj; në saj të luftës së të bijve të Amerikës (SHBA) dhe të
shumë vendeve të NATO-s, që shkatërruan makinën ushtarake e shtetërore të
Serbisë së Millosheviçit; në saj të ndihmës së Bashkimit Evropian; në saj
edhe të ndihmës së Shqipërisë.
Tani shteti shqiptar duhet të studiojë me imtësi të gjithë problemet anësore
teknike, që lidhen me Rrugën: ato për të cilat mjaftojnë fonde relativisht
të vogla për t'i zgjidhur. Fluksi kryesor (rrjedha kryesore e transportit)
i kësaj rruge, mbase 80% e tij, destinohet të vazhdojë nëpërmjet portit të
Durrësit për në Evropë, dhe edhe për në Plazhin e Durrësit-20% është pjesa
që shpërndahet në brendësi të Shqipërisë. Prandaj duhet që urgjentisht të
fillojë puna për përditësimin e "shkarkimit" të Rrugës në rajonin e
Durrësit. E kemi merakun tek eliminimi i bottle necks (pikave të ngushta)
të krijuara në kalimin nga Rruga, në disa përbërëse që përfshihen në rajonin
e Durrësit. Këto përbërëse po i përmbledhim në katër: Porti, Qyteti i
Durrësit, zonat rreth Durrësit me magazinat që privatët po i ndërtojnë me
intensitet (Magazinat), si dhe Plazhi i Durrësit (jo vetëm si vend pushimesh
verore, por edhe si një vend hotelerie e restorantesh, baresh etj., për të
gjithë vitin: nga Rruga në det, ka një ndërprerje, e njerëzit duhet të
pushojnë dhe strehohen për një kohë).
Rajoni i Durrësit me katër përbërëset e tij (Porti, Qyteti, Magazinat dhe
Plazhi) duhet të futet urgjentisht në një plan përshtatjeje. Ky plan duhet
të përpilohet dhe të zbatohet në një bashkëpunim të ngushtë në mes qeverisë
qendrore dhe asaj lokale të Durrësit. Nga interesimi që kemi bërë, rezulton
se nuk ka një plan kompleks që të bashkërendojë të gjitha gjërat,
pavarësisht se ka filluar puna në objekte te veçanta. Kjo gjë na merakos se
mos duke u marrë me kryesoret, po harrohen "vogëlsirat" që mund të bëhen
shkak për ta zvogëluar shumë efikasitetin e Rrugës.
I takon kryeministrit Sali Berisha që personalisht të kryesojë përpilimin e
këtij plani, ku kryesore është konsensusi ndër institucional. Kryeministri
duhet të ketë në krah si partner, kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush
Dako. Ne vijim po analizojmë pesë çështje që i kemi përzgjedhur si më
kryesoret nga ato "vogëlimat".
1-Çdo gjë duhet privatizuar në Port, që të realizohet rritja e domosdoshme e
efikasitetit të Portit. Mbase mund të mbahet ca kohë privat vetëm
Autoriteti Portual, por si një nyje vetëm koordinuese, e jo ky përbindëshi
aktual, që ka "620" punonjës, nga të cilët "20 punojnë e 600 rrinë kot e
marrin rroga nga më të lartat e Shqipërisë". Autoriteti Portual, duhet të
reduktohet në pak zyra, me nja 20 apo 30 punonjës e kaq: pa asnjë veprimtari
ekonomike (as vinxha, as ofiçina, as gjë nga aktivitetet ekonomike portuale,
ato i bëjnë më mirë privatët).
2-Mbikalimi tek Ura e Dajlanit në Durrës, duhet të bëhet i plotë, duke
eliminuar sidomos dy rrethrrotullimet, që bëhen shpesh një shkak i
ngadalësimit të trafikut. Ky mbikalim duhet të sigurojë "pa rotonda"
(rrethrrotullime), lidhjet e anasjellta në mes Rrugës (pjesa e autostradës
Tiranë-Durrës), Qytetit, Portit, Magazinave dhe Plazhit.
3-Rruga e re që lidh Urën e Dajlanit, me hyrjen e portit tek Banka
Kombëtare. Kjo rrugë do të ecë buzë portit. Ajo ka kohë që futet në
plan-idetë e qytetit, por ka mbetur pa u realizuar, si rezultat i
konflikteve burokratike në mes institucioneve të ndryshme. Mbase do të
duhet t'i "merren portit" disa metra nga "territori i tij", mbase do të
duhet të prishet ndonjë investim privat (natyrisht duke u zhdëmtuar
pronarët), por këto vendime duhen marrë shpejt, pa i zvarritur.
4-Rruga që kalon në mes "Kënetës" (është në ndërtim) dhe që lidh mbikalimin
e parë të autostradës (atë tek "Oxhaku i Gomës"), me Unazën e qytetit, duke
kaluar nëpërmes "Kënetës" (zona e re e banuar nga "informalët"), duhet të
plotësohet me të gjitha. Duhet të bëhet e tillë, që të thithë një pjesë sa
më të madhe të fluksit për në Qytet, duke lehtësuar mbikalimin e Urës së
Dajlanit. Këtu do te përmendnim edhe pjesën e Unazës së qytetit, që lidhet
nga rruga e "Kënetës" tek "Rrota e Qerres": gropat aty po arrijnë thellësinë
1 metër.
5-Unaza e Plazhit (nga Oxhaku i Gomës deri në Plepa), zgjeruar. Kjo unazë
lehtëson ngarkesën e mbikalimit tek mbikalimi tek Ura e Dajlanit. Por unaza
duhet të plotësohet edhe me rrugët dytësore dhe me infrastrukturën përkatëse
të të gjithë zonës, nga kjo unazë deri tek rruga e gjerë që kalon mes për
mes Plazhit. Ky përmirësim infrastrukture bëhet domosdoshmëri për të
mbështetur turizmin e vogël familjar që preferohet shumë nga kosovarët
(llogariten me dhjetëra mijëra vetë në vit).
Natyrisht edhe pala kosovare duhet të marrë masat e saj, në territorin e
saj, sepse fluksi i Rrugës është në të dy kahet, Kosovë-Shqipëri dhe
anasjelltas. Por ka edhe shumë biznese nga Shqipëria, që janë bërë gati për
në Kosovë, ku shohin mundësi investimesh të leverdishme. Përveç bizneseve,
edhe shumë specialistë nga Shqipëria, që kanë njohuri në fusha të ndryshme,
shohin një mundësi për t'u punësuar në Kosovë. Njeriu mesatar (përveç
rasteve të veçanta të patriotëve idealistë e vetëflijues) reagon i shtyrë
nga leverdia e përfitimit material ("80%" e shtytjes), edhe i shtyrë nga
patriotizmi ("20%" e shtytjes)-po flasim duke imituar disi Francis
Fokuyamën, filozofin e famshëm amerikan, e duke hequr dorë nga hipokrizitë
tip "biznesi i Shqipërisë do ta ndihmojë Kosovën pa asnjë interes"!
Jemi në atmosferën e festës dhe të gëzimi kombëtar për pavarësinë e Kosovës,
prandaj në këtë shkrim i kemi "qethur" kritikat!
Bashkim Kopliku
18.2.2008
Bashkimi
Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>
Please, send important e-mails
on both addresses.
__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature
database 2886 (20080219) __________
The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.
http://www.eset.com
More information about the Alb-Club mailing list |