Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Ministri i financave shkel kushtetutën

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Mon Jan 14 02:01:41 EST 2008



Ministri i financave shkel kushtetutën
[Gazeta Shqiptare, 14.1.2008]

Që më 1 janar 2008 është bllokuar shitja e pasurive të paluajtshme.  Kjo 
sepse nuk ka hyrë akoma në fuqi Udhëzimi i Ligjit (Udhëzimin Nr 1 datë 
31.12.07 në zbatim të nenit 2 të Ligjit Nr. 9716, datë 16.04.2007  "mbi 
ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë 
mbi pasurinë e paluajtshme").  Udhëzimi nuk ka hyrë akoma në fuqi, për faj 
të ministrit Ridvan Bode.  Ai e ka bërë Udhëzimin shumë vonë, prandaj nuk 
është botuar akoma në Fletoren Zyrtare, kështu që Zyrat e Regjistrimit të 
Pasurisë nuk kanë praktikisht udhëzim të vlefshëm.  Kjo vonesë, por edhe 
shumë probleme të tjera që ka Udhëzimi, janë shkelje të Kushtetutës dhe edhe 
të vetë Ligjit.  Në vijim do të analizojmë vetëm katër nga këto shkelje 
absurde.  Kuvendi duhet të amendojë urgjentisht Ligjin, që të zhbllokohet 
ekonomia e vendit, duke vazhduar të punohet me ligjin e vjetër, derisa të 
eliminohen shkeljet.


Shkelja e së drejtës të pronësisë

Duke bllokuar shitjen e pronës, ministri ka cenuar të drejtën e pronës.  Në 
Kushtetutën tonë, në nenin 41 dhe 42 shkruhet: "E drejta e pronës private 
është e garantuar [...] Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë 
dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor."  Nuk ka 
asnjë proces ligjor që t'i ketë dhënë të drejtë ministrit për të cenuar 
pronën.

Nuk i dihet sesa kohë do të vazhdojë ky cenim, ky bllokim i transaksioneve 
me pronat e paluajtshme.  Ka dy shkaqe të forta që na merakosin.

E para, pritet botimi i Udhëzimit në Fletoren Zyrtare, gjë që do disa ditë. 
Ja se çfarë shkruhet në fund të Udhëzimit: "Ky Udhëzim hyn në fuqi me 
botimin në Fletoren Zyrtare".  Udhëzimi është firmosur më 31.12.2007, pak 
para darkës së Vitit të Ri.

E pra, ministri e ka pasur të gjithë kohën në dispozicion për të nxjerrë me 
kohë udhëzimin e duhur.  Ligji ka hyrë në fuqi që më 1 korrik 2007, dhe 
kërkonte në mënyrë taksative që pjesa e Ligjit për të cilin bën fjalë 
Udhëzimi, të fillonte të zbatohej që më 1 janar 2008.

E dyta, nëse rrihet duke pritur Udhëzimin, bllokimi do të stërzgjatet edhe 
përtej botimit të Fletores Zyrtare, dhe s'dihet deri kur, për arsye se ky 
Udhëzim ka shkelje ligjore pa fund, të cilat e bëjnë të jashtëligjshëm, e 
prandaj do të duhet të ndryshohet, duke kaluar muaj të tëra.


Shkelja me përcaktimin e Fitimit Kapital të Realizuar

Në Udhëzim përcaktohet si vijon: "...me fitime kapitale të realizuara duhet 
të kuptohet [...] diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes së 
pasurisë [...] përcaktuar në kontratë".  Më tej shkruhet: "vlera e blerjes 
së pasurisë do të përcaktohet me një Vendim të Këshillit të Ministrave 
 (VKM)".  Këtu Udhëzimi ka së paku dy shkeljet që vijojnë

