| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Fw: Ata të Kalimashit në fik, kurse të Hasit në burgBashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comThu Jan 17 01:56:06 EST 2008
Ata të Kalimashit në fik, kurse të Hasit në burg [Gazeta Shqiptare, 17.1.2008] Tek shihnim në televizion sesi kryeministri shpërdoronte tunelet gjigante të Kalimashit si dhe patriotizmin, për të mbrojtur veten dhe ministrin e tij nga akuza për korrupsion, bënim një lidhje me një akuzë tjetër për korrupsion, me atë kundër ish-deputetit të Durrësit, Ilirjan Berzani, ish-drejtorit të përgjithshëm të rrugëve. Prapë padrejtësi: ndërsa akuza e korrupsionit me Kalimashin, përballohet në fik (në poste ministri e kryeministri), ajo tjetra, akuza me Hasin (tenderi për rrugën Has-Qafëprush), i ka shpënë në burg të akuzuarit. Shqipërisë i duhet të bëjë "reformën" e parë jo në drejtësi, por në mentalitet (mendësi), duke pranuar se para ligjit duhet të jetë njësoj, si kryeministri, si ministri, si dhe ish-deputeti, apo dhe një punëtor i thjeshtë. Por, shoqëria shqiptare duhet të kërkojë llogari edhe më të veçantë për trajtimin e një ish-deputeti të saj, që ka muaj që dergjet në burg. Një deputet është pjesë e elitës politike të çdo vendi. Ruajtja e lirisë dhe e pastërtisë së ambientit politik, aq të domosdoshme për të gjithë, sigurohen vetëm duke pasur një elitë politike të fortë, të guximshme dhe të ndershme. Nëse ne shqiptarët nuk do të mbrojmë të drejtat e njerëzve që bëjnë pjesë në këtë elitë, sidomos kur nuk kanë më pushtet, janë thjeshtë ish-ë, kemi lënë të na e prishin këtë institucion virtual aq të rëndësishëm për çdo komb, kemi dhënë mesazhin e rrezikshëm: politikanë, servilosuni, vidhni e abuzoni sa të jeni në pushet, se pasi ta lini pushtetin, nuk ua var më njeri. Gjatë vizitës në tunelet e Kalimashit, Kryeministri shpërdoroi patriotizmin, dashurinë për Kosovën, për t'u mbrojtur ndaj akuzave që i bëhen për korrupsion me rrugën Rrëshen-Kalimash etj. Nuk ka asnjë shqiptar që të jetë kundra kësaj rruge, rrugës me Kosovën, e kjo gjë dihet, sado që kryeministri përsërit të kundërtën. Ajo që shqetëson shumë shqiptarë, është se mos është vjedhur në realizimin e kësaj rruge. Ne personalisht mendojmë se nuk ka vjedhje në këtë rrugë, as nga kryeministri, dhe as nga ministri i jashtëm. Ky është mendimi ynë. Por ama nuk kalojmë në ekstrem, që t'i quajmë anti-shqiptarë ata që kanë mendim të ndryshëm, të gjithë ata që dyshojnë se mos ata të dy kanë vjedhur. Të njëjtën logjikë kemi dhe në rastin e ngjashëm, por me përmasa shumë herë më të vogla, të rrugës së Hasit. Ne mendojmë se Berzani është i pafajshëm. Por në ndryshim me kryeministrin, ne nuk i quajmë anti-shqiptarë, ata që mendojnë se Berzani është i fajshëm Ne thjeshtë kërkojmë trajtim të tij njësoj me "të tjerët". Bile normalisht duhet të trajtohej më lehtë rasti i Hasit, sesa ai i Kalimashit. Kjo sepse ndërsa me Kalimashin lidhet një investim prej "qindra milionë eurosh" që po zbatohet, kurse me atë të Hasit lidhesh një investim shumë më i vogël, prej vetëm 5 milionë dollarësh, dhe bile i anuluar. Pra, në rastin e Hasit nuk ka dëm efektiv, e me gjithë atë dergjet në burg ish-deputeti Ilirjan Berzani dhe të tjerë. Po përmendim me emër vetëm Berzanin, sepse e njohim personalisht për njeri të ndershëm, gjë që na bën të mendojmë se nuk po gabojmë. Natyrisht që nuk mjafton vetëm kaq. Jemi të prirë ta quajmë të pafajshëm ish-deputetin Berzani, jo vetëm nga njohja personale me të, por edhe nga fakti që njohim mirë kryeministrin aktual, që ka një biografi shumë të errët të ndërhyrjes në pushtetin gjyqësor, natyrisht në kundërshtim me të gjitha parimet e pranuara botërisht të ndarjes së pushtetit, të demokracisë. Kemi edhe një argument tjetër kundër mundësisë së korrupsionit të ish-deputetit Berzani: ai kishte vetëm 5 muaj në punë shteti, pra nuk pati kohë kur të korruptohet. Dakord, edhe për këtë "nuk është e thënë ...", por ama është një argument. Gjithsesi, ish-deputeti Berzani është akuzuar, por nuk është provuar se është i fajshëm, sepse nuk është zhvilluar akoma së paku një proces gjyqësor i plotë. Në këto kushte, çdo njeri mund ta quaj atë të pafajshëm, dakord, ose dhe të fajshëm. Dyshojmë se me ish-deputetin Berzani, nuk është punë korrupsioni. Thjeshtë