| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: Alb-Club[AlbClub] Garë barazitizmi me pensionetBashkim Kopliku--->Gmail Home bkopliku at gmail.comSat Jan 5 03:41:47 EST 2008
Garë barazitizmi me pensionet [Gazeta Shqiptare, 05.01.2008] Fundi i vitit dha edhe një spektakl mediatik të një gare në mes një ish-ministri dhe kryeministrit aktual: kush e kush të jetë më barazitist në shpërndarjen e fondit të pensioneve. Në këtë garë, në sfond të dytë ishin edhe politikanë të tjerë, ata që miratuan "shtesën njësoj për të gjithë pensionistët", me nga 5 mijë lekë. Shkroi në një gazetë ish-ministri, pak a shumë si vijon: "Kryeministri dhe ministri i financave, kanë bërë gabim që u kanë dhënë njësoj të gjithë pensionistëve, nga 5 mijë lekë secilit. Duhej të kishin bërë diferencime, t'u jepnin atyre që kanë pensione të ulëta, dhe mos t'u jepnin atyre që kanë pensione të larta". Flakë për flakë u përgjigj kryeministri, në seancë Kuvendi, po atë ditë, e pak a shumë kështu: "E ka mirë ish-ministri, po ku të lenë këta të opozitës. Ata do të më thoshin se pse e bëre kështu dhe jo ashtu". Në këtë shkrim do t'i mbajmë këta të dy si protagonistë, Kryeministrin aktual dhe ish-ministrin e tij. U dehën në afshin e tyre populist, në maninë e tyre për protagonizëm, dhe mbase pa dashje, shfaqën publikisht mendimet e tyre të brendshme, shfaqën se çfarë struket në mendjet e tyre: barazitizmi bolshevik. * * * Të sqarojmë së pari, më në detaje, se përse bëhet fjalë. Shteti u shpërndau pensionistëve, në fund të vitit, një shtesë pensioni prej 5 mijë lekësh për çdo pensionist. Ne e konsiderojmë një veprim barazitist: duhet t'u shpërndahej jo njësoj të gjithëve, por sipas pensionit që ka secili pensionist: p.sh. nga një gjysmë pensioni mujor secilit pensionist. Nejse, të mbesim tek ajo që kanë bërë dy protagonistët dhe pasuesit e tyre. Duke u bazuar në vlerën në kohë të parasë (TVM, Time Value of Money), rezulton se shtesa 5 mijë lek në fund të vitit, është e barasvlershme me një shtesë rreth 400 lek/muaj. I bie afërsisht që gjatë vitit 2007, pensionet e ulëta t'i kenë rritur 4-5%, kurse pensionet e larta, t'i kenë rritur vetëm me 2,5%. Nëse marrim parasysh se inflacioni gjatë vitit 2007 rezulton të jetë 4-5%, i bie që realisht se shtesa, për pensionet e ulëta thjesht ka kompensuar inflacionin, pra ka bërë që mos të ulet pensioni real, por ama edhe mos të rritet. Kurse shtesa, për pensionet e larta vetëm sa ka zvogëluar efektin e inflacionit, duke lënë prapë që vlera reale e pensioneve të larta gjatë vitit 2007, të ulet me nja 2-3%. Por ç'është më kryesorja, ky "5 mijë lekësh" e ka zvogëluar raportin pension maksimal, me pension minimal, afërsisht 2,44%, gjë që tregon edhe një herë, se qeverisja aktuale po vazhdon të ecë në rrugën e para vitit 1990: po synon të barazojë pensionet e ulëta me të lartat. Po na kujtojnë fushatat enveriste të "zhdukjes së dallimeve, të uljes së pagave të larta dhe të privilegjeve", të zhvilluara nja 20-40 vjet përpara, nën shembullin e gardistëve të kuq kinezë, kur këta dy protagonistët tanë ishin në poste të larta të regjimit komunist, dhe i kishin shumë xhan idetë e Maos. Tek ne, si dhe në botën perëndimore, pensionet janë një e drejtë e secilit, por madhësia e tyre, ndër të tjera, varet nga kontributi i secilit gjatë jetës aktive. Duke u nisur nga ky princip, i bie që shpërblimin më të madh (në vlerë absolute) duhet ta kishin pensionet e larta, dhe më të vogël pensionet e ulëta-krejt e kundërta e asaj që mëtojnë këta dy protagonistët tanë. "Nuk duhet prekur raporti pension i ulët, me pension i lartë," do të thoshte çdo person që nuk është i molepsur nga barazitizmi enverist. Çdo shqiptar i shekullit të XXI-të, duhet të merrte shembull Perëndimin, dhe jo enverizmin-aq më tepër një udhëheqje shqiptare aktuale, që duhet të synojë të na dërgojë në BE (në Bashkimin Evropian). Të dy protagonistët bënë garë se kush të qahet më shumë, se fondi i gjithë atyre "5 mijë lekëshave", duhet të ishte përqendruar vetëm tek pensionistët me pensione më të ulëta, duke i lënë