Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] 13 brinje e 28 vrima

GH pifto at gmx.net
Sat Jan 26 03:55:14 EST 2008


Ndoshta vonë për këtë temë, por edhe unë jam një nga ata  anetarë të  
klubit, të cilët e kanë bërë zakon cdo ditë të shohin se cfarë  
shkruhet këtu. Madje albClubi është një ndër të paktat rituale  
konstante të këtyre dhjetë viteve te fundit, ca më tepër kur njeriu  
lë cigaren, ndërron berberin (ca se ska më flokë, ca se ndron qytet a  
shtet), nuk lexon më (dot) kryesisht shtypin por libra dhe habitet se  
sa pafund qënkërka pendimi, se pse në dreq u dashkan studiuar  
shkencat humane kur mund të të bëhesh shumë mirë veteriner e ta  
kalosh jetën duke u qarë hallin gomerëve, derrave, dhive, pelave,  
qenërve, breshkave si dhe gjithë atyre krijesave të pafajshme të  
natyrës, të cilat edhe kur nuk beson në Zot, të duket sikur të  
komunikojnë (dhe vetem ato) mesazhin e Perëndisë. Në këto rrethana  
albClub-i është një nga ato të vetmit portalë realë të një mendimi  
human shqiptar të sinqertë, i cili edhe kur duket sikur sikur është  
duke dhënë shpirt vazhdon e komunikon akoma, sepse edhe heshtja është  
në vetvete një mënyrë komunikimi, madje shpesh ta shesin edhe për ar.

Pastaj kush nuk tha se të vdekurit nuk flasin gjë? Por nejse, kjo  
është një temë tjetër, e cila më kujton një histori shqiptare të  
mesviteve ’90 kur një natë, në një qytet të humbur të provincës  
gjermane, ngaqë s’gjetën dikë tjetër më të hajrit, më ngriitën nga  
shtrati me cilësinë e përkthyesit dhe më urdhëruar të paraqitem në  
morgun e klinikës së mjekësisë ligjore, ku prej dy orësh kishin prurë  
një kufomë me gjithë-gjithë 28 vrima midis 13 brinjëve. Sigurisht që  
i vdekuri na foli të gjithëve, madje me të ëmën ndejti edhe më gjatë;  
me sy mbyllur, me gojë mbyllur e me bark të carë na la syshqyer,  
pagojë e na hapi barkun. A nuk është komunikim gje edhe ky? Dhe  
vërtetë që ishte për të shqyer sytë; kohët ishin madje të tilla që  
sytë u deshën mbajtur hapur, se edhe i ndjeri po t’i kish hapur më  
mirë, asnjë nga ne nuk do të kishte qënë atje, por secili në shtrat  
të vet, prokurori në gjumë, polici në gjumë, gjyqtari në gjumë,  
anatomo-patollogu në gjumë, përkthyesi në gjumë; edhe pse këta  
vazhdojnë përkthejnë shpesh nëpër ëndërra, me të vetmin ndryshim që  
nuk paguhen, ndërkohë që prokurori, polici, gjyqtari  paguhen edhe  
kur flënë dhe kjo është pastaj ajo gjë thelbësore që dallon njerëzit  
në profesion të lirë nga nëpunësit, apo njeriun nga shteti. Sidoqoftë  
me mëndje të vrarë, e me kuletën plot dikur i lashë ata të vdekur e  
të gjallë me njëri-tjetrin në bazë të proverbit të vjetër “të  
vdekurit e të gjallët me të vdekurit e të gjallët – frelanceri në  
bankë” dhe bleva ca tulla, që diku pastaj disa malokë polakë i vunë  
mbi njëra tjetrën për hir të asaj që quhet sigurim i të ardhmes, a  
thua se ata që ngritën piramidat nuk vdiqën që të gjithë, a thua se  
të gjithë një ditë nuk do të vdesim e do të harrohemi me një  
shpejtësi të skëterrshme, nëse nuk e kemi fatin të bëhemi disa  
hajdutë a kriminilë të jashtëzakonshëm, që të na vendosin të  
ballsamosur nëpër muzeume sic e kërkon tradita kombëtare. Megjithatë  
që të dal nga ky varr ku hyra pa dashur sot në mëngjes rruges për në  
alb-club ja edhe amaneti im (vetëm një kam).

