Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Mos e prekni kot tregun e lirë të bukës

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Sun Feb 17 02:33:18 EST 2008



Mos e prekni kot tregun e lirë të bukës
[Gazeta Shqiptare, 17.2.2008]

Debati për rritjen e çmimit të bukës, po zbulon se akoma ekzistojnë mendësi 
etatiste, dhe edhe marksiste, nga të dy palët, si nga mazhoranca, si dhe nga 
opozita.  Buka në Shqipëri tashmë furnizohet nga qindra biznesmenë, pra 
është në situatën e konkurrencës së plotë, ku tregu i lirë vepron si askund 
tjetër më mirë, prandaj çdo ndërhyrje në të, veçse e djallos fare punën. 
Shteti duhet të ndërhyjë për të rritur ekonominë në tërësi, dhe jo në 
veçanti për çmimin e bukës.

Dëgjuam shumë zgjidhje, nga të cilat po rreshtojmë pesë më tipiket.

1-Kryeministri, kësaj here, fillimisht doli më realist, kur tha se nuk duhet 
prekur direkt tregu, duke komanduar çmimin e një produkti të caktuar, qoftë 
dhe të bukës.  Ai dha zgjidhjen më pak absurde: të rriten pensionet dhe 
rrogat e zyrtarëve, që t'u kompensohet rritja e çmimit të bukës-ja që mendoi 
për popullin e shkretë.  (E ka kryeministri mësimin e bukës nga viti 1992, 
kur liberalizuam çmimin e bukës, gjë që bëri që, ne të PD-së, të humbnim 
zgjedhjet lokale të 1992-shit, sepse populli ynë, i mësuar të mendonin të 
tjerët për të, nuk e kuptoi se liberalizimi i çmimit, ishte gjëja më e mirë 
që kishte bërë qeverisja e kohës për të: u zgjidh një herë e mirë zia e 
bukës që kishte pllakosur tërë Shqipërinë).  Por, që të qëndrosh në këtë 
politikën aktuale shqiptare, duhet të bëhesh edhe populist, se kështu e do 
vetë populli që të jep votën-nuk njohim njeri që ta ketë kuptuar këtë të 
fundit, më mirë se kryeministri ynë aktual.  Prandaj dhe shfrytëzoi rastin e 
ulëriti kundër "kartelit të miellit socialist", që do ta shkatërruaka për 
"10 ditë", sikur të kishte vetëm "3 ditë" kryeministër.  Një kryeministër 
jep dorëheqjen, kur nën hundët e tij lulëzuaka tash 2 vjet e gjysmë që është 
ai në post, një kartel, që vjedhka nga "20 lekë për çdo kg bukë", nga xhepat 
e popullit të tij të dashur.  Nejse, jemi në Shqipëri.

2-Nga MBU (Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit) na vjen çudia e radhës: gruri 
në Shqipëri u sjellka tash "4 muaj me të njëjtin çmim", me "28, 5" mijë 
lekë/toni c.i.f. (cost insurance and freight) në portin e Durrësit (në 
anije, akoma pa paguar tatim-taksat tona, e pa paguar tarifat e shkarkimit, 
që të gjitha këto e shtojnë edhe më tej çmimin).  Kushdo që merret sadopak 
me grurin, e di se çmimi i gruri ka kohë që e ka kaluar 36 mijë lekën/ton 
c.i.f. Durrës.  Nuk është rastësi kjo "padije" e MBU.  Kjo është një provë 
që ryshfetet që merren në dogana, arrijnë deri në MBU, dhe shërbejnë që 
zyrtarët e MBU-së të bëjnë budallain, gjoja "të gënjehen nga raportimi i 
doganave"-sikur nuk ka internet apo televizion njeri nga to, që të shohë se 
çmimi i grurit po rritet kudo në botë.  Ata e dinë se çmimet e regjistruara 
në dogana, janë kot, janë falsifikime si rezultat i ryshfetit që marrin 
nëpunësit e korruptuar të doganave, e që ua kalojnë edhe atyre, shefave në 
MBU.  Kjo është klima korruptive e biznesit, që vazhdon edhe sot, si tash sa 
e sa vjet, që në të gjithë periudhat: PS-Berishizëm.

