| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Kujt i duhen sensacionet?Pellumb Kulla gumeliri at gmail.comWed Jan 30 10:39:02 EST 2008
Kushdo që ndjek shtypin shqiptar, mahnitet nga shpeshëria e
sensacioneve në jetën publike vëndase. Për dekada me rradhë ishim
mësuar me një pajë mediatike me një uniformitet gjumëndjellës, kur
ekrani qe mbushur në katër cepat me fshat me fusha dhe shtalla, kur
faqet e gazetave bardhezi ishin të mërzitëshme si sfond i një muri me
tulla, pa kamare e dritare, me njoftime edhe më të mërzitëshme akoma,
mbi kubikët e pyllëzimet, me reportazhe të stërgjatur mbi heronj që
punonin për vitet që do të vinin, me botën e jashtme të dhënë "në
rrugën e saj drejt greminës së pashmangëshme". Gazetat ngjanin si
kopje të njëra tjetrës, për 365 me radhë. Në to nuk kish vrasje e
grabitje, as aksidente, as tradhëtira bashkshortore dhe as helmime
çiftesh. Asnjë nudo!. Asnjë mis! Asnjë ministër hajdut!….
Është marramendëse tani të shohësh tërë ngjarjet që zenë
vend brënda një dite apo një muaji në Shqipëri. Le të them disa:
- Një e treta e deputetëve zbulohen si bashkëpnëtorë të Sigurimit!
- Ministri i transportit përvetëson qindra milionë euro!
- Kryeministri është mafioz dhe transporton drogë me linja të përhershme
autobuzësh. Ka vrarë një njeri nën rrotat e makinës së tij e nuk jep
aspak llogari!
- Kryeministri që e pason e ngre nivelin e korrupsionit më lart. Ka qenë i
interesuar dhe ka dorë në vrasjen e bashkpunëtorit të tij më të afërt!
- Kryetari i partisë së ish komunistëve është biri i birit illegal të mbretit
Zog, armikut numër një të masës fanatike të komunistëve që u
konvertuan në socialistë dhe që ky i udhëheq!
Ngjarje që kapërdihen pa përtypje, sensacione, bllofe, kaos… Kujt i
interson kjo?! Dikujt apo disave u intereson ky kaos edhe pse në të
janë përzjerë emri dhe nderi i tyre. Dikujt i vete mbroth kur i le
gazetat të marrin vrapin pa ia tërhequr frerët. Ç'nevojë ka një
deklarim solemn, se nuk do të ketë më ndëshkim për gazetarët? Vetë
autori i kësaj deklarate pa precedent, Sali Berisha, tërthorazi, dy
dit më parë nga një peshkatar, (a shpikës) sensacionesh, një farë K.
Myftari akuzohej pa një pa dy, se "…si Enver Hoxha, ndjek shembullin
e këtij të fundit; ashtu si Enver Hoxha u pajtua dhe në një mënyrë apo
tjetër influencoi që të eliminohet Qemal Stafa, që akuzohej për vrasje
politike, edhe Sali Berisha, pati një rol pak a shumë të ngjashëm me
duke u pajtuar që të eliminohet "Qemal Stafa" i tij Azem Hajdari, të
cilin Berisha, e shikonte ashtu si Enver Hoxha Qemal Stafën, si rival
bezdisës". (Sot, 23 janar '08). Unë në këtë rast jam në anën e
Berishës dhe nuk dua që kjo të jetë e vërtetë. Ndihem keq kur mendoj
se teatri i politikës shqiptare të ketë arritur deri në skenarë të
tillë. A nuk i vjen Berishës që ne shqiptarëve na ndyhet kaq keq i
pari i qeverisë? A nuk i takon t'ia kërkojë këtë llogari gazetarit dhe
gazetës? Apo do ta lerë në heshtje, me që ka premtuar që nën
qeverisjen e tij shtypi mund të bëjë hamendje nga më të llahtarshme pa
ferrë në këmbë?