E para, fitimi që përmend Ligji, është diferenca në mes të ardhurave dhe 
shpenzimeve nga shitja, me të gjithë elementët e kostos, dhe jo vetëm ajo që 
shkruan Udhëzimi, pra jo vetëm "vlerat në kontrata".  Pavarësisht se kur 
bëhen shpjegime të shkurta, përmendet vetëm vlera e shitjes dhe blerjes së 
pasurisë, por në llogaritjet konkrete, në koston e këtyre transaksioneve ka 
edhe komponentë të tjerë.  Ka raste që vetëm shpenzimet për dokumentet, 
përbëjnë një vlerë relativisht të madhe (shpenzimet noteriale, bërja e 
hartave, e planimetrive dhe e dokumenteve të tjera që kërkohen edhe në 
Udhëzim, për të realizuar shitjen).  Këto shpenzime mund ta bëjnë edhe zero, 
bile edhe negativ fitimin nga shitja, pra ta bëjnë një humbje, dhe jo një 
fitim-e kjo kryesisht për pronat me vlerë të vogël, pra për "të varfrit". 
Sidoqoftë, edhe përcaktimi i fitimit, nga ku llogaritet edhe tatimi, duhet 
të përcaktohet në Ligj, dhe të mos i lihet në dorë qeverisë, sepse tatimin 
duhet ta përcaktojë Kuvendi.

E dyta, nuk ka sesi ligji t'ia lërë në dorë madhësinë e tatimit një VKM-je e 
cila përcaktuaka vlerën e blerjes, sepse kështu do t'i binte që tatimet i 
caktuaka KM, dhe jo Kuvendi.  Mendoni sikur ta rrisë apo ta ulë këtë vlerë 
KM.  Ja një shembull: toka shitet 20 milion, dhe vlera e blerjes së saj, në 
VKM mund të caktohet, ose 19 milion, ose 10 milion (përse jo, deri sa e 
paska në dorë një VKM?!).  Në rastin e parë, tatimi do të ishte 100 mijë 
lekë ((20-19)x0.1), kurse në rastin e dytë do të ishte 1 milion lekë, pra 10 
herë më i madh ((20-10)x0.1), pra ky ndryshim tatimi do të bëhej sipas 
qejfit të KM, pa e pyetur fare Kuvendin.  Në fakt as Ligji nuk e thotë një 
gjë të tillë, por e shkruan Udhëzimi në kundërshtim me Ligjin.  Gjithsesi, 
nëse tatimi do të përcaktohej sipas kësaj formule që sjell Udhëzimi, atëherë 
përcaktimi i "vlerës së blerjes së pasurisë" duhet të ishte pjesë e Ligjit, 
dhe jo e një VKM-je.

Vendosjen e tatimeve e ka të drejtë vetëm e vetëm Kuvendi, e jo KM.  Ja ç'thotë 
Kushtetuta jonë në nenin 155 të saj: "Taksat, tatimet dhe detyrimet 
financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i 
kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre 
caktohen me ligj."  E pra ligjet i bën Kuvendi, dhe jo KM!


Shkelja me prapaveprimin e ligjit

Në Udhëzim shkruhet se për pasuritë e para 1 janar 2008, pra para se të 
hynte në fuqi Ligji, "vlera e blerjes së pasurisë së paluajtshme do të 
përcaktohet [...] bazuar në koston minimale fiskale për metër katror të 
miratuar me vendim të KM në fuqi".  Kështu, kjo vlerë pritet se do të ulet 
shumë, do të bëhet shumë më e ulët se çmimi i tregut më 1 janar 2008, shumë 
më e ulët se çmimi që ka pasuria që prej shumë kohësh para, pra shumë kohë 
para hyrjes në fuqi të këtij Ligji.  (Nuk thuhet në Udhëzim, se vlera e 
blerjes, duhet të jetë sa vlera më 1 janar 2008 e mbrapa).  Kështu Ligjit i 
jepet një fuqi prapavepruese, sepse tatohen rritje të kaluara të vlerës së 
pasurisë, ato që janë bërë para hyrjes në fuqi të Ligjit.  Po sqarojmë edhe 
më konkretisht.  Vlera e përcaktuar nga VKM ("vlera e blerjes"), do t'i 
zbritet vlerës së shitjes, për të llogaritur "fitimin kapital të realizuar", 
i cili do të tatohet me 10%.  Shihni shembullin e dhënë dy paragrafe më 
lart, për të kuptuar influencën e vlerës së blerjes, në vlerën e tatimit. 
Nëse vlera e tokës më 1 janar 2008, është 19 milionë, tatimi do të ishte 
rreth 100 mijë lekë.  Por, nëse VKM do të vërë vlerën e tokës para disa 
vjetësh, pra 10 milionë, tatim do të jetë 1 milionë lekë.  Natyrisht, duke 
kaluar në vlerat para hyrjes në fuqi të Ligjit, mund të rritet tatimi që 
duhet paguar, sepse kështu tatohen edhe rritjet e vlerës së pasurisë të 
ndodhura para hyrjes në fuqi të Ligjit, pra ligjit bëhet që të veprojë edhe 
për kohën para hyrjes së tij në fuqi..