3-Një zonjë e (MBU), na tha se "10" lekë për çdo "100" lek bukë, i marrkan 
tregtarët e vegjël të bukës (sa të poshtër qenkan ata tregtarët, dashkan të 
paguhen për punën që bëjnë!).  Sipas zonjës në fjalë, u dashka të ndalohet 
shitja e bukës prej tyre (poshtë tregtarët!), dhe i gjithë populli të 
kthehet në tregtarë me pakicë, dhe të shkojë e ta marrë vetë bukën tek 
fabrikat e bukës.  Zonja e MBU-së, duket na e ka llogaritur kohën e punës ne 
shqiptarëve, jo më shumë se 30 lekë/ora, derisa i del më lirë të na dërgojë 
të gjithëve ta marrim bukën në fabrika, për 10 lek kursim (10 lek për së 
paku 20 minuta kohë, pra 30 lek/ora).  Më tej, këtë zonjë të MBU-së, e 
indinjonte shumë edhe "siguria ushqimore" e bukës që u shitka në qese 
plastike (ku ta gjesh!), dhe nuk e indinjuaka fare shitja e gjizës, gjalpit 
e djathit, pa qese fare, në mes të rrugës, në pluhur e pisllëk.

4-Një specialist i PS-së, tha se tatim-taksat janë "40% e çmimit të bukës", 
por nuk na tha se sa për qind janë ato, tatim-taksat, për çmimet e ushqimeve 
të tjera, si vaji etj.  Nëse do të ulen taksat për bukën, përse të mos ulen 
edhe për ushqimet e tjera?!  Pastaj nga shtypi partiak i PS-së, peshkohen ca 
shtete ish-komuniste (Maqedonia, Bosnja etj.), që ndiqkan politika etatiste: 
qeveria atje, paska ulur çmimin e bukës, paska bërë damping (ulje e çmimit 
duke hedhur në treg mall me çmim të subvencionuar, që të vdesë bizneset); 
paska vënë një si punë taloni, dhe na sugjerohej që ta merrnim edhe ne atë 
shembull.  Hajde shembull hajde-ku i gjejnë xhanëm.  Doktrina e tyre bazë 
është që si e si shteti të caktojë çmimet, dhe jo tregu-rroftë marksizmi!  I 
qajmë hallin zotit Edi Rama, se do të heqë të zitë e ullirit, për t'i kthyer 
në socialistë modernë, gjithë ata specialistë me mendësi komuniste, që ka në 
atë parti të lashtë!

5-Një specialist i shoqatave të biznesit (nga Konfindustria), na bëri be e 
rrufe, se po i hoqën TVSH-në grurit (taksa e vlerës së shtuar, që është 
20%), ai, specialisti e mbase dhe Konfindustria, do të garantonte uljen e 
çmimit të bukës me 20%.  Nuk e shpjegoi specialisti, sesi e garantonte uljen 
e çmimin me 20%, kur mielli i grurit, thonë se zë veçse nja 50% të çmimit të 
bukës.  Ndërkohë, ai dhe të tijtë, dhe "shoqatat", ndalohen me ligj të bien 
në marrëveshje për çmimet-apo kush pyet për ligjet tek ne!  Sidoqoftë, fakti 
që jo gjithkund po rritet çmimi i bukës, është shenjë që tregu funksionon, 
dhe as Konfindustria nuk e komandon dot.

Tani edhe ca komente për këto absurditetet që rreshtuam më lart, por edhe 
për ndonjë "lëvizje të fundit të qeverisë".  Nuk ka asnjë shtet, as ky yni, 
që ta caktojë çmimin e mallrave më mirë sesa një treg i lirë që funksionon 
normalisht.  Buka tek ne shitet në një treg që duket se funksionon 
normalisht.  Vetëm nëse ka pengesa të funksionimit të tregut (p.sh. kapja e 
tregut nga një apo pak biznese të mëdha, apo nëse vërtetë "armiqtë 
kapitalistë të grurit, kanë formuar kartel", siç na kumtoi kryeministri), 
atëherë duhet të ndërhyjë shteti, duke rivendosur tregun.  Konkretisht, nuk 
na e merr mendja të jetë e vërtetë ajo "marrëveshja për çmimet e miellit apo 
grurit etj."-na duken thjeshtë diversion për të hequr vëmendjen e opinionit 
publik nga kryesoret.  Përveç të tjerave, nuk para e besojmë atë punën e 
"kartelit", sepse thuhet se janë disa importues, kështu që marrëveshja për 
çmimet, ka shumë pak gjasa.  Nejse, qeveria ka për detyrë të hetojë e të 
veprojë sipas ligjit.

