| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Reforma, sipas kursit "6-mujorësh të drejtësisë"Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comThu Feb 7 03:21:56 EST 2008
Reforma, sipas kursit "6-mujorësh të drejtësisë"
[Gazeta Shqiptare, 7.2.2008]
Nga ndonjë person prej atyre që po diskutojnë reformimin e drejtësisë
shqiptare, po dëgjojmë akoma gjithfarë anatemimesh rudimentare komuniste,
kundër kursit 6-mujor për juristë "te Plepat", që u pat zhvilluar nga viti
1993. E pra duhet të mësojnë nga ai kurs, e të parët specialistët e PS-së,
të cilët po mëtojnë se po rinovohen, dhe nuk kanë mbetur më në qerren e
Fatos Nanos dhe të trashëgimisë komuniste.
Ai kurs i përshpejtuar, ishte një domosdoshmëri për reformën e kohës, për të
shkatërruar kështjellën enveriste të "drejtësisë popullore", të asaj
drejtësie injorante dhe tejet të korruptuar, politikisht dhe materialisht,
që përveçse kishte dërguar në vdekje dhe në burgime, me mijëra të pafajshëm,
me porosi të diktatorit, vazhdonte të pengonte shtetin e ri demokratik, në
përpjekjet e tij për vendosjen e lirisë dhe demokracisë në vend: ky ishte
problemi kryesor atëherë.
Sot, reformimi i drejtësisë duhet të bëhet sipas principit të "kursit
6-mujor": të identifikohet problemi kryesor, dhe të përqendrohet goditja
kundër tij, pa u hallakatur me problemet anësore. Problemi kryesor i
drejtësisë sot, është korrupsioni i tejskajshëm, material, por edhe politik.
Reforma duhet të përqendrohet në shkatërrimin dhe parandalimin e
korrupsionit.
Unë jam i pari që kam hedhur idenë e organizimit të atij kursi, që në vitin
1992, dhe kam lobuar me insistim për të (jam munduar t'u mbush mendjen të
tjerëve, përfshirë dhe presidentin e kohës, z. Berisha), deri në momentin që
u realizua kursi. Nuk jam fare i penduar, përkundrazi.
Përse dhe si, kursi 6 mujor i drejtësisë
Që në vitin 1992, problemi kryesor ishte korrupsioni politik dhe ekonomik i
juristëve, i lidhur ky me prejardhjen komuniste të pothuaj të gjithë
juristëve të kohës. Ky problem u adresua me kursin "6-mujor" në vitin 1993:
u futën në sistemin e drejtësisë një masë relativisht e madhe njerëzish, të
cilët nuk ishin të infektuar nga të qenit për vite me radhë "juristë të
komunizmit". Duhet thënë se nuk ishim duke ecur në "shtigje të pashkelura":
bëmë një gjë që e kishin bërë edhe të tjerë në vende të tjera, dhe më të
përparuara se ne.
Duke qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i rendit publik, gjatë vitit
1992 puna më lidhte me juristët, si me ata brenda policisë, si dhe me ata
nga prokuroria, si dhe nga gjykatat. E gjithë puna e policisë për goditjen
e krimit (përdorimi i armëve pa leje, vjedhjet, prishjet e rendit publik,
banditizmi-këto ishin veprat penale të asaj kohe), bëhej shpesh zero, nga
prokurorët dhe gjykatësit, të cilët i lëshonin fajtorët.
Juristët që mbushnin institucionet e shtetit demokratik, kishin bërë një
"marrëveshje të heshtur" në keqpërdorimin e asaj që pruri demokracia,
"pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga pushtetet e tjera, ekzekutiv dhe
ligjvënës, si dhe nga politika". U krijua një kështjellë kompakte me
juristë komunistë që nga njëra anë, korruptoheshin nga kriminelët duke marrë
ryshfete për lirimin e tyre, duke u fshehur pas sofizmave "ligjore" pa fund,
duke penguar zbatimin e drejtësisë, të ligjit. Nga ana tjetër, por gjithnjë
në të keqen, pengonin çdo veprim ligjor të organeve të shtetit të ri
demokratik, duke marrë në mbrojtje gjoja ligjore, çdo njeri që goditesh nga
shteti për korrupsion, politik dhe material.