Sa shpjeguam, është shkelje e Kushtetutës sonë e cila ndalon prapaveprimin e 
ligjit-si çdo kushtetutë demokratike, xhanëm..  Ja se ç'shkruhet në nenin 
155, për taksat, tatimet dhe detyrimet financiare, të cilat edhe pse 
caktohen me ligj, "ligjit nuk mund t'i jepet fuqi prapavepruese".  Pra, as 
Kuvendi nuk ka të drejtë të vendosë detyrime financiare për ndodhi para 
hyrjes në fuqi të Ligjit.  Por në këtë rast, nuk është Kuvendi që ka shkelur 
Kushtetutën, por është ministri ynë i financave, që i ka ndërruar kuptimin 
Ligjit, nëpërmjet Udhëzimit të tij.

Që Ligjit të mos i jepej fuqi prapavepruese, Udhëzimi duhet të kishte 
përcaktuar se vlera e pasurisë duhet të jetë ajo e kohës së hyrjes në fuqi 
të Ligjit, e mbrapa, e jo ajo para hyrjes në fuqi të Ligjit (bile vlera e 
pasurisë duhet të rritesh edhe pas 1 janarit 2008, duke marrë parasysh 
inflacionin, por po e lëmë analizën më në detaje, tani për tani).

Shkelja e Kushtetutës është faj i rëndë, dhe nuk mund të justifikohet as me 
babëzinë e këtij ministri, apo të kësaj qeverisjeje, për të mbledhur në 
buxhetin e tyre sa më shumë para nga xhepat e shqiptarëve të gjorë.


Shkelja me Çmimin minimal të shitjes

Praktikisht, Udhëzimi i heq tregut të drejtën e përcaktimit edhe të çmimit 
të shitjes së pasurisë së paluajtshme, dhe ia kalon këtë të drejtë, një 
VKM-je.  Ja se ç'shkruhet në Udhëzim: "Vlera e shitjes së pasurisë së 
paluajtshme [...] nuk duhet të jetë më e ulët se çmimi minimal fiskal, i 
përcaktuar në vendimin e KM".

E para, çmimin e cakton tregu, dhe jo KM.  Tregu bile mund të përcaktojë një 
çmim edhe më të ulët se ai i blerjes, dhe shitja e pasurisë së paluajtshme 
të rezultojë me humbje, "t'i bjerë shtetit t'i kthejë para shitësit, dhe jo 
t'i marrë"-kjo e fundit nuk ishte vetëm një shaka, sepse në Amerikë bëhet 
një gjë e ngjashme: zbritet humbja nga fitimi i tatueshëm; por nuk po e 
zgjasim më thellë kësaj here!

E dyta, nuk mund të pranohet që çmimet t'i përcaktojë KM, meqë me këtë, do 
të pranohej që edhe tatimet t'i caktojë KM, gjë që siç shpjeguam më lart, 
është shkelje e Kushtetutës, sepse tatimet i përcakton vetëm e vetëm 
Kuvendi.  Nejse, në fakt, Ligji nuk e ka një kërkesë të tillë, por atë e fut 
ministri me Udhëzimin e tij.


Kuvendi duhet të pezullojë ligjin

Formalisht mjafton një deputet që të propozojë një amendim, që në fakt është 
një ligj, për të shtyrë afatin e hyrjes në fuqi të Ligjit, nga 1 janar 2008, 
në një datë të mëtejme, mbase 1 janar 2009!  Në nenin 81 të Kushtetutës 
shkruhet: "Të drejtën për të propozuar ligje e ka [...] çdo deputet [...].


Bashkim Kopliku
12.1.2008

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses. 
-------------- next part --------------
A non-text attachment was scrubbed...
Name: GSH_2008_01_14_MinistriFinancaveShkelKushtetu?n.doc
Type: application/msword
Size: 38912 bytes
Desc: not available
Url : http://www.alb-net.com/pipermail/alb-club/attachments/20080114/43c60e74/attachment-0001.doc 


More information about the Alb-Club mailing list