| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Leter e Hapur Rektorit Enver Hasanishkelzen gashi shkelzengashi at yahoo.comMon Jan 21 10:12:42 EST 2008
Letër e hapur Rektorit Enver Hasanit Rektor, mos u tutni! I nderuari Rektor Hasani, Qysh në fillim të kësaj letre më lejoni tju them se kam një respekt të jashtëzakonshëm për ju si akademik, duke e pasur parasysh nivelin e lartë të dy librave që keni publikuar (Shpërbërja e Jugosllavisë dhe Kosova (teza e magjistraturës) dhe Self-determination, Territorial Integrity and International Stability: The Case of Yugoslavia (teza e doktoraturës)), por edhe duke e pasur parasysh nivelin e shumë punimeve shkencore, të cilat i keni botuar kryesisht në revistat akademike jashtë Kosovës. Kur jemi te publikimet shkencore, më duhet ta përmend kritikën e mrekullueshme që i keni bërë librit Man, the State, and War të autorit Kenneth N. Waltz. Për më shumë, edhe mburrem që kam pasur fatin të ndjek ligjëratat që keni mbajtur në Universitetin e Prishtinës. Tjua them të vërtetën, arsyeja kryesore që më ka shtyrë të mos e braktis UP-në ka qenë niveli juaj akademik dhe i profesorit Enver Hoxhaj, por edhe i ndonjë profesori tjetër, që shpeshherë më jepnit shpresë se ja vlen të shkojë aty. Sidoqoftë, arsyeja pse po ju shkruaj këtë letër, ka të bëjë me debatin që qe paraparë të mbahej të premten (18.01.2008) në KTV për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, ku të ftuar, përveç jush, në cilësinë e Rektorit të UP-së dhe profesorit Enver Hoxhaj, në cilësinë e Ministrit të Arsimit, isha edhe unë si aktivist i dikurshëm i Lëvizjes Tjetërqysh. Në momentin kur drejtuesi i emisionit pas insistimit tuaj ju ka treguar se unë jam mysafiri i tretë, atëherë, ju jeni ngritur në këmbë dhe i lemerisur e keni lëshuar sallën, duke thënë se Shkëlzen Gashi nuk i kupton problemet. Disa pjesëtarë të stafit teknik të emisionit dhe punëtorë të Muzeut të Kosovës më thoshin se nuk kanë parë në jetë dikë më të frikësuar dhe me sjellje më të çakorduara. Më duhet tjua kujtoj se arsyet kryesore që mua dhe disa prej kolegëve të mi na patën shtyrë të reagojmë për gjendjen e mjerë me të cilën përballej UP gjatë tërë pasluftës kanë qenë këto: plagjiatura, politizimi deri në palcë, mungesa e stafit akademik, mungesa e revistave akademike, numri shumëfish më i madh i studentëve se sa hapësira që ka UP, dyfishimi i studentëve të pranuar pas kalimit të afatit, mungesa e parapagimit në revista akademike, të mësuarit mekanik përmes skripteve dhe shënimeve, mungesa e bibliotekave në fakultete, mungesa e internetit në tërë hapësirën e UP-së... Kur ne përpiqeshim që përmes shkrimeve dhe aksioneve ta kushtrimojmë opinionin për gjërat e përmendura më sipër, ju na thoshit se ju fascinon dija dhe guximi ynë për ta bërë një gjë të tillë. Përveç se pajtoheshit që UP ballafaqohet me problemet e lartpërmendura, ju edhe na konsideronit si thyes të mitit për Universitetin e Prishtinës. Mua më kujtohet shumë mirë kur më 22 korrik 2004 në të përditshmen KOHA Ditore patët publikuar një letër për dekanin e Fakultetit Juridik me titull Korrje-shirjet dhe politika e regjistrimit në Fakultetin Juridik, në të cilën letër ju e kritikonit atë me plotë të drejtë për parregullsitë dhe dallaveret në regjistrimin e studentëve në këtë fakultet. Pothuajse dy vite pas publikimit të kësaj letre, ju u bëtë rektor i Universitetit të Prishtinës. Po cila është gjendja sot kur tashmë janë bërë gati dy vite qyshkur ju e drejtoni Universitetin e Prishtinës? Sikundër u tha edhe më sipër, shtylla kryesore e krejt aktivitetit tonë ka qenë plagjiatura, përkatësisht verifikimi i titujve akademikë në UP. Krejt çfarë keni bërë ju në këtë drejtim është themelimi i një komisioni anonim (sic) për librat plagjiat, i cili komision është marrë me librat e një grupi fare të vogël të profesorëve, të cilët nuk kishin kurrfarë lidhje me