Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: Alb-Club

[AlbClub] Dy mësime nga Parisi

Bashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.com
Fri Jan 11 02:01:56 EST 2008


Dy mësime nga Parisi
[Gazeta Shqiptare, 11.1.2008]

Do të sjellim dy mësime fare të thjeshta nga Parisi (Francë): parkimi në 
rrugë dhe shfrytëzimi i trotuareve.  Janë dy gjëra që kanë një peshë jo aq 
të vogël në jetën edhe në qytetet tona.  Bëjmë mirë të mësojmë nga 
"kryeqyteti i botës", pra nga Parisi.


Parkimi në rrugë

Disa muaj përpara, në Durrës, pranë autoveturës sime, pashë që një oficer i 
policisë së qarkullimit rrugor sapo kishte plotësuar fletën e gjobës.  "Oh, 
"shef", ti qenke; atëherë gjobën do ta paguaj unë," më tha me mirësjellje. 
"Jo, gjobën do ta paguaj unë, por përse; ç'gabim kam bërë?" thash unë. 
Rezultoi se "gabimi" im paskësh qenë se kisha parkuar në krahun e majtë të 
lëvizjes, dhe jo në të djathtin.  I thashë oficerit se nuk ka ndonjë të keqe 
të parkoj edhe majtas, derisa nuk ka vend djathtas.  Ai më shpjegoi 
"logjikën" e këtij ndalimi: nëse ke parkuar majtas, kur merr të dalësh nga 
parkimi, të bie të zhvendosesh djathtas, fillimisht duke mos e shikuar dot 
qarkullimin (makinat e tjera që lëvizin), meqë timoni i autoveturës qenka 
majtas dhe i rënka që pamja të jetë e bllokuar nga makinat e tjera të 
parkuara po në anën e majtë.  E zura ngush oficerin, me pyetjen se "si do t'ia 
bëjnë makinat që e kanë timonin djathtas ("anglezet"), atëherë ato duhet të 
parkuakan majtas, sipas kësaj logjikës së pamjes së qarkullimit?!" 
Sidoqoftë, këshilla ime për të hequr këtë ndalim (duke ndërruar 
rregulloren), për të bërë një kompromis në mes kujdesit në parkim, dhe 
problemit të mungesës së vendeve të parkimit në qytetet tona, më duket se 
nuk zuri vend fare: nuk kemi parë të ketë ndërruar gjë këta muaj.

Ne pamë se ajo që ndalohej tek ne, në Shqipëri, atje, në Paris (Francë), jo 
vetëm që lejohej, por edhe ishte bërë si rregull.  Në rrugët me një kalim, 
parkohej në të dy anët e trotuarit.  Bile, kishte rrugë ku parkohej vetëm 
majtas (jo djathtas), kjo për arsye të bizneseve që ishin vendosur në anën e 
djathtë të rrugës.  Nuk kishte asnjë tabu, asnjë rregull të përgjithshëm: 
jepeshin zgjidhje sipas nevojës, rast pas rasti.

Mësimi që del është që bashkitë tona (pushteti lokal), së bashku me policinë 
e qarkullimit rrugor, duhet të caktojnë parkim në anët më të përshtatshme të 
rrugëve tona, qoftë edhe në të dy anët e rrugës (qoftë edhe mbi trotuar), si 
e si t'i bëhet më mirë parkimit, qarkullimit, bizneseve, pa u penguar nga 
tabu të kota.  Mjafton të vihen tabelat përkatëse dhe kemi shfrytëzuar 
rezerva sipërfaqesh të mëdha për parkime, që qytetet tona i kanë shumë të 
nevojshme.  Nuk është parkimi në anën "e kundërt", apo "në të dy anët", që 
pengon qarkullimin.  Ajo që pengon qarkullimin në qytetet tona është mos 
respektimi i tabelave, dhe sidomos mos respektimi i tabelave të ndalimit të 
kalimit, në rrugët me një kahe kalimi.  Policia duhet të gjobisë ata 
drejtues makinash që me kapadaillëk hyjnë në kahe të kundërt (kundër 
tabelës), duke bllokuar të gjithë lëvizjen.  Po ashtu, duhen gjobitur ata që 
ndalojnë në mes të rrugës, qoftë duke bërë muhabet me miqtë, qoftë duke 
shkuar "nja 5 minuta" deri tek ai "dyqani aty".


Shfrytëzimi i trotuareve

Pothuaj të gjithë kafenetë dhe restorantet në bulevardin Montparnasse 
(Paris), kishin "ngrënë nga trotuari"-por ama vetëm ato, e jo dyqanet e 
tjera.  Kështu, pothuaj të gjitha kafenetë dhe restorantet kishin bërë një 
zgjerim të sipërfaqes së tyre, duke marrë sipërfaqe nga trotuaret.  Këto 
sipërfaqe ishin rrethuar dhe mbuluar me struktura me xham dhe duralumin. 
Shpesh muri i faqes së jashtme të lokalit ishte hequr, dhe lokali vazhdonte 
si një i tërë, pa ndërprerje, edhe në pjesën e marrë në trotuar, pjesë kjo 
ku kishin vendosur tavolina dhe karrige (njësoj si brenda lokalit).  Në këtë 
mënyrë edhe sipërfaqja e lokalit rritesh, por edhe klientët kishin pamje më 
të plotë: jo vetëm përball rrugës, por edhe në gjatësinë e saj.  Na thanë se 
të gjitha ishin bërë me leje të bashkisë.

Në qytetet tona, në Shqipëri, shohim që ka një qëndrim absurd.  Nga njëra 
anë ndalohet të zihet trotuari nga tavolinat e karriget e kafeneve dhe 
restoranteve, duke u justifikuar "me bukurinë e qytetit", kurse nga ana 
tjetër ndërtohen banesa disa katesh, duke "e ngrënë" përfundimisht të gjithë 
trotuarin.  Zor të ketë  ndonjë qytet në Shqipëri, ku të jenë zbatuar 
rregullat ligjore urbanistike që kërkohen në mënyrë taksative nga 
legjislacioni.  Kështu, legjislacioni ynë kërkon që distanca e banesave të 
reja të jetë larg nga bordura e rrugës, jo më pak se 5, apo se 7, 5 apo se 
10 metra, në vartësi nga gjerësia e rrugës (përkatësisht për gjerësi rruge, 
bordurë në bordurë trotuari, nën 7 metra, apo mbi 7 metra dhe mbi 15 metra). 
Tek ne, në Shqipëri, edhe lejojmë që ndërtesa shumëkatëshe të ndërtohet duke 
shkelur trotuaret në të gjithë gjatësinë, për jetë të jetëve, dhe nga ana 
tjetër, jemi të shtrënguar në lejimin e zgjerimeve provizore, të tejdukshme, 
vende-vende, në pjesë të vogla të trotuarit, e vetëm për kafenetë dhe 
restorantet.

Mësimi që del është që bashkitë duhet të lejojnë që bizneset e kafeneve dhe 
restoranteve, të mund të zgjerohen duke zënë një pjesë të trotuareve, duke i 
rrethuar me struktura të lehta xhami.  Nga ana tjetër, duhet të ndalojnë 
mosrespektimin e pozicionit të ndërtesave, të ndalojnë ngushtimin e 
përhershëm të trotuareve, duke respektuar ligjin që ka 10 vjet që është në 
fuqi.  Kjo do t'u jepte frymëmarrje bizneseve, dhe do të vinte rregull në 
qytetet tona: "si në Paris"!


Bashkim Kopliku
10.1.2008


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <bkopliku at gmail.com>
optional: <bkopliku at infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses. 



More information about the Alb-Club mailing list