dikujt i duhet "koka e tij në sini" (po perifrazojmë ca fjalë të thëna në Kuvendin tonë para ca kohësh, nga një ministër i sotëm, kundër kryeministrit të sotëm, atëherë presidenti i vendit). Mbase i duhet "koka e Berzanit", si kryeministrit, si kryetares së Kuvendit, si dhe shumë të tjerëve. Mbase u duhet të gënjejnë botën se ja, po e luftojnë korrupsionin, prandaj të na pranojnë në NATO, që me atë rast të mbajnë dhe ata vetë pushtetin e tyre. Fatkeqësisht, sot ish-deputetin Berzani nuk e ndihmoi sa duhet as mbrojtja dinjitoze e kryetarit të partisë së tij, Nard Ndoka, kështu që po dergjet prej katër muajsh në burg, pa pasur mundësi reale të mbrojë pafajësinë e tij, e pa pasur mundësi për të provuar edhe motivet e goditjes që iu bë. E kjo është padrejtësi, edhe relativisht (krahasuar me qëndrimin ndaj të akuzuarve për Kalimashin), por edhe absolutisht, krahasuar me ligjet demokratike. Në vijim do të japim ca hipoteza që na i kanë thënë, bile dhe me emra e me mbiemra të aktorëve konkretë të kësaj farse dhe korrupsioni të politikës shqiptare. Për etikë gazetareske, ne nuk do t'i përmendim emrat. Por prokuroria, nëse do t'i dijë emrat, mjafton të pyesë të akuzuarit që ka në burg, dhe ata do t'ia japin. Akuzohet se një "firmë sponsorizuese" e fushatës zgjedhore të një politikani lokal, është financuesja e zyrtarëve të shtetit që kanë realizuar sulmin kundër Berzanit. Politikani lokal megjithëse rezultuaka të jetë humbës, prapë se papë paskësh mbetur në tavë (në njëfarë pushteti), që të bëjë Monin (ndërmjetësin), për ata që janë në qendër. "Firma sponsorizuese" paska pasur interesa ta hiqte qafe "drejtorin e rrugëve" Berzanin, sepse nuk po e blinte dot, që të fitonte tendera rrugësh siç ishte mësuar: në shkelje të ligjit. Ndërkohë, tani që Berzani është në burg, tenderat që i duhen i paskësh fituar, e do t'i fituaka sa të ketë njerëzit e vet aty ku duhet! Sidoqoftë, ka një fakt që është lehtë i verifikueshëm: deri sot nuk paskësh vajtur asnjeri ta marrë në pyetje ish-deputetin Berzani, që kur është burgosur. Thuhet se nuk dinë të shkretët hetues se përse ta pyesin, meqë nuk ka asnjë faj nga ish-deputeti, por ka faj nga ata që po e bëjnë kurban pa faj. Por atë që u skuqet faqja ta bëjnë hetuesit, t'i bien në qafë një të pafajshmi, nuk u bëka syri tërt ta bëjnë njerëzit e veshur me uniformë, të katapultuar nga paradhomat e kryeministrit aktual. Ata paskan marrë detyrë të zbatojnë skenarin e bërjes fajtor, të një të pafajshmi, dhe për këtë po punuakan dhe brenda burgut. Gjithsesi, mundësia që të jenë të vërteta këto hipoteza-akuza, mendojmë se nuk është më e vogël sesa ajo e akuzave publike të kryeministrit. Bile ne po i bëjmë si hipoteza (si mundësi), e jo duke qenë kategorikë (të prerë e të sigurt) si kryeministri ynë, kur sot thotë "Berzani është i korruptuar", apo se "ministri i tij, Bashaj është qelibar", siç thoshte dikur se ministri i tij i sotëm "Genc Ruli është hajduti i drurit të arrës" etj. etj. Në këtë situatë llafesh, ajo që do ta ndante deri diku, të vërtetën nga gënjeshtra, është një proces gjyqësor i cili duhet të bëhet sa më parë. Themi "deri diku", sepse është shumë e vështirë të kemi një proces gjyqësor të drejtë dhe transparent, në Shqipërinë aktuale. Që t'i jepet fund këtij pisllëku, ish-deputeti Berzani duhet të nxirret jashtë burgu, të shkojë pranë familjes së tij, dhe procesi penal ndaj tij të vazhdojë siç po vazhdon ai i Kalimashit-natyrisht, kur themi Berzani, nënkuptojmë edhe "ata me të". T'i jepet edhe ish-deputetit mundësia të mbrohet normalisht, jo vetëm në ambientin e drejtësisë sonë tejet të korruptuar materialisht dhe të korruptuar edhe politikisht, duke zbatuar urdhrat e qeveritarëve të radhës. T'i jepet edhe Berzanit mundësia të mbrohet edhe në ambientin e opinionit publik, gjë që duhet të kompensojë disi, këtë drejtësinë tonë. Opinioni shoqëror duhet të ngrihet në mbrojtje të të drejtave të ish-deputetit Berzani, pa u strukur në rehatinë meskine të mos kritikës së pushtetit, se nesër padrejtësia mund të godasë secilin. Bashkim Kopliku 15.1.2008 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <bkopliku at gmail.com> optional: <bkopliku at infinito.it> Please, send important e-mails on both addresses.
More information about the Alb-Club mailing list |