Duhet thënë se këta juristët e 1993-shit, një shumicë e tyre, ishin
injorantë, jo vetëm në përgatitjen kulturore të përgjithshme, por edhe në
profesionin e tyre. Ata nuk njihnin as jurisprudencën me ligjet e kohës së
komunizmit, dhe jo më atë të pas marsit të 1991, me ligjet e Kuvendit
pluralist. Një shumicë e tyre vinin nga "kurse partie", nga "kurse për
kuadrot", nga shkolla "me korrespondencë", bile kishte nga ata, që kishin
filluar punën si juristë, duke qenë analfabetë. Me kohë, dosjet e tyre
ishin mbushur me "diploma juridiku", që ishin marrë me mik, me telefonata
sekretarësh partie, tek pedagogët e universitetit-ku guxonin pedagogët e
komunizmit, t'ia prishin partisë, le që dhe nuk donin t'ia prishnin! Shtoi
të gjithë kësaj, që edhe vetë jurisprudenca komuniste, si "shkencë", kishte
shmangie të rrezikshme nga ajo e vendeve të lira demokratike.
Nga ana e moralit politik, një shumicë e juristëve të komunizmit, ishin
përtokë. Nuk kishin pasur kohë të shkëputeshin nga mendësitë komuniste:
ishin ata që vetëm para pak kohe, në komunizëm, "çdo të hënë" mblidheshin
tek sekretari i parë (komunist) i rrethit, ku merrnin udhëzime (praktikisht
urdhra), sesi duhet të dënonin njerëzit gjatë javës. Ishin ata, që në
rastin më të mirë, bënin sikur nuk kuptonin se dosjet e sigurimit, mbi bazën
e të cilave dënonin viktimat e tyre, ishin të falsifikuara, të mbushura me
dëshmitarë të rremë.
Nga ana e moralit "material, apo ekonomik", ishin shumë më të degjeneruar
sesa të sotmit. Atëherë korrupsioni material nuk bëhej me para, siç bëhet
sot, sepse atëherë nuk kishte para. Korrupsioni bëhej me shkëmbime nderesh.
Juristi, prokurori apo gjykatësi i komunizmit, rregullonte gruan në punë të
pamerituar, dërgonte fëmijët në shkollime të pamerituara, rregullonte
shtëpinë me punë zanatçinjsh dhe materialesh të papaguara, merrte autorizim
televizori pa radhë, e të tjera të tilla të pafund, që përbënin "të mirat"
materiale të kohës.
Shqipëria e vitit 1993, nuk mund të priste sa të mbaronin shkollën juristët
e rinj. Kështu që rruga më e shpejtë ishte të shkolloheshin shpejt, njerëz
me eksperiencë jete, dhe me kulturë universitare, pavarësisht se nuk ishte
në fushën e jurisprudencës. Këtyre specialistëve të lartë jo juristë, u
duheshin dhënë njohuritë bazë juridike, sa për të kaluar nivelin e juristëve
të komunizmit, gjë që kryhej me një kurs vetëm prej 6 muajsh-mjaftonte kaq
për të arritur nivelin e juristëve që kishim, me "diplomat e tyre të
komunizmit".
Në kurs do të hynin vetëm persona që kishin mbaruar një degë të
universitetit. Nëse kërkesat për kurs do të ishin shumë të mëdha,
përzgjedhja do të bëhej duke preferuar ata që kishin notat më të mira në
diplomat e tyre universitare, dhe ata që ishin më të rinj në moshë. (Vetëm
për ata që kishin dalë nga burgu dhe internimi politik, mjaftonte të kishin
mbaruar shkollën e mesme.). Të gjithë këta, me kohë do të bënin kualifikime
të mëtejshme në jurisprudencë, që tashmë bëhej zanati i tyre i ri i jetës.
Influenca e juristëve të këtij kursi qe shumë e madhe. Ardhja e tyre, bëri
dhe një edukim me demokracinë, me qasjet dhe idetë jokomuniste, edhe të
juristëve që gjetën, atyre të komunizmit: shumë juristë të vjetër, u kthyen
nga e reja, jo pa kontributin e "juristëve 6-mujorë". Natyrisht që ka pasur
edhe thyerje të kritereve të pranimit në kurs etj., po ku ka gjë që bëhet pa
defekte në Shqipërinë tonë të dashur.