politikën. Këtu fshihet misteri se përse ju nuk i keni suspenduar, ta zëmë, Arsim Bajramin, Hajredin Kuqin e pedagogë të tjerë të UP-së, të cilët tashmë dihet se me librat e tyre kanë bërë plagjiaturë. Për më keq, përmes një vendimi e keni legalizuar plagjiaturën, duke thënë se vetëm librat e vjedhur mbi 70% nga i njëjti libër do të konsiderohen plagjiaturë. Kjo do të thotë se studentët, kandidatët për Master apo PhD, profesorët... mund të vjedhin, por, jo mbi 70% nga i njëjti libër. Pra, ata mund të vjedhin, ta zëmë, 69% nga një libër dhe 31% nga një tjetër libër, e kështu ju bie të lexojnë vetëm dy libra për të bërë temë diplome, magjistraturë apo edhe doktoraturë. Kjo nuk ndodhë askund në botë. Pra, edhe pas ardhjes suaj në krye të UP-së, politikanë të ndryshëm kanë bërë magjistratura e doktoratura pa kurrfarë niveli. Çështë me e keqja, në disa prej tyre edhe keni qenë anëtar komisioni. Përveç kësaj, edhe (ri)themelimin e revistave akademike e konsideronim si segment shumë të rëndësishëm për arsyen e thjeshtë se ato, mes tjerash, e bëjnë universitetin që të dallojë nga shkolla e mesme. Për gati dy vite sa keni udhëhequr UP-në, nuk e keni (ri)themeluar as edhe një revistë akademike dhe edhe më tutje UP mbetet i vetmi universitet në Evropë që nuk parapaguhet në ndonjë revistë akademike dhe ku studentët mësojnë mekanikisht përmes skripteve dhe shënimeve. Po ashtu, edhe më tutje në UP kemi numër shumëfish më të madh të studentëve se sa që ka hapësirë dhe edhe me tutje në UP kemi të pranishëm fenomenin që ju dikur e quanit fenomeni i korrje-shirjeve. Ta zëmë, në Fakultetin Juridik për vitin akademik 2007/2008 ka qenë e paraparë të pranohen diku 800 studentë, mirëpo pas afatit janë pranuar edhe po aq pas dore, duke e ngritur kështu numrin e studentëve në afërsisht 1500. Të mos flasim për bibliotekat e fakulteteve ose për mos instalimin e internetit në tërë hapësirën e UP-së. Politizimi i UP-së, por mbi të gjitha gjërat që i përmenda më sipër janë arsyet kryesore që UP nuk është pranuar në Bolonjë. Krejt çfarë keni bërë ju për këto dy vite është mbyllja e byfeve dhe deri-diku renovimi i WC-ve, por, sikundër e dini shumë mirë, këto dy të fundit nuk janë kritere për tu pranuar në Bolonjë. Për të njëjtat gjëra që po ju kritikoj juve sot, i kam kritikuar edhe Arsim Bajramin e Hajredin Kuqin. Atëbotë, ata i iknin ballafaqimit me mua, ndërsa ju më përkrahnit dhe më prezantonit si revolucionar urban. Sot, ju po i ikni ballafaqimit me mua. Sikur ata dikur. Megjithëkëtë, për mendimin tim, përveçse akademik i vyeshëm, ju në esencë jeni edhe njeri i ndershëm. Por, skundër e dini edhe ju, në shoqërinë tonë është jashtëzakonisht e vështirë për të mbijetuar si njeri i ndershëm dhe kundërshtues i mbrapshtive të çfarëdo natyre qofshin ato. Ju keni synuar të bëheni rektor i UP-së dhe për ta realizuar një ambicie të tillë është dashur të lidheni me politikanët, të cilët më pas ju kanë bërë presion që të punoni sipas interesave të tyre të ngushta dhe meskine. Në të vërtetë, fillimisht ju edhe keni provuar që të mos punoni sipas urdhrave të tyre, por ata ua terrorizonin fëmijët. Andaj, nuk do të çuditesha nëse në një të ardhme të afërt në UP-në e udhëhequr nga ju do të doktorojnë edhe shumë politikanë, e niveli i doktoraturave të tyre, pa fije dyshimi, do të jetë skandaloz. Jam thellë i bindur se në rrethana normale nuk do të kishit pranuar të bashkëpunoni me këtë soj të njerëzve. Por, është kohë e pakohë. Krejt për fund, me sinqeritetin më të thellë të mundshëm, ju kërkoj falje për lemerinë e shkaktuar në mbrëmjen e 18 janarit 2008. Me keqardhje të thellë, Shkëlzen Gashi shkelzengashi at yahoo.com 20 janar 2008 Prishtinë ____________________________________________________________________________________ Never miss a thing. Make Yahoo your home page. http://www.yahoo.com/r/hs
More information about the Alb-Club mailing list |