pa gjë fare pensionistët që kanë pensione të larta-por ja që nuk i lënka opozita, që ta bëjnë "të mirën" ashtu siç ua dashka zemra atyre të dyve. Po ta kishin bërë ashtu, do të kishin vajtur edhe më thellë në xhinsin e tyre, në të majtën ekstreme, me afrimin edhe më të madh të pensioneve të ulëta me ato të lartat. Të dy protagonistët synuan mashtrimin populist, duke përdorur shprehjet folklorike si "Kartolina Bode". Synojnë të krijojnë përshtypjen sikur kryeministri personalisht po u çuaka një lëmoshë pensionistëve, sikur t'i kishte ose para të vetat, ose fundja të marra nga xhepat e qeveritarëve të vet. Në fakt, kjo nuk është një lëmoshë që u jepet pensionistëve "të shkretë", nga "të mirët" e qeverisë. Kryeministri thjesht po shpërndan keq rreth "50 milionë dollarë" nga paratë tona, pra të buxhetit tonë, të krijuara nga paratë që shteti na ka marrë ne të gjithëve. Të dy protagonistët keqpërdorën paratë tona, për të fituar elektorat, që naivët të thonë: "sa e mirë që është udhëheqja, mendon për pensionistët e shkretë". Edhe në botë perëndimore bëhen dhënie shtesash në fund të vitit, si p.sh. dhënia e një page shtesë në fund të vitit, e ashtuquajtura paga e 13-të, si ajo që u jepej para nja dy vitesh për arsimtarët, e që u hoq po nga kjo qeverisje. (Ju kujtohet, që edhe për heqjen e pagës së 13 të arsimtarëve, ishte po ky kryeministër që pati folur më shumë se të gjithë, për "të mirën që u bënte arsimtareve" duke ua hequr atë-nejse, kryeministri aktual e ka mani, nuk rri dot pa folur për çdo gjë, e nuk mund të rrijë pa u prerë hovin edhe ministrave të tij të linjës; manisë për të folur pa pushim, i shtohet edhe inkoherenca e tij: "çfarë thotë tani, nuk thotë pastaj"). Ka shumë shembuj të tjerë të dhënies së pagave apo pensioneve në fund të vitit, bile me 2 e deri dhe me 6 paga mujore. Por në çdo rast, ato rezultojnë shtesa të pagave apo të pensioneve vjetore. E veçanta e "5 mijë lekëshit tonë", është barazitizmi i tij. Në mbyllje po rreshtojmë shkurtimisht disa të vërteta të thjeshta. Është shkelje e principeve elementare të një shteti demokratik, që fondi buxhetor për shtesën e pensioneve, filloi të shpërndahet pa u miratuar më përpara në Kuvend, sepse pensionet nuk i cakton as formalisht, kryeministri: ato i cakton formalisht Kuvendi. Por as Kuvendi nuk i rrit dot pensionet "sa të dojë": ato i rrit vetëm rritja ekonomike e vendit: pensionistë të nderuar, mos i hani rrenat! Nuk mund të vendosësh pensione të mëdha, sepse "nuk ka para Shqipëria"! Nuk është puna e "mbledhjes së parave në buxhet", sepse po mblodhe me tepri, mbytet ekonomia e vendit, dhe plas uria bolshevike (taloni, dyqanet bosh etj.): nëse vazhdohet kështu siç është nisur, duke u mburrur me paratë e mbledhura në buxhet, mos të çuditemi kur t'ia arrijmë asaj ditës së urisë-me siguri do të thotë prapë kryeministri ynë, se "na e bënë kryengritësit komunistë", siç thotë për atë që na bëri në 1997-tën. Pra, nëse qeverisja vërtetë dëshiron që të nxjerrë pensionistët nga varfëria, duhet të krijojë kushtet për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Kushti kryesor është krijimi i klimës së zhvillimit të biznesit. Biznesi zhvillohet aq më shpejt, sa më e madhe të jetë gara në mes bizneseve. Që njerëzit të jenë të interesuar për të fituar në garë, duhet të kenë shtytje materiale, të kenë shtyje se do të sigurojnë të ardhura më të mëdha. Shtytjet materiale bëjnë që njerëzit të mos jenë njësoj: më i zoti, apo më punëtori ka më shumë para, pra edhe më shumë pensione. Nëse barazon paratë, qoftë dhe pensionet, ke ulur shtytjen për garë, ke ulur rritjen ekonomike të vendit, u ke ulur pensionet shqiptarëve, je kthyer në barazitizmin bolshevik, pikërisht në atë që po revokojnë dy protagonistët tanë, si shumë të tjerë me ta, në këto kohë që po jetojmë. Bashkim Kopliku 28.12.2007 Bashkim Kopliku Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <bkopliku at gmail.com> optional: <bkopliku at infinito.it> Please, send important e-mails on both addresses.
More information about the Alb-Club mailing list |