Nuk ka nevojë të indeksohet (kompensohet) veç për bukën, në "pensionet dhe 
në pagat e rrogëtarëve të shtetit".  Pensionet dhe pagat duhet të rriten për 
të gjitha, jo vetëm për bukën.  Që të shihni se nuk është vetëm buka, 
problemi, po ju sjellim një llogaritje të thjeshtë që po bënim me një mik. 
Ai është pensionist me gjithë gruan, pra vetë i dytë.  Gjatë një muaji, 
përveç të tjerave, ai konsumon, me çmimet e sotme, 2100 lekë për bukën, por 
ama edhe 2300 lekë vaj.  E mos harroni se po ulërihet vetëm për bukën.  E 
pra është më e rëndë p.sh. rritja e çmimit të vajit, që ka kaluar si në 
heshtje.  Kështu, ndërsa për rritjen prej 50% të çmimit të bukës, gjatë 
këtyre dy vjetëve, atij çiftit pensionist i bie 700 lekë rritje në muaj, 
rritja për vajin është shumë më e madhe: është rreth 1100 lek rritje në 
muaj, sepse këto dy vjet, vaji është rritur mbi 90%.  Pra problemi është "jo 
se po rritet buka", por se po rriten shumë çmime, sidomos të ushqimeve dhe 
të energjisë.  Na ka mbetur buka në tru, si në mesjetë e si në komunizëm. 
Problemi është mosrritja ekonomike e vendit, dhe jo vetëm rritja e "çmimit 
të bukës".

Edhe kjo "mos rritja e çmimit të elektrikut për furrat e bukës" dhe rritja 
për bizneset e tjera, përfshirë edhe ato ushqimoret, është gafa tjetër e 
radhës: qeveria dallon një produkt, nga të tjerët, duke ndërhyrë kështu, me 
pa të drejtë, në tregun e lirë.  Kjo ndërhyrje tip "komisioni i planit të 
shtetit komunist", ose është një tregues i "marksizmit të fshehur në kokat e 
qeverisë", ose "populizëm" (sa i mirë kryeministri, bëri çmos që mos t'ia 
ngrejë bukën fukarasë!), ose është korrupsioni i zakonshëm (në qeveri ka 
ndonjë "kripto-kartelist" që nuk do të ulet sasia e importuar e grurit, si 
rezultat i zëvendësimit të natyrshëm të bukës me ushqimet e tjera). 
Normalisht duhet që diferencimet në çmime të bëheshin me ligj, dhe jo nga 
qeveria (aq më pak nga ERRE-ja!!!)-nejse, e diskutojmë këtë një herë tjetër.

Nuk zgjidhet problemi as thjesht me "indeksim", me kompensim.  Kompensimi 
mund të bëhet vetëm për ata që janë fare keq: pothuaj vdesin urie po nuk u 
kompensuan.  Duhet rritje e pensioneve dhe e pagave, që nuk bëhet dot 
thjesht me urdhër të kryeministrit.  Ato rriten me rritjen e ekonomisë së 
vendit  Apo qeveria do të na gënjejë mendjen se "vetëm çmimi i bukës është 
rritur, se me të tjerat jemi shumë mirë?!".

E vetmja gjë që mund të bëjë një qeverisje shqiptare, është që të krijojë 
një ambient sa më të mirë për zhvillimin e bizneseve private, gjë që 
automatikisht shpie në rritjen ekonomike të vendit, shpie në rritjen e 
pagave, shpie në një vend që ka mundësi (para) për të bërë edhe politika 
sociale.  Mbase qeveria aktuale mund të bëjë edhe ndonjë arnim, duke 
ndërruar ndonjë anëtar të veçantë të qeverisë, si punë kokë turku, derisa të 
bëhen zgjedhjet e reja, ato që na i ka premtuar se do të jenë me karta 
identiteti.

Bashkim Kopliku
13.2.2008

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2880 (20080215) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 



More information about the Alb-Club mailing list