Problemi kryesor sot
Problemi kryesor sot është po korrupsioni, po ai materiali (ekonomiku),
kurse ai politiku nuk ka më ngjyrë përkatësie politike, por atë thjesht të
degjenerimit moral: juristët bëjnë si ju thotë partia në fuqi. Prokurorët
dhe gjykatësit e sotëm, shumica e tyre, marrin urdhra nga politika në
ushtrimin e detyrave të tyre. Ata marrin para nga krimi dhe palët në
konflikte civile, për të keqpërdorur drejtësinë, në favor të interesave të
tyre materiale-fiton kush paguan ryshfet, dhe jo kush ka të drejtë. Goditja
duhet dhënë pikërisht për zhdukjen e kësaj situate.
Nuk është se juristëve tanë ju mungon shkollimi, prandaj është naivitet, ose
keqdashje, që reforma jonë në drejtësi të merret në radhë të parë, me
"kualifikimin profesional", me "magjistraturat" etj. Jo, kualifikimi
profesional duhet të ecë në mënyrë standarde, si kudo në botë, dhe mos të
marrë kohë nga puna e shpejtë që duhet bërë për reformën në drejtësi.
Sa për të cytur debatin, si dhe për konkretizim të sa shtruam më lart, në
vijim po shtrojmë 5 propozime.
1- Duhet të gjenden metodat që puna e prokurorëve dhe gjykatësve të
kontrollohet, dhe jo vetëm nga vetë sistemi i drejtësisë, por edhe nga dy
pushtetet e tjera, ai i Kuvendit dhe i Qeverisë. Të aplikohet principi
kushtetues "checks and balances" ("kufizime dhe baraspesha"), që në shqipen
e thjeshtë do të thotë "beso dhe kontrollo". Natyrisht duke zbatuar ligjin,
dhe pa cenuar rëndë principin e "pavarësisë së pushteteve". Duhet gjetur
një e mesme e artë për Shqipërinë aktuale. Kjo do të rriste zbatimin e
ligjit nga juristët.
2-Të rishqyrtohet mundësia e futjes së jurisë në sistemin gjyqësor, sistem
që e kanë amerikanët dhe shumë vende të tjera. Ky sistem bën që gjykatësi
të mund ta japë vendimin, vetëm nëse gjatë hetimit gjyqësor, juria është
bindur për fajësinë e të pandehurit. Juria janë një grup qytetarësh të
thjeshtë (pa qenë e thënë të jenë juristë). Kjo do të vështirësonte dhënien
e ryshfetit: janë disa vetë, juria, që vendosin, dhe jo më një apo dy
gjykatës.
3-Të rishqyrtohet mundësia e futjes së sistemit të zgjedhjes së gjykatësve
nga populli. Ky sistem është në Amerikë, dhe edhe në disa vende të botës
(nuk flitet për zgjedhjet në komunizëm, që ishin një farsë, se në fakt
zgjedhjet i bënte partia). Zgjedhja e gjykatësve nga populli, bën që të
dobësohen ndërhyrjet politike në caktimin e tyre.
4-Të hiqen kërkesat për eksperiencë shumë të gjatë në punë si jurist, për t'u
zgjedhur apo emëruar në poste të ndryshme të sistemit. Tani ka kërkesa edhe
për deri "15 vjet eksperiencë pune si jurist", për t'u bërë anëtar, apo
kryetar apo shef, këtu apo aty. Kërkesa maksimale duhet të bëhet jo më
shumë se 8 vjet, për vitin 2008, dhe pastaj çdo vit pasues mund të rritet me
nga një vit (p.sh. në 2010 kërkesa maksimale të bëhet 10 vjet), duke arritur
tek "standardet botërore" për vjetërsinë në profesion, pas nja 7 vjetësh.
Kështu do të siguronim që nuk përjashtohen "jokomunistët" nga karriera: po
quajmë jokomunistë ata që arritën të bëhen juristë 8 vitet e para të
demokracisë (1992-2000).
5-Asnjë person në poste në nivel prokuror rrethi e lart, apo kryetar gjykate
rrethi (qarku) e lart, të mos mund të qëndrojë më gjatë se 5 vjet, dhe mos
të ketë të drejtë rizgjedhjeje apo riemërimi. Ky rregull duhet të mbahet së
paku për 10 vjetët që vijnë. Kështu do të detyrohej një riciklim figurash,
gjë që është shumë e nevojshme në periudhën që kalojmë.
Shpresojmë të kemi sensibilizuar që juristët dhe deputetët të diskutojnë më
në detaje.
Bashkim Kopliku
1.2.2008
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>
Please, send important e-mails
on both addresses.
More information about the Alb-Club mailing list |