Në u bëfsha edhe unë një ditë një hajdut shumë i rëndësishmëm për  
fatet e Shqipërisë (që pak ma do mëndja) as mos më ballsamosni e as  
mos më ngrini piramidë gjë gjëkundi. E di që tempujt e horrave horrat  
i ngrënë, por mbase ndonjë kokëkrisur që mbetet gjallë pas meje, ruan  
akoma në zëmër një fije ndershmërie prej terrorsti të vërtetë e ja  
del dot që të vëjë një bombë poshtë asaj haleje shumë të madhe (unë- 
sikur-hajn).

Rruga për në albClub (të paktën ajo e imja) herë të con nga varrezat  
e herë të bën ta ndjesh veten hale si më sipër; gjithnjë në vijim të   
paranojës më të zakonshme të shqiptarit mesatar të edukuar e të  
lexuar: “o Zot mos më lër të behem edhe unë si ata (të mirët), horr,  
hajn, vrasës, rrencak, pusht, e më lër nën lëkurën timë, pa emër, pa  
zë, pa famë, as të mirë e as të keqe; se edhe kjo e njëjta gjë është,  
më lër larg nga tundimi e mëkati për t’u zhytur në qelbësirën e  
qejfit të vjedhur, për të ngrënë c’dhjet ai sipër meje, që ata poshtë  
meje poshtë pastaj e gëlltitin nga unë, për hir të vazhdimesisë  
funksionale, institucionale, konstitucionaliste-konformiste të  
domkracise shqiptare!”

Voila! Zoti, i madh dhe i vdekur sic është, dëgjon edhe ai. Domethënë  
Zoti dëgjon vetëm kur i lutesh të të lërë në hallin tënd, kur i thua:  
“Më bëj një nder e mos më bëj as si veten e as si ata. Mos më bëj as  
të mirë e as të keq, mos më bëj as shënjt e as dreq, mos bëj asgjë me  
mua, më lër më mirë në dorë të natyrës. Shumë mirë që do të përzihesh  
edhe ti në jetën time, por sinqerisht kam halle plot edhe unë dhe nuk  
kam kohë për ty; pra merre vesh, kam edhe unë grua; dhe një herë për  
një herë kam halle plot me të e ajo ca më tepër me mua, kam edhe unë  
atdhe, që do të thotë se kam edhe këtë vulë turpi; që dua a s’dua do  
e mbaj në ballë, kam edhe unë zyrën e taksave në kurriz, që dua apo  
s’dua u dashka shkuar në shtrat me burokracinë federale ( kjo është  
nga gjërat më të ndyra që u bëkërkan), prandaj më lër rehat. Dhe nuk  
është shumë kjo që po të kërkoj”. Sigurisht që Zoti i Madh e  
Plotfuqishëm i Mirë dhe Gjithmirëkuptim të lë rehat, nuk të përzihet  
se në fakt po të kish dashur të bënte dicka tjetër prej teje të kish  
bërë të tillë që në fillim, prandaj c’kuptim ka t’i lutesh të të  
ndrojë fatin, lëkurën, apo shpirtin? Një nga rrenat më të mëdha që  
kam dëgjuar ndonjëherë është kur thuhet “atë e ka Zoti në Dorë”. Në  
fakt Zoti ose e ka Patur në Dorë ose nuk e ka patur, pjesa tjetër  
është c’ke ti në Dorë, dhe unë ngaqë nuk kam patur asnjëherë asgjë në  
dorë, madje as celësat e kashtës, e ndjej veten në rregull, qoftë me  
veten, qoftë me Zotin, qoftë me albClubin, për ku ishta nisur që në  
mëngjes, pa u shmangur dot se kaluari nëpër një varrezë, anash një  
tempulli të një maskarai dhe Perëndisë vetë, sepse sic duket rruga  
për (dhe nëpër) albClub kalokërka përmes së mirës dhe së keqes e ca  
më shumë akoma përmes vetes tënde lakuriq si nga brënda ashtu dhe nga  
jashtë.




GH


More information about the Alb-Club mailing list