Gazetarit i jepet mbrojtje, por në Shqipërinë e sotme është vrarë
opinioni publik. Nuk gjenden më ganxha ku të lidhet mendimi e të
mbështetet opinioni publik. Edi Rama mund të mos jetë i një mendje për
përkëdheljen e gazetarëve, siç bën kundërshtari i tij politik dhe po
të dojë, mund t'i tregojë këtij peshkatari sensacionesh derën e
gjyqit. Jam i bindur që Myftari, - i njëjti peshkatar, - nuk do të
sjellë dot prova, që Kristaq Rama është pjellë ilegjitime, si fryt i
dashurive të mbretit nëpër sarajet e tij. Si mund të jetohet në një
vend të tillë?
E kam të përsëritur shëmbullin që do të jap, por ama ia
vlen të përsëritet: Deputeti Dritan Prifti, ministër i energjitikës
në qeverinë e Metës, ndodhet në Gjermani, në pritje të një ndërhyrje
kirurgjikale.Ai nuk është më ministër dhe as Meta nuk është më
kryeministër. Këtij ia ka zenë vendin kryetari i partisë Fatos Nano.
Ky në kuadrin e katarsisit (pastrimit shpirtëror) të PS akuzon Priftin
si njeri që ka përvetësuar miliona dhe shpreh bindjen, se ai ka çarë
ferrën e hap fjalë për kirurgjira, por nuk do të kthehet më në atdhe.
Dritan Prifti le ndërhyrjen e planifikuar dhe zbret në atdhe
menjëherë. Me një fjalë: ja ku më ke! Dhe që aty, para gazetarëve
deklaron se kryetari i Partisë Fatos Nano, para dy muajsh, i është
lutur Priftit, kur ky ish ministër, që të pastrojë dy milliard dollarë
që do të vinin nga Bostoni! E për këtë, thotë Prifti, ka dijeni edhe
kryeminstri Meta dhe ministri i Financave, Angjeli. Gazetarët vrapojnë
tek Meta. Ky e vërteton se akuza e Priftit është me baza e se Nanoja
vërtet e ka bërë këtë përçapje.Gazetarët vrapojnë tek Angjeli. Edhe ky
pranon se Nanoja e pat kërkuar këtë punë të ndyrë.
E pa konceptueshme: nuk ndodhi asgjë! As Nanoja nuk i hodhi
tre VIP-at e PS në gjyq, as Prokuroria nuk lëvizi gishtin dhe as
policia prangat. Bile as Opozita e Berishës nuk e zgjati më këtë
histori.
Është e qartë: tërë këta aktorë janë bërë një mendje që të
sabotohet opinioni publik. Aty të tërë cilësohen bashkëpunëtorë të
Sigurimit, që bashkëpunëtorët e vërtetë të flenë të qetë, se e tëra
kjo është në favor të tyre. Tërë akuzohen për përvetësim milionash, që
përvetësuesit e vërtetë të humbin mes turmës së përvetësuesve fiktivë
e kështu të mos merret vesh asgjë. Kësaj i shërben dhe perdredhja
famëkeqe e kryeministrit të sotëm, që pasi e akuzoi me tërë mëkatet që
mban dheu, kryeministrin pararendës, me qëllimin për të iniciuar
lëvizjen "Nano-ik",dhe pastaj, për të përligjur lëvizjen me kah të
kundërt "Nano-hajde", deklaroi duke zbardhur dhembët, se të gjitha
akuzat e tij për kundërshtarin nuk ishin të vërteta, por ishin lojëra
elektorale. E kush i ndalon tani njerëzit të besojnë se i tërë
themelimi i PD-së prej tij nuk ish një lojë elektorale. Retorika
kundër Hoxhës e Alisë ishte lojë elektorale dhe vetë burgimet e
Nexhmies dhe byroistëve, nuk vinin ngase ai distancohej nga e kaluara,
por se të tëra ishin pjesë e lojës elektorale e kësaj loje të fituar,
që na e mban doktorin tropojan në majë të fronit! Lojë elektorale! Nuk
gjendet precedenti në tërë jetëshkrimet e politikanëve botërorë, ku
këta të kenë bërë një përgënjeshtrim kaq të paturpshëm! Po kush mund
t'ia kërkojë llogrinë atij? Opozita ka po aq nevojë, e në mos më
shumë, për ato sensacione
Opinioni publik është i sabotuar e i plandosur përdhe! Fjalët
që shkruajmë nuk kanë më asnjë vlerë!
pk
More information about the Alb-Club mailing list |